Aktori Ilir Tafa dhe kariera e tij artistike

Kultura

Aktori Ilir Tafa dhe kariera e tij artistike

Nga: Baki Ymeri Më: 6 mars 2018 Në ora: 00:46
Ilir Tafa

Ilir Tafa është njëri ndër aktorët më të njohur dhe më të popullarizuar në Kosovë dhe jashtë vendit. U lind në Lipjan më 1974. Ai ka luajtur në shumë projekte filmike dhe teatrale në Kosovë dhe jashtë saj sidomos në Bosnje e Kroaci. Ilir Tafa, me fillimin e studimeve nisi të zotërojë profesionin e aktorit, ku për një kohë shumë të shkurtër realizoi vepra brilante në teatër e kinematografi, si në vend ashtu edhe jashtë. Deri më tani ka luajtur në disa filma artistik dhe seriale,si dhe në shumë shfaqje teatrore, me role skenike nga më të ndryshmet  si: ”Sonte jam vetëm”, ”Alo 038″, “Studio 2”, në filmat artistik “Atje ku nuk lind dielli”, “Shtëpia e tmerrit”, në serialet ”Kamera me yjet”,  “Kandidati për president”,  “Kaçurrelët”,  “Zogjtë e luftës”. Nga viti 2009 merr pjesë në shumë projekte artistike si në teatër,  film dhe TV.  Në gjithë hapësirën e  ish-Jugosllavisë Ilir Tafa është bërë i njohur me serialin “Lud,  Zbunjen,  Normalan”. Çmimi “Aktorit më të mirë”,  iu nda nga Festivali i Filmit i Kosovës – Gjilan, Festivali i Komedisë Shqiptare, në Preshevë, Festivali Ballkanik i Teatrit, në Prishtinë dhe Festivali i Teatrove Shqiptare i mbajtur në Dibër të Maqedonisë. Ilir Tafa mban gradën më të lartë universitare në fushën e aktrimit dhe është mësimdhënës i lëndës së Diksionit.  Jeton dhe vepron në Prishtinë. Ligjëron lëndët: Diksion II, Interpretim.

Bota e filmit dhe portreti i një artisti që po shkëlqen

Sipas Zonjës Xhevahire Krasniqi-Podgorica, bota e filmit është një botë e preferuar dhe e konsumuar nga të gjithë, veçanërisht në kohën kur  nuk kishim dëgjuar për internetin dhe mundësitë që ai aktualisht ofron, gjithmonë ka qenë një atraksion i kushtueshëm por edhe i dëshirueshëm prej mijëra e mijëra njerëzve gjithandej nëpër botë. Emrat e Xhejms Din, Marlon Brando, Riçard Barton, Elizabet Tejlor, Merlin Monro e sa të tjerëve, akoma defilojnë para syve tanë, në formë kujtese për madhështinë që na lanë trashëgim.

Edhe bota shqiptare, ndër vite  të tëra, artit të shtatë i ka dhënë emra të mëdhej të cilët u bënë të njohur në saje të talentit të padiskutueshëm dhe mundësive që me mund i krijuan. Xhejms e Xhim Belushi, Irena Papas, një aktore greke me origjinë shqiptare, së fundit Eliza Dushku dhe shumë të tjerë të cilët kanë bërë emër nëpër botë, sa si aktorë filmi dhe sa nëpër teatrot më prestigjioze të Europës e SHBA, i kanë bërë nderë sa kultures shqiptare po aq edhe vetë kombit shqiptar. Në Shqipëri, megjithëse në rrethana politike, ekonomike e finansiare shumë të rënduara, gjatë pesëdhjetëvjeçarit  të dytë të shekullit të kaluar, kinematografia ka arritë rezultate shumë të mira, pa çka se me primesa ideologjike, ndërsa emrat e përveçëm të kësaj veprimtarie ishin të denjë për të qëndruar në vetë majat e krijimtarisë filmike botërore. Sandër Prosi, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi dhe qindra artistë të tjerë, janë mishërim i aktorit të shkëlqyeshëm dhe  artistit kulmor.

Kosova ndërkaq është tregim më vete. E gjendur në një situatë të vështirë dhe pa perspektivë shumë premtuese, kinematografia kosovare njeh një lindje të vështirë poredhe  një zhvillim të mëpastajmë mjaft domethënës dhe, shikuar nga aspekti historik, tepër cilësor.Për të qenë të drejtë dhe të paanshëm, në mungesë të mundësive për shkollim të drejtë në këtë gjini në Prishtinë, shkolla e Beogradit dhe teatrot e atjeshme si Atele 212 e ndonjë tjetër, nxorën aktorë cilësor të cilët bënë emër edhe jashtë shtetit të atëhershëm Jugosllav ndërsa me mundësitë që u krijuan më vonë ndikuan pozitivisht tek talentet e rinj kosovarë duke i motivuar ata për projekte shumë të mira teatrore e filmike.

Megjithate, propagandimi dhe publikimi i këtyre vlerave, gjithmonë ka çaluar, sa për shkak të neglizhencës sonë po aq edhe për shkak të një qasjeje jo profesionale të atyre të cilët këtë veprimtari do të duhej ta merrnin më seriozisht dhe ta trajtonin me profesionalizëm. Në kohën e ekspansionit të jashtëzakonshëm të antivlerave dhe në kohen e vrapit galopant për t’u pasuruar pa zgjedhur mjetet, lajmet e rralla të cilat vijnë deri te ne për ndonjë të arritur tjetër, veçanërisht nga fusha e artit, një mënyre aq e sofistikuar dhe aq e preferuar për   promovimin e  vlerave artistike, neve na shkakton sa kënaqësi shpirtërore  po aq  na vjen edhe si një satisfaksion moral, njerëzor e kombëtar, duke na kthyer shpresat dhe  për të thënë: po, edhe ne do ia dalim! Sepse edhe ne kemi  me çka të mburremi. Se lajmet për të arriturat e një aktori të ri dhe shumë premtues e të dëshmuar tanimë në vend dhe jashtë si ndër aktorët më të mirë bashkëkohor dhe si pedagog universitar në fushen e arteve pamore, Kosoves dhe industrisësë filmit ia kthejnë sharmin dhe namin të cilin dikur e kishin por që, në këto kohë pa kohë, diku e kishin ngatërruar hapin.

Bëhet fjalë për Ilir Tafën! Relativisht i ri në moshë (1974), qysh në rininë e tij ai u brumos me dashurinë ndaj artit dhe së bukurës ndërsa zhvillohej e rritej në një familje e mjedis që arsimin e kulturen, duke filluar prej asaj burimores, të krijuar e promovuar mu në gjirin e popullit, Ilir Tafa filloi shkollimin e tij të përgjithshëm e pastaj profesional, paralelisht me mjeshtrinë që e “vodhi”, mu prej atyre personaliteteve të teatrit e filmit që i përmendëm më lart, e që njëkohësisht ishin edhe idhujt e tij. Pastaj vijnë “vitet e mbrapshta”, vitet kur, ndërsa ishte shumë I ri, si gjithë brezi i tij, u ballafaqua me të gjitha tmerret e kohës të cilat pastaj do arrijë, në bazë të roleve që iu ofruan, t’i luaj në mënyrën më brilante para kamerave televizive e të filmit, këtu në Kosovë dhe posaqërisht jashtë vendit. Në të gjithë hapësirën ish-Jugosllave, Ilir Tafa do të arrijë të realizojë rolet për të cilat do të vlerësohet lart dhe do të kërkohet që një punë të këtillë ta vazhdojë pa nda. Dhe, kështu do ndodhë: projektet filmike, në Kosovë dhe sidomos në Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci, do radhiten njëra pas tjetrës.

Një ekip profesionalstësh me përvojë dhe të dëshmuar tanimë në bazë të realizimeve më cilësore që kishin fituar çmime të rëndësishme në festivalet më prestigjioze të Europës dhe më gjërë, Ilir Tafës, duke i vlerësuar potencialet e tij krijuese, do i ofrojnë role serioze të cilat ai do ti luaj dhe realizojë me sukses. Është enciklopedik roli i tij në filmin serial “Lud, zbunjen, normalan” (“I marrë, i hutuar, normal”) në të cilin Ilir Tafa shkëlqeu në rolin e tij mjaft të rëndë për tu realizuar dhe kompleks në vetë thelbin e tij. Njohja e gjuhëve të rajonit sikur edhe e një anglishte të kulluar, por edhe çasja serioze ndaj punës që i besohet, elementet e një profili perëndimor por megjithate tradicional e të luajturit, sikur dhe aftësia për tu mishëruar me karakteret që luan, ndikuan që laramania e këtyre karaktereve të jetë e madhe dhe njëkohësisht e preferuar prej kritikëve të filmit dhe publikut filmofil në përgjithësi. Këto cilësi ndikuan që dyert e teatrove studiove të filmit në rajon dhe në pjesën anglishtfolëse të Europës tëhapen lirshëm për, besoj, mos me u mbyllë më.

Shpirtëgjërsia dhe vizioni i këtij artisti Kosovar reflektohen edhe në atë që një numër mjaft i madh i njerëzve të kulturës e vlerësojnë si dëshirë që “mjeshtritë”  e veta t’i ndajnë me të tjerët. Në të vërtetë, Ilir Tafa, në këtë dimension tregohet shumë largpamës por edhe i gatshëm për të reflektuar dhe për të çuar proceset përpara. Kësisoi, në njërin prej kolegjeve më prestigjioze jo vetëm të rajonit, si’çështë Kolegji AAB, një institucion të cilit ia kanë lakmi edhe institucione e ngjajshme të Europës, jo vetëm për infrastrukturen perfekte, për organizimin cilësor të punës por edhe për stafin më të zgjedhur akademik nga të gjitha vendet e rajonit e më gjërë, Ilir Tafa mbanë gradën më të lartë universitare në fushën e aktrimit si mësimdhënës i lëndës Diksioni. Në të vërtetë, poqese keni fatin vetëm të kaloni nëpër hapësirat e këtij Kolegji, atëherë, ndikimin e Ilirit do ta vëreni menjëherë: salla jashtëzakonisht e bukur dhe moderne e teatrit të Kolegjit AAB, e quajtur, besoj me dashuri e krenari “Faruk Begolli”, koridoret e galeritë e dekoruara me portretet hijerënda të personaliteteve të shquara të kulturës si Bekim Fehmiu, Ismail Kadare e të tjerë si dhe një sërë detajesh tjera të cilat shpalosin sa shpirtin artsitik të tij po aq edhe dashurinë ndaj kulturës dhe artit në përgjithësi.

Ilir Tafa, emër i njohur dhe shumë premtues, këtyre viteve të fundit po radhitë suksese të njëpasnjëshme. I mishëruar me rolet e tij nëpër filmat e gjiruar tashmë, me një lojë skenike të përkryer, me një elokuencë mjeshtërore dhe një qëndrim të natyrshëm përballë kamerës, i ndihmuar nga një ekip profesional sinë regji po ashtu edhe në montazh, ai vjen para publikut natyrshëm në lojë, serioz në trajtimin e rolit që luan dhe bindës në atë që bënë. Kësisoi, projektet filmike të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër,  gjinikëto të sprovuara tanimë te ne por jo edhe aq produktive kohëve të fundit, na shtyjnë të besojmë se shkolla e aktorëve  të njohur kosovar dhe më gjërë, po jep rezultatet e para në formë veprash artistike të një niveli të lartë, si në rrafshin e përzgjedhjes së skenarëve po aq edhe në realizimin e tyre.

Çmimet i fituara për rolet e luajtura nëpër filma zhanresh të ndryshme, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë, të cilët i fitoi  Ilir Tafa, janë një prej të arriturave të shumta  dhe mirënjohjeve që iu kanë ndarë, duke u vlerësuar si një prej aktorëve shumë të talentuar, me potencial të pa diskutueshëm krijues dhe me iniciativa kreative tepër domethënëse. Ilir Tafa, në skenën e teatrit dhe para kamerave të filmit vjen si një aktor i cili veçsa vazhdon rrugën e bërë me sukses, edhe pse me vështirësi, të atyre që ai besoj i ka idhuj, ashtu si i kemi edhe ne;Shani Pallaska, Abdurrahman Shala, Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Hadi Shehu dhe shumë të tjerë, tanimë të shkuar në amshim por jo në harresë, dhe të tjerë të cilët janë në pikun e krijimtarisë së tyre, duke zgjuar shpresat tona tanimë të humbura se kjo traditë dhe kjo shkollë e shkëlqyeshme kishin filluar të zbehen. Por, nuk qe e thënë! Industria e filmit këtu te ne, edhe pse e anashkaluar dhe e lënë në fatin e entuziastëve si Ilir Tafa dhe shokët tjerë të tij, ka filluar të shpalosë vlerat e vërteta, sanë aktrim po aq  edhe në regji dhe në krahë tjerë të domosdoshëm për realizimin e projekteve të këtilla.

Duke shpalosur këto vlera, ata në të vërtetë veçsa po promovojnë fuqishëm dellin krijues dhe potencialin sa kreativ e artistik po aq edhe vendosmërinë për të shpalosë e trajtuar tema të cilat janë të lidhura ngushtë me përditshmërinë e këtushme. Kësisoi, ata, Kosoven, edhe në kohën e një amullie të tërësishme që e ka kapluar, edhe në kohën kur rreth e përçark nesh po mundohet të mohohet kapitali krijues e shtetëformues i kosovarëve, kanë arritur që nga jashtë, nga vende të dëshmuara si njohëse të vlerave artistike të filmit, tësjellin mirënjohje e çmime të rëndësishme dhe shumë domethënëse të cilat kulturen shqiptare dhe kreativitetin e të rinjëve kosovarë e qojnë në njëdimension tjetër, në atë ndërkombëtar ndërsa shpirtrave të ligë, jo vetëm të huaj, ua mbyllin gojen duke iu thënë: Po! Ne mundemi! .

Krejtësisht për në fund, sa për të përmbyllë një konstatim, një vlerësim dhe një mirënjohje modeste për një artist të shkëlqyer dhe për një profesor universitar të vlerësuar lart, dua të apostrofoj një dukuri të përqudnuar dhe një realitet të hidhur: mediat tona, për dallim nga një kohë e shkuar kur në ballinat e tyre gjenim vlerësime me plot admirim për vlerat artistike të cilat i bëjnë nder kombit tonë dhe kultures në përgjithësi, tanimë në faqet e tyre të para, çdo ditë dhe në çdo hap, na sjellin detajet e mbathjeve të Kardashianëve, të fustanave të nuseve të këngëtareve kosovare e budalliqe të ngjajshme, duke lënë anash, diku në ndonjë skaj të tyre apo edhe pa e përmendur fare,ndonjë të arritur të herë pas hershme dhe mjaft të rrallë të artistëve tonë nëpër botë. Kjo është një dukuri e cila dëmton rëndë vetë kulturen e vendit dhe dekurajon e demotivon artistët e rinj, kudo qofshin ata.

Sidoqoftë, unë uroj dhe besoj fuqishëm, se ky fakt nuk do të ndikojë në krijimtarinë e Ilir Tafes dhe kolegëve të tij, qofshin  këta aktorë, regjisorë, piktorë e artistë të ndonjë gjinie tjetër. Se ky popull dhe ky vend kanë nevojë për njerëz dhe artistë e pedagogë si Ilir Tafa, kanë nevojë për gjuhen e artit, të transmetuar në trakën filmike a të luajtura nëdrrasat e teatrit. Kanë nevojë për pedagogë të këtij rangu të cilët rininë tonë, të mrekullueshme, me elan krijues dhe potencial të padiskutueshëm për ndryshime, t’i edukojnë drejt, duke ua mbushur mendjen e shpirtin me ndjenja njerëzore e kreative dhe njekohësisht duke i larguar nga të këqijat që zhvillimet e hovshme dhe dinamike, të urbanizuara tashmë, i kanë sjellë, jo vetëm te ne në Kosovë.Ata kanë nevojë për të shprehur këto afinitete, për të thënë mendimin e tyre me gjuhen e artit dhe mbase për të fisnikëruar mendjet dhe shpirtrat tonë, në një kohë kur kiqi dhe arti tallava na mbyti e na topiti tërësisht.

Ka kohë të gjatë që Kosova dhe kosovarët nuk iu gëzuan të arriturave të artistëve të tyre në arenën ndërkombëtare. Ka kohë që antivlerat dhe injoranca sa e individëve të cilët bëjnë politikat e gjithmbarshme në fushën e kulturës po aq edhe neglizhenca e amullia e individëve të kësaj  gjinie kanë marrë hov dhe po metastazojnë pamëshirshëm. Mu për këto fakte të dhimbshme, fitimi i çmimit për aktorin më të mirë, të marrë jashtë vendit nga ju, i dashur Ilir, të gjithë neve na gëzon shumë dhe na bënë krenar pa masë. Na bënë krenar për punën Tuaj si artist, për angazhimin Tuaj si pedagog universitar por edhe për vlerat njerëzore e intelektuale që po shpalos, që po promovon e po përhap gjithandej,  gjithnjë e më shumë. Duke Ju uruar suksese të mëtutjeshme dhe duke Ju përgëzuar për të arriturat në fushen e artit filmik, në emër të atyre të cilët këtë veprimtari dijnë ta vlerësojnë lart ndërsa angazhimin tuaj e shikojnë si përmbushje të një premtimi e obligimi artistik e qytetar, Ju përshëndes përzemërsisht dhe Ju them: Ju mundeni edhe më shumë! (Autorja është doktornate në Universitetin shtetëror “Ss.Cyril and Methodius" në Shkup)

Ilir Tafa prezantohet me dy projekte në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Në mesin e shumë emrave të mëdhenj të kinematografisë, në Festivalin e Filmit në Sarajevë do të jetë pjesëmarrës edhe aktori i mirënjohur shqiptar Ilir Tafa, njofton Klan Kosova. Ai do të prezantohet me dy projekte filmike të cilat janë premierë – “Invisible” të regjisores Amra Mehiç me datën 12.08.2017 dhe “Zhaba” të regjisorit Elmir Jukiç me datën 14.08.2017, këtë e ka bërë të ditur vetë aktori në një prononcim për Klan Kosova, duke bërë me dije se drejt këtij festivali do të marrë udhë nesër. Festivali i Filmit i Sarajevës është festivali kryesor dhe më i madh i filmave në Europën Juglindore, dhe është një nga festivalet më të mëdha të filmave në Evropë. Ai u themelua në Sarajevë në 1995 gjatë rrethimit të Sarajevës në Luftën e Pavarësisë së Bosnjës dhe sjell çdo vit në Sarajevë të famshëm ndërkombëtarë dhe lokalë. Festivali mbahet në gusht dhe paraqet shumëllojshmëri të gjerë të funksioneve dhe filmave të shkurtër nga e gjithë bota.

Ilir Tafa dhe Vanesa Glodjo marrin rolet kryesore

Konform shtypit, Ilir Tafa pritet të “terrorizojë” Sarajevën, Budapestin e Evropën me rolin e tij më të ri që këto ditë pritet të fillojë xhirimet. Fjala është për angazhimin më të ri të aktorit të mirënjohur kosovar Ilir Tafa, i cili së shpejti pritet të fillojë xhirimet në një kast ndërkombëtar filmi, me rolin kryesor në filmin “Terroristi”, i cili së shpejti fillon xhirimet në Sarajevë, Budapest, e vende të tjera të Evropës. “Filmi “Terroristi”, do të jetë edhe një sfidë e re për mua, aq më tepër për temën që e trajton e që është shumë aktuale me atë që po ndodhë gjithandej në Evropë”, është shprehur aktori Tafa. Ai thotë se angazhimi në këtë rol është rezultat i punës së tij disavjeçare jashtë Kosovës. Ndryshe, në filmin “Terroristi”, krahas Ilir Tafës, në rol kryesor do të paraqitet edhe aktorja e mirënjohur Vanesa Glodjo, e njohur për publikun edhe nga filmi “In the land of blood and honey”, me regji të Angelina Jolie.

Skenari i filmit “Terroristi” është shkruar nga skenaristi dhe regjisori i njohur Srgjan Vuletiq, i shpërblyer nga Akademia Evropiane e Filmit, i cili u bë i njohur me filmin e shkurtër “10 minuta”, ndërsa filmi tjetër i tij “Verë në luginën e artë” kishte fituar çmimin “Tigri” në Festivalin Ndërkombatar të Filmit në Rotterdam. Regjisorja e filmit Amra Mehiq, ka treguar se filmi “Terroristi” merret me një temë shumë aktuale dhe flet për stigmatizimin e refugjatëve në Evropën raciste. “Përmes rolit kryesor do të tregojmë të gjitha vështirësitë në vendet evropiane. Mendoj se është shumë e rëndësishme të merremi me temën e terrorizmit dhe refugjatëve. Skenaristi Srgjan Vuletiq ka shkruar një skenar aktraktiv dhe aktual i cili më provokon si regjisore dhe të cilit nuk kam mundur t’ i shmangem”, ka thën regjisorja Mehiq. Shtëpia filmike “Relative Pictures” është në fazën finale të përgatitjeve për xhirimet, ndërsa filmi përveç në Sarajevë do të ketë xhirime edhe në Budapest.   Xhirimet e filmit planifikohet të përfundojnë në fillim të pranverës.

Ilir Tafa me aktorë të mëdhenj. Kam luajtur me ata që ka luajtur edhe Bekim Fehmiu, me ata që kanë luajtur me Tom Kruzin, me Richard Gere, me ata që kanë qenë pjesë e projektit që kanë fituar Oskar, me ata që kanë qenë pjesë e projekteve të mëdha e të shpërblyer ndërkombëtarisht, përcjell Kosovarja këto fjalë nga një bisedë e mëhershme me aktorin tonë të shquar Ilir Tafaj. Nganjëherë mendoj, se nuk ka aktorë të njohur në ish Jugosllavi që nuk e kam pas partner në skenë. Ka pasur aktorë që unë kam pas tremë të interpretoj me ta, por ka pasur edhe aktorë që kanë pasur tremë të interpretojnë me mua. Kam respektuar aktorët vetëm jashtë xhirimeve, por në shesh të xhirimit kurrë nuk kam qenë inferior (sepse edhe në xhirime është një sistem garues, se kush po interpreton më mirë) – thotë Iliri Tafa , emër ky tashmë i njohur ndërkombëtarisht dhe i kërkuar më shumë jashtë kufijve kombëtar. 

Të kujtojmë se, Iliri , i cili karrierën e vet e ka koncentruar kryesisht jashtë Kosovës , është mjaft i dashur, i pëlqyer dhe shumë i respektuar e i kërkuar sidomos në Bosnjë e Hercegovinë, në Kroaci, në Mal të zi.

Më 6 Tetor 2015, kyptojmë nga mass media se Ilir e bind Dino Merlin të vijë në Prishtinë. Përndryshe I. Tafa është shumë i njohur si aktor në Bosnje. Ai ka qenë e vazhdon të jetë i angazhuar në projekte të ndryshme në këtë vend dhe në rajon. Aktori, adhurohet nga audienca boshnjake, kroate, etj. Ilir Tafa, padyshim që ka krijuar lidhje të forta edhe me spektrin artistik, medial, etj…. Ai, gjatë një takimi me Dino Merlinin, I ka folur atij edhe për Kosovën. Iliri totë se e ka bindur atë të vijë në Prishtinë./Kosovarja/

Aktori i njohur kosovar Ilir Tafa do të luajë film me Lepa Brenën

Aktori kosovar Ilir Tafa, i dëshmuar shumë herë në botën e artit në vend dhe jashtë vendit, edhe më tej mbetet i angazhuar, e madje tejet i pëlqyer. Tafa, ka punuar në teatër, filma dhe seriale, brenda dhe jashtë vendit. Aktori Ilir Tafa vitet e fundit e zhvillon karrierën e tij në Bosnje, Kroaci e Mal të Zi, ku merr pjesë në produksionet më të mëdha kinematografike, e për rolet e tij edhe është shpërblyer me çmime të ndryshme. Revista “Kosovarja” mëson se aktori në projektin e fundit filmik do te luaj përkrah yllit të ish Jugosllavisë, Lepa Brena. Filmi është i zhanrit komedi dhe ai pritet të ketë sukses të madh për shkak se aty do të jenë protagonist yjet e mëdhenj, Lepa Brena e Ilir Tafa. Xhirimet nisin së shpejti.

Në Sarajevë, fillon xhirimi i serisë së re televizive: “Konaku i Hilmisë” (Hilmijin Konak)

Show buzz raportojnë se xhirimi i serisë së re “Hilmijin Konak” do të fillojë më 27 shkurt 2018 në Sarajevë. Në rolet kryesore krahas aktorit të njohur kosovar, Ilir Tafa, do të luajnë edhe aktorët Emir Hadzihafizbegovic e Tarik Filipovic. Siç merret vesh xhirimet do të zgjasin disa muaj apo vite ndërsa ngjarja është e vendosur në kohën e Luftës së Dytë Botërore, njofton “Show Buzz”. Fjala është për projektin humoristik të të suksesshmëve Fedja Isovic dhe Elmir Jukic, nën produksionin e “Fist”. Në rolet kryesore krahas aktorit të njohur kosovar, Ilir Tafa, do të luajnë edhe aktorët Emir Hadzihafizbegovic e Tarik Filipovic. Ekipi i produksionit, serialin e ri “Hilmijin Konak” e ka quajtur si kafshatë e madhe, për shkak të investimeve që janë bërë në të, duke u nisur nga skenografia, kostumografia dhe të gjitha elementet përcjellëse të realizimit të tij, ndërsa siç mësohet ky projekt do të mbledhë rreth vetes edhe aktorët më të mirë nga të gjitha regjionet e ish Jugosllavisë. Aktori kosovar Ilir Tafa tashmë është vendosur në Sarajevë ku do të qëndrojë për disa ditë në setin e xhirimit, për të lëvizur pastaj edhe në qendrat tjera si në Zagreb, Podgoricë e vende të tjera ku do të realizohet seriali.

Filmi “Nevidljivi” ku luan Ilir Tafa do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Zagreb

Në Nëntor të vitit 2017 kuptojmë se me regji të Amre Mehic, filmi i metrazhit të shkurtë “Nevidljivi”, do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Zagreb, shkruan KultPlus. Në këtë film me rolet kryesore luajnë aktorët Ilir Tafa e Vanesa Gloordo, kurse filmi bën fjalë për stigmatizimin e refugjatëve në Evropën e ditëve të sotme. Ky film është në garë me shumë filma të tjerë në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtë.

Aktori kosovar Ilir Tafa, i cili do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Zagreb me filmin e metrazhit të shkurtë “Nevidljivi”, nuk do të përfundojë prezantimin vetëm me këtë film në këtë festival, shkruan KultPlus. Tafa i cili luan një rol mjaftë të rëndësishëm edhe në filmin “Zhaba”, film ky i metrazhit të gjatë, poashtu do të prezantohet në këtë festival. KultPlus merr vesh se ky film do të prezantohet më 18 nëntor për audiencën kroate, film i cili është punuar me regji të Elmir Jukic, kurse është prodhim i shteteve: Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Slloveni, Kroaci e Serbi. Filmi “Zhaba”, për shumë vite është prezantuar për publikun si shfaqje, ku sipas medieve, shumë shpesh kur është dhënë kjo shfaqje përgjatë nëntë viteve nëpër teatro të ndryshme të ish Jugosllavisë, për shkak të emocioneve që kanë marë nga kjo shfaqje, një pjesë e publikut shumë shpesh ka harruar palltot, çantat dhe gjësende të tjera personale. (Nëntor 2017).

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat