Shkrimtari i të pathënave të botës së maleve - Bota Sot
Shkrimtari i të pathënave të botës së maleve

Kultura

E enjte, 15 nëntor 2018

Shkrimtari i të pathënave të botës së maleve

Nga: Mikel Gojani Më: 29 janar 2018 Në ora: 12:37
Ndue Dedaj

Shkrimtari Ndue Dedaj, nga Mirdita, si autor letrar dhe veçmas si publicist është i njohur gjerësisht jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë etj. Të hulumtosh në veprën e tij krijuese, në përceptimin e tij intelektual, misterin letrar dhe botën jashtë tij, është një kërkim që vlen t’i paraqitet lexuesit, madje edhe më shumë se deri më tash. Dedaj nuk është një krijues këlthitës për vëmendje ndaj tij dhe aq më pak për çmime. Tek ai mishërohet një modesti e thjeshtësi e veçantë. Megjithatë botimet e tij letrare kanë bërë që ky shkrimtar dhe studiues të krijojë profilin e tij në fushën e letrave. 

Kontributet krijuese të Dedajt si autor ngërthejnë disa fusha: publicistikën letrare (përshkrime, reportazhe, portrete dhe ese), krijimtarinë letrare të mirëfilltë (poezi, tregime, romane) dhe studimet e profilit historik etj. Ka botuar: “Aizbergu i Hanës” (poezi) 1998; “Këndej kaloi koha” (poezi) 2001, Planetare (poezi) 2007, “Hylli i Zotit Njeri” (poezi) 2015; “Dashuri në kullën e ngujimit” (tregime e novelë) 2004; “Hyjnesha e Pyllit” (tregime për fëmijë) 2004; “Shembja” (roman) 2005, “Unaza e virgjëreshës” (roman) 2014. Ndër librat studimorë, monografikë, shquhen: “Toka e katedraleve”, Tiranë 1999 e ribotuar më 2006, “Fabian Barkata dhe ditari i tij shqiptar” (biografi & ditar); 2005, “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit” (studim-ese) 2010 etj. Por dhe një varg esesh tepër të spikatura publikuar sidomos në gazetën “Shqip”, por dhe në “Shekulli”, “Koha jonë”, “Panorama”, “Bota sot” etj.

Studiuesi i njohur Miho Gjini, shkruan: “Midis këtyre botimeve me vlerë të Ndue Dedës, nuk mund të mos ndalesh te studimi i gjatë e i gjerë shkencor “Toka e Katedraleve”. Pa hezituar aspak, do ta quaja këtë libër të ripunuar e botuar së dyti, një kontribut të veçantë! Jo vetëm për hulumtimin skrupuloz të përhapjes së krishtërimit në Mirditë, me të gjithë dishepujt e vet, në një vatër autentike shqiptare me ndikim të jashtëzakonshëm tek banorët, por edhe si enigmë e Teatrit Epik të këtyre maleve e grykave të thella, ku varfëria, virtyti, karakteri i fortë, tok me shpirtin njerëzor të tokësorëve, gati takojnë qiellin e kthjellët të këtyre anëve”.

Ndue Dedaj ka rrugëtuar gjatë në kërkim të poezisë së tij, duke dëshmuar cilësi të vargut me plot natyrshmëri. Vargu i tij shpaloset si një mozaik që ka zë dhe shpirt. Poezia e këtij krijuesi të talentuar nuk reshti në vite dhe nuk u fashit kurrë, veçse u rrit dhe u pasurua. Stili i Dedajt është një estetikë e prekshme, larg abstraksionit shterp. Ky lirizëm bën pjesë në botën e tij meditative. Konkretja modelon simbolikën. Fuqia e brendshme frymuese që identifikohet me botën e brendshme shpirtërore, i jep ngjyrë këtij vargu, ku ndihet lëvizja e imazheve dhe metaforave vezulluese. Ai e vrojton botën me sytë e dashurisë, të një dashurie universale dhe të dinjitetit njerëzor. Vlerat e poezisë së tij i ka rrokur më së miri poeti Dhori Qiriazi: “Poezia e Ndue Dedajt është mbrujtur me atë maja shpirti që bën thirrje për dashurinë ndaj njerëzve të tokës sonë. Kjo është dhe kredoja më e zgjedhur e tij dhe unë besoj se në botën e tij shpirtërore kjo kredo nuk është pozë, por një ndjenjë e vërtetë, e marrë qysh atëherë, kur fryma mbase i qëndroi mbi supe si një pëllumb i bardhë dhe uji i lagu shpatullat... Kjo është poezia e këtij poeti të veçantë që derdh vargjet e tij plot njomëzi, me një gjuhë të bukur e fjalë të zgjedhur...”

Në prozën e shkurtër dhe të gjatë të këtij autori rroken drama njerëzore dhe sociale tepër interesante e ndonjëherë rrenqethëse, pak ose aspak të rrahura në letërsinë tonë. Të tilla janë dhe disa nga tregimet e librit “Dashuri në kullën e ngujimit”, veçanërisht novela që i ka dhënë titullin përmbledhjes, ku të dashuruarit që puthën në kullën e ngujimit, në fillimet e tranzicionit, janë dy të rinj me familjet në hasmëri, Angjelina Lazër Pal Arrni dhe Astrit Ndre Pirraku. Në prozën e këtij autori vërehet tipologjia veriore, e fokusur kryekrejet në arealin kulturologjik të Mirditës, edhe pse autori nuk e lokalizon askund këtë gjeografi. “Shembja” është një roman që trajton sa temën e minierës aq dhe të jetës shqiptare nën komunizëm, analizuar mjeshtërisht nga kritiku i letërsisë Prend Buzhala, i cili shkruan: “Romani "Shembja" hyn në portën e madhe të artit letrar me botën e vet të pasur artistike, me sigurinë e poetikës vetanake, me tematikën, përmbajtjen e strukturën artistike a kompozicionale të gjetur, me larushinë e personazheve të ndërliqshëm, me strukturat komplekse të rrëfimit. Vepra dëshmon se Ndue Dedaj ka prirje të një prozatori të mirëfilltë modern, duke çliruar përmes strukturës romanore mundësi të shumta shprehëse”.

Kjo frymë origjinale vërehet edhe më shumë në romanin e tij të fundit, “Unaza e virgjëreshës”, një libër prej 372 faqesh, i lidhur me palcën e dokeve të Shqipërisë Veriore, ku ka qenë deri vonë zakoni i vajzave virgjëresha, të pamartuara e të përkushtuara mbajtjes gjallë të familjeve në mungesë të meshkujve. Romani është shkruar bukur, me njohje të thellë jo vetëm të tematikës së trajtuar në të, por edhe me prurje të një pasurie të madhe fjalësh e frazeologjizmash aq mbresëlënëse e funksionale nga e folmja e Mirditës e më gjerë. Preç Zogaj e ka përcjellur kështu këtë roman një vit më parë në të përditshmen “MAPO”: “Romani “Unaza e virgjëreshes” i shkrimtarit Ndue Dedaj përqendrohet në historinë e një “burrneshe” të Shqipërisë së veriut, një temë e njohur që ka tërhequr deri vonë, madje edhe sot e kësaj dite, kërshërinë e të huajve për Shqipërinë ekzotike. Në romanin e tij autori kërkon të depërtojë në botën e brendshme komplekse të virgjëreshës, ku forca e përbetimit në një anë  dhe tërheqjet e instiktit femëror në anën tjetër janë në një  ndeshje sekrete të denjë për vëshgimin e hollë të psikanalizës”.

Duke folur për vlerat e këtij romani, studiuesja e re Lori Kola, pohon se autori në këtë vepër na paraqet mendësinë e lashtë të shoqërisë shqiptare që nga kohët primitive deri në kohën me të re, ndoshta ngaqë, sipas tij: “…në sferën sentimentale gjerat njëlloj janë si atëherë, si sot. Ajo që ka ndryshuar është reflektimi i njeriut për vetëveten e fshehtë. Tani njerëzit gjykojnë ndryshe për tabutë”. Romani, përmes rrëfimit, përshkrimeve, subjektit të ndërthuar në disa linja e tejkalon botën personale, intime të shkrimtarit dhe fiton vlerë përgjithësuese. “Bdek Diveli (shkrimtari i romanit) ishte lodhur me atë rrugëtim të gjatë, të pafundëm në kërkim të njeriut” (fq. 371.) Vetë Ndue Dedaj si shkrimtar ka “ikur” nëpër rajone të epërme, përmes imagjinatës dhe fantazisë, sepse “shkrimtarët kishin lindur për të qënë ikës”.

Romani “Unaza e virgjëreshës” është një vepër e arrirë si për nga tematika, ashtu edhe për nga vlerat artistike. Përndryshe, romanet e Dedajt ngërthejnë vlera të njëmendta letrare, me pretendimin për t’u rreshtuar në krijimtarinë më të zgjedhur të llojit.

Ndue Dedaj është emër i mirënjohur veçmas në fushën e publicistikës, ku spikat natyra e tij prej një publicisti të preokupuar për problemet e kohës. Ambiciet për t’i njohur të fshehtat njerëzore, si dhe rrënjët e së kaluarës, përkatësisht rrënjët e identitetit shqiptar, kanë përplotësuar tek ai dimensionin e gazetarit, shkrimtarit dhe studiuesit. Një gjë mund të thuhet, për figurën dhe veprën e autorit Ndue Dedaj, asnjëherë, në asnjë shkrim, nuk mund të thuhen të gjitha, gjegjësisht kur shkruhet për të, asnjë shkrimi nuk mund t’i vihet pikë në fund, sepse veprimtaria e tij është e gjerë dhe me vlera të gjithanshme, siç ka vërejtur dhe kritika. Veprat e tij e kanë begatuar bibliografinë e gazetarisë dhe letërsisë shqipe.

Shkrimtari Dedaj përmes veprave të tij është përherë e më i afirmuar edhe në Kosovë. Për të qenë edhe më afër lexuesve të tij që ka “këndej” kufirit, urojmë që shpejt ta kemi mes nesh dhe të na prezantohet me profilin e tij krijues.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test