Prishtina International Film Festival - Bota Sot
Prishtina International Film Festival

Kultura

E hënë, 22 tetor 2018

Prishtina International Film Festival

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 15:50

Prishtina International Film Festival (PriFest) është një institucion i pavarur i kulturës në Kosovë i cili organizon ngjarjen më të rëndësishme kinematografike dhe kulturore në Kosovë. Përgjatë një jave të PriFest, dashamirës të artit, profesionist te filmit, studentë dhe publiku nga mbarë Kosova kanë mundësi të ndjekin filmat më të vlerësuar të viteve të fundit nga festivalet më të mëdha botërore, të njihen me artistë, distributor dhe producentë, dhe të shkëmbejnë eksperiencën e tyre me qëllimin e vetëm: të shtojnë mundësitë e bashkëpunimit dhe të zhvillojnë kinematografinë në vend dhe rajon përmes realizimit apo prezantimit të projekteve të veta filmike.

PriFest është një event unik në Kosovë, duke qenë se ruan statusin e të vetmit festival ndërkombëtar në vend ku garojnë filma të metrazhit të gjatë dhe të mesëm nga Europa, Ballkani dhe bota. Segmentet e tij të shumta e kanë kthyer në një aktivitet multidimensional, i cili arrin të ngacmojë të gjitha aspektet e mendimit dhe qytetërimit.

PriFest që prej fillimit i ka kushtuar vëmendje të veçantë elementëve të të drejtave të njeriut, duke shfaqur gjithmonë filma të cilët hedhin dritë mbi të gjitha grupet e margjinalizuara të shoqërisë, përfshirë këtu femrat, të rinjtë, komunitetin LGBT, minoritetet etnike e kështu me rradhë duke prezentuar programet e veta si PriDocs apo Let it be, program që realizohet në bashkëpunim me festivalin Outfest në LA dhe trajton filmat me tematikën LGBT.

Aktiviteti tjetër të cilin PriFest e konsideron si shumë të rëndësishëm, është trajtimi i çeshtjeve që lidhen me mjedisin, mbrojtjen dhe përmirësimin e tij, por gjithashtu promovimin e një zhvillimi të qëndrueshëm për vitet në vijim. Projekt që ndërlidhet me mjedisin është Green film project që ka për focus realizimin e filmave të shkurtër me tematikën e mjedisit nga të rinjët kosovar.

PriFest përfshin në programin e tij të zhvillimit një përbërës thelbësor për rritjen e aftësive dhe cilësisë së filmbërjes të quajtur PriFORUM: një seri eventesh rajonale kushtuar bashkëprodhimit që i dedikohet profesionistëve të filmit. Aktivitetet e shumta, workshopet dhe seancat e PriFORUM sjellin në Prishtinë personat më të rëndësishëm të industrisë së filmit nga e gjithë bota. Ndër vite tani PriFORUM bashkëpunon ngushtë me institucione, festivale dhe fonde filmi sic janë EAVE, Medienboard, fondet rajonale te filmit, etj. Përmes PriFORUM, zhvillohen takime dhe debate ku të gjithë të pranishmit kanë mundësi të shkëmbejnë eksperiencat dhe informacionet e njohuritë më të fundit nga fusha e bashkëprodhimit.

Best Pitch Competition është një aktivitet që zhvillohet tani e 4 vite dhe këtë vit trajnerët në këtë garë që përfshin pitching workshop, audience workshop dhe script development workshop, vijnë nga Torino Film Lab dhe Script Circle Berlin. Ndërkohë dy aktivitete të reja janë Prishtina Kino Kabaret një laborator që do të mbledh shumë profesionist filmi nga mbarë bota që së bashku me filmbërës nga Kosova në një javë të realizojnë filmat e tyre të shkurtër, dhe Prishtina Rendezvous një ndër aktivitetet më të rëndësishme që do të sjell shumë kompani distribuimi dhe shitjes së filmave që të kenë takime me talentët nga rajoni dhe të dëgjojnë për projektet e tyre filmike.Gara Best Pitch zhvillohet para një jurie ndërkombëtare, ku projektet filmike garojnë për çmimin Best Pitch që mban emrin e Vanessa Redgrave.

Përgjatë viteve të fundit, PriFest ka sjellë në Prishtinë shumë fitues të çmimeve Oscar, Bafta, Berlinale dhe shumë festivaleve të tjera prestigjoze. Në vitin 2014, midis shumë të ftuarve të tjerë, PriFest u vizitua nga regjisori britanik Stephen Frears, ndërkohë Presidentja e Bordit të Nderit të festivalit është aktorja e njohur britanike , fituese e çmimit Oscar dhe shumë çmimeve Golden Globe, Vanessa Redgrave. Me të në bord janë edhe Omer Kalesh, Gedeon Burkhard, Cedomir Kolar, David Gothard, Shkumbin Istrefi, Isa Qosja, Ema Ndoja, etj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test