Fundi i samurajëve

Kultura

Fundi i samurajëve

Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 12:58
Ilustrim

Samurajët kanë dominuar Japoninë përgjatë qindra shekujve, specialistë në artin e shpatave dhe të luftërave, me disiplinë të hekurt dhe me kode sjelljeje. Një botë komplekse që ushqeu Japoninë me një kulturë të mrekullueshme. Po çfarë ndodhi me këta luftëtarë? Në cilin moment filluan të zhdukeshin?

Samurajët filluan të marrin rëndësi në Japoni aty nga viti 1180, duke marrë pjesë në luftëra dhe sidomos në konflikte civile, të afruar nga krerët e klaneve të epokës. Që në atë kohë u formua një lloj diktature ushtarake e quajtur “Shogunato” që qëndronte sipër perandorit, i cili nuk merrte pjesë në vendime. Samurajët e ushqyen Japoninë me një kulturë të shkëlqyer dhe ishin protagonistët e historisë japoneze për shumë kohë. Megjithatë kohët po ndryshonin dhe Japonia mori një drejtim tjetër.

Në vitin 1868 vjen në pushtet një perandor i ri, i cili nis një epokë të quajtur “Epoka Meiji”. Japonia merr një kthesë që sjell ndryshime të mëdha, të cilët do të preknin stilin e jetës së samurajëve. Në epokën Meiji, një perandor i quajtur “Mutsuhito”, sot njihet me emrin perandori Meiji, i ktheu pushtetin perandorit. Kryeqyteti që deri më atëherë kishte qenë Kioto u transferua në Tokio dhe pas shumë ngjarjeve, diktatura e samurajëve mori fund përgjithmonë. Filloi tregtia e jashtme, ndryshuan ligjet dhe kështu vendi u hap ndaj ndikimeve të perëndimit, si dhe u modernizua, duke e shndrruar në një fuqi në kohët e mëvonshme.

Samurajët pushuan së qëni të nevojshëm për këtë Japoni të re dhe u ndien të braktisur e të tradhëtuar. Pati rebelime, konflikte dhe mospajtime me qeverinë e re dhe statusi i tyre si luftëtarë, bashkë me benefitet, po zhdukeshin ngadalë brenda pak vitesh. Në vitin 1871, qeveria ndaloi përfundimisht krehjen dhe veshjen tipike të samurajit. Deri në vitin 1876, ish-samurajët merrnin një rrogë nga qeveria, por atë vit u vendos të mos u jepej më ajo ndihmë ekonomike.

Po atë vit, u firmos urdhëri Hait?rei që ndalonte mbajtjen e shpatave, kështu që këto norma të reja dhe kufizime bënë që ata të quajtur ish-samurajë, t’i jepnin fund stilit të jetës si luftëtarë dhe të kërkonin një mënyrë të re mbijetese. Shumë nga ata shfrytëzuan mundësinë për të qenë në politikë, ose për të marrë pjesë në një polici të re të kohës. Të tjerë bënë një jetë më modeste duke punuar në fusha. Pjesa tjetër u regjistrua në ushtrinë e re të qeverisë. Edhe farkëtarët e katanave filluan ta ndjejnë këtë ndryshim, nuk kishin kujt t’ia shisnin shpatat, kështu që edhe ky zanat nuk kishte vend në këtë shoqëri të oksidentalizuar.

Si përfundim çdo gjë që kishte lidhje me samurajët i humbi vlerat në këtë Japoni të re, prioritetet e së cilës ishin përshtatja me kohët e reja dhe rëndësia e të qënit në lartësinë e duhur me shtetet e tjera. Me gjithë këtë panoramë, mund të kuptojmë sesa i vështirë ka qenë tranzicioni i samurajit. Jo thjeshtë përshtatja me një jetë plotësisht ndryshe. Gjithësesi, falë këtyre ndryshimeve dhe shumë të tjerave që ndodhën në epokën Meiji, Japonia arriti një stabilitet të shumëdëshiruar. Në momentin që kjo shoqëri arriti modernizmin, me kalimin e kohës mësoi edhe vlerën e traditave të saj, të arteve, zakoneve dhe në fund origjinës së vet. Sot kjo vërtetohet sesi ata kujdesen, shpërndajnë dhe adhurojnë trashëgiminë historike dhe kulturat tradicionale në mënyrë unike, përtej kohës. Sot e dimë se shpirti i samurajit nuk mbeti në harresë dhe ekuilibri mes së vjetrës dhe së resë është një nga specialitetet e shoqërisë japoneze. / Burimi: “Mirandohaciajapon” – Përgatiti: F. AgastraBota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat