Anri Sala: Jam një qenie politike

Kultura

Anri Sala: Jam një qenie politike

Më: 31 maj 2018 Në ora: 20:46
Anri Sala

Anri Sala një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor sot erdhi në një rrëfim mbi dy veprat e tij “Take over” (2017) dhe Mixed Behaviour Reloaded (2018) në natën e fundit të Festivalit të Resë. I ftuar nga platforma e artit kontemporan Harabel, veprat e Salës ishin një ngjarje për qytetin. Qindra shikues kishin mbushur hapësirën e Resë për të ndjekur videot dhe performancën e Salës. Take Over(2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma. Trajton tematikat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.

 

Pikënisja konceptuale e Take Over janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Kompozuar në vitin 1792, Marseillaise ishte e lidhur ngushtë me Revolucionin Francez, por shpejt u përhap në vende të tjera ku u bë simbol i përmbysjes së regjimeve shtypëse. Kështu, teksti i shkruar në 1871-in për Internationale fillimisht u përcaktua në vijën melodike të Marseillaise-s, deri në vitin 1888 kur muzika e saj origjinale u kompozua dhe kënga u bë himni standard i lëvizjes socialiste.

Të dyja himnet kanë pësuar ndryshime të mëdha në kuptimet e tyre politike: nga revolucioni, restaurimi, socializmi, rezistenca dhe patriotizmi, në shoqatat lidhur me kolonizimin dhe shtypjen në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë (si himne kombëtare përkatësisht të Francës dhe Bashkimit Sovjetik). Take Over e bën të dëgjueshme marrëdhënien e ngushtë të këtyre dy himneve dhe gërmon lidhjen muzikore në gjurmët e këtij ndryshimi simbolik. Është vetë tingulli ai që e përcakton filmin: ndryshimi i fokusit në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën – edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm.

Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit. Për Take Over ka luajtur në piano Clemens Hund-Göschel. Ndërsa performaca Mixed Behaviour Reloaded, 2018, e cila zgjati rreth 30 minuta ishte një vepër arti, e cila u paraqit për herë të parë për publikun, vazhdim i veprës së famshme të artistit Mixed Behavior (2003). Kjo punë mishëron tematikat dhe strategjitë më të rëndësishme të veprës së artistit,duke vendosur në të njëjtin koncept vizual planin e parë dhe prapaskenën, dritën dhe errësirën, tingullin dhe figurën.

Përmes Mixed Behaviour, performanca do të sjellë jehonën e tingujve të Tiranës së vitit 2003, tani nën një konstelacion krejtësisht të ri, ashtu siç do të jehoi natën e 30 majit 2018 te Reja, pranë Bulevardit të Tiranës, duke krijuar një lojë mes tingullit dhe zhurmave të gjalla të qytetit në sfond. Pas prezantimit të dy videove të para, Sala erdhi në një bashkëbisedim me shikuesit nën moderimin e Ajola Xoxes. Pyetjes se sa politike janë veprat e tij, ai iu përgjigj se “ishte një qenie politike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat