Yjet e filmit shqiptar

Kultura

Yjet e filmit shqiptar

Nga: Gani Mehmetaj Më: 14 shtator 2017 Në ora: 10:18
Gani Mehmetaj

Vangjush Furrxhi- film dokumentar "Përcjellja", sipas skenarit të Natasha Lakos e Mevlan Shanajt, në regji të Mevlan Shanajt (2007).

Pamjet me kuadrin e shkrirë farfuritës, portreti i aktorit në skenë e para kamerës, fotografitë që fiksojnë kohën e ngjarjen, duke vazhduar me atmosferën e përzishme të përkujtimit, janë kuadrot me të cilat e nis filmin dokumentar -portret për Vangjush Furrxhi , "Përcjellja" regjisori i rryer Mevlan Shanaj. Futemi pastaj dalëngadalë në botën komplekse të aktorit, na del para portreti artistik, jeta private, ngritjet e rëniet, mëdyshjet, jeta në frikë e në strese.

Korça zë një pjesë të fëmijërisë e të rinisë së aktorit, ashtu sikurse zë edhe një pjesë të konsiderueshme të filmit, sepse Korça ishte vendlindja e tij, jeta dhe frymëzimi, aty iu ngjizë dëshira për artin, aty i nisi hapat e para. Ishte ajo Korça e serenadave dhe e shfaqjeve me peshë, qyteti që frymonte evropiançe, që shquhej për muzikë e këngë të veçanta, por edhe për aktorë e regjisorë që i dha filmit e teatrit shqiptarë. Këtë frymë e barti fuqishëm Vangjush Furrxhi, ylli i të cilit shkëlqeu në qiellin e kinematografisë e të teatrit shqiptarë.

Shanaj e ka pasuruar filmin jo vetëm me rrëfimet e bashkëkohanikëve që e kujtojnë me mall, e kujtojnë me fjali e imazhe mbresëlënëse, e portretizojnë ashtu si nuk e dinim. Ndërkaq, regjisorët e ata që punuan me Vangjushin te rrëfejnë figurën e tij artistike, karakterin, thellësinë e depërtimit në rol, përgjegjësinë para kamerës.

Regjisori Shanaj ndjek linjë të veçantë rrëfimi: inkorporon pamje nga filmat ku interpretoi Furrxhi, e ilustron me pamje nga shfaqjet teatrore, shpalos të kaluarën, sajon artistikisht kuadro që na e ringjallin kujtimin për atmosferën e kohës, portretizon aktorin, por edhe qytetarin e familjarin që ka mëdyshjet e paqartësinë për të ardhmen.

Kur e shikon filmin dokumentar-portret për Vangjush Furrxhi, se si të mbërthen nostalgjia për kohërat e shkuara, kur filmi shqiptar kishte peshë, kur aktori ishte yll i qiellit të izoluar e të mbyllur shqiptarë dhe, kur të jesh aktor nuk ishte vetëm kënaqësi e të qenit i famshëm, por edhe përgjegjësi që të mos gabosh, sepse të godisnin jo vetëm politikisht.

Regjisori Shanaj na e ofron edhe kënaqësinë e shijimit të portretit-biografi të aktorit të famshëm shqiptar, por edhe kronikën e ngjarjeve artistike, duke i plotësuar më rrëfimet e gruas, vajzës e djalit, krahas rrëfimit dinamik e kujtesës më nostalgji të regjisorëve, aktorëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta kenë profesor e bashkëpunëtorë.

Filmi portret është punuar me ndjeshmëri të veçantë, ka arritur të nxjerr në ekran një Vangjush si e kanë njohur të afërmit e miqtë. Kështu e njohëm portretin e tërësishëm të personalitetit kompleks të një aktori që u shua.

 Aktori i interpretimeve të veçanta

"Të fala"- Ndrekë Luca, film portret, sipas skenarit të Natasha Lakos e Mevlan Shanajt, në regji të Mevlan Shanajt (2013)

Ndrekë Luca, njëri ndër aktorët më të mëdhenj të teatrit e të filmit shqiptar, me figurë e shprehje të veçantë të fytyrës e syve, me interpretime të jashtëzakonshme, me energji shpërthyese që rrezatonte në ekran e në skenë, ashtu sikurse ishte i veçantë në raport  me të tjerët, u ringjallë nga regjisori Mevlan Shanaj në filmin dokumentar “Të fala, Ndrekë Luca”. Ndreka për të cilin që krijuar miti edhe në të gjallë, që të imponohej më pamjen e shprehjen artistike, që ngjallte në ekran figura negative, ta kujton një periudhë të gjatë të filmit e të historisë shqiptare.

- Këtu e kam takuar për herë të parë Ndrekë Lucën, - nis rrëfimin Mevlan Shanaj, aktor e regjisor i njohur, për të vazhduar pastaj me shpalimin e portretit nga mozaiku i rrëfimeve të të tjerëve, nga kujtimet e fqinjëve në Shkodër, nga kujtimet e gruas, të djalit e të vajzës, nga kujtimi i jetës artistike të regjisorëve të njohur shqiptarë, të cilët punuan   me te. Kujtimet e tyre i shpalojnë Piro Milkani, Kristaq Dhamo, Dhimitër Anagnosti, Roza Anagnosti,  Viktor Gjika, Rikard Ljarja, Muharrem Fejzo, Kujtim Çashku, Vladimir Prifti, Tinka Kurti, Lazër Filipi, Pirro Milkano, Timo Flloko.

 Ngjyrim të veçantë i japin rrëfimet kujtimet e gruas Mimoza Luca dhe vajzës Rozafa e djalit Gjergji. Pastaj dalin në ekran pamje nga filmat, fotografi e pamje nga shfaqjet. Duke rrëfyer ata tregojnë për një karakter të fuqishëm, tipar karakteristikë i N. Lucës, me fuqi interpretimi ekspresiv që la gjurmë në film e në teatër.

Rudof Marku e quan Xhek Nikollsonin shqiptar. Në film Luca interpretoi mjaft role negative të armiqve, kriminelëve, të cilët kanë potencë të jashtëzakonshme, kështu që nëse nuk arrin t'i duash, atëherë do t'i mbash në mend kohë të gjatë, sepse janë karaktere të forta, të qëndrueshme, gati të pathyeshme. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse regjisorët ia kanë rrudhur gamen e interpretimeve, duke e klishetizuar në rolet e të këqijve. Jam përpjekur t'i arsyetoj me hamendësimet e mia: Mbase u mishërua më së miri në këto role, mbase kishte shprehje ekspresiviteti që nuk i gjenin të aktorët e tjerë, prandaj regjisorët ia besuan disa nga rolet për shikuesit më të mënishme. Çuditërisht edhe pas këtyre roleve shikuesit e donin, madje e adhuronin.

Të gjitha këto tipare të veçanta, të rralla e të papërsëritshme na i shpalon Mevlan Shanaj në filmin dokumentar për aktorin e ndjerë Ndrekë Lucën. Duke inkuadruar  pamjet e vendit ku lindi, jetoi, punoi e u ngritë, me rrëfimet e atyre që e njohën, jetuan e punuan me te, krijohet tërësia e mozaikut të jetës e veprës së një aktori ndër më të mëdhenjtë që pati kinematografia shqiptare.

Pak kush e di se Ndrekë Luca, pas gjimnazit françeskan të Shkodrës, u shkollua për pilotë ushtarak në Zarë të Kroacisë, por e braktisi jetën ushtarake dhe iu përkushtua aktrimit. 

 Ndrekë Luca ishte aktori më i famshëm që e çoi peshë shikuesin e Kosovës në turneun e trupës shqiptare nëpër qytete të ndryshme. Asnjëherë, askush nuk e pati fuqinë magjike mbi mijëra shikues sikurse që e pati Ndrekë Luca që i mrekulloi shikuesit.

Ndreka i Dukagjinit, Ndreka aq i afërt me shikuesit gjakovarë, prishtinas e pejanë që sa herë e thoshte një fjali në skenë, ndërpritej nga shikuesit me duartrokitje e brohoritje shpërthyese, na mallëngjen kur e shikojmë në ekran ashtu si e kishim fiksuar në rininë tonë të vrullshme, ashtu e kishim mbajtur në mend e ndryrë në imagjinatën tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat