Si u njoha me emrin e Havzi Nelës!

Kultura

Si u njoha me emrin e Havzi Nelës!

Nga: Bislim Ahmetaj Më: 13 qershor 2018 Në ora: 16:26
Bislim Ahmetaj

(Fjala e mbajtur dje në Kukës me rastin e vendosjes së përmendores së poetit para Gjimnazit që mban emrin e tij)

Në Kukës kam shkruar poezitë e para. Isha nxënës konviktor në Shkollën e Mesme të Bashkuar e cila mbante emrin e partisë që urdhëronte ngujimin nëpër burgje dhe vrasjen e poetëve. Në dhjetëditëshin e dytë të prillit të vitit 1985, na rrasën në një klasë, të gjithë nxënësve, anëtarë të rrethit letrar, pak më shumë se tridhjetë vetë. Mësuesit e letërsisë, prej të cilëve tani më kujtohen Nik Ukcama, Bajazit Cahani e Natasha Rrota, na shpjeguan ftohtë dhe prerazi se çfarë duhej të bënim. Mbi dyfletshat që kishim përpara, për rreth 60 minuta, do të na duhej të krijonim një poezi ku të shprehnim dhimbjen për humbjen e pazevendësueshme që kishte shkaktuar vdekja e udhëheqës-përbindëshit tonë legjendar.

Truri im ishte mpirë, mendja më ishte ndalur. Jo nga dozat e larta të disidencës, aq më pak nga «dhimbja» për «humbjen e pazëvendësueshme» por, as sot e kësaj dite s’mund të shkruaj diçka me detyrim, me urdhër, qoftë ai edhe një informacion i shpërlarë zyrtar. Dyfletshi im, edhe pse po kalonin minutat si rryfeja në të kthjellët, vazhdonte të mbetej i bardhë. Sytë e mi si të një ketri kërcenin sa në një bankë në tjetrën dhe shihnin dyfletshat e shokëve dhe shoqeve të mia të rrethit letrar mbi të cilët rrëshqisnin stilolapsët dhe që po i mbaronin jo vetëm faqet por edhe rrjeshtat. Një ndjenjë makthi e fortë më kishte kapë. Profesor Nik Ukcama, si duket e kish vënë re se ç’po ndodhte me mua. M’u afrua me qetësi e më tha: –Ma jep mua fletën dhe dilë jashtë! –Jo, Profesor! Tani do filloj! Isha duke menduar...! -Ec djalë i mirë, e di unë sa ke menduar. Ma mori dyfletshin e bardhë mbi të cilin kisha shkruar vetëm emrin dhe mbiemrin tim. Makthi dhe frika erdhën duke m’u shtuar. Shtanga, klasa mu rrotullua mbi krye. Megjithatë veprova me qetësi siç më tha profesori. Pasdite, Nik Ukcama pinte ndonjë gotë tek Klubi i Beqareve, pothuajse gjithmonë vetëm. Ndodhte që e gjëje edhe me Bajazit Cahanin. Shkova bashkë me një shokun tim konviktor. Ja porositëm një gotë fërnet dhe ndenjëm për pak kohë në një tavolinë tjetër. Pas pak ai na e bani me dorë, që t’i bashkoheshim. Na qerasi edhe ai me nga një gotë fernet. Unë nisa të flas. - Erdha…

- E di pse erdhe! Harroje atë muhabet, është punë e mbylluar. U ndodhë edhe krijuesve me emër një gjë e tillë, por koha dhe momentet janë të këqia. Mund të përfundosh si Havzi Nela! Si Havzi Nela? Kush ishte Havzi Nela? Emër krejtësisht i panjohur për mua në vitin 1985, kur akoma s’kisha mbushur 18 vjet. Çfar gjamë e kishte gjetur Havzi Nelën, në çfar vargu i qe shtjerrur frymëzimi, në cilën metaforë i kishte shpërthyer revolta? Si kishte përfunduar Havzi Nela? Këto pyetje po e shponin shpirtin tim, sigurisht jo me formën që po i them sot, por thellë brenda meje shihja një burrë, një poet të ngrirë, fati i të cilit nuk i urohej askujt. -Mbaje mend mirë, po përfundove si ai, s’ka kush ç’ka të ba! Mbylle gojën e harro, ba sikur s’ke qënë fare në shkollë sot. Hajde gëzuar ! Pijeni se më duhet me ikë. E çuam me fund. Ai fërnet i zi farmak atë pasdite prilli te vitit 1985 m’u duk si lëng trendafili, lehtësues e përvëlues në të njëjtën kohë. Ia dhamë dorën Nik Ukcamës e bashkë me shokun tim shkuam tek Klubi i Agjensisë. Aty ku sot, 33 vite pas vdekjes, u kthye Havzi Nelës.

Atëherë kisha një festë të brendëshme, pasi mësues Nika, me përkujdesje prindërore, më kishte « shpëtuar » nga fati si i Havzi Nelës. Histori të vogla mbijetese, të zakonshme për një nxënës konviktor, siç ishte gjetja e një racioni buke, një pakete cigaresh, një qepje këpuce, një gote fernet, një bilete për kinema, apo 20 lekëve për të qerasur me një tortë, një vajzë që ma ngrohte zemrën, bënin që gjërat e tjera, ato të thellat të harroheshin, të kalonin në plan të dytë. Por, emri i Havzi Nelës, s’do të mbetej për shumë kohë në paskujtesë. Ai do të vinte tronditës, vetëm tri vite më vonë. Pasi mbarova shkollën me emrin e partisë që vriste dhe burgoste poetët, përveç punëve të rënda, lexoja libra pafund, ëndërroja ta vazhdoja shkollimin. Havzi Nela, emri i tij, fati i tij, më rrinin në grykë si gulç, si revoltë. Në Kukës kishin varur një poet ! Kishin prerë jetën e tij me litar ! Fjalët e dikurshme të Nik Ukcamës : “Mund të përfundosh si Havzi Nela !”, më rrihnin se çekan në tru, më përvëlonin në shpirt e ndryshuan shumëçka tek unë ! Sidomos vendosmërinë, për të bërë diçka që poetët, fëmijët e vendit tim të mos kishin fatin e Havzi Nelës. Që askush në atdheun tonë të mos frikësohej nga fjala, nga poezia, nga liria. Ajo që kanë bërë shokët e mi dhe unë në dhjetor të vitit 1990, rrëzimi i diktaturës, ishte përpjekja e parë. Dinjiteti i martirëve të lirisë po kthehet e kjo na gëzon të gjithëve. Rruga është e gjatë, 33 vjet pasi dëgjova për herë të parë emrin e tij, ndodhem sot këtu, pranë këtij monumenti të domosdoshëm për nderimin e poetit, por sidomos për të ndihmuar kujtesën e brezave të sotshëm. Revolta dhe përpjekjet tona për liri s’duhet të ndalen. Havzi Nela ishte dhe mbetet frymëzues në rrugën tonë! 
I përulem dinjitetit, nderit dhe emrit të tij!

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat