Veliaj dhe Kumbaro: Kullat do të jenë anash teatrit, jo sipër

Kultura

Veliaj dhe Kumbaro: Kullat do të jenë anash teatrit, jo sipër

Më: 16 mars 2018 Në ora: 14:43
Ilustrim

Kanë kaluar gati 20 vjet nga koha kur Rama mbylli Teatrin Kombëtar dhe 4 vjet e gjysmë nga koha kur Rama u bë kryeministër. Prej gati 3 vjetësh edhe Bashkia e Tiranës kontrollohet nga Rama, përmes kanakarit të tij Veliaj. Megjithatë, as në gjysmën e dytë të mandatit të tij të parë, Rama nuk shpalli ndonjë qëndrim për shembjen e Teatrit Kombëtar. Si të ishte i bindur se do të fitonte një mandat të dytë, Rama e mori shtruar. Së pari, artistëve të TK iu ndaluan shpërblimet mbi pagë, të sanksionuara me Ligjin për Artin. Ata heshtën. Pagat u ngrinë, si në të gjithë sektorin publik.

Artistët u pajtuan edhe me këtë. Kontratat pa afat të aktorëve u zëvendësuan me kontrata një vjeçare, në kundërshtim me Kodin e Punës. Aktorët sërish heshtën. Në pranverë 2014 shumica PS-LSI ndryshoi Ligjin për Artin duke eleminuar Qendrën Kombëtare të Artit, një institucion i pavarur nga Ministria e Kulturës, që sapo kishte nisur të financonte projektet private. Pak zëra folën kundër. Pak zëra të tjerë madje ishin pro. Shumica heshti edhe një herë tjetër. Kishte filluar eksperimenti i bretkosës në enën që valon dhe heshtja e artistëve ishte sinjal inkurajues për Ramën. Në gjysmën e dytë të mandatit, Rama shpalli se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohej po aty, por më parë do të ndërtohej një teatër tjetër, i përkohshëm, për të mos ndërprerë veprimtarinë e TK gjatë kohës së ndërtimit.

Një laborator hidroteknike u shpall si zgjidhja ideale. Asnjë artist nuk u konsultua as për detyrën e projektimit, as për projektin që kushton plot 3,5 milionë euro. Dhe artistët sërish heshtën. Në fillim të këtij viti, Ministria e Kulturës publikoi një projekt-amendament të Ligjit për Artin, që synon të fshijë çdo autonomi institucionale e liri krijuese artistike dhe njoftoi se TK do të zhvendosej tek Laboratori i hidroteknikës i pagëzuar Turbina, si klubi i futbollit të Cërrikut dhe salla e TK do të bëhej për dy vitet në vazhdim shtëpia e Teatrit të Operas e Baletit. Këtë herë artistët reaguan. Kundërshtuan prerë edhe zhvendosjen e TK, edhe projekt-amendamentin. Shteti u shqetësua vërtet, sado që u përpoq ta zhvlerësojë protestën. Ministria e Kulturës iu shmang debatit për TK, duke ia kaluar topin Bashkisë Tiranë, ndërsa u shpreh e hapur për konsultime për ligjin. Një muaj pas fillimit të protestave, Ministria e Kulturës nuk ka ndryshuar ende asgjë në projektin e saj ligjor, ndërsa Bashkia Tiranë ka filluar të flasë për një partneritet publik-privat, për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar në 3 mijë metër katrorë truall, nga 6 mijë që ka aktualisht, me justifikimin se nuk ka para për ndërtimin.

Fillimisht Veliaj, e tani edhe Rama, kanë nisur të ftojnë artistë të përzgjedhur, në takime pa praninë e medias, ku u paraqitet një projekt-ide, që thuhet se e ka propozuar një arkitekt i famshëm danez. Gjithçka duket një skenar i përgatitur kohë më parë, deri në detaje. Në janar 2017, në darkën e shtruar nga Bashkia Tiranë me rastin e 60-vjetorit të Ndriçim Xhepës, Veliaj dhe Kumbaro u kanë folur artistëve të ftuar me protokoll për një ide nga një arkitekt danez dhe si shkarazi kanë folur për kulla që nuk do të jenë MBI por ANASH teatrit. Asnjë nga pjesëmarrësit në darkë nuk foli publikisht për këtë një vit rresht. Në vjeshtë, Sindikata e porsathemeluar e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) mezi mblodhi 60 firma artistësh në peticionin me anën e të cilit u kërkua dyfishimi i buxhetit të kulturës. Shumica e artistëve nuk pranoi të nënshkruante. Buxheti i kulturës mbeti ai që ishte në projekt: 16 milion euro gjithsej (katër herë më i vogël se buxheti i kulturës në Maqedoni), nga të cilat asnjë qindarkë nuk shkonte për Teatrin e ri Kombëtar.

Pas pesë vjetësh nënshtrim të shumicës së artistëve, shteti (qeveria dhe bashkia) po përgatitet për hapin e madh: pranimin e idesë për ndërtimin e një teatri më të vogël, në gjysmën e truallit aktual, me financim privat (nga një kompani që do të përfitojë falas 4,500 metër katrorë truall në zemër të Tiranës), një teatër që e tjetërson historinë e TK-së dhe e fshin fare nga harta Teatrin Eksperimental. A do ta pranojnë artistët e TK këtë pazar? A do të noterizojnë ata me heshtjen e tyre këtë aferë korruptive? Nëse po, ky do të jetë fundi pa lavdi i sindikalizmit të artistëve shqiptarë, dështimi i turpshëm i këtij brezi, që nuk e meriton fundja të jetojë dhe të paguhet në emër të traditës së Teatrit Kombëtar, që e themeluan dhe lartësuan breza të tjerë artistësh, që mesa duket, ishin edhe qytetarë të denjë. Qeveria duket se ka menduar edhe për këtë. Me amendimet e Ligjit për Artin, kompanitë private mund të gllabërojnë nesër fondet publike për teatrin, siç po ndodh sot me universitetet. Dhe atëherë artistët nuk duhet të shpresojnë se shoqëria do të ngrihet në protesta për të mbrojtur vendet e punës dhe pagat e tyre. Shoqëria do të jetë po aq indiferente për teatrin sa ç’ishte për Lidhjen e Shkrimtarëve.

Tri humbjet e artistëve si kambana alarmi

Historia e 20 viteve të fundit të sindikalizmit të artistëve shqiptarë është historia e betejave të nisura gjithmonë nga i njëjti njeri: Edi Rama, si ministër kulture apo kryebashkiak i Tiranës. Në këtë luftë të gjatë, artistët nuk kanë vetëm katër fitore, por edhe tri humbje, sado të ndryshme, prapë të ngjashme, nga të cilat artistët, fatkeqësisht, duket se nuk kanë nxjerrë mësime. E para është humbja e sallës së Teatrit të Varietesë, që tashmë është pronë e një universiteti privat. Atë që nuk bëri dot me Teatrin Kombëtar, Edi Rama e tentoi me sukses me Teatrin e Varietesë. Me t’u ulur në karriken e kryebashkiakut, ai ndërpreu financimin për rikonstruksionin që kishte nisur paraardhësi Brojka. Artistët e Teatrit të Varietesë nuk bënë rezistencë, por ndoqën fatin e tyre në projekte individuale, artistike ose joartistike. Një vit më pas Rama i pushoi të gjithë nga puna dhe nisi të “humbte” gjyqet me pronarët, në kundërshtim me ligjin. Për vite me rradhë askush nuk dëgjoi të flitet më për Teatrin e Varietesë.

Deputeti i PD Astrit Veliaj bleu sallën nga pronarët, ndërsa në atë që kishte mbetur nga Teatri i Varietesë u shpall krijimi i Teatrit të Metropolit, një projekt i ndërmarrjes bashkiake Qendra Kulturore “Tirana”. E dyta, ndonëse nuk ishte tamam fitore e Ramës, por plotësisht humbje e artistëve, ishte humbja e selisë së LSH. Pas dhjetë vjetësh lufte në media mes shkrimtarëve “jokomunistë“ dhe “antikomunistë“, refuzimit të ish-deputetit socialist, kundërshtar i Ramës, kompozitorit Limoz Dizdari për të pranuar mbarimin e mandatit të tij si kryetar dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja, “antikomunistët” me në krye Zyhdi Moravën kishin bindur gjykatën se zgjedhjet e organizuara prej tyre ishin të ligjshme. Pasi kishte humbur shumicën e anëtarëve të saj joshkrimtarë, LSH humbi edhe shkrimtarët që nuk donin të përfshiheshin në këtë debat të politizuar, thënë ndryshe që nuk mbështesnin asnjërin nga dy kryetarët e fundit.

Ajo që kishte mbetur nga LSH u abuzua përfundimisht nga kryetari “antikomunist”, deri në skandalin e tij me drejtësinë italiane. Pa subvencionin e përvitshëm shtetëror, pa gazetën e vet, pa të ardhura nga qeradhënia e lokaleve të saj, LSH u kthye në një grupim mjeranësh, që nuk bindte më askënd. Epilogu i turpshëm ishte marrja pa luftë e selisë nga ana e qeverisë Berisha 1, që e ktheu atë në Ministri të Kulturës. Ashtu si në rastin e Teatrit të Varietesë, askush nuk doli në mbrojtje të LSH. Humbja e tretë ndodhi verën e shkuar. Cirku i Tiranës, i shndrruar në institucion kombëtar në varësi të Ministrisë së Kulturës me Ligjin për Artin (2010), humbi selinë e tij, Arenën dhe mjediset ndihmëse, të ndodhura shumë pranë Teatrit të Metropolit. Edhe këtë herë, shteti “humbi” gjyqin kundër pronarëve të truallit. Edhe një herë tjetër artistët u kujtuan me vonesë të protestojnë dhe të zhgënjehen nga sindikata së cilës i përkisnin, pjesë e BSPSH. Kjo humbje e tretë e artistëve mund të quhet me plot gojën fitorja e dytë e Ramës

Rama, 20 vite “shkop” dhe “karrotë” për artistët e teatrit

Sindikatat dhe shoqatat e artistëve dhe shkrimtarëve do të viheshin shpejt në provë me ardhjen e Edi Ramës në krye të Ministrisë së Kulturës, në fund të prillit 1998. Në korrik të po atij viti, Rama urdhëroi mbylljen e sallës së Teatrit Kombëtar me pretekstin e rrezikut nga zjarri. SHMAT, me në krye idealistin e pakorruptueshëm Vangjush Furxhi, reagoi ashpër. Vetëm një muaj pas ngjarjeve dramatike të 12-14 shtatorit 1998, kryeministri i sapozgjedhur Majko anulloi urdhërin e vartësit të tij dhe premtoi rikonstruksionin e plotë të Teatrit Kombëtar. Artistët kishin arritur fitoren e parë. Pas Teatrit Kombëtar i erdhi radha selisë së Lidhjes së Shkrimtarëve. Organizata e tkurrur, tashmë pa artistët e gjashtë arteve nga shtatë, ia kishte dalë gjithsesi t’i rezistonte edhe një fraksioni separatist të vetshpallur “Lidhja e Shkrimtarëve Antikomunistë“. Në të kishte ende burra të ndershëm dhe artistë të zot, që kishin zgjedhur në krye poetin Xhevahir Spahiu, një tjetër idealist i pakorruptueshëm.

Edhe këtë herë molla e sherrit ishte një ndërtesë dhe kërcënimi kishte të njëjtin emër: Edi Rama. E vetmja gjë që ishte e ndryshme ishte alibia. Këtë herë ministri i kulturës pretendonte se ndërtesa duhej t’i rikthehej shtetit për t’u konvertuar në qendër kulturore franceze. Edhe këtë herë artistët luftuan fort dhe fituan. Gjykata ia dha të drejtë LSH dhe Rama u zbyth për të dytën herë. Në shtator 1999, artistët e TOB mësuan se Rama po hartonte një projekt-ligj per teatrin, efektet e të cilit përfshinin edhe TOB. Qëllimi i projekt-ligjit ishte shkëputja e marrëdhënies së artistëve të teatrit me sallat e teatrove. Nga dështimi në betejën e parë me Teatrin Kombëtar, Rama kishte kuptuar se nuk mund t’i fuste në dorë ndërtesat, pa nxjerrë më parë artistët jashtë. Kështu filloi beteja e gjatë kundër projekt-ligjit, e cila kulmoi në ditët e para të shkurtit 2000, me grevën e urisë të gjashtë artistëve (e para dhe e fundit grevë urie artistësh në botë, deri më sot) dhe koncerteve-protestë në Sheshin Skënderbej. Protestat futën në krizë partinë në pushtet dhe rrezikuan rënien e qeverisë së tretë socialiste në tre vjet. Këtë herë krizën e zgjidhi grupi parlamentar i PS, i cili dërgoi për miratim një projekt të rishikuar, që rrëzonte përfundimisht aspiratat e ministrit Rama. Pa bujë, artistët iu gëzuan fitores së tretë ndaj arrogancës shtetërore, të përfaqësuar nga Edi Rama.

Gjashtë muaj më vonë, Rama shpalli kandidaturën për kryetar bashkie të Tiranës. I vetëdijshëm për reputacionin e keq që kishte fituar pas tri humbjeve në betejat me artistët, ai kishte nevojë për një armëpushim me këtë komunitet. Në shtator 2000, pagat e të gjithë artistëve të tri teatrove kombëtare u dyfishuan. Asnjë sindikatë apo shoqatë nuk e kishte kërkuar këtë rritje. Ajo ishte “karrota” që Rama kishte zgjedhur përkohësisht, derisa të merrte prapë në dorë kamzhikun. Beteja e katërt ndodhi në pranverën e vitit 2002. Xhevdet Ferri, vegla e Ramës që kishte hartuar projekt-ligjin famëkeq për teatrin, sërish me urdhër të Ramës propozoi shembjen e Teatrit Kombëtar dhe zëvendësimin e tij me një qendër biznesi. Reagimi i artistëve ishte sërish i fortë. Përmes një peticioni ata kërkuan rikonstruksionin e plotë të ndërtesës dhe shkarkimin e drejtorit. Sërish mazhoranca socialiste rrezikoi krizën dhe sërish Rama humbi. Kryeministri Majko, në mandatin e tij të dytë, shkarkoi drejtorin dhe njoftoi anullimin e projektit për qendrën e biznesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat