Çaste

Kultura

Çaste

Nga: Viron Kona Më: 16 maj 2018 Në ora: 07:41
Viron Kona

Një udhëtar e nisi rrugën i vetëm,

po i dukej e gjatë dhe pa mbarim,

ec e shiko orën, mjedisin përreth,

eh, sa i mërzitshëm ky udhëtim!

Diku me të u bashkua një tjetër,

të dy ia nisën për qejf muhabetit,

por, ngaqë e kthyen në  politikë,

ngritën zërat dhe ia nisën sherrit...

Kur panë nga larg që po vinte një i tretë,

shpresuan që ai sherrin do t`ua ndante,

por, çuditërisht, ai kish mendje tjetër:

si thoni, ia marrim të tre një kënge? 1)

Dy  të parët u bashkuan si me zor n`këngë,

por shpejt ajo i bëri për vete me tingujt e saj,

tashmë dukeshin ndryshe, si të tjerë njerëz,

jo ata, që pak më parë ishin grindur e sharë. 

Një erë e lehtë e përhapte këngën në pyll,

zogjtë kërcenin nëpër degë e cicëronin,

gjethet dhe bari fëshfërinin e mbanin iso,

krojet ujë kaltër, jehonin, gurgullonin.

U shfaqën buzë pyllit dhe kafshë të egra,

mbanin vesh këngën n`shkurre e shtigje,

muzika i tërhiqte,sikur ua zbuste egërsinë,

dukej dhe ato kalonin çaste të magjishme.

Të tre udhëtarët të shkrirë me natyrën,

atë rrugë të gjatë thuajse s`e ndjenë fare,

kalohet, thanë, m`mirë me këngë e miqësi,

sesa  me grindje politike dhe me sharje...

1). Në Labëri thonë:  “Po u bën bashkë tre lebër, ia marrin këngës”. Kurse në Përmet thonë: “Kur një njeri udhëton i vetëm, ai është vetëm; kur udhëtojnë dy, ata grinden; në qoftë se janë tre, ata do të këndojnë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat