Dhuratë e dashur për fëmijët

Kultura

Dhuratë e dashur për fëmijët

Nga: Ajete Zogaj Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 23:27
Kopertina e librit

Fëmijët janë si lulet, janë zbukurim i jetës së njeriut dhe shoqërisë.  Janë zbukurim i familjes dhe shkollës,  zbukurim i përditshmërisë....

Është nxënësja Orhideja Mamaj, e cila kësaj radhe me tregimet e saj, por si ajo lulja e kopshtit, ka vendosur t’a zbukurojë  e pasurojë letërsinë për fëmijë, me librin e saj më të ri “Lulet e jetës” me tregimet shumë mbresëlënëse  dhe mjaft të realizuara.  

Struktura e librit

Libri “Lulet e jetës” i nxënëses autore Orhidea Mamaj, është i strukturuar në tridhjetë e tri tregime e që  kanë të përbashkët jetën e  përditshme fëmijërore.

Në hapje të librit është dhënë tregimi “Zana dhe qeni i saj besnik” për t’u përmbyllur me tregimin “Lumturia e fëmijëve”.

Narracioni i këtyre tregimeve është një narracion i çiltër, ashtu siç është e çiltër bota fëmijërore me të gjitha veçoritë që ka fëmijëria.

Aty gjejmë jetën e përditshme të fëmijëve, lojërat, dashurinë për prindërit, kafshët shtëpiake, kujdesin për pastërtinë, respektin ndaj më të moshuarve, dashurinë dhe respektin për mësuesit-et, dashurinë ndaj shokëve dhe shoqeve të shkollës etj.

Ajo që të lë shumë përshtypje tek tregimet e Orhidesë është porosia që përcjell ajo tek lexuesit pothuajse në fund të çdo tregimi të saj, si: në tregimin “Macja e fortë, Ema dhe qeni” ku nga ngjarja e zhvilluar në tregim autorja nxjerrë këtë thënie kuptimplote në fund të tregimit “Bashkimi ynë e mposhtë rrezikun” (faqe 18).

Tregim mjaft i realizuar është edhe tregimi  “Dhëmbi i qumështit dhe Jona”, ku autorja me shumë mjeshtri përshkruan kujdesin dhe zgjuarsinë e prindërve të Jonës që ta bindin atë për ta hequr dhëmbin e qumështit, pas heqjes së dhëmbit duke i lënë nga një monedhë kinse ia kishte sjellur  Zana e dhëmbëve. Jona kishte  motivuar edhe shokët dhe shoqet e klasës për t’u kujdesur për shëndetin e dhëmbit.

Mirëpo, pjesë e jetës fëmijërore është bërë edhe ndarja, rruga e mërgimit.

Kjo ndaje është e dhimbshme për Orhidenë, autoren e këtij libri. Ja se  si e përshkruan ajo në tregimin “Një përshëndetje me lot”, ku autorja përshëndetej me dajën e saj të dashur, gruan e dajës dhe dy fëmijët e tyre, Visarin, Fitoren dhe fëmijët e tyre Jonartin dhe Benin. “Mendimet më silleshin vërdallë dhe kurrsesi nuk mund të pajtohesha se unë mund të përballoja ndarjen dhe mos të shihemi edhe një vit.”(faqe 38).

Gjithashtu në disa tregime, paraqiten edhe veprimet jo të mira të fëmijëve si, kureshtja e tepruar (Tregimi “Ana kureshtare” faqe 77), apo tregimi  “Rroni trazovaçi” (faqe 10), ku tregon moskujdesin e Rronit në shtëpi i cili duke lozur me top e thyen pasqyrën por edhe e bënë rrëmujë dhomën. Më në fund Rroni bëhet fëmijë i mbarë dhe ka kujdes edhe ndaj gjërave të shtëpisë edhe ndaj prindërve dhe motrave. 
 

Ndërtimi i personazheve

Shumica e personazheve të këtij libri, janë personazhe real dhe në përshkrimin e bërë nga autorja na dalin mjaft të realizuar dhe tejet  simpatikë, sepse edhe vetë bota e fëmijëve është një botë e mrekullueshme ashtu siç janë edhe vetë ata.

Ja se si e përshkruan Nartin  autorja në tregimin “Vogëlushi Nart dhe Unë”: “ Narti është një djalë sharmant, një vjeçar dhe pa eksperiencë jetësore. Ai ka një pamje madhështore, ka flokë të verdhë dhe kaçurrel, ka një hundë të vockël dhe të bukur, ka sytë engjëllor me ngjyrë të blertë, të mbyllët.” (faqe 66).  Në përgjithësi personazhet e këtyre tregimeve janë personazhe shumë të dashura dhe që lexuesit të vogël do t’i mbesin në kujtesë, për veprimet dhe ndodhitë rreth tyre.

Përfundim

Ashtu siç është e veçantë bota e fëmijëve, është e veçantë edhe letërsia për fëmijë si zhanër letrar. Për ta ‘kultivuar’ këtë lloj shkrimi për fëmijë, duhet njohur mirë botën e fëmijës dhe shpirtin e tyre të çiltër... Mbase, këto tregime dalin po nga jo botë e çiltër, pa hijeshime e zbukurime, sepse janë të krijuara nga një autore nxënëse e moshës së re, fëmijërore.

Si e tillë, ky libër tregimesh, i ngjason buqetës së luleve shumëngjyrëshe, sepse janë tregime fëmijësh, e vetë fëmijët janë lulet me të bukura të jetës!

Në këto tregime, edhe lexuesi i rritur mund ta gjejë vetën diku, të kthehet në moshën e fëmijërisë, t’i kujtojë ato vite pa halle dhe brenga që sjellë mosha e rritur!

Librin “Lulet e jetës sime” e botoi Sh.B. “Olymp” Prishtinë, 2016.

UROJMË, që Orhideja, autorja e këtij libri tregimesh të vazhdojë të shkruaj dhe në të ardhmen të jetë një shkrimtare e talentuar...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat