Pikëpamje për përkthimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit në anglisht

Kultura

Pikëpamje për përkthimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit në anglisht

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 12 prill 2018 Në ora: 21:58
“Kanuni i Lekë Dukagjinit"

Para pak  muajsh  një mik imi më solli dhuratë librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit” në gjuhën angleze, botuar nga Shtëpia botuese: Gjonlekaj Publishing Company, NewYork,  në vitin 1989. Atë vit, disa miq të mi në Shtete të Bashkuara të Amerikës, më njoftuan për  përkthimin në anglisht të  këtij libri me vlerë të çmuar të kulturës shqiptare. Në pamundësi që të kontaktoja me  pronarin e  shtëpisë botuese,   nga ato pak të  dhëna që kisha shkrova një informatë për  të përjavshmen në gjuhën shqipe “ Polis”, shtojcë  e cila botohej në kuadër të “ Titogradskatribina”, në Podgoricë, ku punoja si redaktor përgjegjës i saj.

Edhe pse për ne shqiptarët ky lajm ishte shumë i rëndësishëm , meqë  ishte përkthimi i parë i Kanunit të Maleve të Shqipërisë  në gjuhën angleze ,  u prit me  pakëz dyshim nga drejtoresha e atëhershme e Titogradskatribina.  Në momentin kur shtojcën në gjuhën shqipe e kisha bërë gati për shtyp, pak para përfundimit të orarit të punës të asaj ditë , drejtoresha proserbemë ftoi në zyrën e saj.  Në fillim të bisedës, si zakonisht, e njoftova për përmbajtjen e shtojcës të përgatitur për atë numër. Dhe për çudi timen, kur i erdhi radha informatës për Kanunin  e Lekë Dukagjinit, drejtoresha kërkoi  nga unë shpjegime të hollësishme  për  përmbajtjen e Kanunit, për  rëndësinë që ka  ai për shqiptarët,  për serbët, për  anglezët, për...  Këto   pyetje më bëheshin me qëllim që  të gjendet ndonjë “arsye” e mos botimit  të kësaj informatë si e parëndësishme.    Megjithatë u tregova shumë i durueshëm dhe i matur  në  përgjigjet e mia, sepse e dija se fjala ime  nuk ishte vendimtare, por  fjala e saj si drejtoreshë  dhe kryeredaktore e gazetës. Së fundmi arrita ta “ bindë” drejtoreshën dhe  informata për përkthimin në anglisht të   Kanunit të Lekë Dukagjinit fatmirësisht u botua.  Prej atëherë kaluan 9 vite. Dhe tani falë botuesit  ky përkthim ndodhet në bibliotekën time, pranë botimit  të Kanunit në shqip.

Pas kaq vitesh vendosa që  të shkruaj disa fjalë më shumë se  në rastin e përmendur për këtë përkthim në anglisht nga LeonardFox.

Ajo që,  për mendimin tim, e nxiti dhe e shtyu botuesin për  botimin  dhe përkthimin e   Kanunit në anglisht  ishte në radhë të parë nevoja  që të tjerët të  njihen me realitetin  e gjallë,  të një strukture të detajuar të organizimit dhe funksionimit të  shoqërisë shqiptare të asaj kohë, e cila ka qenë  përcaktuese në  jetën e shumë brezave.

Qëllimi i botuesit dhe përkthyesit mendoj se nuk ishte vetëm të bëjnë një shërbim të thjeshtë në përkthimin e kësaj vepre historike dhe shkencore, përmes së cilës janë zbuluar normat shoqërore të dokeve dhe zakoneve të vjetra shqiptare me karakter juridik e  social,  me të cilat është shërbyer popullata e trojeve shqiptare, por edhe popujt e tjerë të njoftohen  se zakonet dhe doket e vjetra shqiptare, jo vetëm  që kanë bartur një kulturë të vjetër, por edhe kanë ditur të krijojnë ligje dhe baza  juridike, përmes së cilave shqiptarët janë shërbyer  dhe i kanë zgjedhur problemet juridike të kohës.

Përkthimin e   kësaj lënde komplekse në anglisht  e konsideroj  si një kontribut për  njohjen e një segmenti të rëndësishëm  të kulturës shqiptare. Ky botim në  anglisht   për kodin e dokeve zakonore shqiptare bën që popujt e tjerë  të kenë mundësi ta njohin traditën  tonë zakonore në histori, ku janë përfshirë: familja, martesa, trashëgimia, pronat, kufiri, tregu i tokës, ndera dhe vrasja. 

Falë këtij përkthimi  shumë personalitete botërore, jo vetëm se janë njoftuar me  Kanunin e Lekë Dukagjinit, por kanë folur dhe kanë studiuar këtë vepër  madhore të At Shtjefën Gjeçovit.

Ish-presidenti amerikan BillKlinton e ka cilësuar atë të ngjashëm me Kushtetutën Amerikane. Sepse në Kanun ashtu si dhe në Kushtetutë mbrohen të drejtat e jetës së njeriut dhe respektimi i trinisë së shenjtë: Zot, fe e atdhe.

Përkthimi në anglisht  i Kanunit   është më shumë se një kulturë e  një shoqërie njerëzore, përmes së cilës kuptohet e kaluara e shqiptarëve në kushte e rrethana të vështira ekonomike e sociale  dhe pa institucione juridike , por në jetën e tyre ka pasur rregulla e ligje të cilat i ka krijuar vetë populli në mungesë të institucioneve përkatëse dhe përmes tyre  është shërbyer deri vonë, kur janë krijuar kushte dhe rrethana të tjera bashkëkohore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat