Suedia në fokusin e shkrimtarit Viron Kona

Kultura

Suedia në fokusin e shkrimtarit Viron Kona

Nga: Fran Gjoka Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 09:46
Viron Kona

Viron Kona ka lindur më 24 qershor 1950 në qytetin e Vlorës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë – Letërsi. Para vitit 1991 ka punuar në sektorin administrativ të edukimit dhe arsimimit deri në nivelet e larta. Më pas, mësues dhe drejtor në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit. Në vitin 2004-2015, redaktor në gazetën “Mësuesi” dhe specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve prej vitit 1981, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani” të Suedisë. Pas viteve 2004, Anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit dhe Kryeredaktor i Revistës “Siguria Rrugore”. Ka botuar rreth 40 vëllime me tregime, novela e romane për fëmijë dhe për të rritur. Fitues i 7 çmimeve në gjininë e tregimit dhe novelës. Fitues i çmimit UNICEF-AMC, për librin më të mirë për fëmijë 2006 “Eh, more Bubulino!” Dy vëllimet e para të “Bubulinos” janë përkthyer në një vëllim të vetëm në Suedi( Men kära Bubulino!). Është duke u përkthyer edhe libri “Zonja nga Borasi”. Autori ka qenë i ftuar në Suedi në vitet 2011, 2012, 2013, 2017, si për përurimin e librave të tij, ashtu dhe në veprimtari të ndryshme letrare e kulturore në qytetet suedeze Boras, Vimmerby, Ulricehamn, Goteborg, Öland, etj.

Krijimtaria letrare artistike:

Libra: “Etje që shuhej”, “Pëllumbat”, “Mos m`i zbukuroni plagët!”, “Ujkonja”, “Pulëbardhat përbindësha”, “Bubulinoja çamarrok”, “Dëshira e fshehtë e Bubulinos”, “Pyesni Bubulinon”, “Eh, more Bubulino !”, “E fshehta e pyllit”, “Dardi”, “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Të çuditshmit!”, “Bubulinoja dhe Dardi, në kryeqytetin amantëve të lashtë”,(libri i parë),“Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin amantëve të lashtë”, (libri i dytë), “Delfini i dy deteve drejt aventurave të reja”,“Drithërimat e yjeve”,“Dëgjoma zemrën, Budapest!”, “28 djem plus një vajzë”, “Yje mbi Bosfor”, “Një udhëtim i çuditshëm”, “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, “Të fshehtat e një mrekullie”, “Erlindi dhe papagalli i çuditshëm”, “Dielli është i imi”, “Bukuri suedeze”, “Shpëtoni papagallin Çate!”, “Për ju, miqtë e mi”, “Uraganët e lirisë”(Dramë kushtuar 100-Vjetorit të Pavarësisë), “Zonja nga Borasi”, “Dëgjoni se ç`thotë ky papagall!”, “Kolipoçi, ngrënësi i qershive”, “Nëndetësja”, ”Ju dua më shumë se veten!”, “Poleni viking”(me bashkautor), “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!”, “Rruga Miss Durham”, “Njeriu i zemëruar”(Epigrame), “Thashë të bëhem edhe unë poet” etj. Ka botuar edhe  libra me karakter didaktik, si dhe qindra artikuj letrarë, arsimorë dhe social-kulturorë në shtypin periodik, në gazeta e revista brenda dhe jashtë vendit.

-Të kishte shkuar ndonjëherë në mendje se ndonjëri nga librat që ke shkruar do të përkthehej në gjuhën suedeze?

-As edhe në ëndërr. Por jeta të befason me surprizat e saj, të cilat, sigurisht që nuk vijnë rastësisht, ato i sjellë puna, pasioni dhe përkushtimi, sidomos sot, kur si të gjithë shtetet e botës, edhe  Shqipëria është e hapur. Liria mundëson gjithçka...

-Si u arrit deri te përkthimi?

-Nisi shkallë-shkallë. Libri im për fëmijë “Eh, more Bubulino!” në vitin 2006 fitoi çmimin UNICEF-AMC dhe u shpall libri më i mirë i vitit në Panairin e Librit Tirana 2006, ku paraqitën botimet e tyre rreth 120 shtëpi botuese nga vendi dhe nga Europa. Personazhi kryesor, Bubulinoja, është një fëmijë si gjithë të tjerët, i cili duke u përpjekur të gjej vetveten, e sheh të ardhmen në rrugën e  dijes dhe të shkencës. Ai dëshiron që të bëj diçka ndryshe dhe, duke lexuar për hapësirën kozmike dhe veçanërisht për  vajtjen e njeriut në Hënë, i lindi dëshira që të jetë i pari njeri që do të shkojë në planetin Mars.

Ndonëse disa nga moshatarët e  tij dhe të rritur e pritën me ironi e qesëndi këtë dëshirë, vogëlushi vijoi i vendosur rrugën dhe aventurën e tij, madje ai tërhoqi në këtë aventurë edhe vogëlushë të tjerë dhe, bashkërisht formuan një ekspeditë shkencore që nisi përgatitjet për të shkuar në planetin Mars. Kështu morën jetë episode dhe aventura të panumërta, që shpalosen në gati 14 libra të ciklit të Bubulinos....Por, le të vazhdojmë me pyetjen tuaj. Unë kisha dërguar tregime të Bubulinos në revistën “Dituria”, që botohet në qytetin Boras të Suedisë dhe ku kryeredaktor është z. Sokol Demaku, bashkëkombës yni, qytetar shqiptaro-suedez. Fillimisht ishte ideja e tij për ta përkthyer Bubulinon në gjuhën suedeze, dhe më tej e përforcuan dhe  e mbështetën këtë ide Per Kettisen, rektori i shkollës “Fjardingskolan” të qytetit të Borasit ku Sokoli punon mësues; zëvendës rektorja Annette Ekelund dhe  mësuesja Sonja Persson e ciklit të ulët. Ata erdhën në Tiranë, u takuam, bashkëbiseduam dhe, ata vendosën botimin  Bubulinos. Përkthimin e kreu Qibrije Hoxha me banim në Stokholm. Libri është shtypur në shtypshkronjën “Bording” në Borås të Suedisë.

-Përurimi u bë atje?

-Përurimi i bë në Suedi. Në një mbrëmje të mrekullueshme, të përkryer nga organizimi, serioziteti, bukuria dhe prania atje e një numri të madh lexuesish, intelektualë, mësues suedezë, por dhe shumë bashkëkombës tanë shqiptarë me banim në atë qytet apo dhe në qytete të tjera suedeze. Pati dhe të ftuar nga Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda. E pranishme ishte dhe Gulsen Ozdenkos drejtore e arsimit e qytetit të Borasit, rektori i shkollës “Fjardingskolan” Per Kettisen dhe shumë mësues të asaj shkolle, autoritete të bashkisë së qytetit, përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe të medieve, punonjës bibliotekash, dhe, meqenëse libri do të përdorej për kohën e lirë në shkolla, ishin të pranishëm edhe drejtues shkollash dhe mësues. Mbrëmja përuruese e Bubulinos ia kalonte edhe vetë ëndrrës...

Autografe gjatë përurimit të Bubulinos.

Marrë nga gazeta suedeze “Boras Tidning”

-U pasqyrua ky përurim në medie?

-Po. Gazeta suedeze “Boras Tidning” e kishte lajm në faqen e parë, si dhe një artikull të plotë në faqen kulturore, shkruar nga gazetari i njohur Erik Jullander dhe fotoreporterja Sandra Nordin...

-Tjetër përurim libri në Suedi?

-Dy vjet më pas, më 2013, po në  qytetin Boras, u përurua edhe libri “Zonja nga Borasi”, një vëllim me tregime me motive suedeze dhe shqiptare, ku fjalën kryesore e mbajti z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë. I pranishëm në atë përurim ishte dhe kryetari i Bashkisë së qytetit Per-Olof Höög me bashkëshorten e tij, si dhe shumë autoritetet të tjerë të vendit. Ndërsa, në një takim tjetër, unë paraqita librin “Për ju miqtë e mi”, i cili përmban shkrime analitike për letërsinë suedeze dhe veçanërisht për shkrimtarët: Ullmar Qvick(Kvik), August Strindberg, Selma Lagerlof, Astrid Lindgren, por edhe për disa shkrimtarë bashkëkombës shqiptarë me banim në Suedi: Hamit Gurguri, Sokol Demaku, Sadulla Zendeli-Daja dhe Bahtir Latifi. Në atë takim ndodhej dhe albanologu, shkrimtari dhe përkthyesi Ullmar Qvick(Kvik), i cilësuar “Mik i Madh i Shqiptarëve” me të cilin u takova dhe, pas prezantimit të librit, i dhurova atij disa kopje.

Kurse libri “Ju dua më shumë se veten!” është përuruar fillimisht në Gostivar, Maqedoni në maj të vitit 2015, pasi ai libër i kushtohet shqiptaro - suedezit Sadulla Zendeli - Daja, i cili jeton prej 53 vjetësh  në Suedi dhe ka disa merita të shquara:ka hapur shkollën e parë shqipe në Suedi, është leksikograf, poet dhe prozator i njohur e, veçanërisht, atdhetar i shquar.

- Shkoni shpesh në Suedi?

-Po kam shkuar katër herë i ftuar nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” e qytetit të Borasit si për përurimin e librave të mi, por edhe për të marrë pjesë në veprimtari jubilare letrare e kulturore si: 5 - Vjetori i shpalljes së Republikës së Kosovës, 5 - Vjetori i daljes së revistës dhe radios “Dituria”, më pas  si pjesëmarrës në Festivalin e Poezisë 2017. Së bashku  me mua kanë qenë në vitin 2012 prof. Murat Gecaj, në vitin 2013 mësuesi Petrit Xhaja, në vitin 2017 sociologu i njohur Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, si dhe studiuesi dhe gazetari Nuri Dragoj. Përveç këtyre veprimtarive, në një takim të planifikuar në Goteborg, në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë të Rajonit Perëndimor, prezantova dhe paraqita 5 librat  që kam shkruar deri tani për Suedinë dhe bashkëkombësit tanë atje...

-Cilët janë këta libra dhe ai i njeh ata lexuesi shqiptar?

-Suedisë i kam kushtuar librat: “Bukuri Suedeze”, “Për Ju miqtë e mi”, “Zonja nga Borasi”, “Ju dua më shuam se veten”, “Poleni viking” me bashkautor z. Sokol Demaku. Jam në përfundim të librit për fëmijë “Bubulino në Suedi”, por edhe libra të tjerë..

-Botimet ju kanë bërë me shumë miq në Suedi?

-Po, kam shumë miq atje, madje këtu në Shqipëri shumë njerëz më din se banoj në Suedi, kjo për shkak të librave që kam shkruar dhe artikujve që janë shkruar për ta. Por ky është pasion imi, kudo, në çdo shtet që shkoj do ta shkruaj doemos një libër.

-Për shembull?

-Kam shkuar në Turqi në vitin 1982 dhe kur u ktheva shkrova librin “Yje mbi Bosfor”. Kam shkuar në Budapest, në vitin 1987 dhe shkrova librin  “Dëgjoma zemrën Budapest!”, i cili tani është përkthyer nga Thoma Dardeli dhe pritet botimi i tij në hungarisht. Kam shkuar refugjatë në Greqi, ku kam punuar hamall, kur u ktheva shkrova romanin e botuar disa herë “Drithërimat e yjeve”.

Kam shkuar disa herë në Suedi dhe... Edhe në Indi edhe në Kinë, edhe në Japoni, edhe në Australi, kudo që të shkoj qoftë edhe për vizitë disa ditore do ta shkruaj një libër...

-Është e mundur kjo që thoni?

-Gjithçka është e mundur...

-Cilët janë disa nga miqtë tuaj në Suedi?

-Janë shumë dhe i nderoj dhe i respektoj shumë. Po përmend disa prej tyre që po më vijnë në këto çaste në mendje: Ullmar Qvick(Kvik), i cilësuar “Miku i Madh i Shqiptarëve”. Një personalitet, i cili e njeh gjuhën shqipe si një mësues i gjuhës shqipe në Shqipëri, ai e do shumë Shqipërinë dhe kombin shqiptar dhe i është përkushtuar. Ka shkruar libra dhe botime për Shqipërinë, e ka vizituar disa herë...Ka shkruar librin “Më shumë heroizma sesa grurë” dhe qindra artikuj studimorë, letrarë, publicistikë, krijime poetike kushtuar shqiptarëve. Por ai është dhe ndër përkthyesit kryesor të veprave shqipe në gjuhën suedeze. Kam një korrespondencë të pasur me këtë personalitet suedez shumë të njohur edhe  në Shqipëri, edhe në  Kosovë...Janë të panumërt shqiptarët që kanë miqësi me Ullmarin, kurse ai ka miqësi dhe dashuri për të gjithë Kombin Shqiptar.

Një mik tjetër suedez është Per Kettissen, rektor i shkollës “Fjardingskolan” të Borasit. Ai mban në tavolinën e zyrës së tij një bust skulpture të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu;  Annette Ekelund, zëvendës rektore e shkollës “Fjardingskolan”; Sonja Persson, mësuese suedeze, në familjen e së cilës kalova një darkë të mrekullueshme i ftuar prej tyre kur shkova për herë të parë në Suedi në vitin 20011. Petter Lövberg, ish kryetar i komunës së Bramult të Borasit...  Kam miqësi me Kristin Bjarnadottir, poete, shkrimtare që shkruan në gjuhen suedeze dhe islandeze, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rajonit Perëndimor të Goteborgut, Suedi; me shkrimtaret Britta Stenberg, dhe Anna Mattsson, poete, shkrimtare dhe  përkthyese të njohura në Suedi.

Ndërkaq miqtë e mi të mëdhenj janë bashkëkombësit shqiptarë me banim në Suedi: Sokol Demaku, shkrimtar, poet dhe përkthyes i njohur, kryeredaktor i revistës “Dituria”, Boras, Suedi; Sadulla Zedeli - Daja, leksikograf i shquar, autor i disa fjalorëve shqip - suedisht dhe suedisht – shqip, si dhe atdhetarë i shquar; Hysen Ibrahimin, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë, autor i disa veprave publicistike, i cili qëndron në krye të botimit të veprës madhore  “Thesari kombëtar”, që gjer më sot ka shkuar në tetë vëllime. Kam miq: Saranda Iseni, sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve, Hamit Gurguri dhe Riza Sheqiri, shkrimtarë të njohur në Suedi dhe përkthyes, Qibrije Hoxha atdhetare e shquar, përkthyese e Bubulinos, e cila në vitin 2017 u nderua me një çmim të veçantë në Suedi për përkthimin e Bubulinos. Kam miq gjithashtu: poetët Bahtir Latifi, Remzi Basha, Ibrahim Abedini, gazetarin e njohur Xhavit Citaku, prozatorët, poetët dhe atdhetarët:  Bajram Muharremi, Fetah Bahtiri, Osman Ahmetgjekaj, Bedri Paci, Imri Demisai, Zyrafete Mane, Hamdi Arifaj, Lebibe Zogjani, Ismet Hasani, Emine Hoti, piktoren Florie Bajraktari, Fahredin Berisha, Rrahman Rrahmani, Mursel Shkupolli, Shaban Murseli, Miftar Havolli...Ata janë shumë dhe kërkoj ndjesë nëse nuk kam përmendur ndonjërin, por, pavarësisht, të gjithëve u shprehë konsideratat më të larta vëllazërore, si miq që kanë zënë vend të veçantë në mendjen dhe në zemrën time...

-Ju jeni anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Mund të na përshkruani marrëdhënien tuaj me këtë shoqatë të njohur tashmë edhe në Shqipëri.

-Shoqata është dhe vepron në Suedi. Ata kanë vlerësuar botimet e mia artistike por dhe ato publicistike dhe, në një veprimtari të veçantë, këtu, në Tiranë, në sallën e mbledhjeve të Muzeut Historik Kombëtar, në prezencë të një auditori të gjerë, më nderuan mua dhe prof. Murat Gecaj me titullin Anëtar Nderi të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë. Më pas këtë anëtarësim e merituan edhe Flora Gjondedaj,  prof. Dr. Zyhdi Dervishi dhe studiuesi dhe gazetari Nuri Dragoj. Shoqata kryen veprimtari kulturore, letrare e atdhetare  jo vetëm në Suedi, por edhe në Shqipëri, Kosovë, në trojet shqiptare si dhe në mërgatë...

-Çfarë kontributesh keni ju në këtë shoqatë?

-Shkruaj dhe botoj artikuj dhe krijimtari letrare në gazeta, revista dhe sidomos në Thesarin Kombëtar, - vepër madhore e shoqatës, shkruaj recensa librash, marrë pjesë dhe kontribuoj në organizime dhe zhvillime të veprimtarive letrare, atdhetare dhe kulturore në Suedi, në Shqipëri e Kosovë, por edhe në trojet shqiptare si në Gostivar etj. Kam qenë më shumë aktiv veçanërisht në qytetet e Shqipërisë: Tiranë, Durrës, Kurbin, Tropojë etj., ku shoqata ka zhvilluar veprimtari letrare, kulturore dhe përuruese. Kuptohet e gjithë kjo punë është mbi baza vullnetare pa asnjë shpërblim.

-Mund të na thuash diçka rreth traditës së lidhjeve të letërsisë shqiptare me atë suedeze?

-Kësaj pyetjeje mund t`i përgjigjen më mirë studiuesit, por nga sa di unë suedezët janë të njohur prej kohësh në Shqipëri. Ndër miqtë më të mirë është albanologu dhe gjuhëtari Johann Erich Thunmann, i cili është nga studiuesit evropian që mbrojti tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët. Ai shprehet: "Në historinë e shqiptarëve unë nuk kam gjetur ndonjë gjurmë mërgimi të mëvonshëm e gjuha e shqiptarëve ka dhënë dëshmi të atilla për fatet e popullit, saqë unë e kam të pamundur të mos njoh në ta fqinjët e lashtë të grekëve dhe qytetarët e Romës së lashtë. Të dyja këto më tregojnë ilirët".(Johann Erich Thunmann 1746-1778)   Ndërkaq përmendim vizitën që bëri Gustav Adolfi në sarajet e Ali Pashë Tepelenës në vitin 1809, për të cilin shkruan edhe shkrimtari i njohur shqiptar Sabri Godo në librin e tij “Ali Pashë Tepelena”: “Nga Gustavi i Suedisë Aliu bleu me peshën e floririt shpatën e Karlit të XII, se ajo ishte shpata që kishte thyer rusët dhe e vuri pranë karabinës së Napoleonit...”(Ali Pashë Tepelena”,Sabri Godo. Botimi shqip Artemida 1993, fq.218. Kurse jashtëzakonisht bukur e shpreh dashurinë për Shqipërinë Ullmar Qvick(Kvik):  “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”. Lidhjet tona kulturore letrare me Suedinë kanë qenë dhe vazjhdojnë. Njihen  mirë veçanërisht veprat me famë botërore “Pipi Çorapegjata” e shkrimtares Astrid Lindgren, “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit” i Selma Lagerlëf, “Djali dhe Tigri” i Lars Westman,  “Gjueti diamantesh” i Mats Wanblad,   “Gjithçka që unë mbaj mend” i Jonas Hasen Khemiri, “A di të fërshëllesh Johana?” i Ulf Stark; “Më shumë heroizma se sa grurë” i albanologut, përkthyesit dhe poetit Ullmar Qvick(Kvik) etj. Besoj që lexuesi shqiptar ka njohje për drama dhe tregime të veçanta të shkrimtarit të madh suedez August Strindberg, si dhe shkrimtarë të tjerë, krijime të të cilëve kanë qenë botuar në Shqipëri në përmbledhjet: “Tregime dhe novela të shekullit të njëzetë”, 1983, “Proza skandinave”, 1984,”. ku në rubrikën “Letërsi suedeze” janë prezantuar tregime nga Tage Aurel, Jalmar Sëdeberg, Pele Mulin, Per Halstrëm, Albert Engstrëm, Ludvig Nordstrëm, Sigfrid Siverc, Jalmar Bergman, Dan Anderson, Mua Martinson, Per Lagerkvist, Karin Boje, Ivar Lu-Juhanson, Harri Martinson, Gustav Sandgren, Marta Larson, Artur Lundkvist, Torstejn Stefanson, Stig Dagerman, Erland Josefson, Jan Fogelbek etj.

Janë të lexuar gjithashtu edhe Johan Stagnelius, Tomas Tranströmer, Stieg Larsson, Jonas Hassen Khemiri, Vilhelm Muberj...,sikurse ka edhe përkthime të poezive të veçanta të Anders Johansson, Erik Axel Karlfeldt etj.

Fakti që në Suedi jetojnë afro 60 mijë shqiptarë, dhe, midis tyre edhe emra të shquar në fushën e letrave, krijon mundësinë e përkthimeve të shumta nga letërsia suedeze, por dhe nga letërsia shqipe në gjuhën suedeze.

Në përgjigje të pyetjes suaj mund të përmend edhe faktin se  shumë studentë shqiptarë, edhe dekada më parë, edhe sot, parapëlqejnë të zgjedhin universitetet suedeze për të vijuar studimet, veçanërisht universitetin e vjetër dhe me famë të madhe Upsalën. Aty studioi dhe mbrojti doktoraturën, edhe njëri nga shkencëtarët më në zë shqiptar, Besnik Sykja, i cili, fatkeqësisht u nda shpejt nga jeta. Nuk është pak, që, janë dy shqiptarë që kanë marrë Nobelin: Nënë Tereza për Paqen dhe, Ferid Murati, për Mjekësi. Është kandidat i merituar shkrimtari ynë Ismail Kadare.

 -Do i vazhdosh lidhjet kulturore dhe letrare me Suedinë?

-Sigurisht. Ata duke më njohur nga librat e shkruar, më kanë respektuar dhe më kanë ofruar miqësi dhe mundësi. Unë do t`jua shpërblejë shumëfish, veçanërisht me vepra të shkruara, që kanë në qendër forcimin e lidhjeve të ndërsjella midis dy kulturave: shqiptare dhe suedeze.

Faleminderit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat