Ministri Gashi, kërkon një lokacion për shtatoren e Skënderbeut në Toronto

Kultura

Ministri Gashi, kërkon një lokacion për shtatoren e Skënderbeut në Toronto

Më: 7 mars 2018 Në ora: 10:50
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi dhe ministrja e Migracionit dhe e Shtetësisë se shtetit Laura Albanese

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, sot u prit nga ministrja e Migracionit dhe e Shtetësisë e shtetit të Ontarios, Laura Albanese, me të cilën diskutoi për ngritjen e një qendre kulturore shqiptare në qytetin e Torontos.

Me këtë rast ministri e informoi ministren për misionin dhe punën e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.

“Në kuadër të vizitës kemi takuar edhe shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Toronto, afaristë të suksesshëm, nga të cilët kam një kërkesë që duhet t’jua paraqes – të ndihmoni gjetjen e lokacionit për vendosjen e një shtatoreje të Skënderbeut, pasi edhe ky vit është shpallur vit i heroit më të madh shqiptar”, tha Gashi.

Ai po ashtu kërkoi nga Albanese mbështetjen e Qeverisë së Ontarios për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, si dhe për ndërtimin e një qendre kulturore shqiptare në Toronto.

Nga ana e saj Albanese premtoi se do të punojë së bashku me komunitetin dhe do ta mbështetë atë, si dhe do t’i japë këshilla për t’i përmbushur kërkesat e tyre, ani pse disa nga to më vështirë janë të realizueshme.

Ndryshe, Albanese ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të promovimit të kulturës shqiptare, duke sponsorizuar edhe ligjin që është miratuar në Parlamentin e shtetit të Ontarios, ku muaji nëntor është shpallur muaji i kulturës shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat