Dionisi i dritës dhe poezisë

Kultura

Dionisi i dritës dhe poezisë

Nga: Gëzim Llojdia Më: 27 qershor 2018 Në ora: 08:49
Dionis Qirixidhi

1. Ata që e kanë njohur studiuesin, poetin Dionis Qirixidhi nuk do të shprehin befasisht habi, ngase së fundi për figurën tij i vëllu i tij Spiro shkroj një libër të tërë  me 500 faqe kushtuar jetës së këtij studiuesi dhe poeti të talentuar. Emrin e tij nuk e përmendi diktatori në një plenum të KQ u thanë ca fraza nga poezia  e tij moderniste si shkak për të rrugëtuar  të zinjtë poetë për ti degdisur përtej qytetit. Nuk u përmend por u muarra me mendë. Që bëhej fjala për Nisin.Një rrugë që të çon përmes varrezave  nëpër Topallti deri në Llakatund  ,ku Nisi emrohet në NB Llakatund,si drejtues i kulturës. Y.Yzeri tha se në Llakatund,kolektivi i shkollës ishte gjithë lezet Kur Spiro më tha

 Se kishte bërë një libër për Nisin,(Dionisin)me,500 faqe mund të mbusheshin vetëm me  personazhe dhe jetën në  fermën e Llakatundit. Miqtë e tij dhe shokët  nisën të kujtojnë lagjen ku rrit dhe vështirësitë e djaloshit pasionant, që gjithë kohës e shikoje me firzamonikën në krahë. Aktori  Timo Flloko tha e lidhte  ngjarjen me rrugicat e lagjes Vrenez, por ishte nisur nga Tirana  për të përshëndetur botimin për Dionisin, Spiro Qirinxidhi më parë kishte botuar edhe një libër kushtuar Dr Flloku,babit të aktorit të kinemasë shqiptare. Gjimnazi jo publik:’Perla’ një shkollë me traditë 20 vjeçare në këtë qytet më e madhe dhe më cilësorja në Vlorë,mblodhi në një promovim emra të njohur mes nxënësve të shkollës dhe administratorit të saj Petrit Golemaj.

 Nestor Jonuzi,Piktori i Popullit e ka njohur nga afër shprehet e  ashtu siç e mbante mend në kohët e rinisë së tij ashtu e solli edhe në kopertinë e  librit  me penelatat ngrohta të kohëve të rinisë .Kritiku Harallamb Fani ,por edhe mësuesi i fizikës Petraq Truja sollën çaste nga koha e viteve të shkollimit. Në  Vlorë  banorët e lagjeve të hershme të qytetit  e njohin si Nisi,poeti dhe studiuesi ,mirëpo në Llakatund në Vllahinë  e njohin më tepër si masoviku,kohë kur ai drejtonte aktivitete kulturore në fermën bujqësor,e  si dhe shkruante në gazetën lokale.

2. Dionis Qirixidhi prej vitit 2009 u godit në studion grafike “Milosao” nga një ishemi cerebrale, njësoj siç i ka ndodhur poetit të njohur Xhevahir Spahiu, ndërsa ishte në fazën përmbyllëse të punës studimore që hedh dritë të re mbi figurën e poetit të madh Bajron dhe raporteve të tij me Shqipërinë. Ai ishte duke i dhënë dorën e fundit një studimi kompleks mbi figurën e poetit të shquar anglez Lord Bajronit dhe raporteve të tij të panjohura me Shqipërinë. Prej disa vitesh ai punon në bashkinë e Athinës, në sektorin e emigrantëve, ku ka dhënë një mbështetje të njohur e të vlerësuar ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi. I dhënë tërësisht pas zbulimit të të panjohurave në këtë figurë poliedrike, Dionis Qirixidhi. Poeti dhe studiuesi i mirënjohur Moikom Zeqo,shkruan në parathënie të librit:Dionis Qirixidhi ishte miku im i hersho,,një natyrë njerëzore e profilizuar si askush.Poet,prozator,studiues,përkthyes,Dionisi është padyshim një personalitete i kulturës me të gjitha atributetet sematike të kësaj fjale. Kam nj nderim të posaçëm për të,sepse jam i vetëdijshëm për figurën e tij.Raportet e mia me Dionisin janë një kronikë e viteve të shumtë,të një shëmbëlltyre e kthjelltë e një miqësie të vërtetë.Mednja e hapur etja, për dituri e bëri atë një profil kulturologjik të dallueshëm.Ai ka shkruar poezi lirike delikate,tejet të ndjera,por  më  pas në librat si ai në hiret e Venerës, Bajronin dhe Ismail Qemalin,ai krijoi botën  etij të çuditshme,plot pelegrinazh shpirtëror, të kohërave dhe hapësirave. Librat e tij i ngjajnë një ore e cila funksionon me mijwra ingranazhe dhe metafora fakte dhe dashuri të pamat. Kjo orë nuk ndalet dhe nuk mund tw ndalet.

3. Në  Bibliotekën e Universitetit te Arteve - Fondi i Mbyllur (3),copja e botimit mne titull:”Buronjat  Qirixidhi, Dionis Publikuar në vitin 1971 Tirane shtëpia botuese  Naim Frasheri përmasa :16.5 cm.Date:1971.Duke hulumtuar në gazetën letrare të kohës ;Drita’ gjejmë të botuar në korrik të vitit 1967,dy poezi të Dionis Qirixidhi.Njëra poeti titullohet:Mbi bigë’ tjetra :”Je më forta vajzë’. E para i kushtohet Adem Rekës e dyta është më lirike  dhe i kushtohet vashës .Vasha si montatore në një nga fabrikat, që hidhte shtatë si ajo  e Sodës në Vlorë. Ndihet lirizmi dhe poezia  e poetit në të dy këto krijime, që ndoshta kanë humbur nga mungesa e kohës.

4. Rrëfimi i Dionis Qirixidhi si e ka njohur Dritërioin,Xhevahirin,Bllacin dhe të tjerë.

“Tek lokali Guva shkruan Dionisi, lexoja poezitë e Jorgo Bllacit nën sfondin e këngës korçare, që Pano Taçin e mallëngjenin dhe e bënin 60 vjeç më të ri. Porsa ishim ndarë me njeriun që studionte “gjuhën e pëllumbave” për të interpretuar vargun e Homerit “ Pëllumbi i ndrojtur po sjell ambroz " dhe mesazhet e Orakullit të Dodonës që i dërgonte Zeusi. Poezia është si një harpë që pret të tërhiqet korda e sajë, ndaj dhe Xhevos, “gjuha e pëllumbave”, këngët korçare e sollën tek ndjellja magjike e poezisë. Hodhi disa vargje në një copë letër ku kishte skicën e portretit të tij të bërë nga Skënder Kamberi, 30 vjet më parë. Eva, e bija e Jorgos na solli shishen e verës, tek po lexoja vlerësimin e Dritëro Agollit në parathënien tek përmbledhja me lirika e balada “Kuja e violinës”: “Në qiellin me yje të shndritshëm edhe Jorgo Bllaci është një yll që do të zërë vend në yjet e poezisë”. I them Xhevos se dhe unë “jam” tani në vitet ‘80, në ato ditë kur i pata dërguar një letër Dritëroit, dhe nesër shkoj të marrë përgjigjen. Do që të shkojmë bashkë me Nestorin?

-Sa mirë bëre që ma the, Nisi, se dhe unë s’e kam parë, që kur është operuar nga sytë.

Dritëroin i gjetëm mes pikturave, relikteve, diplomave, çmimeve, me Sadien pranë. Poeti ashtu i qeshur, na përqafoi dhe bëri humor kur na pa me qeskat e frutave nëpër duar. Në këtë mjedis miqsh u thashë se kam ardhur me peshqeshe nga Athina:

-Së pari sjell fjalën e Dritëroit në Selanik, në maj të vitit 2000, me temë:“ Fjala, Arti dhe Paqja”. Fjala e Dritëro Agolli bëri për vete auditorin, por dhe drejtuesen e takimit, profesoreshën me origjinë greke Eleni Glikatzi Arveler, ish-rektore e Universiteteve të Parisit, sepse poeti e ndriçoi dhe e qortoi shpirtin e trazuar të ballkanasve. Pas Dritëroit, Eleni G. Arveler radhiti “telegramin e katërt, të pestë...”.

Dhori Q. Qirjazi, që e pasqyroi këtë takim në ET3, shkruan: “...Do të doja ta ndiesh shpirtin të lehtësuar e të çliruar, dhe ti lexues, sepse e tillë ishte magjia e brumit që u gatua në magjen e magjistarit Dritëro...”.

Thashë, meqenëse, Poeti mundet që ta ketë humbur diskutimin e rikopjova dhe e solla si urim për suksesin e ndërhyrjes kirurgjikale që u bë në sytë e tij.

-Dhuratë tjetër që po të sjell, Dritëro, është dhe një letër nga Nase Jani, që ndodhet në Athinë, ku mes të tjerave shkruan: “ ...po shkruaj një Libër të tërë “Takim me Dritëronë” (titulli fillestar). Libri do jetë interesant se ka brenda takimet, telefonatat, letrat, shkrimet-skica, deri tek ëndrrat (me dhe për Dritëronë). E kam gati, por do gjej një kohë të përshtatshme dhe të vi aty të bëjmë një “miratim”, siç bëmë për romanin Çmendina, që më the: “Çmendina vërja emrin, Nase, se Shqipëria jonë është e bukur, por ka njerëz të çmendur...” dhe unë vura në krye dy vargjet e Tu: “Në vendin tim e në vendin tënd,/ një kokë e çmendur një vend e çmend!...

Me Dionisin po të dërgoj një “pagurkë rakie” me një dopio raki ballë kazani, dy vjeçare. Nuk i harroj ato fjalët e Tua: “Çfarë dreq poeti është ai që nuk i sjellin raki”. Prandaj po të dërgoj “kombin e fundit” nga rakia që më erdhi nga Përmeti... Sadijes shumë të fala! Këtej të kujtojmë të gjithë, me të veçantin, mikun tonë të mirë, Dr. Evriviadhi Goron!”.

- Kjo është e para. Ndërsa në takimin e shkrimtarëve ballkanikë, Dritëroi tha (dhe nisa, miqve t’ua lexoj):

“...Shpirti ballkanas ka tre shpirtra: shpirtin nacional, shpirtin ballkanik dhe shpirtin evropian. Dhe vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre tre shpirtrave. Kur futet djalli në mes dhe i ngatërron këta tre shpirtra, në veprën e shkrimtarit shfaqen djaj të vegjël. Nëse ngjitet në ekstrem shpirti nacional, ngre kokën nacionalizmi me urrejtje nacionale, nëse vepron vetëm shpirti evropian humb indetitetin dhe shkrimtari mbetet pa adresë. Prandaj zotësia qëndron në harmonizimin e këtyre tre shpirtrave. Këtë harmoni e kërkon edhe letërsia në dobi të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan, që nuk është një ëndërr e zbrazur, por një realitet...”

Dritëroi- Atje ishte një auditor i gjerë. Fjalën e mbajta frëngjisht, dhe ma përktheu Dhori Q. Qiriazi. Në takim ishte dhe një regjisor i famshëm serb; ndërkohë në Jugosllavi ishte gjurulldia e luftës. Eleni Glikatzi Arveler kishte shqetësimin e madh se mos grindesha me regjisorin serb, që ishte ftuar në takim. Përkthyesja e rusishtes, një vajzë greke, që më kishin caktuar, i tha se ata të dy i shoh që pinë kafe dhe debatojnë të qetë. Por Eleni nuk bindej, se kishte merakun se mos i prishnim konferencën. Biles i thashë Elenës se regjisori është kundër Milosheviçit. Ajo u kënaq, sa i thashë unë, por me humor shtova: “unë kam për t’u çuar në konferencë, në se më prek pak, dhe atëherë do të bëjë kërdi”. Qeshëm te tre bashkë. Regjisori i famshëm serb na tha diçka të mençme, që më mbeti në kujtesë: “ Ne luftën e kemi bërë stinë, dhe nuk kemi katër stina, por kemi: Pranverën, verën, vjeshtën, dimrin dhe stinën e luftës. Lufta është stina e pestë”. Pasi u larguam për në atdhe e mora në telefon, që ta pyesja se si ishte. “Kohë lufte”- më tha!

Pas gotës së parë të rakisë, që na serviri Sadija, Dritëroi hapi pagurin që dërgoi Nasia, për të shijuar rakinë e Përmetit, dhe biseda u bë një mozaik enciklopedik, ku përfshinte poezinë e Homerit e Pindarit, Hafizit, Rumiut dhe Naimit, të Ali Asllanit, Seferisit e Elitisit, pikturën impresioniste, dhe atë abstrakten, shkrimtarët e brezit të humbur, dhe këngën popullore...Se biseda me Dritëroin ka të pleksura bashkë seriozitetin, humorin, sarkazmin, marrëzinë dhe befasinë e mënçurisë.

- Bëjmë dhe marrëzira- njerëz jemi.- tha Xhevua.

Dritëroi, befas gjeti rastin të flasë për maninë e etimologjisë të fjalëve me shqipen, siç është rasti i prejardhjes të emrit të qytetit të Leçes. Herë me seriozitet e herë me humor ai bënte shaka me Xhevon, që e tepronte kur thoshte se Leçe vjen nga fjala shqipe Lis, ndërsa ajo vjen nga fjala Late- qumështi! Ta shohim, i tha Xhevua, do të bind për të të kundërtën. Ç’punë ka qumështi me Leçen!? Leçja ka si emblemë lisin. E kam parë me sytë e mi.Tek flisnin për prejardhjen e fjalëve, e prirjen për t’i shpjeguar me shqipen, mu kujtua Eqrem Çabej, kur thoshte: “... etimologjia ngjan me një lëndinë shumëngjyrëshe, ku gjen gjithfarë insektesh, prej të cilëve shumë pak janë bletë mjaltëse. E nëse dikush dëshiron të bëhet e të mbetet “bletë mjaltëse”, i duhet të mbajë parasysh se “krahasimi i një fjale tjetër me një fjalë të së njëjtës gjuhë mund të quhet një etimologji, vetëm atëherë kur ai krahasim të jetë arsyetuar mirë, të jetë bazuar mbi ligjet fonetike dhe të jetë shpjeguar mirë edhe nga ana morfologjike e kuptimore.”

-Avdurahman Meçaj nuk të heq nga goja Dritëro!- i thotë Nestori, duke i treguar dhe vlerësimin e tij për krijimtarinë.

-Po, djalë i mirë, i shkëlqyer, Avdurrahmani shkruante shumë mirë, e kam njohur kur ishte i përndjekur, dhe miqësinë e kemi ruajtur edhe sot. U mundova ta ndihmoja, por...

-Dhe tani shkruan prozë cilësore- e plotësoj unë mendimin e Nestorit, që ma miraton dhe Xhevua.

-Ishte nëntor i vitit 1962, Dritëroi kishte ardhur në festimet e 50 vjetorit të Pavarësisë në Vlorë. E prita kur po merrte gazetën tek libraria afër Sheshit, me një fletore me vjersha në dorë. Jam nxënës,- i thashë, dhe i tregova vjershat. E shoqërova një copë udhë. Ma mori fletoren, dhe ma humbi.- thotë duke qeshur Xhevua. Po mirë bëri.

- E harrova në hotel, veçse poezitë i lexova!

-Kjo ishte njohja e parë me Dritëroin.- vazhdon të tregojë, duke u ngritur tashmë në këmbë, e duke qëlluar ballin me pëllëmbë-Çudi si mu kujtua ky çast: Porsa kishim lexuar poemën e Dritëroit ku thoshte dhe emrin e një klubi ku rrinte me shokë. Vajtëm ta takonim, bashkë me Spiro Deden. Shkrova, para se sa të vinte në klub disa vargje, kur e shohim se me të vërtetë erdhi së bashku me Vito Koçin dhe Miço Kallamatën. Shihnim me kërshëri si do reagonte me këtë poezi që ja dërgova me kamerierin:

Një krikë me birrë/ në klub sot na solli/ po ty nuk të gjetëm askund/ E njihni lirikun e madh nga Devolli?/ Garsonit ju lutëm më në fund./ E si mos e njoh komikun e hollë/ Paçka që s’na lë asnjë grosh,/ Më thanë letrarët kur u mblodhë/ krejt famën ia hodhën përposh”...

-Qenka poezi e bukur!- tha Dritëroi, pas 46 vjetësh.

-Ndoshta e ke në arkivin tënd, se ajo ka dhe vargje të tjera...Se pas poezisë së parë të dërgova dhe të dytën dhe shikonim me kërshëri reagimin se na thanë se Dritëroi bën dhe humor të hidhur, si i thonë. Katër vargjet e asaj vjershe nuk i kam harruar, pasi porsa ishte botuar cikli me poezi ku kish vjershën për nënë Hatixhenë, që e “modernizova”, gjasme:

Mamaka ime, biondinia, Hatixhe,/ më simpatikja nga të gjithë qytetaret,/ më prodhoi një ditë spontanisht mbi xhade,/ porsa doli nga Opera “Peshkatarët”...

-Po ju pata student në Universitet...- kujton Drotëroi, i thashë Todi Lubonjës t’u merrte në “Zëri...”, ty Spiron, Ludën, Gaqon. Heshti pak dhe pastaj na tregoi vëllimin me poezi “Nga vjen kjo muzikë”.

-Poezia në çdo gjuhë që të shkruhet, dallohet nga muzikaliteti...- tha Nestori, kur lexoi një poezi të Dritëroit në italisht.

- Poezia mund të mos ketë rimë, por muzika është e domosdoshme, pa muzikalitet s’ka poezi- tha Dritëroi, me dy vëllimet e tia poetike të përkthyer në italisht e rusisht, nëpër duar.

-Eno Grasi deshte të dëgjonte poezinë në shqip, ritmin e rimën, për ta përkthyer atë saktë. - kujton Sadija.

-Po, kërkonte muzikalitetin që duhej të përçonte, ta ndiente edhe nëpërmjet recitimit në shqip. Ilia Fonjakov, shkruan në parathënie rusisht, se çudia e poezisë shqipe është se ajo del befas atje ku ti nuk e pret. Befasinë e ka dhe poezia popullore: U çmenda po lidhmëni/ tek mikja ju shpimëni,/ se ajo di e bën magji/ me mollët që ka në gji . Një njeri i çmendur i dehur nga dashuria, sikur flet me vete Dritëroi.

Xhevos, duke dëgjuar Dritëron, i erdhi befas t’ia marri këngës, që të mund të komentonte me patos vargjet për të mirën që populli e përfytyron si të mirën e brendshme, mirësi e prekshme e përjetshme, që përgjithësohet në të mirën abstrakte, estetike: O shkoftë e mira na dëgjoftë...

-Ja kështu- tha poeti,- këndonin në fshatin tim në Malind, kur isha i vogël. Ç’ishte kjo e mira? Folë, Agoll!

-Gjoleka dërgoi njerinë - këndon populli,- e plotësoi mendimin Dritëroi- Njeriun, pra, si kallauz…

I tregova Dritëroit dhe Sadies, historinë e letrave të dashurisë të Seferisit dërguar nga Korça, së shoqes, Maros. Xhevua me emocion shpjegoi vizitën e tij në shtëpinë muze të Seferisit dhe bisedën me Anën, të bijën para jaseminit të mbjellë nga dora e poetit. Siç e ka Xhevua, nisi të na recitojë poezinë e Seferisit përkthyer prej tij vite më parë:

Le të bjerë nata/ le të shkrepë agimi/ i bardhë mbetet/ jasemini.

Ne, vijoi poeti, duhet të gjejmë e të fuqizojmë ato që na bashkojnë. Janë intelektualët ata që arkitektojnë frymë bashkëpunimi, fqinjësie të mirë...

Xhevua i ngritur tanimë në këmbë, në sfond të peizazheve, që zbukuronin muret e dhomës së poetit, me impulse poetike fliste për peizazhet e Eduard Lirit e peizazhin me Tomorin e kaltër, të lënë në mes me shënime të shumta përbri. Mandej bisedën e solli te romani “Jeta në varr” të Strati Mirvilisit, pasi Xhevua pat takuar në Athinë mbesën e djalit të shkrimtarit. Kjo i dha mundësi Dritëroit të flasë për përfaqësuesit e brezit të shkrimtarëve të brezit të humbur që ishin kundër Luftës së Parë Botërore, Hemiguejn, Remarkun, Ungaretin, Strati Meirivilin, që vunë themelet e asaj që u quajt letërsi e shkrimtarëve të brezit të humbur...

-Kini kujtesë mahnitëse Dritëro! Dhe kur nisa të t’ kujtoja një aventurën me peshkatarët e sardeleve, dhe Nikolla Zoraqi, natën në mes të detit, kur kishte mbaruar pija, dhe tentuat të merrnit alkoolin e busullës, nuk kishe harruar jo vetëm emrin e drejtorit të ndërmarrjes, Llazarit, por dhe të inxhinierit, Agathakliut, e detaje që mua më ishin fshirë nga kujtesa...

-Kujtime të bukura kini dhe nga shoqëria me piktorët vlonjatë…

-Në pikturën tonë nuk kemi shkollë veç Shkollës së Vlorës, tha Dritëroi. Kjo ishte një rrymë, kur ato, në ato kohëra, nuk lejoheshin. Tani që është koha e shkollave, piktorët e ngopur me shkolla, dhe duke bërë një jetë individualiste, megjithëse fizikisht jo të bashkuar, ndjen, tek disa se i bashkon përsëri ajo shkollë, të cilët brenda saj kërkojnë pasurimin e zhvillimin. Shoh se disa kanë ndërruar krejtësisht identitetin, qenien tyre, janë hedhur në “modernet”. Tek të tjerë shoh se kanë humbur natyrshmërinë. Ndodh ashtu si në natyrë që brenda dashit kërkohet që ai të përpunohet, të bëhet më i madh, dhe jo dashi të bëhet cjap. Ashtu si poezia e Xhevahirit, do të ishte jashtë natyrës së sajë, në se do humbiste identitetin e do të kthehej, përshëmbull në abstrakte, duke mos ruajtur as llogjikën e fjalëformimit e normat gramatikore, vetëm e vetëm që të duket moderne!

“Po të bënte berberi një album me kokët e qethura...”, më erdhi ndër vargu i poetit dhe i thashë:

-Më kujtohet Dritëro se i the Nestorit se hedhja e të jeshiles në tablo është tepër e vështirë...

Duke debatuar për një peizazh të Zihni Veshit, Dritëroi tha:

- Krijimi i një peizazhi ka dhe të papritura. Më i vështiri është pikturimi i ullirit, i cili është i hidhur, por dhe i ëmbël. Sadik Kaceli e pikturonte çuditërisht, mirë. Sepse ullirin po të mos të dish ta pikturosh, del si kaçube. Aq me gunga dhe i shëmtuar që është, por dhe aq dhe i bukur, hyjnor, jo më kot dega e ullirit e marrin si simbol paqeje.

Mandej Dritëroi më përgëzoi për librin që dua ta ribotoj, dhe më tha se boshllëku që ka ekzistuar në kulturë duhet të mbushet, ashtu si në natyrë, që nuk ka boshllëk. Ajo plotësohet, ashtu si boshllëku i termometrit. Atë që kemi humbur, tani në kohë moderne mundohemi ta plotësojmë, disa eksperimentojnë ato që bota i ka provuar prej kohësh. Disa gjëra me të vërtetë nuk ishin bërë të njohura, por krijuesit bënin ç’shtë e mundur ta kërkonin të renë.

Dritëroi, ashtu i menduar, sjellë në kujtesë romanin Doktor Shivago, që ishte i ndaluar në Shqipëri. E gjeta frëngjisht në Kongo.Ismaili më pyeti “Ta marr?”

Merre i thashë, por mos ta mësojnë...Unë jam prej kohësh pelegrin.

Udhëtar në vendin e shpresës së thyer...Nuk di pse mu kujtuan këto dy vargje...Ndoshta se bisedën e konsideruam të hapur. Atë kemi për ta vazhduar tanimë dhe me Skënder Kamberin, që t’i shtojmë mozaikut të magjisë enciklopedike të dialogut me Dritëroin, jo vetëm befasinë e fjalës së Xhevos, maturinë e Nestorit, por edhe bukurinë e rebelizmit të mendimit të veçantë të Skënder Kamberit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat