“Herezia e Dërvish Mallutës”, roman me vlera të mëdha poetike

Kultura

“Herezia e Dërvish Mallutës”, roman me vlera të mëdha poetike

Nga: Anton Nikë Berisha Më: 29 qershor 2018 Në ora: 20:32
Teki Dervishi

Romani i Teki Dërvishit Herezia e Dërvish Mallutës veçohet, pos të tjerash, për dy çështje kryesore: a) për tematikën interesante, që në këtë mënyrë dhe në këtë nivel shtrohet për herë të parë në prozën tonë dhe b) për konceptimin dhe realizimin e veprës, gjë që dëshmon në mënyrë të padyshimtë për nivelin cilësor të prozës së autorit, por edhe të prozës shqipe në përgjithësi.

Për objekt artistik të romanit Teki Dërvishi ka herezinë e Dërvish Mallutës, të parë nga aspekte të shumta, sidomos kur shprehet drejtpërdrejt në tërësinë e vet. Duke e trajtuar këtë problematikë si objekt të romanit të vet autori ka depërtuar thellë në tragjiken e veprimit herezian, në pasojat e vetmisë, të urrejtjes (të vetvetes dhe të të tjerëve), të hipokrizisë, të neverisë e herë-herë edhe të ndytësisë (kujto rastin e Bareshës) së këtij veprimi, pra tragjikes shpirtërore të njeriut. Mirëpo, Tekiu me shkathtësi ka arritur që këtë jetë misterioze ta vërë në një marrëdhënie me jetën në përgjithësi, me botën dhe veprimin e njeriut, me gjithë atë që e cilëson atë si qenie që vepron dhe mendon. Duke e parë njeriun nga këto dy rrafshe të veprimit e të ekzistencës, që kur shikohen thellësisht, shndërrohen në tragjikë dhe dkotësinë:

Për ne asketët [...] dita i ka kënaqësitë e veta, njëfarë rrjedhe spontane që në sosje të saj nuk të frymëzon fare, por e supozon përsëritjen, pritja e së cilës të gëzon. Natje, kur fresku i ditës që lindet i harlis barishtat e lulet në Sukë, kur era e barit të prerë dhe e gjetheve të blirit futet në trupin tënd me një fuqi dehëse, bashkë me dërvishët e tjerë, ulemi rreth sofrës në samahane, ose në marash, e pimë kafe duke u llafosur. Dita na sjell të papritura që s’çojnë peshë, ndonjë shkrim rasti, kënga e ezanit në kubën e shenjtë, ndonjë prerje me thikë e njeriut, vizita e ndonjë gruaje të bardhë si tambli që vjen aty me erën e harruar të botës që tradhtuam, largimi i saj dhe përkohësi të tjera si këto. Pasdreke, po qe se hetojmë se po flen trupi, shkojmë dhe e rahatojmë në dyshek. Pastaj ndezen kandilat me vaj, qirinjtë... dhe natës i vjen era fli e tym që del prej saqe, dëgjohen lehjet e largëta dhe hukasin skutat e qoshet e përshpirtshme. Na mbledh pasdreke, përseri, pija e gostia, ziqi dhe ndonjë alivanosje, ndonjë e shpurdhur këmbësh, ndonjë këngë e re. Jetojmë si njerëz që për çdo çast u kujtohet se janë të vdekshëm. Kundërthëniet, grindjet e shikimet e përkorta dhe urrejtja aty janë krejtësisht të përcipta, lufta aty nuk është e shpallur midis njerëzve, po rri e ndezur kjo luftë vazhdimisht brenda një trupi të njeriut. Porosia e parë e Dërvish Mallutës, posa të nzjerrin të shpërlarë e të kemosur prej odës së samahanes, është kjo: këtu duhet ta kesh vetëm një dëshirë... dëshirën ta nënshtrosh vetveten.

Kotësia e veprimit herezian dhe e veprimit në përgjithësi në kushte të tilla nuk del vetëm nga ajo që ngjet në Teqen e Cërmjanit dhe në Tyrbën e Becit, nga ajo jetë sa e veçantë, po aq misterioze dhe e paskrupullt, por edhe nga veprimi i njerëzve “esëll”, atyre që në fakt e kushtëzojnë, e përkrahin dhe i japin dimension të caktuar, e bëjnë të ekzistojë ai fenomen si i tillë. Gjithë ajo që në roman shqiptohet nëpërmjet rrëfimit të natyrshëm na fut në një botë-vorbull, ku konceptet e qëllimit e të veprimit ngatërrohen e mjegullohen, ku rrënohen kufijtë midis virtyteve e pasioneve, mundësisë dhe domosdosë së veprimit, nevojës që të vazhdohet “vijimësia” edhe pse në vetëdije “trokëllin” përherë ndjenja e dyshimit, e zhgënjimit, e mohimit e protestës. Mirëpo, mu për hir të “vijimësisë” çdo gjë u nënshtrohet presioneve vetëdijore, ndërlidhjeve ndjenjore, të cilat në roman herë-herë dalin me gjithë ashpërsinë dhe thellësinë e tyre.

Objekti i romanit realizohet midis realitetit dhe fiksionit. Nëpërmjet rrëfimit dinamik autori ka arritur t’i ndërthurë dhe t’i shkrijë këto dy shtresa dhe kështu të arrijë një drejtpeshim dhe nivelizim në vepër. Fenomeni i “shkrirjes” së kufirit midis realitetit dhe fiksionit i ka dhënë përmasë të veçantë kuptimësisë së veprës dhe komunikimit të saj, qoftë kur autori është thelluar në ndonjë detaj të jetës asketike e të veprimit herezian, qoftë kur problemin e ka parë në planin e gjerë, në raport me njeriun dhe jetën në përgjithësi. Ky konceptim dhe kjo mënyrë realizimi ka kushtëzuar që të dalë sheshazi absurdi i veprimit herezian, por edhe i natyrës së veprimit të njeriut, i cili merr pjesë drejtpërdrejt në atë veprim dhe e mban gjallë, e kushtëzon “vazhdimësinë”.

Panairi i Tyrbës së Becit u mbajt pikërisht në mjedisin e verës së vitit 1979, në mesin e ditës dhe në kulmin e vapës. Për një natë dhe një ditë, u mblodhën aty, të bërë kruspull në ca rrahe e livadhe rreth Tyrbës, një hordhi e tërë njerëzish nga të gjitha shtresat e mundshme [...] Po vinin pra në Tyrbe të Becit njerëz nga të gjitha anët e Dushkajës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, po vinin këmbë ose me qerre buajsh, me traktorë, pajtone, çikleta çejxa, me vetura, kalorës hypur mbi kuaj kurrizdalë e teknefes, hamaj, magjistarë, gra llahusa, këpuctarë, xehetarë, vajza të reja, fëmijë në lulak, gjellbërse dhe saxhinj, punëtorë krahu, vejusha, nëpunësa, milicë të veshur me kostume civile, dama të kostimuara e të parfemosura, hajna sarhosh, valltarë dhe aktorë amatorë, pronarë llotarish, leckamanë që presin të bëjë diku “brram”, pijanikë e kurvarë...

Këta njerëz dhe veprimet e tyre bëhen pjesë e rëndësishme e objektit artistik të romanit. Mirëpo autori më së shumti i kushton kujdes herezisë së Dërvish Mallutës dhe njerëzve që e përkrahin dhe bëjnë atë, duke filluar nga dëshirat dhe pasionet më të zakonshme e deri te ato më të fshehtat. Nëpërmjet rrëfimit, dialogëve dhe përsiatjeve të ndryshme autori shqipton një spektër dilemash e kontraditash shpirtërore të Dërvish Mallutës të Lik Gushëhollit, Kardhiç Lojtarit, Martës së Marrë, Kurtije Zanës, Bareshës, Dritave Motra etj., që shprehen me ashpërsi të ndryshme, varësisht nga ajo që ndodh e nga situata përkatëse. Njerëzit, në krye me Dërvish Mallutën, qenësisht e kanë të qartë pakuptimësinë, absurdin dhe tragjiken e veprimit të tillë, por ata janë futur aq thellë në atë jetë e në atë mënyrë veprimi, janë mishëruar aq shumë me të, sa është e pamundur të heqin dorë prej saj sikur që nuk mund të heqin dorë prej vetvetes. Në qenësi ata e urrejnë atë mënyrë jete e veprimi, por ata janë të detyruar të vazhdojnë, për hir të “vazhdimësi”, për hir të të tjerëve e të vetvetes.

Romani është realizuar kryesisht nëpërmjet rrëfimit në veten e parë. Kjo ka kushtëzuar që bota dhe veprimi herezian të shpalohen më plotësisht, më drejtpërdrejt, në mënyrë që ajo të jetë më e afërt,më e kapshme. Në pjesën dërmuese të romanit autori e mban rrëfimin në një nivel, e ruan ngrohtësinë dhe dinamizimin përkatës rrëfimor dhe shpreh atë me një gjuhë poetike të pasur, qoftë kur rrëfen vetë, qoftë kur shqiptohen detaje e situata, kur karakterizohen personazhe dhe veprime. Fjalia e tij në pjesën dërmuese kuptimisht është e pasur, shprehet natyrshëm dhe me një sintaksë të mirëfilltë shqipe:

Ende s’kishte rënë terri kur gjarpinjtë u strukën në pusin e tyre. Mërrola e qiellit kishte mbuluar yjet atij muzgu, kështuqë nata erdhi më heret, dhe njerëzit më herët se rëndomë u strukën nën mbulojë, thuase e dinin se me vijën e parë të muzgut, do t’ia lëshonte një shi i imtë dhe i mërzitshëm. Strehet pastaj vajtuan gjithë natën.

Mesazhi artistik në vepër ndërthuret me kontekstin e situatës, me dilemat, me ndjenjat më intime të personazheve.

Prej çka, pra, ka ikur e është strukur nën lëkurën e tij Hamidi i Verdhë? Pse e harroi aq shpejt familjen e tij mikroborgjeze? Ia sodis shuplakat e duarve, derisa ai flen, me kokën e tij mbështetur për murin e odës, dhe në ato vija hieroglife, unë që di të lexoj pozitën e pavolitshme të Hyjnisë sime, hetoj se aty, në ato shuplaka, asnjëherë nuk ka ndodhur drama epshore: shqisat e tij të thella gjithë jetën i kanë ndejur mënjanuar nga trupi miliarda vjet drite larg.

Autori i romanit Herezia e Dërvish Mallutës del mjeshtër i krijimit të detajit, i tipizimit të personazheve në situata të veçanta, i përftimit të tablove poetike, i përshkrimeve etj.

Me vlerat poetike që ka kjo vepër e Teki Drvishi e radhit atë ndër prozatorët tanë më të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat