Ndodhi...

Kultura

Ndodhi...

Nga: Bajram Sefaj Më: 5 mars 2018 Në ora: 11:44

Në një parking publik, para një tregtoreje të madhe, si të ishte një Merkatto (në qytetin tonë të mijëra dritareve në Beratin tonë të lashtë e të Onufrit),  ku nuk kishte shumë automjete të parkuara, asaj mbas dite, më shumë kishte vend se automjete, një mesoburrë (nuk me pëlqen fare kjo fjalë e eksportuar dhe harxhuar aq shumë e aq pamëshirshëm deri me tash),  me një qese të madhe najloni, i afrohet një automobili të vjetër, të shqyer krejt, të bërë pendël-pendël. Ishte një tip woklsvagen-i që këtyre herësh u thoshin breshkë. Përbri veturës, lëshoi përtokë,  qesen e madhe. Bëri disa  lëvizje të zakonshme, sikur të hallakaste xhepat për t’i gjetur çelësat! 
Asgjë e jashtëzakonshme deri këtu!

Para se t’i nxirrte duart prej xhepave, filloi të sillet rreth e përqark veturës me një shikim të mprehtë vrojtues sikur mbi xhamat e saj të përlloçur, të ishte varur anonsa e shitjes, që nuk e dallonte mirë çmimin. Pas edhe të disa hapave, andej këndej, rreth e rrotull veturës, ndalet prapa saj, bash sikur synonte të hapë gepekun e në të fus qesen e madhe të mbushur përplot, me çka mos.

Asgjë e jashtëzakonshme deri me këtë dekik!

Por shih ti çudinë: në vend se nga qesja të nxirrte ato që i kishte blerë në tregtore, mesoburri (pasi me ngeli në dorë, gjegjësisht në gojë me mbeti kjo fjalë a ky term a çka dreqin është!), nga qesja, me shpejtësi vetëtime,  nxori një litar jo shumë të gjatë, me një kalavesh kambanash, kanoçesh bosh dhe rraqe të tjera të zhurmshme. Me shpejtësi të rrufeshme, fijen tjetër të litarit e lidh shkathtë e mjeshtërisht, për skapamento a diku afër tij, për ndonjë çengel tjetër të prapanicës se automjetit të shkretë, të lodhur nga rruga e gjatë e jetës. Mesoburri, me hapa të imtë, por të mbrehtë ia thek vrapit deri të pas trupi i gjerë i një lisi mijëvjeçar. Mirë pozicionohet e fshihet pas trupit të lisit shtatgjatë e, terë buzagaz, shikimin e shigjeton andej nga vetura e vjetër. 

Ngjau ashtu si pritej se do të ndodhë! 

Një tjetër mesoburri (si rriqër me ngjitet për trupi, lexo: me është ngujuar në gojë (kjo dreq fjale). Me nervozë, që i pikonte nga pallto shqyer, nxjerr çelësat dhe më parë se u ul, u përplas në sedijen e automjetit plak, me dertin e përhershëm se a do të merr kontakt me të parën, a jo! Për habinë e çuditshme, kur mendjen e kishte diku krejt tjetër, shumë larg reales, shtyp marrshin me nxitim e fuqishëm dhe  në fugim të shpejtë, si të ishte pa krye, pa ia var fare veshin orkestrimit të një melodie të prishur karioke që, më zhurmë të çakorduar, derdhej pas tij. Më zi se tallave! Pas nja gjysmë kilometër rrugë, pas gjithë asaj kunjave e zhurme, pas shikime potë habi të kalimtarëve të rastit,  është kujtuar i gjori se diçka nuk është në rregull. Diçka keq po i kërcet mbrapa kerrit...

Në e parë mendoi, i shkreti ai, se iu shkatërrua shkapërderdh, krejt skeleti i makinës, se iu derdhen krejt azatet e trupit tij të vjetruar. Me nxitim frenoi, veçse nuk i shqeu e dërmoi gomat e vjetruara. Doli jashtë. Makinës iu vërsul me inat. Veçse nuk ia fiti një shulakë të nxehtë. shqelm, a boks të fortë. Se pari i doli përpara. U mat të hap hauben.

Nuk deshi t’ia shoh tymin duke i dalë tymi nga motori i moçëm kur aq gjatë kohë vuan nga veremi kronik dhe i pashërueshëm. I doli mbrapa. Çka me pa. Beter me sy... Kanoçe gojëhapur, si të kishin klithur nga dhimbjet e mëdha, këmbora të lënduara, zile, copa kartonësh, lecka të bardha e të pluhurosura, fasulet mbi fasulet, ndonjë peshqir... 
Hodhi shikimin para-mbrapa, anash, në të djathtë e të mëngjër, asgjë. As nuse as krushqi. As dajre, as dajrexhi, tupan as tupanxhi...     

E pastaj, pastaj çfarë ndodhi. Asnjë haber. Pyeteni ëndrrën. Kot! Ajo tani është këputur, është zhdukur kur është dinake e pabesë dhe e mbytur në trill të zi, terr..
                                                                                                                                                                                                                                                                                                 (diku, në Shqipërinë tonë, 2014)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat