Humbja e qytetarit të shquar të kombit - Bota Sot
Humbja e qytetarit të shquar të kombit

Kultura

E hënë, 19 nëntor 2018

Humbja e qytetarit të shquar të kombit

Nga: Andi Bica Më: 10 korrik 2018 Në ora: 20:06
Profesori ynë i nderuar kishte entuziazmin e një të riu dhe besimin që kombi do e gjejë veten dhe të ardhmen e tij në traditat kulturore më të mira të historisë kombëtare

Të shtunën në mëngjes, 7 korrik 2018, i shkruajta një mesazh mikut tim, profesorit Alfred Frashëri. Pak minuta më pas, nga New York_u i largët, nje mik më njoftoi humbjen e këtij qytetari të shquar të kohës sonë. E pabesueshme, mendova, por shpejt gjeta konfirmim  nga interneti.

Largimi nga kjo jetë i një miku apo i një njeriu të dashur ashtë i pakthyeshëm. Ndoshta për këtë arsye, të tilla ngjarje na futin në mendime dhe në pikëpyetje të cilave nuk ashtë e lehtë tu japësh përgjigje. Sepse vetë jeta ashtë një mister dhe një kaos momenti historik që  jetojmë. Në rastin e Alfredit nuk ashtë vetëm ana afektive e humbjes së njeriut, por edhe pyetja që i drejtojmë vetëdijes sonë për të kuptuar rolin e tij në shoqëri, raportin me njerëzit që e kanë rrethuar, respektuar dhe admiruar.

Alfredi ka qënë tekniku dhe më pas inxhinjeri i talentuar i teorisë dhe i zbatimit në terren si gjeofizik i shkëlqyer. Lektor i gjeofizikës, doktor dhe profesor, udhëheqës shkencor i gjeologëve të rinj që u formuan nën drejtimin e këtij njeriu të palodhur. Në 46 vite si profesor në fakultetin e gjeologjisë dhe më pas, ai u bë një nga figurat kryesore të shkencave gjeologjike në përgjithësi dhe të gjeofizikës në veçanti. I konsiderueshëm ishte kontributi i tij për modernizimin e gjeofizikës përmes informatizimit dhe matematizimit të saj, pa folur për botimet shkencore të panumurta brënda dhe jashtë vëndit. Në këtë fushë ai ka përfaqësuar me kompetencë dhe integritet moral të lartë shkencën gjeofizike shqiptare në forume ndërkombëtare me referate të shumta.

Shkenca, për profesorin tonë të nderuar, nuk ishte aspak e shkëputur nga dashuria që ai kishte për vendin e tij. Ai gjente forcën dhe vendosmërinë për të kryer studimet gjeofizike të tokës shqiptare në dashurinë që kishte për atdheun. Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Alfredi më dhuroi veprën e tij të fundit mbi gjeomonumentet qe tregojnë historinë e truallit shqiptar. Këtë vepër të rëndësishme dhe shumë interesante ai ia kushton vendit të tij me fjalët: “Shqipërisë, Atdheut tim ia përkushtoj këtë libër me shumë dashuri në 100 vjetorin e Pavarësisë.” Kjo vepër përveç aspeketeve gjeofizike që shtjellon, jep mjaft të dhëna historike për vendbanime në afërsi të rajoneve gjeologjike që ai analizon. Pra kjo vepër dëshmon që profesor Alfredi ishte mbi të gjitha një Njeri me ndjenja të thella atdhedashurie dhe këto ndjenja nuk ishin një botë e shkëputur nga veprimtaria e tij si shkencëtar i mirëfilltë. Pikërisht në këtë kuptim mendoj që Alfred Frashëri duhet konsideruar një Qytetar i shquar i shoqërisë për veprën dhe jetën e tij të vyer që i kushtoi atdheut deri në frymën e fundit. Përvoja, përpjekjet dhe idetë konkrete të tij për demokratizimin e vendit e gjenin forcën dhe koherencën në patriotizmin e këtij Njeriu kokëulur por të vendosur e të palodhur për pikëpamjet e tija demokratike.

Në 10 vitet e fundit të jetës, profesori, bashkë me historianin Kastriot Bezati dhe përmetarin patriot Tomor Kotorri, iu përkushtua studimit të Rilindjes Kombëtare. Ata kanë organizuar konferencat vjetore të ditës naimjane, 25 maj, me rastin e ditëlindjes së Naim Frashërit. Këto konferenca me pjesëmarrjen e studjuesve të talentuar të Rilindjes kombëtare, profesorë e akademikë të shquar, kanë thelluar kuptimin e mesazheve që Rilindja Kombëtare i shpreh kohës sonë në udhën e vështirë të demokratizimit të shoqërisë.  Ata kanë punuar me vetmohim e sakrifica duke superuar  indiferencën e klasës politike ndaj problemeve kulturore kombëtare. E kam fjalën për kulturën në përgjithësi, për humanizmin shqiptar dhe Rilindjen Kombëtare në veçanti. Ashtë kultura ajo që i jep një përmbajtje të qartë identitetit kombëtar,  me të cilin lidhen idealet e kombit për të ardhmen. Profesor Alfred Frashëri e kish të qartë që pa kuptuar të kaluarën nuk ka kuptim dhe as mundësi të konceptohet e ardhmja. A ashtë e mundur të konceptohet e të ndërtohet një godinë pa një themel të shëndoshëë A e mendojmë se si mund të jetë ekzistenca, jeta e një njeriu që nuk ka asnjë njohuri për prindërit e tij, nga janë e çfarë ishinë Kjo e vërtetë çfaqet në realitetin e sotëm shqiptar në forma dramatike sepse shpesh herë ajo braktiset ose nuk kuptohet nga klasa politike. Kjo braktisje dhe indiferencë komprometon të ardhmen e brezit të e ri.    

Realiteti i sotëm dhe problemet aktuale që rrjedhin prej tij kanë nevojë për njerëzit e kulturës e të shkencës, për të rinjtë dhe qytetarët që e kuptojnë këtë realitet. Kam parasysh vetëdijen e qytetarit për detyrat delikate që kombi duhet të përballojë në këtë fazë jetike për të ardhmen e kombit. Pikërisht në këtë kuptim shohim shumë intelektualë indiferentë ndaj problemeve të kulturës kombëtare. Nga ana tjetër nuk mungojnë intelektualët patriotë që i përkushtohen tërësisht e me pasion të madh problemit të kulturës kombëtare. Kam parasysh njohjen e traditave historike e kulturore me në krye humanizmin shqiptar të shekujve XV – XVII si dhe të Rilindjes Kombëtare.   Qytetari Alfred Frashëri në të gjithë jetën krijuese të tij e ka ngritur zërin, ka organizuar e punuar për studimet në këtë fushë pa u lodhur e me përkushtim të veçantë. Janë të tijat disa peticione apo kërkesa drejtuar qeverisë shqiptare që të mos braktisi vatrat e patriotizmit e të kulturës kombëtare sikundër janë  muzetë ne Frashër, në Shkodër, Korçë e gjithkund patriotët shqiptarë kanë shkruar e luftuar. Ai u përpoq të studjojë e të kuptojë thelbin e mendimit politik të Samiut e Abdyl Frashërit deri edhe të Mehdi Frashërit.

Profesori ynë i nderuar kishte entuziazmin e një të riu dhe besimin që kombi do e gjejë veten dhe të ardhmen e tij në traditat kulturore më të mira të historisë kombëtare. Në thelb ai dha një model të përkryer të impenjimit të intelektualit patriot në jetën e vendit. Kjo ka një rëndësi jetike per  shoqërinë, sepse ashtë pikërisht qëndrimi i botës së kulturës e të shkencës, pikëpamja dhe idealet e këtij universi që vigjëlojnë me sy  kritik ecurinë e politikës në pajtim ose jo me idealet e kombit. Pikërisht në ketë kuptim e konsiderova mikun tone dhe profesorin Alfred Frashëri si një Qytetar të Madh të kombit në këtë periudhë delikate të trasformimit nga një regjim totalitar drejt nje demokracie të tipit perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test