Franz Winsauer, historia shqiptare e një misionari austriak

Kultura

Franz Winsauer, historia shqiptare e një misionari austriak

Nga: NDUE DEDAJ Më: 19 tetor 2017 Në ora: 11:26
Personazhi ikëtij shkrimi zotin Winsauer.

Njerëzit që e kanë bujarinë virtyt e doke prej shekujsh dinë ta çmojnë bujarinë e kohëve moderne, aq më tepër atë të të huajve. Ndaj kohët e fundit kryebashkiaku i Mirditës, Ndrecë Dedaj, së bashku me një grup veprimtarësh të karitasit “Mirdita”, udhëtoi drejt Austrisë, qytetit të Dornbirnit të landit të Foralbergut, për të nderuar me “medaljen e artë” të institucionit që drejton një misionar tashmë të moshuar, pater Franz Winsaur. 25 vite më parë famullitari që në vendin e tij kishte folur në radio për bashkëqytetarët në emisionin e mëngjesit, befas kishte ndërruar “zanat”, iu kishte vënë këmbëve fletë për të “fluturuar” kreshtave të varfëra të Mirditës së tranzicionit, shtëpi më shtëpi e shkollë më shkollë me ndihma bujare austriake, duke mobilizuar shumë njerëz atje për këtë qëllim. Kishte mbërritur në Shkodër ku kishte formuar ekipin e tij, me Gjon Markagjonin (e ri), birin e derës së njohur të Gjomarkajve, Angjelin Muzhanin, Zef Shtinë etj., duke ndihmuar fillimisht spitalin e qytetit me paisje.

Ne zgjodhëm si personazh të këtij shkrimi zotin Winsauer, por e vërteta është se kanë qenë të shumtë misionarët e huaj, fetarë apo laikë, që pas 90-s erdhën në Shqipëri me projekte për ndryshimin e zonave dhe rajoneve të vendit tonë, si Dom Antonio Sharra në Zadrimë, pedagogia e Universitetit të Grazit Marianne Graf në Mirditë, Pukë, Mat e Kosovë etj. Është një klasë misionare e shkëlqyer, që e ka lënë gjurmën e vet në qendra sociale e humanitare, shkolla, kopshte, spitale, çerdhe, familjet në nevojë, fëmijët në vështirësi etj. Në Fushë-Arrëz dy motrat (murgeshat) gjermane Motër Bernadet dhe Motër Gracia kanë dhënë ndihmë të paçmuar në komunietin pukjan, edhe ato prej një çerek shekulli aty. Në vitin 1997 shumë nga këta misionarë u grabitën rrugëve të pasigurta që “patrulloheshin” nga hajdutët, por nuk u tërhoqën për asnjë çast. Në Lezhë italiani Luciano Levri ka grumbulluar dhjetëra fëmijë të “rrugës” dhe i trajton në një qendër sociale në funksion të edukimit e shkollimit të tyre, duke bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet arsimore, që askush të mos ndihet i braktisur.

Një muaj më parë Imzot Cristoforo Palmieri, ipeshkvi në ikje i dioqezës së Rrëshenit, që shtrihet dhe në Mat, Bulqizë dhe Peshkopi, u përlot në podium kur ra fjala për ngjarjet e 97-s, ku kisha e tij kishte luajtur një rol të pazakontë pajtues dhe argëtues për të rinjtë, që të mos e kishin mendjen te armët e dala sheshit, ashtu si dhe në trajtimin e të shpërngulurve kosovarë në vitin 1999. Ai po shkonte në pension në vendlindjen e tij, Itali, duke marrë me vete historinë e tranzicionit shqiptar që ai ishte përpjekur t’i jepte kuptim. Për bamirësinë e saj shquhet dhe shoqata “Betanja”, e drejtuar po nga misionarë italianë, që prej afro 20 vitesh vepron në Shqipëri në Bubq të Krujës, Kurbin e më gjerë, duke shpërndarë ndihma për fëmijët jetimë, personat me aftësi të kufizuar, familjet në vështirësi ekonomike etj. Jo rastësisht qendra e shoqatës u vizitua nga Papa Françesku tre vite më parë. Shtëpi të tilla bamirësie të njerëzve në nevojë kanë një ditar që asnjë institucion i shtetit nuk e ka, sa njerëz dhe familje u ndihmuan ditë pas dite e javë pas jave. Shpesh tanët flasin me zë të lartë në tribuna e panele, mbajnë fjalime, rrahin gjoksin, marrin zotime që pak i mbajnë, kurse këta misionarë të pashembullt kanë një tjetër ritual nga ai i politikanëve shqiptarë, iu shërbejne njerëzve pa u marrë votën. Dhe më shumë se ndihma materiale apo monetare e tyre ka qenë kultura e bamirësisë që ata kanë sjellë në Shqipëri, duke bërë që frymën e dashurisë për të varfrit ta fitojnë dhe vetë shqiptarët, ku siç dihet një rol të dukshëm luan prej vitesh dhe Karitasi Shqiptar me qendër në Tiranë.

Lexuesi mund të habitet se si zoti Franz Winsauer, sot 84-vjeçar, është aq modest, nuk e nxjerr emrin e tij askund në media, në selitë qeveritare, por vetëm shërben për të varfërit si Shën Françesku, urdhërit të të cilit i përket. As vitet e fundit, me gjithë problemet e shëndetit dhe moshën, ai nuk e ndali për asnjë çast hapin drejt nesh. E nisi sipas filozofisë së Nënë Terezës, mund të bëjmë gjera të vogla me dashuri të madhe. Në faqen online të “Projekt Albanien”, që Winsauer udhëheq me përkushtim të madh, shkruhet se një çerek shekulli më parë e nisi me hapa të vegjël ndihmën ndaj Shqipërisë. Ai ishte dëshpëruar kur kishte prekur nga afër varfërinë e skajshme të njerëzve në Mirditën e sapodalë nga regjimi komunist. Me përpjekjet e tij të palodhshme, mbështetur nga një ekip vullnetarësh dhe shumë donatorë austriakë, arriti të bënte gjëra të mëdha për ata banorë, që jeta e tyre të ndryshonte hap pas hapi. Sot cilido në Mirditë të flet lirisht për veprën e pashoqe të ish-famullitarit të Shvarcagut. Nuk ka fshat e shkollë të krahinës ku ai nuk ka qenë më se njëherë, në mënyrë të veçantë në komunat e largëta të paurbanizuara. Në Fan ndërtoi, rikonstruktoi e pajisi me bazë materiale 10-15 shkollat e zonës, në Selitë (Kurbnesh) ngriti një spital modern dhe rikonstruktoi shkollën në Bardhaj, në Kaçinar shkollën e Arrëzit, në Rubik konviktin, në Reps një qendër për rininë, por dhe një urë të varur për fëmijët e fshatit Mashtërkor mbi lumin Fani i Vogël, në Rrëshen krijoi dy qendra sociale, të Gruas dhe atë të personave më aftësi të kufizuar. Dora e tij bujare u shtri dhe te kopshti, çerdhja, familjet me probleme sociale etj. Një ndihmesë të veçantë dha për gjimnazin e qytetit, Qendrën Kulturore të Fëmijëve etj. Është një kronikë mahnitëse “gjerash të vogla”, që në të vërtetë nuk janë aspak të tilla. Punët e mira mbahen “shënim” nga njerëzit e njohur e të panjohur, larg dhe afër. Pas publikimit të një shkrimi nga ana jonë në “Shqip” katër vite më parë rreth këtij misionari, kishte reaguar me një koment përkthyesi i njohur gjerman i Martin Camajt, Hans-Joachim Lanksch: “Artikullin e lexova me interes mbasi e njoh zotin Winsauer prej shumë vitesh pa ditur se ai angazhohej për Shqipërinë. Ai bashkëpunonte me Radio Horeb (seksioni gjerman i Radio Marias) ku shpesh fliste në mëngjes duke dhënë një impuls 15-minutash për ditën. Gjithnjë ishte kënaqësi t’i dëgjoje fjalët dhe mendimet e thella të tij. Kam respekt edhe më të madh për të tash që di se krishterizmi i tij nuk mbaron te fjalët e bukura por vazhdon me vepra”. Shkodranët dhe mirditorët kujtohen gjithnjë për “Imzotin” e tyre austriak, por sidomos për Krishtlindje i dërgojnë kartolina urimi, aq më tepër tani që ai nuk vjen dot më si më parë, në dy apo tre muaj, teksa misioni i tij vazhdon, pasi pema e mbjellur 25 vite më parë e ka krijur tashmë kurorën e vet dhe bën fryte për shtresat sociale ende në nevojë... 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat