Një vepër me vlera të veçanta poetike - Bota Sot
Një vepër me vlera të veçanta poetike

Kultura

E hënë, 22 tetor 2018

Një vepër me vlera të veçanta poetike

Nga: Bilall Maliqi Më: 17 maj 2018 Në ora: 20:58
Kopertina e librit

Rugëtimi poetik i Luan Malokut nuk ka të ndalur. Ai erdhi para nesh edhe me një përmbledhje të re poetike të pagëzuar me një titull interesant: “Në flakën e heshtjes”. Brumi poetik i këtyre pesëdhjetë e shtatë poezive është përgatitur mirë, duke përdorur mjete poetike të cilat i ka rregulluar konform kërkesave të cilat i bëjnë poezitë më të realizuara dhe më artistike. Poetika e Luan Malokut si në këtë libër po ashtu edhe në librat e tij paraprak, tregon qartë ndjesinë e tij për ta rregulluar mirë vargun, për gjetje të reja poetike të cilat i ka sistemuar brenda brumit poetik, i cili shprishë botën frymëzuese të tij dhe si të tilla poezitë kanë forcën shprehëse, kanë mesazhin e duhur, e të cilin mesazh lexuesi i vëmendshëm shumë lehtë do ta gjej, gjithnjë duke e analizuar me përpikëri vargun e tij, sepse brenda tekstit poetik lajmërohen fjalë të reja, gjetje të reja me një avancim të ndjeshëm krijues.

Si në librat e tij paraprak edhe në këtë libër që po e trajtojmë, i cili pati fatin të përkthehet edhe në gjuhën rumune, poezitë prezente mvishen me petkun e motiveve përkatëse si në librat e tjerë, por me një angazhim më të theksuar poetik, arriti që këtë libër ta finalizojë me një ngritje artistike në krahasim me librat e tjerë. Në flakën e heshtjes, Luan Maloku  prek thellë në shpirt fati i nëpërkëmbur i popullatës të Luginës së Preshevës, fati i popullatës ngelur në mëshirën e fatit, rastet e panumërta sociale si dhe padrejtësitë e tjera që e rumbullaksojnë jetën shoqërore të këtij nënqielli. Sikur shumë poetë që i shkruajnë vargje të bukura gjuhës sonë të bukur, i shkroi edhe Luani, ku vargjet e kësaj poezie i mveshë me figurën e epitetit dhe të vargjeve të thyera, e poeti i shkruan gjuhës sonë kështu: “Si ti s’ka/ Fjalët tua/ Të dëlira/ Të mira/ Gjuha ime/ Shumë e lashtë/ Sa dielli,/ Deti/ Hëna/ Dhe toka...” Nuk është asgjë rastësi që poeti i shkruan Miratocit të tij vargje mbresëlënëse, i shkruan kurbetit vargje dhembjeje por bukur i shkruan edhe dashurisë.

Image

Për tokën e tij poeti ndjen mall të pashuar dhe këtë ndjesi e shpreh përmes vargjeve poetike në këtë mënyrë: “Për ty shkruaj toka ime/ Për gurët e tu për shpatin,/ Zabelin për mollën e egër,/ Plepin dhe shtëpinë e vjetër/ Për jetën idile/ Për gardhin/ Për buzët/ Për puthjet/ Për dashurinë e zjarrtë.“ Përveç kësaj, poeti vazhdon t’i këndojë me një përmallim të pashuar vendlindjes së tij: „Malli i Itakës sime/ Më i rëndë se bjeshka” Edhe ne pajtohemi plotësisht me mendimin e poetit se kur je në kurbet, malli ndaj atdheut është i rëndë sa bjeshka. Iu mungon kurbetqarëve, por vendlindja i mungon edhe poetit, i cili shumicën e poezive të tij i lidh motivisht në mes veti, sepse aty ku është atdheu, është dashuria, aty ku është dashuria është mallëngjimi. Pra, poezi të tilla janë të shkruara me një ndjeshmëri të thellë e me një vëmendje të madhe, që nga faqet e para e deri te finalizimi i kësaj vepre poetike.

E dashuria në një masë është e prezantuar më tepër në vëllimet poetike të Luanit, por edhe në këtë libër të ri me një dëshirë e dashuri i shkroi vargje këtij motivi që e kultivon, dhe si të tilla poezitë e këtij motivi e prekin në shpirtin krijues autorin si dhe shpirtin e të tjerëve të cilët bëhen pjesë e këngëtimit poetik të autorit. Poeti nuk beson dhe nuk do të besojë se e ka humbur dashurinë, dhe ndjen dhembje kur as zërin s’ia dëgjon: “S`mund të besoj/ E as ta marr me mend/ Se të kam humbur/ Ty përgjithmonë/ / Diku larg shumë/ Ku as zërin s`ta dëgjoj.”

Autori i këtij libri shpesh herë futet në konceptin e motivit të dhimbjes, por prapë se prapë mund të gjejë çaste dëfrimi, qoftë me takime, përqafime dhe dialog dashurie. Libri që e kemi në shqyrtim, ka një strukturim të mirë të vargut, poezitë nuk janë të ndara në cikle poetike, porse ato ngërthejnë në vete një universialitet poetik, vargjet kanë korrespondim të arsyeshëm në mes veti dhe si të tilla lexuesit në libër do të gjejnë shumëçka inetresante për lexim dhe rilexim të tyre, sepse brenda tekstit poetik ka optimizëm, ka shprishje malli dhe dashuri të mbështjellë herë me petkun e gëzimit e herë me të hidhërimit. Marrë në përgjithësi, ky libër ndonëse i përkthyer në gjuhën rumune, ngrit shkallën e sukseseve artistike, suksese këto që nuk kanë të ndalur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test