Një e-mail nga Australia e largët dhe aktorja Sigrid Thornton,…

Kultura

Një e-mail nga Australia e largët dhe aktorja Sigrid Thornton,…

Nga: Petraq Pecani Më: 16 shtator 2017 Në ora: 09:34
Sigrid Thornton

Duke kontrolluar postën elektronike, i ndodhur në studion time, mes motiveve të shumtë, të cilat  për më tepër përbëjnë kujtimet e mia, një e-mail tjetër informonte për një konkurs ndërkombëtar pikture. Pa përfunduar leximin, instiktivisht dora lëvizi mbi tastierë dhe gishti tregues sa po binte mbi butonin “delete”. Në çast konstatova se  e-maili vinte nga larg, nga shumë larg,dhe, kur syri më kapi fjalët: Brisbane…Australia, u ndala.I heshtur u zhyta në mendime.Veç të tjerash në atë çast nga gjithë ai kontinent m’u shfaq edhe një imazh: silueta e një vajze, një fytyre e njohur, e afërt, që dikur si personazh i një seriali televiziv, pa e ditur, ishte bërë pjesëz e botës sime, e jetës sime të trazuar artistike, duke ndikuar sadopak me temperamentin e saj në rrugën që kisha nisur.

Ajo kishte mbetur në kujtesën time duke i rezistuar pluhurit të harresës. Në mendje më erdhi vajza me sy të mëdhenj e buzëqeshje enigmatike që me avulloren e drunjtë ndiqte me kurajo gjarpërimin e lumenjve në kërkim të një jete të dëlirë.Filadelfia!..citova me zë. Mu kujtuan si në mjergull udhëtimet e saj të gjata mes natyrës e personazheve, mes peripecive të shumta e cila me aq kurajo, kapi penelat e pikturonte mbresa nga natyra,bukuritë e të cilës përjetonte.

“Të gjithë lumenjtë rrjedhin”,..klikova me nxitim në googleserialin,i shoqëruar nga imazhi i saj, për më tepër,për të ditur se në ç’pikë të globit,mund të ndodhej tani aktorja e vërtetë, ajo që i kish dhënë jetë atij personazhi të mrekullueshëm, dhe i ngazëllyer lexova:

Sigrid Thornton,…jeton në Melbourn,…rininë e saj e ka kaluar në Brisbane… Do të marr pjesë, belbëzova duke lexuar me nxitim kondicionet e konkursit.

Vendosa të aplikoja për më tepër në respekt të kujtimeve aq të bukura, të inspirimit që aktorja pa dashje më kish dhuruar. Më dukej se me këtë veprim do të shlyeja një detyrim të hershëm, pavarsisht se “atje” larg në vendin e saj nuk më njeh kush, e ndoshta nuk kanë fare informacion mbi vendin tim të vogël.

Shqipëria e asaj kohe kalonte një periudhë të plotë izolimi.

Image

Shqipëria e asaj kohe kalonte një periudhë të plotë izolimi.Gjithëkujt i privohej e drejta e lëvizjes nga qyteti në qytet ndërsa për të udhëtuar jashtë vendit as nuk bëhej fjalë.. Funksiononte vetëm një kanal televiziv shtetëror i monitoruar nga shteti e kush tentonte të shihte stacione të huaja do pikasej e do të ndëshkohej nga autoritetet.(Përktheheshin edhe autor të njohur nga bota por pas ca kohe ndaloheshin e hiqeshin nga qarkullimi).  Linjat interurbane të autobuzave ishin të pakta dhe të amortizuara e nuk e përballonin fluksin e udhëtarëve.Nëpër provinca e qytete si mjet transporti përdorej ende karroca me kuaj. Treni si mjeti mëkomod  mbulonte disa qytete të vendit.

Ndërsa jeta artistike e asaj kohe kishte dinamizëm, në teatro e koncerte nuk gjeje lehtë bileta po kështu edhe bibliotekat rrinin plot me lexues.

Krijimtaria artistike survejohej, ajo duhej t’i përmbahej frymës së realizmit socialist. Nëse konstatohej se vepra kish devijim nga vija ideologjike e përcaktuar nga pushteti, ndëshkimet nuk mungonin. Hasje fakte tronditëse të asaj periudhe, poetë të ekzekutuar, piktorë e shkrimtarë të burgosur por edhe krijues të shumtë  të internuar në kantiere e zona rurale ku kryenin dënimin në punë të vështira.Tenor të nivelit ndërkombëtar shtynin vagona në miniera qymyri.Apo romancier të suksesshëm korrnin grurë me drapër nën diellin përvëlonjës.

Nëse për letërsinë gjeje përkthime të shumta të autorëve botërore për artin figurativ nuk qarkullonte thuajse asgjë. Botoheshin artikuj për arritje të artit partiak e shkrime kritike mbi artin modern, për të cilin ne nuk kishim informacion, e ato shkrime bënin të kundërtën na shtonin kureshtjen për ta njohur.Në çdo qytet kish vetëm nga një galeri arti dhe për të marrë pjesë në ekspozita veprat gjykoheshin nga dy komisione: ai artistik dhe ai politik, që ishte vendimtari. Nuk ekzistonin as dyqane me artikuj profesional për piktorët.Në kushtet e izolimit, institucionet e kohës hartonin lista të veçanta për funizimin me materiale për artistë që sipas shtetit ishin profesionistë, ndërsa shumica e gjendur jashtë asaj liste mbetej e zhgënjyer e ngushëllohej me ato nuanca ngjyrash që tepronin.

Ne ishim një brez ëndrimtarësh kapriçoz, një grup shokësh pasionant pas letërsise e artit, që dëshirën e vetme kishim të bëheshim artistë me famë. Ne ëndërronim që një ditë të preknim shkallët e  Luvrite të shihnim kryeveprat, madje njëri prej nesh që bënte transporte me motorkarro, por merrej edhe me skulpturë, arrinte te improvizonte se si do t’i puthte shkallët e atij muzeu nëse do vinte ajo ditë. Por në vetvete të gjithë e dinim që ai çast ish i pamundur.

Ne vizatonim e pikturonim vazhdimisht, shkruanim edhe poezi e prozë, pavarsisht se punonim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.Shpesh shkonim në shtëpitë e njëri-tjetrit, e diskutonim për punimet e reja dhe flisnim edhe për gjëra të ndaluara.Ne njihnim piktorët rus të periudhave të ndryshme por edhe piktorë të famshëm europian. Por mbeteshim admirues të impresionizmit për piktor si: Mile, Coro, Courbet, Monet… Van Gogh etj. Mundoheshim të visheshim bukur e të ishim të veçantë në qytet, degjonim muzikë klasike e përpiqeshim të gjenim e të lexonim autor të njohur nga letërsia botërore. Sa herë gjenim rastin, ne mblidheshim në lokale të veçantë në qëndër të qytetit dhe me orë të tëra diskutonim për romanet e Tolstoit apo novelat e Çehovit.Veç autorëve të lejuar përshpërisnim edhe për Gjeniun e Drajzerit apo Dostojevskin e Shollohovin që ishin rreptësisht të ndaluar e për këtë mund të përfundojë pas kangjëllave të hekurta.

Mbrëmja na zinte duke recituar poezi të Pushkinit apo Eseninit  pjesë të cilat i dinim përmendësh. Shpesh debatet bëheshin të ashpra në mbrojtje të autorit që secili kish për zemër apo për nivelin më të mirë të recitimit. Pas mesnate zbrisnim në lokalin veror me mështekna buzë lumit të qytetit, ku një miku ynë kamarier mblidhte karriket e fundit dhe para mbylljes së lokalit na priste për “finalen”. Të ekzaltuar e të dehur nga poezia e humori, qëndronim në tavolinën e lënë enkas për ne e ndiqnim interpretimin e mikut tonë që pretendonte se ish aktor i lindur.Për të improvizuar Hamletin ai hidhte supeve mbulesën e tavolinës dhe merrte pamje dramatike duke mbajtur në dorë një kanë uji. “Të rrosh, a mos të rrosh!”, kumbonte zëri i tij në mesnatën e ndriçuar nga drita e hënës, i ndjekur nga shikimi kureshtar i qenëve të rrugës që prisnin të dilnin mbeturinat e lokalit.Duartrokitjet ishin të stuhishme nga kënaqësia e suksesit por edhe nga frika e natyrës së tij impulsive. Skena e mbylljes mund të ishte një improvizim pak intim: si hypej në një avion  pasagjerësh, apo si mund të zbritej nga një limuzinë luksoze.( Gjëra që I kishim parë vetëm nëpër filma.)

Ne pikasnim të etur çdo të re që kish të bënte me artin e vërtetë që na frymëzonte e na jepte kënaqësi  në antitezë me zymtësinë që krijonte sistemi.  Derën e shtëpisë sime e kisha hapur i përgjumur nga e trokitura herët në mëngjes e mikut tim që jetonte në provincë për të më dhënë sihariqin se ishte botuar Remarku,por edhe kur doli në treg jeta e Van Gogh-ut e Irving Stonene bëmë kilometra të tërë në këmbë për ta blerë atë në libraritë e provincës se në qytetin tonë kish mbaruar menjëherë.

Ishte kjo periudhë...

Ishte kjo periudhë kur u trasmetua seriali televiziv “Të Gjithë Lumenjtë Rrjedhin” që pa dyshim u bë pjesë e diskutimeve tona, e që na bënte të linim gjithçka e të nxitonim të arrinim orarin e filmit.

Në ato vite mua më quanin njeriu me bllok për arsye se vazhdimisht mbaja një të tillë nën sqetull dhe në çdo moment skicoja motive eshënime, apo hidhja karaktere personash që takoja.Merresha me vizatime për arsye të mungesës së ngjyrave, të kohës që e kisha të limituar e për më tepër, mungesës të një ambienti për të punuar.Jetoja me shtatë anëtare të familjes sime në tre dhoma, njera prej të cilave përdorej edhe për gatim.Shpesh preferoja që netët t’i kaloja si dispecer në qendrën e punës ku në një dhomë të vogël me tavolinë e telefon mund të gjeja qetësi e gjer në orët e vona mund të lexoja, të shkruaja, a të vizatoja.Gjatë ditës punoja si specialist i matjeve të parametravetë puseve të gazit, në një ndërmarje të industrisë së naftës. Ditët që nuk shkoja në puset e largët, do të punoja me orë të zgjatura me bojë kine skema teknike e harta gjeologjike me izoipse të lakuara, punë të cilën jo gjithkush mund ta bënte. Duke patur shkrimin e bukur më kërkohej rëndom nga eprorët e mi të plotësoja formularë e blloqe të shumtë në ndihmë të zyrtareve mediokër që të vetmen meritë kishin se burrat e tyre ishin drejtues të lartë partiakë. Shpesh jeta më demoralizonte e më dukej se do tëmposhtesha e do të braktisja pasionet e mia. Nga disa sektorë të largët ku unë punoja, dy prej tyre ndodheshin pranë detit e kishte derdhje lumenjsh e pisha të larta, ndaj shkoja atje me kënaqësi. I vetmi avantazh i punës sime ishte mundësia për të lëvizur për tu gjendur mes natyrës e njerëzve të thjeshtë. Mundësia për të pikturuar ishte gati e pamundur, por thellë në shpirt shpresoja se një ditë gjërat do të ndryshonin.

Impresionet e serialit “Të Gjithë Lumenjtë Rrjedhin”

I përshkuar me një frymë impresioniste seriali që filloi të jepej në ekranet e TV-se, në atë kohë , më tërhoqi që në sekuencat e para të tij. Personazhet, veshjet, ambientet piktorike, por edhe zhvillimi i ngjarjeve në rrjedhje lumenjsh i jepte  filmit dinamizëm e të nxiste kureshtjen. Por nuk mund ta fsheh që personazhi i Filadelfias më rrembeu me temperamentin e saj, me kurajon e guximin për tu përballur me situata të vështira, por dhe lidhja e saj me pikturën me gjininë e peisazhit që unë e kisha për zemër.  Shihja një lloj pararelizmi të jetës sime. Nga kjo m’u shtua kurajoja për të luftuar me  vështirësitë e kohës, por njëkohësisht për t’ju përkushtuar më tepër pikturës. Edhe pas mbarimit të serialit, ajo figurë më shfaqej në momente të caktuara si për të më shtuar besimin për të vazhduar rrugën time.

Në atë periudhë kam punuar një seri motivesh me pemë, pellgje uji e derdhje lumenjsh. Që së bashku me punë të mëvonëshme ishin pjesë e ekspozitës sime të parë në Greqi.

Viti 1990...

Në vitin 1990 regjimi diktatorial u përmbys duke u zëvëndësuar me sistem  plurarist që në fillimet e veta që tepër i brishtë e mund ta quaje pa nguruar anarki. Nga njerëz të papërgjegjshëm të parat u prenë mështeknat buzë lumit ku ne luanim Hamletin, që ish edhe atraksion i qytetit.Me gjithë përpjekjet që unë me shokët bëmë, nuk mundëm t’i shpëtonim ato nga sopata. U vazhdua më pas me pemët nëpër qytete, e deri te pishat në bregdet, për tu zëvëndësuar me ndërtime pa kriter. Shihje trungje të shtrirë, rrënjë të shkulura e pyje të masakruara. Betonizimi i shfrenuar nga qytetet kaloinë provinca e u shtri deri në natyrë, duke prishur imazhe të pa përsëritshme.Të trishtonte edhe mungesa e zërit të zogjve. (shumëkush për ta bërë një pronë “të patundshme” e thurte atë me mur betoni pavarësisht se historikisht i përkiste dikujt tjetër. Hileqar të pangopur në emër të popullit ngjitën spiralet e pushtetit me qëllimin e vetëm për të përvetësuar atë që popullit i takonte. U ngritënvila e çifligje pa kriter, duke dëmtuar lëndina, kodrina e bregore që ishin silueta magjike e këtij vendi. Kjo kakofoniçjerrëse nuk kish asnjë lidhje me elegancën e bukurinë tradicionale të ruajtur me fanatizëm e trashëguar ndër brezat. Unë mendoj se estetikisht gjithçka u përket të gjithëve dhe askush nuk ka të drejtë ta dëmtoje.)

Image

U desh shumë kohë që këto veprime deri diku të ndërpriteshin. I pa fuqishëm për t’i ndalur ato veprime, unë mund të gjeja ngushëllimin duke pikturuar, motive të cilat me kohën edhe mund të transormoheshin. Këtë periudhë u vendosa në qytetin e Athinës ku mora pjesë në disa aktivitete, e pata kontakte me galeri e qendra arti.Mund të kisha qëndruar në Greqi apo Itali ku ndihesha komod, por preferova të kthehem shpejt në Shqipëri për t’ju larguar frymës mbytëse të qyteteve të mëdhenj. Të pikturoja motivet e vendit tim që i njihja mirë e i kisha aq për zemër. Duke u vendosur me studio në Tiranë vazhdova të pikturoj e të marr pjesë në aktivitete të ndryshme edhe në disa vende të Europës, në SH.B.A dhe së fundi në kontinentin Aziatik.

Në pritje të përgjigjes nga Australia

Në ditët që prisja përgjigjen e komisionit nëse do të isha pjesëmarrës në Brisbane i telefonova miqve të mi të vjetër. Nisur nga ngjarjet e shumta, informacioni pa fund që shpërndahet nga interneti e stacionet televizive që sot janë me tepricë e shpesh të rendomtë, mendova se kujtime të herëshme edhe ndoshta janë fshirë nga kujtesa e njerëzve.

Por jo, u gabova.Të gjithë miqtë e mi e të tjerë që pyeta e mbanin mend mirë filmin dhe më përmendën skena e detaje të shumta që unë vetë i pata harruar.

E pra sot mund të përsëris me bindje: “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”.

Shënim i autorit

Disa kohë pas aplikimit që unë bëra, më erdhi njoftimi se nga shumë kandidatura, isha fitues dhe do të isha pjesëmarrës i këtij eventi. I emociouar, i kërkova organizatorëve nëse do ishte e mundur që një nga punimet e mia t’i dhurohej aktores së njohur australiane Sigrid Thornton, në kujtim të kënaqësisë që më kish dhuruar me personazhin e Filadelfias në serialin “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” i shfaqur gjatë periudhës së zymtë të diktaturës.

Organizatorja e eventit Cathy Condon, e mirëpriti me kënaqësi dëshirën time dhe më premtoi se do të kontaktonte me zyrën menaxhuese të aktores për të më konfirmuar kërkesën që unë bëra dhe njëkohësisht më kërkoi disa kujtime në lidhje me serialin dhe aktoren për t’i përdorur në ditën e promovimit. Me vullnetin e saj dhe me vlerësimin e aktores, u bë e mundur ardhja e saj në Brisbane për të qenë pjesë e eventit, ku u promovua dhe historia e mësipërme, gjë e cila më krijoi respektin ndaj tyre duke më emocionuar përsëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat