Flet piktori Igli Mario: Më pëlqen që nëpërmjet gjërave materiale të pasqyroj gjëra abstrakte

Kultura

Flet piktori Igli Mario: Më pëlqen që nëpërmjet gjërave materiale të pasqyroj gjëra abstrakte

Nga: Albert Z. Zholi Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 10:22
Piktura e Igli Mario

Gjithmonë ka patur dëshirën për të pikturuar. Fëmijërinë e ka kaluar në qytetin e Laçit. Vizatimet e para kanë qenë me laps, duke u përpjekur të pasqyronte  në mënyrë realiste sendet që e rrethonin. Kur ishte 4 apo 5 vjeç babi i i tregoi punimet që i përzgjodhi për një ekspozitë me punimet e fëmijëve që u zhvillua në Pallatin e Kulturës. Mësuesi i tha babait të tij se duhet ta inkurajonte të vazhdonte të vizatonte. 

Pra në këtë mënyrë nisi rruga juaj si piktor?

Po, vazhdova të pikturoj përsëri rreth moshës 19 kur ndodhesha në Itali, pra jam autodidakt, nuk kam patur kurrë mësues. 

Ndoshta mësuesi i parë ka qenë Nikolaos, një artdashës Grek që kishte një dyqan e shiste materiale pikture në qytetin e Ferrares. Kur blija materialet ( telajo, bojëra, penela ) dyqanxhiu Nikolaos në rrugën “Saraceno” më orientonte për mënyrën e përdorimit, ( psh, bojërat e vajit përdoren me vaj lini, terpentina), si të pastroja penelat, çfarë penelash të përdorja me ngjyrat. 

-Në moshën e fëmijërisë kë nga piktorët e njohur keni njohur nëpërmjet leximit dhe çfarë përshtypjesh ju ka lënë?

Kur isha fëmijë pikturat e para që kam pare ishin katalogët me punimet e rilindjes Fiorentinase, Botticeli, Da Vinci, Michelangelo e në të njëjtën kohë pikturat propagandiste të realizmit socialist që akoma mund ti shihje në libra, postera apo gazeta. Përshtypjet që të linin, një lloj çudie, jetoja apo jetojmë në një vend Anti-Art e s’mund të them se ka patur një lloj strukture apo mbështetje. 

- Kur e keni vizituar ekspozitën e parë të pikturës dhe ku? Cilat janë mbresat që ju la?

Kam vizituar ekspozita pafund, kudo ku kam shkuar, mbresat më të thella mi ka dhënë jo e para por “Musee D'Orsay’ dhe vendosa se ajo është rruga ime kur pashë punimet e Chaim Soutine. Një nga të preferuarit e mi si artist.

-Kur e keni hapur ekspozitën e parë tuajën dhe si jeni ndjerë? Si reagoi kritika?

Duhet te them se kur pikturoja në fillim një inkurajim shumë të fortë më ka dhënë Profesori Arteve Vizuale, Shpend Bengu e Skluptori Vladimir Metani, Ekspozitën e pare personale e kam bërë në Maj 2013 në qytetin e Ferrares në Itali, në Monumentin e Unesco- i quajtur Porta Degli Angeli. Kurator Alberto, Squarcia. Përveç reagimeve pozitive të njerëzve disa kritik arti e vlerësuan stilin e origjinalitetin e punimeve.

-Në fillimet tuaja cilën gjini të pikturës keni pasur më për zemër, kompozimin, portretin, natyrën e qetë apo peizazhin?

Më për zemër kam pasur kompozimin, pikturën simboliste, ekspresionizmin, ilustrimin, sa për natyrën e qetë apo portretin më duken të mërzitshme. Më pëlqen kur piktori pikturon diçka që nuk egziston, psh, ndjenja, ëndrra, perceptime, kujtime, gjëra jo materiale, të tipit Picasso, Chagall, Gauguin, Otto Dix, por është e vështirë të kufizosh pikturën në zhanre.

-Kohët e fundit keni hyrë bindshëm tek piktura kontemporane, abstraksioniste, surrealiste, cila është e veçanta e kësaj pikture? A është më e vështirë se gjinitë e tjera dhe pse? A mund ta kuptojë kushdo këtë lloj pikture?

Të veçantat e këtyre zhanreve janë pafund, e sigurisht që kuptohet nga pak. Por punimet e mia janë rezultat i frymëzimeve të ndryshme, le të themi post klasike deri diku, ilustrative, ekspresioniste, subjektiviste. 

Më pëlqen që nëpërmjet gjërave materiale të pasqyroj gjëra abstrakte të padukshme që ndodhin nivel psiqik e emotiv. Kjo është sfida ime, e është e vështirë e ta kategorizosh në zhanre apo ta përshkruash me fjalë. mendoj se fjalët shpesh janë të tepërta. Më e rëndësishme është ndjenja që ti ke kur sheh një pikturë.

-Aktualisht në sa ekspozita vetjake dhe kolektive keni marr pjesë?

Në Tiranë kam zhvilluar disa ekspozita personale, “Tirana Ekspres” në 2014 me kuratorin Andri Ibrahimi, “Tek Librari” e përshtatshme, pastaj shumë kolektive, nga të cilat mund përmend në “Firence COSPE” punime grafike që u ekspozuan në Itali, Francë, Gjermani, në Tiranë me “Tirana Art Lab Prizren” me kuratorin Gani Sunduri, Maqedoni, me Ministrinë e Kulturës kam marëe pjesë në dy Edicione me novelat Grafike ne 2015 e 2016 e kolektive të tjera që nuk i mbaj mend.  

Ekspozita e fundit ishte personale në “Vivart Janar 2018” me kuratorin Olsi Shtylla e cila më pëlqeu shumë për nga serioziteti e profesionalizmi i komplet organizimit.

- Kush ka qene suksesi juaj më i madh?

Suksesi më i madh ka qenë të shprehurit të vetes, të asaj që unë jam apo mendoj apo përfaqësoj në këtë jetë. 

- A jetohet sot me pikturë?

E para jeton shpirtërisht, në një vend e një kohë që duket sikur qëllimi parë i masës ( e sistemit eko-politiko-social që kjo e fundit ka ndërtuar) është vdekja e shpirtit të individit. E dyta nuk kam menduar kurrë se mund të kisha sukses komercial,  e bëja për pasion, nëse do nisesha nga suksesi komercial do bëja ndonjë gjë tjetër, jo pikturë. Duhet thënë se artistët e vërtetë, ndryshe nga imazh publikut (ëndërrimtar e të ndjeshëm e idealist) me kalimin e kohës krijojnë një karakter të fortë si gozhde arkivoli e i mbijetojnë mediokritetit të shoqërisë e tregut të masave. Piktura ime nga ana tjetër vlerësohet nga shumë pak njerëz, e është ajo që unë dua. E unë jam shumë i kënaqur qoftë nga vlerësimi i këtyre të fundit e qoftë e nga mbështetja financiare me blerjet e tyre.

-A është maskiliste shoqëria shqiptare?

Te pikturat e mia ka shumë femra, nudo, ndoshta e bën këtë pyetje duke u nisur nga ideja se unë mendoj se shoqëria është maskiliste e prandaj dua ta ekuilibroj duke futur feminilitet. Realisht pikturoj femra sepse më pëlqen trupi i femrës, po nuk mendoj se shoqëria shqiptare është maskiliste. Mendoj se kjo e fundit është pa formë e pa identitet. 

-Teknika që përdorni, bojëra vaj, akrilik apo akuarel? Cilat janë të veçantat e tyre?

Teknika që përdor kryesisht është akrilik. E veçanta është që thahet shpejt e nëse je i frymëzuar apo ke një ide në kokë apo një gjendje emotive që do ta pasqyrosh, koha e realizimit është në harmoni me tharjen e bojës e kështu mund ta fiksosh. 

Më pëlqen gjithashtu akuareli për pikturat e mia dekadente apo kur dua të eksperimentoj. Akuareli është i vështirë të kontrollohet, e pastaj nxjerr nuanca bojërash tejet interesante.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat