Shqiptarët e Rumanisë qenë të parët që ngritën flamurin e shqiptarizmit në botën e jashtme

Kultura

Shqiptarët e Rumanisë qenë të parët që ngritën flamurin e shqiptarizmit në botën e jashtme

Nga: Baki Ymeri Më: 15 prill 2018 Në ora: 21:41
Kopertina

Në Janar të këtij viti u mbushën 136 vjet që nga dita kur lindi poeti demokrat Fan Noli (6 Janar 1882), shkrimtar revolucionar, përkthyes, poliglot, teolog dhe erudit, njëra ndër figurat më të shquara të historisë sonë letrare, politike dhe kombëtare. Poetët e mëdhenj, me talentin, qartësinë, fantazinë dhe me intuitën e tyre, pasqyrojnë idetë-forcë të epokës së tyre, jetojnë tej moshës, ata kalojnë në përjetësi, si Marathonomaku i kohëve të lashta. I këtillë, sipas Nonda Bulkës, ishte Noli ynë: shkencëtar, atdhetar dhe intelektual i rangut të pare. Shqiptar i hatashëm që të shtyn përsëri ta citosh Bulkën: “Patriot i madh, entuziast, optimist, nxitës për rrugën e përparimit dhe të dijes”.

Duke shfletuar bibliografinë e tij, që doli para disa vitesh në kuadrin e një artikulli, autorin e të cilit nuk e citojmë për të mos ia prishur disponimin, kalohet nga viti 1909 në vitin 1912, pa u përmendur gjë lidhur me qëndrimin e tij mes shqiptarëve të Rumanisë në vitin 1911,  mbi jehonën e kësaj vizite dhe dokumentet ekzistente për këtë. Historiografia shqiptare ka konstatuar se qysh në vitin 1908 (23 Qershor), Noli i drejtohet nga Bostoni shoqërisë “Bashkimi” në Bukuresht, duke e njohur përmes një letre për veprimtarinë e tij rreth përkthimit të librave kishtare në gjuhën shqipe (Përgëzimi, Martesa, Uji i bekuar, Shërbesa e vdekjes etj.), dhe shton: “Me gaz u shkruaj Shqiptarëve të Rumansië, të cilët qenë të parët që ngritën Flamurin e Shqiptarizmës në botën e jashtme” (AQSH, Tiranë, Fondi 99, Dos.142, Dok.7). Duke bërë fjalë për Nolin në disertacionin “Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe kolonitë shqiptare të mërgimit në Rumani dhe në Bullgari” (Prishtinë, 1983), Ismet Dërmaku thekson se pasi që i drejtohet Shoqërisë “Bashkimi” për ta ndihmuar në pikpamje financiare, ai i njohton se në vitin që pason do të vizitojë Rusinë, Rumaninë dhe Bullgarinë (Kolonitë Shqiptare). Kolonia shqiptare e Bukureshtit edhe me këtë rast hasi në kuptim të mirë te Mitropoliti rumun, i cili dhe lejoi të meshohet shqip.

E krijuar prej forcave të bashkuara, Shoqëria “Bashkimi” ishte bërë qendër e veprimtarisë atdhetare të të gjithë shqiptarëve të Bukureshtit. Ajo kishte organizuar edhe korin e vet, që jepte shpesh programe për shqiptarët e këtushëm. “Për këtë kor Asdreni do të shkruajë himnin, që për herë të parë do të këndohet në Kishën e Shën Gjergjit, dhe do të bëhet himni ynë kombëtar” (R. Qosja, Asdreni, Jeta dhe vepra e tij, Prishtinë, 1987, f.116-117). Dy vjet para se të arrijë Noli në Bukuresht, shqiptarët e këtushëm kishin filluar të dëgjonin meshën në gjuhën amtare, falë Arhimandrid Harallamb Çallamanit, me prejardhje myzeqare nga Pikusi i Fierit, i cili, rrugës për në Rumani, kur zbriti në Limanin e Konstancës, qe pritur solemnisht nga kolonia e atjeshme shqiptare, dhe atë me muzikë shqiptare dhe fjalime patriotike. Kjo ndikoi që mos të shkojë në Mangali si prift grek,  për të vijë në Bukuresht, ku e mori detyrën e priftit shqiptar, ku hasi në pritje të ngrohtë. Burimet na vijnë nga  “Tomori” i Tiranës (13 prill 1942). Për t’u ndërlidhur me Nolin, po shtojmë faktin se, në bazë të një fotografie që na e ofroi para ca vitesh zonja Florentina Boci, konstatojmë se në shtator të vitit 1911, Imzot Fan Noli ka kontaktuar shqiptarët e Brailës, ku Naum Veqilharxhi pat pregaditur për botim abetaren e parë të gjuhës shqipe. Po atë muaj, si dhe përgjatë tetorit, Nolin e gjejmë edhe mes sivëllezërve të tij në Bukuresht. Në këtë drejtim, në bazë të një shënimi informativ (3/16 Shtator 1911), drejtuar Drejtorisë së Policisë dhe Sigurimit të përgjithshëm,  kuptojmë më sa vijon:

Shqiptarët e Bukureshtit, duan t’i falen Zotit në gjuhën shqipe

“Sot ka arritur në Kryeqytet, duke ardhur nga Rusia, prifti shqiptar Fan S. Noli, njëri ndër luftëtarët më të rëndësishëm të kauzës shqiptare.  Nga shënimet e mia të mëparshme mund të shihet roli që luan ky prift në kryengritjet aktuale të Perandorisë osmane, si pasojë e të cilit, me rastin e vajtjes së tij në Rusi dhe kthimit në Rumani, shqiptarë shtetesh të ndryshme, i kanë ofruar manifestime admirimi. Zotëria e tij do të qëndrojë mes nesh më shumë kohë, duke gjetur këtu vendin më të lirë nga i cili do ti udhëheqë interesat dhe lëvizjen shqiptare; do të intervistohet nga gazetarë të ndryshëm lidhur me çështjen shqiptare. Kolonia e këtushme shqiptare i është mirënjohëse këtij prifti që tani, përmes meritave të veta është ngritur në rangun e prototopit nga ana e klerit rus të Petërsburgut, për shkak të zhvillimit që ia sjell kombit ortdoks dhe luftës së tij energjike në çështjen e kryengritjeve aktuale kundër Turqisë. Zotërisë së tij i detyrohet edhe intervenimi që Rusia të ndihmojë materialisht kryengritësit që rrinë në teritorin malazias, fakt i përmbushur përmes sumës prej 100.000 rublash që ia ka dhënë Rusia Malit të Zi”. Informata që jepet rumanisht, gjendet në Arkivin Shtetëror të Bukureshtit, fondi Drejtoria e Policisë dhe Sigurimit të përgjithshëm, dosja 54/1910, f.40. Qëndrimin e Nolit në Bukuresht, e dëshmojmë edhe përmes apelit “Thirrje Shqiptarëve të Bukureshtit për Meshë Shqipe”.

“Me rastin e ardhjes s’At Fan Nolit në qytetin tonë, muarmë leje prej zevendësit të metropolitit të Ungaro-Vllahisë, Hirësisë së Tij Imzot Theodos, dhe prej ministrit të kulteve, Shkëlqesisë së Tij, Zt. C. Arion, për të meshuar shqip në Kishën e Zonjës (Biserica Doamnei), Rruga Viktoria, Pallati Nifon, një nga kishërat më qentrale të Bukureshtit. At Fan Noli do të meshojë pesë herë në qytetin tonë. E para meshë do të mbahet të Dielën që vjen, më 18 Vjesht I, më 9.30 orë të mëngjezit. (Mbrëmësorja do të bëhet të shtunën, më 6 në mbrëmje). Një kor i drejtuar prej mjeshtrit të muzikës, Zt. Thanas Dimitresku, do të këndojë hymnet liturgjike shqip. Pas Ungjillit, At Fan S. Noli do të predikojë m(b)i këto subjekte: Të Dielën që vjen: “Porositë e Krishtit”; të Dielën, 25 Vjeshtë e I-rë: “Proifti i lik”; të Dielën, 2 Vjesht II-të: “Man i Zaktheut”; të Dielën, 9 Vjeshtë II-të: “Zëri në shkretëtirë”; të Dielën, 16 Vjeshtë e II, “Vdekja e të çmendurve”. E ftuam prej Amerike priftin e parë dhe themellëtarin e Kishës Shqipe që të dëgjojmë dhe ne në Bukuresht meshë dhe predikim në gjuhën tonë kombëtare. Eni pra të gjithë, burra, gra e fëmijë, të dëgjoni! Nga shumica që do të vijë të Dielën në kishë, bota do të kuptojë sa Shqiptarë në Bukuresht duan t’i falen  Zotit në gjuhë të tyre” . Thirrja është lëshuar me datë 14 Shtator 1911, nga Zyra e Pleqësisë së Shqiptarëve Ortodoksë të Rumanisë. Mban vulën e Komunitetit dhe falë preokupimeve tona për ta gjetur, ajo gjendet në koleksionin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Po i referohemi tani, disa burimeve tjera:

Noli e konsideronte Naçon si ushtarin më të vjetër dhe më energjik të çështjes shqipe

Me të kthyer në Boston, më 28 Tetor (Shën-Endre) të vitit 1911, Imzot Fan Noli e përshëndet përmes një kartë-postale Visar Dodanin në Bukuresht, të cilit, pasi i uron “motin e ri (e) të mbarë”, e falënderon nxehtësisht për pritjen e mirë që ia pat bërë gjatë qëndrimit të tij në Bukuresht, për simpatinë e treguar, si dhe për “ndihmën fisnike që më dhatë për librën fetare”, duke e uruar: “Zoti ju-a shpërbleftë me një mijë të mira!” (V. Dodani, Memorjet e mija, “Albania”, Konstancë, 1930, fq. 124). Është karakteristik fakti se Dodani, si pasojë e xhelozisë e përqeshte Naçon, megjithatë, duke qenë i prirë nga porositë biblike të faljes dhe harresës, Noli me zemërgjerësinë e tij, e përkujton edhe Naçon, dhe atë më shumë se sa Dodanin. Sipas letrës së Nolit që e botoi Naço për here të patë te libri I tij, dhe sipas të dhënave të huazuara nga studimet e Nasho Jorgaqit që na i jep Dr. Ismet Dërmaku në librin “Nikolla Naço-Korça, apostull i shqiptarizmit” (Prishtinë, 2001, fq. 400), kuptojmë se po atë ditë (28 Tetor 1911), Fan Noli e përgëzon Naçon me këto fjalë:

“I dashuri mik! Kam një javë që arriva në Boston shëndosh’ e mirë. Në udhëtimin t’im nga Bukureshti në Sofje dhe s’andejmi në Boston s’pata fare nge dhe ju lutem të më ndjeni që s’ju kujtova. Tani që kam më teprë kohë, e quaj për detyrë t’ju përhiroj nxehtësisht për ndihmën dhe përkrahjen morale që më dhatë sa kohë pata lumërinë të ndodhem pranë jush në Bukuresht. Ju siguroj që e quaj veten t’ime fat-bardhë që u poqëm e lithmë miqësi bashkë, se prej kohe dëshironja të njihja për s’afërmi ushtarin më të vjetër e më energjik të çështjes shqipe. Shërbimet që më bëtë me aq fisnikëri në Bukuresht do mos i harroj kurrë dhe do t’i lutem Zotit t’jua shpërblejë dyke ju falur shëndet, jetë të gjatë dhe mbarim të qëllimeve të larta për të cilat po luftoni pa u lodhur. Uroj me gjithë zemër që, kur të sqohemi motin e ri që po na afrohet, të gjeni pranë jastëkut një thes plot flori dhe një kobure të artë të stolisur me diamante dhe të nesërmen ta diqni tërë Bukureshtin. Ju përshëndosh vëllazërisht dhe ju çoj bekimin e Kishës Shqipe me urime prej zemre nga ana ime, Mbetem Juaji me besë, F. S. Noli, P. O. Box 2445, Boston, Mass U.S. America”.

Kisha shqiptare, përkatësisht shkëputja nga kisha greke dhe autoqefalia e saj, ishte në programin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që nga zanafilla e saj. Askush nuk mund ta mohojë rolin e Gjergj Fishtës, Fan Nolit, dhjetra klerikëve të tjerë apo Konstantin Kristoforidhit, të cilin Konica e konsideronte si babain e gjuhës shqipe, “i cili dinte vetë më shumë se gjithë shqiptarët e tjerë bashkë”. Në një letër që ia drejton kryetarit të Shoqërisë “Bashkimi” në Bukuresht, Noli kritikon fanatizmin që kanë mbjellur priftërinjtë në gjirin e shqiptarëve të Amerikës, ndaj edhe kërkon që këtë fanatizëm ta çrënjosin vetë priftërinjtë, dhe atë përmes themelimit në Boston, të një kishe Shqiptare me prift Shqiptar dhe me gjuhë meshimi Shqipen. “Kjo gjë në u bëftë, përveç tërbimit të armiqve tanë, do të ketë edhe një rëndësi të madhe për përparimin e punës tonë, këtu në Amerikë”. Kjo letër, përmes së cilës teologu, enciklopedisti dhe oratori ynë i famshëm, i lut shqiptarët e Bukureshtit për një priftëreshë shqiptare, sipas Arhimandritit shqiptar Teofan Koja, gjendet në Fondin e Shoqërisë së Bukureshtit, në Arqivin Qëndror të Shtetit në Tiranë, dosja 18 (“Albanezul” (nr.5/1998).

Në këtë letër. Noli bën fjalë për shqetsimet që e mundojnë: ka nevojë për një priftëreshë por s’don të ketë punë me te, ngase ajo s’është shqiptare. Shkruan se nuk e preokupon rusishtja, Episkopi rus i New Yorkut, dhe se “e lë mënjanë që s’di asnjë gjuhë sllavishte që të më ndihë për Rusçen, dhe duhet kohë shumë dhe nge, të cilat s’i kemi, po dhe këto të muntnja t’i kapërcenja, prapë ndalimi i priftëreshës do t’ishte mjaft që të më pengonte. Se priftëresha një herë po të jet(ë) e huaj, Shqiptarët grekomanë do të nisin të thërresin e të shpifin: Na mori një grua të udhëve dhe na e bëri priftëreshë.  Pa priftëreshën, më mirë për mua, se as nër ment s’e kam të martohem, por ca më keq për punën t’ime, se me qenë se jam i ri, prapë armiqtë do të kenë të thonë: “Uh! Po prift është ay? Po ay rent pas grave! Unë e pashë një ditzaj që…etj.”. Noli më tej, shpreh qëllimin e mesazhit, drejtuar shqiptarëve të Bukureshtit:

Noli i lut shqiptarët e Bukureshit për një priftëreshë shqiptare

“Dhe kështu, nevoja më shtrëngon të bëhem prift, me priftëreshë Shqiptare. Fundi është që mentohem të vij në Rumani, dhe të bëhem prift aty. Tani mbetet një pik e errët, të cilën ju lutem ta ndritni me një letër, pasi të mejtohi tërë pleqërija dhe tërë komiteti, të cilit i ka shkruar Sotir Peci: 1.A munt të (më) bëj(ë) prift mua, një Episkon Rumun? 2. A mund të më gjeni aty, një priftëreshë Shqiptare?”. Pasi shpreh interesimin dhe kurajon që ka për të mësuar rumanishten, derisa të vijë këtu, po qe se shqiptarët e këtushëm do ti dërgojnë një doracak rumanisht-frëngjisht dhe frëngjisht-rumanisht, Fan Noli shton: “Sa për priftëreshën, ju jap lirinë të ma zgjidhni juve, pa kondiçie (kushtëzim). Do mos pyes se është e qytetëruar a e egërtë, e pasur a e varfër, e bukur a e shëmtuar, veç priftëreshë të doj(ë) të bëhet, dhe të ketë mjaft kurajo që të çajmë bashkë Atlantikun. Duhet shtuar se do mos jetë aq mirë për mua po të ma zgjidhni dhe shumë të egër se s’kam virtytnë të jem shtëpiaksor i egërsirave, as aq të varfër sa të mos ketë navllat (nallanet) e saj për n’Amerikë, as aq të shëmtuar sa të më bëj(ë) efekt (fakti) se jam pakëz si poet, por me gjithë ato unë prap do t’a marr se më lipset dhe juve s’kini përveç të më gjeni një…se është nevojë e madhe. Nuses nga ana ime do t’i thoni se natyra nuk më bëri të bukur si Adamin, po dua nga zotëria juaj ta bindni se jam i zoti t’ushqej një grua dhe ca më shumë një priftëreshë”.

Letra, një kopje të së cilës na e ofroi të daktilografuar Imzot Teofani, ka gjasë të jetë shkruar, para apo pas qëndrimit të tij në Bukuresht (1911), derisa funksiononte Shoqëria Shqiptare “Bashkimi”. Nuk dihet në ka mbetur si një dëshirë e shkruar dhe e paekspedituar, apo e ka tejkaluar Atlantikun përmes postës, për të arritur në Bukuresht. Pasi shpreh dëshirën ta dinë se as babain nuk e ka të varfër, ngase përndryshe nuk do të kishte mundësi të vijë deri atje, Noli i lut shumë shqiptarët e Bukureshtit të përpiqen për këtë punë, dhe ti përgjigjigjen “për së shpejti, (nga)se atdhetarëve këtu u kemi dhënë fjalën që do të bëhet kjo, dhe e presin me gojë hapët, dhe nuk dimë si t’i vemë fre flagës së tyre. Më duket kondiciet s’janë dhe aq të rënda, dhe pandeh se do të bëni ç’ju vjen nga dora që të siellim bashkë me dritë një nga ato punë, të cilat e kanë rëndësinë më vete, dhe s’duhet as poet, as oratorë që t’u ngrenë vlerën. Ndihmën që ju kërkoj, nuk jua kërkoj për veten time, por për tërë Shqiptarët e Amerikës. Unë nga ana ime bëra dhe bëj atë therror (flijim) që mund...Munt të themi se kjo punë do mos ketë rëndësi të veçantë për Shqiptarët e Amerikës vetëm, po për tërë Shqiptarët… Në e patsha fatnë të vij aty, do i shkoqitim ca më mirë. Pritni të falat e mija.  I juaji për jet(ë), Fan Noli”.

Edhepse numerikisht jemi të barabartë, në krahasim me hebrenjtë, shumë pak jemi duke bërë për zbulimin, përkrahjen, mbrojtjen dhe afirmimin e vlerave kombëtare. Ç’u bë me varrin e Viktor Eftimiut që shkon duke u shembur? Ç’u bë me Tipografinë (Shtypshkronjën) “Albania” në Konstancë ku u botuan veprat e Asdrenit, Lasgushit, Kutelit, “Atdheu”, “Flamuri I Shqipërisë”, “Zëri Shqiptar”, “Shqipëria e Re”, “Kosova”, “Kuvendi Kombëtar” etj. Ç’u bë me varrin e Nikolla Naços në Bukuresht, apo me shtëpinë e Nolit, deri para dhjetë vitesh e braktisur, në Fort Lauderdale të Floridës? Specialistëve që mirren me hulumtime të thella shkencore, u mbetet për borxh të deshifrojnë korrespondencën e Nolit, për ta ditur të vërtetën në ia patën plotsuar shqiptarët e Rumanisë këtë dëshirë të zjarrtë, këtij atdhetari të zjarrtë, që s’ish tjetër veçse një vlerë e lartë e shqiptarizmit, model moral dhe profesional, kolos i pavdekshëm, i kauzës kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat