Tungjatjeta Arshin Xhezo! - Bota Sot
Tungjatjeta Arshin Xhezo!

Kultura

E hënë, 19 nëntor 2018

Tungjatjeta Arshin Xhezo!

Nga: Rexhep Shahu Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 20:31
Rexhep Shahu

Në orën 9 të mëngjesit të 10 shkurtit 2016, sot dy vjet më parë, Izet Duraku më thotë në telefon se ka ndërruar jetë Arshini. U nisa të takoheshim për t'i shkuar në shtëpi. Por u vonova udhës, nuk u bashkova dot me të tjerët. Edhe se doja te rrija me mendimet e mia e kujtimet me Arshinin.

Shkova në kafe Luks në bodrumin e Bibliotekës Kombëtare dhe u ula në karrigen e Arshinit, në atë karrige ku ai kishte gati dy dekada që ulej. Se zyra e studioja e tij ishte në atë karrigë e tavolinë. Në karrigen ku ai ka vite e vite që ulej çdo ditë, lexon e studion aty dhe të gjithë e dinë se është karriga e tavolina e Arshinit. Njoftova aty në kafe se Arshini ka ndërruar jetë.

Shumë trishtim pashë sot në kafe Luks tek ata që e njihnin.

E shihja përditë, të paktën prej 6 vitesh që e njihja, në të njejtën skutë të kësaj kafe ku binte drita mirë. Nuk i përvidhej askujt kurrë por aty kishte gjetë këndin nga shihte botën, këndin që nuk ia lakmonin dhe nuk e trazonin. Aty nuk ia zinte diellin askujt.

Dikskutimet e debatet me të në atë tavolinë të kafe Luksit, po të transmetoheshin në televizionet tona, do të bënin që drejtuesit e emisioneve dhe opinionbërësit tanë të mos kishin më vend në Shqipëri.

Sa vite e njofta nuk më gënjeu kurrë, nuk nënvlerësoi asnjë imtësi të sjelljes njerzore, ishte i vëmendshëm ndaj shokut e mikut si ai. Ishte i gjendshëm si ai. Të prekte me kujdesin e tij.

Një mik që gjendet rrallë në jetë.

E kam njohur prej Izetit. Ishte njeri që dinte të dëgjonte me sy e veshë, me gjithë qenien, që nuk të ndërpriste, që nuk lejonte ta ndërprisje, që të respektonte me fanatizëm, që kishte kode të larta morale. Më çmonte dhe ndjehesha i përkëdhelur.

Kishte punuar gazetar në Zëri i Popullit, kishte drejtuar 6 vite këtë gazetë, dinte natyrisht shumë për shumë njerëz, dinte dobësi e fshehtësi të shumëkujt, nuk abuzoi kurrë me askënd, nuk përfitoi sa mundësi kishte, punoi mësues letërsie në shkollë të mesme edhe pse po të donte mund të ngjitej lart në poste sepse postet i kapën ata që kishin turp prej vetes së tyre dhe prej tij, postet i zunë mëkatarët para tij.

Orë pafund kemi diskutuar. Dhe në finale mbërritëm në atë që vesi është ves, hajni hajn, i ligu i lig, virtyti virtyt në të gjitha sistemet e rendet shoqërore, në të gjitha qeveritë, spiuni është spiun, tradhëtari I shokut e mikut është tradhëtar, i poshtri i poshtër, servili servil. Ai nuk i thoshte kollaj të zezës të bardhë as të bardhës të zezë dhe kishte vite që nuk pranonte të ishte ushtar rrjeshti i askujt.

Kur vizitoi Kosoven, kur u kthye, e pashë të mrekulluar, të habitur, të tronditur, të çuditur, e pashë entuziast sa kurrë ndonjëherë. Kishte parë atdheun, atdheun real e jo në letër, jo në këngë, përmasat e tij reale dhe kjo e bëri njeri me dimensione e përmasa të tjera para meje.

Shtangesha kur rrefente të panjohura për udheheqjen komuniste, kur mëkatoi kur vdiq Enveri se nuk e nderoi në gazetë si e sa donte Nexhmija.

Shkroi shumë e botoi pak artikuj model. Disa vite librin e tij që e qunte Shkrimtari dhe diktatura, pasi i takonte ta shkruante, kishte njohur mirë nga afër shkrimtarët kryesorë dhe udheheqjen e diktaturës. Por ky libër nuk arriti të botohej i plotë siç e rrëfente në biseda e në letra të shkruara ai.

Rrallë kam njohur njeri aq të përkushtuar ndaj familjes, fëmijëve, aq të gatshëm të linte çdo gjë në mes për hir të familjes. Rrallë kam njohur njeri që të intersohej e të bënte të pamundurën për shokun e mikun, të sakrifikonte për shokun e mikun.

Ai nuk dinte të harronte asnjë vogëlsi. Për t'iu gjendur mikut ai shkonte deri te zoti dhe bëhej copa me zotin për hatër të mikut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test