Shtamba pa çep

Kultura

Shtamba pa çep

Nga: Reis Mirdita Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 19:37
Reis Mirdita

Dielli akoma pa dhënë sy, aty, mbi kreshtën e Bjeshkës së Liqeve, Atmani shtrëngoi kalin në talikë, hodhi shatin në të dhe i vendosi në janxhik ca bukë e djathë, kos dhe një shtambë me ujë së cilës zonja e vet, ia kishte mbyllur grykën me gjethe të rrushit farë Shami, që kacavirrej ballinës jug-lindore të murit të shtëpisë qindvjeçare. Gjethet e rrushit i jepnin aromë pijeve në shtambe dhe andaj përdorej shumë. Kjo shtambë bote, shumë pak estetike por që mbante me orë ujin e freskët në ditë të nxehta, ditë kur digjej rrashti i kokës duke punuar të mbjellat në fushën e gjerë. Atmani e kishte blerë në pazarin e shehrit enkas për ta marrë në fushë se kësi shtambash bëheshin nga botë e trashë për të ruajtur sa më gjatë freskinë e lëngut të mbushur, zakonisht ujë, ujë të tharët, dhallë... Këto shtamba nuk kishin as çep të zakonshëm për pije. Etja shuhej drejt nga gryka e gjerë nga ku pihej me ngëllqe të paprera..., ngëllk, ngëllk, ngëllk dhe lagej a ngjyhej mjekra e qafa drejt barkut të djersitur.

Mu kjo shtambë, do të hyjë në histori, në doke e besime popullore dhe njerëzit do i mbahen një rregulli besëtytnor dhe shumë pak persona do të kenë guxim të pinë sade nga enëtë ngjashme.

Ngjarja lindi ca ditë pasi gjyshja e sihirbësesZikana, shkoi mesit për vajzën e Atmanit, për para të majme, deshi ta bëjë për djalë të haram-bashit të fshatit Kërr ku edhe buka e grunjtë ishte luks. Vetëm për haram-bashin nuk kishte mungesë. Ai me xhandarmëri ishte vëllazërua. I bënte njëqind të zeza dhe askush nuk ia turbullonte ujin. Tërë fshati ia kishin druan nga shkaku se ishte i lidhur me pushtet të kralit.

Atmani refuzoi kategorikisht miqësimin. Kjo ngjalli hidhërimin e haram-bashit Tafil, i cili i kërkoi plakës të bëjë sihirin e duhur për t’ia marr vajzën “shehërliut”.

Këtu fillon ngjarja e tmerrshme! Sihirbësja, natën shkoi vet tek Llumi (kënetë e vogël në fund të fshatit) dhe filloi ritet e veta... I ndolli bretkosat, e zgjodhi një të majme dhe ia foli disa fjalë “në fytyrë”, fjalë këto të pakuptueshme për njerëz dhe ajo kërceu në një enë me formë kupe. E ndihmuar nga xhindet që i vinin gjithmonë në krah për punë të tilla, e murrën bretkosën, e bartën gjer në oborr të Atmanit ku ajo, nën ndikim të magjisë, kërceu në shtambë, mu para se zonja e shtëpisë t’ia mbyll grykën me gjethet strumbullarë të rrushit aromatik të Shamit.

Dielli filloi t’ia përcëlloj lakun e qafës bujkut që me shatin e madh, me zell mbushte (puna e dytë) gërtukun e ecur mirë. E kreu edhe një rend dhe shkoi nën hijen e kumbullës në krye të arës e u shtrua të hajë mëngjesin; bukë, gjizë me speca dhe pak kos. Ngriti shtambën dhe që në ngëllkun e parë diçka iu zhyt në fyt! U ngrit i tmerruar dhe u mundua të hedh mbrapshtë gjallesën por më kot; ajo zbriti me shpejtësi në barkun gjysmë të mbushur!

Nuk shkoi dy javë, Atmanit iu fry fyti por fliste pa probleme dhe hante e pinte pa pengesa të mëdha. Ishte një dukuri tjetër fatkeqe që iu paraqit bashkë me të ajurat në grykë; pa dashjen e tij, dëgjoheshin krrokatje bretku që me kohën, dëgjoheshin gjithnjë e më zëshëm. Nuk la derë hoxhe, shehu, prifti e popi pa trokitur për të gjetur shërim. Një ditë vjeshte, haram-bashi Tafil, i dërgoi një familjar për t’i lypur edhe një herë vajzën për djalë. Shkuesi i premtoi shërim në Stamboll. Vajza posa kuptoi premtimin, ngulmoi te e ëma që ta jepnin për djalë të Tafilit vetëm me një kusht, që babain t’ia dërgojnë në Stamboll. Në spital, në këto vite të para të qindvjeçarit të XIX, ia hoqën “gushat” dhe ai u kthye me pamje fizike normale por krrokatjet i dëgjoheshin kohë pas kohe dhe e shtynë të mbyllet në shtëpi. Kurrë më nuk doli as në kafene, as në miqësi.

Kjo ngjarje, lindi besimin se pirja nga gryka e shtambës pa çep, është punë xhindesh. Duhet patjetër të mbushet çfarëdo qoftë ene e hapur dhe nga aty të shuhet etja. Ende sot e kësaj dite qëndron ky rregull i mbajtur nga frika... Askush nuk dinte se kjo ishte punë e shtrigës sihirbëse e cila ishte e poseduar nga xhindet brez pas brezi dhe të bërit keq, ishte detyra e saj që e bënte të lumtur gjer në magjepsje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat