Angjelika e bukur

Kultura

Angjelika e bukur

Nga: Viron Kona Më: 11 korrik 2018 Në ora: 09:37
Viron Kona

1. Gjinit i kishte rënë në kokë për Angjelikën: O e marrë atë, o s`ka! E bukur sa s`thuhej ishte Angjelika. Jo vetëm më e bukura në fshat, por në të gjithë krahinën nuk gjeje dot një tjetër si ajo. -Eh,-thoshte me vete Gjini,-kush e di se kush do ta ketë për fat. Bënte ç`bënte dhe kalonte ndonjëherë andej nga kovaçhana, ku babai i saj Kostandini përgatiste shpata. Ishte mjeshtri më i mirë i shpatave. Thoshin se edhe vet Skënderbeu tek ai e kishte  përgatitur njërën nga shpatat. Dalja herë pas here e Gjinit nga kovaçhana, i kishte rënë në sy edhe mjeshtrit. Ai ia njihte djaloshit familjen dhe fisin, por e shihte dhe vet se ishte djalë në vakt dhe për së mbari, ndaj nuk e prishte zemrën, madje, thellë-thellë në shpirt, ai do ta dëshironte një dhëndër si Gjini.

Sa herë që djaloshi shkonte atje, ndërsa priste që të mprihej shpata apo të rregullohej doreza, mbante vesh se mos kush e di e shihte vajzën, por vetëm tri a katër herë e kishte parë, madje shkarazi sepse ajo vetëm sa i kishte hedhur ndonjë vështrim dhe kishte rrëshqitur diku në korridor apo oborr. Por, ishte vështrim turbullues, që shoqërohej me një nënqeshje të lehtë, sa tallëse, aq edhe sfiduese, si t`i thoshte: “Hë mor djalë, si e ke hallin që m`i ke ngulur sytë si ujku që kërkon gjahun! Apo je vërtet ujk?!” Kurse, zërin, po, ia kishte dëgjuar shumë herë. Vajza kishte zë të ëmbël dhe melodik, por sidomos një të qeshur që të guduliste zemrën, eh! Një ditë, kur ai sapo kishte mprehur shpatën dhe po largohej, iu bë sikur luajti një perde e dritares te shtëpia e Angjelikës. Madje u dëgjua edhe një zhurmë, diçka sikur u rrëzua për tokë dhe u thye. Djaloshit i rrahu zemra, ngaqë  i shkoi mendja se vajza po e përgjonte pas perdeve. Ndjeu krenari mashkullore, kur përfytyroi  se ajo i shmangej sa për sy e faqe, por nga ana tjetër, s`linte rast pa e vëzhguar fshehurazi. E, kjo do të thoshte se ai kishte zgjuar interesin e saj dhe, mos kush e di, edhe ajo ndjente diçka për të!? Eh, sikur!? Pandehma iu duk e besueshme, kur dëgjoi zërin e kovaçit,  që i thoshte djalit të tij të vogël, Justinit, që  të hidhte një sy andej nga dhoma e Angjelikës se mos  ajo macja zevzeke, Mijushja, kishte bërë ndonjë dëm. Mirë minj që nuk zinte, por të paktën të mos bënte dëme në shtëpi!

2. “Kush kërkon gjen”,-thotë proverbi. Atë ditë dimri frynte një erë e fortë, që shpejt u shndërrua në stuhi. Kishte bërë shumë dëme, por kishte vështirësuar edhe kalimin e lumit, që ndante qytetin e Krujës me fshatin e Angjelikës, e ku Gjini do të shkonte për të kryer një porosi të komandantit të gardës së Skënderbeut. Më rast e pa rast, kur dikush kishte ndonjë problem me  armën, Gjini i thoshte se mund t`ia mbaronte ai punën, pasi edhe rrugën andej e kishte, diku tej urës ku edhe kovaçi kishte shtëpinë dhe kovaçhanën...

Vuri re nga larg se ura që lidhte dy skajet e lumit, po lëkundej mos më keq dhe sa s`po këputej, ndërkohë që lumi vërshonte i tërbuar dhe me vorbulla të  frikshme. Pikërisht atje, në skaj të urës, ai dalloi Angjelikën, e cila me një boçe në dorë po përpiqej të kalonte matanë. Edhe pak metra i kishin mbetur, por dukej se kishte rënë në kurth, sepse ngaqë  ura lëkundej shumë, ajo s`mund të bënte dot as edhe një hap më përpara. Mbahej me vështirësi, kapte herë njërën anë të litarit dhe herë tjetrën, kurse stuhia dhe lëkundja e urës e përplasnin sa andej-këndej. Djaloshi po ndiqte me ankth çdo hap dhe lëvizje të saj dhe, si të parandiente diçka të keqe, vrapoi drejt urës. Vajza bëri një përpjekje tjetër dhe thuajse po kalonte matanë, por befas njëri nga litarët ku ajo mbahej, papritmas, u këput. Angjelika lëshoi një klithmë tmerri dhe  ra në  lumin e turbullt e të rrëmbyeshëm. Një vorbull e madhe, si një gojë përbindëshi, e përfshiu brenda saj dhe e nxori vetëm disa dhjetëra metra më larg. Zemra e djalit krisi. Rryma po e tërhiqte vajzën, që po luftonte dhe po thërriste për ndihmë. Ai shoqëroi vetëm një çast me sy lëvizjen e rrjedhës së tërbuar dhe vendosi se nga cili drejtim duhej të hidhej. Pa u menduar gjatë, ashtu siç ishte, me gjithë rroba, u vërvit në ujë. Ishte notar i zoti. I doli kundër rrymës dhe vorbullës rrëmbyese dhe, fati e ndihmoi: në të dhjetat e sekondës arriti ta kapte vajzën. E tërhoqi pas vetes me të dy krahët e fuqishëm dhe, duke notuar fort kundër rrjedhës, po ia arrinte ta nxirrte matanë. Angjelika i ishte lakuar si një dredhkë në trupin e tij muskulor dhe thuajse s`merrte frymë. Një çast i hapi sytë, sikur u kthjellua dhe e pyeti me zë të këputur:

-Po ty, kush të dërgoi, Zoti?

-Po,-iu përgjigj ai,-Zoti më dërgoi. Ja dhe pak dhe po dalim në breg...

Angjelika iu ngjesh edhe më shumë pas tij dhe humbi përsëri ndjenjat. Djaloshi e nxori në breg dhe e shkundi disa herë. Ja, tani, vajza po ndihej disi më mirë, më e kthjellët. E keqja kishte kaluar dhe djali e shihte sikur do ta përpinte. Kishte dy sytë të ndritshëm e shpues, si  të ujkut. Djalë, po djalë!

Pranë u afruan me shpejtësi babai, nëna, motrat dhe vëllezërit më të vegjël të Angjelikës. Të gjithë, kush e kush më parë, zunë ta përqafonin...E kishin parë me ankth të gjithë skenën nga oborri i shtëpisë dhe kishin vrapuar. E jo vetëm ata, por edhe disa fqinj e banorë të fshatit, midis tyre edhe djem të rinj, të cilët do të donin të ishin ata në vendin e  Gjinit, ta kishin shpëtuar ata Angjelikën e  bukur...

-Më shpëtove vajzën, o trim,– i tha kovaçi dhe  e rroku fort për qafe djaloshin.

-T`u bëftë e gjithë jeta dritë, o bir! – i tha nëna e Angjelikës, duke e marrë edhe ajo për qafe.

-Deshi të na i rrëmbente kuçedra këtë hyjneshë, por t`i u ndeshe dhe ia hoqe nga kthetrat,-i tha kryeplaku i fshatit Araniti.-Të lumtë, o djalë!

Kështu, me fjalë zemre dhe urime të ngrohta e përshëndetën e gjithë familja, fqinjët dhe banorët e fshatit, që kishin mbushur  oborrin. Fjala mori dhënë: Gjini i Malajve, kishte shpëtuar nga mbytja Angjelikën, bijën e bukur të kovaçit...

Sa ishte ende e nxehtë ngjarja, Gjini dërgoi njerëzit e familjes dhe të fisit te familja e Angjelikës dhe kërkuan dorën e saj. I priti jo vetëm familja e fisi, por i gjithë fshati. Gjinin e vlerësonin si hero dhe të gjithë e donin dhe  e respektonin. Kur njerëzit e djalit bënë kërkesën sipas zakonit, kovaçi i falënderoi dhe iu drejtua Gjinit:

-Djalë s`të bëj dot, o trim, se të ka fat tjetër kush, por dhëndër po të bëj me shumë dëshirë! S`gjej dot tjetër më të mirë se ty!

Po mendonin të caktonin ditën e dasmës, kur erdhi lajmi së Sulltan Murati i Dytë, më ushtrinë më të madhe të Perandorisë, do të sulmonin Krujën. Ngjarje e i hidhur dhe tronditëse, si për të gjithë vendin dhe për çiftin e ri. Por kohëve u duhej bërë ballë, jeta do të vazhdonte: E, atëherë, vendosën: Dasmën do ta bëjmë në kalanë e çliruar...E po, le të na vejë mbarë, dy dasma përnjëherë!

Turqit po afroheshin. Gjinin e caktuan në kala, me komandant Kont Uranin.

Ishte mbrëmja e fundit dhe të nesërmen ai do të shkonte në kala. Ishin strukur në një qoshe të lëndinës prapa shtëpisë dhe bisedonin në dritën e hënës:

-Më mirë në kala, je më i mbrojtur, -i pëshpëriti ajo.

Ai bëri buzën në gaz.

-Konti na thotë që “Kastrioti na e la neve qytetin në dorë, që ta mbrojmë dhe jo të na mbrojë». Por, ta dish, unë do të mbrojë kalanë, ama ty do të të kem në mendje!

-Mbroje kalanë, por mbro dhe veten, Gjin! Pa ty, çdo të bëj unë?

Ai e tërhoqi pas vetes, teksa bashkë me frymëmarrjet e tyre të nxehta, përziheshin shpresat dhe ëndrrat për të ardhmen...

3. Ishte muaji i katërt i rrethimit dhe ndonëse kalaja ishte mbrojtur me sakrifica dhe heroizëm, gjylet e topave të mëdhenj dhe sulmet e vazhdueshme e të pandërprera, kishin shkaktuar dëmtime të shumta, ndërkohë që edhe shumë luftëtarë kishin rënë dëshmorë ose ishin plagosur.

-Kruja është zemra e trojeve tona, duke mbrojtur atë, ne mbrojmë Arbërinë e shenjtë, - kishte thënë Skënderbeu.

Kont Urani, ndër kështjellarët e famshëm të kohës, së bashku me afro katër mijë luftëtarë, ia kishin dalë ta mbronin kalanë. Skënderbeu i  kishte stërvitur mirë, por edhe Kont Urani kishte ngulmuar që secili ushtar dhe oficer të ishte i aftë të mbronte pozicionin e vetë, duke përdorur të gjithë llojet e armëve dhe të shkathtësohej në metodat e luftimit mbrojtës. Ai, si edhe Kryezoti i Arbërisë, ishte orator dhe zemërgjerë, kishte një kujtesë të rrallë dhe i mbante mend pothuajse të gjithë emrat e luftëtarëve të tij, dinte të dëgjonte me urtësi e durim dhe, pas vendimeve që merrte, lëshohej vet i pari atje ku sulmi ishte më i rrezikshëm.

Gjinin  e kishte krah të djathtë. I kishte ngarkuar detyrë të komandonte një togë luftëtarësh dhe e përmendte shpesh si një mjeshtër në përdorimin e makinave gurë hedhëse e dyfekëve, por edhe në përdorimin e armëve të zakonshme: shpatës, heshtës, harkut dhe shigjetës, ashtu dhe për luftimet trup me trup me armikun.

-Merre edhe këtë djalë,-i kishte thënë Kont Uranit, Skënderbeu, -jam i sigurt se do të luftojë fort, dhe, sapo të shporrim Sulltan Muratin, dasmën do t`ia bëjmë në kala. Si thua o trim? – dhe duke i thënë këto fjalë, i kishte rënë shpatullave përzemërsisht.

-Ndihem i nderuar,-kishte mundur t`i thoshte Gjini, teksa e shihte me admirim të thellë Kryezotin e Arbërisë, që i rrinte përballë, shtathedhur dhe i fuqishëm, i hijshëm, me trup të derdhur si heronjtë e lashtësisë, me sytë që i shkëlqenin plotë dritë e gjallëri...

Gjini e kujtonte shpesh atë çast, teksa përfytyronte pranë vetes Angjelikën e veshur nuse dhe ambientin brenda kalasë të mbushur me dasmorë, me zëra miqësorë e të hareshëm, që e uronin, ngrinin dolli me fund, vallëzonin, luanin lojëra popullore, bënin humor, këndonin, hidhnin lule dhe shkrepnin dyfekë duke i shoqëruar krismat me britma gëzimi...

Kont Urani, u afrua tek toga e ushtarëve që komandonte  Gjini:

-Sulltani është bërë bishë, o djem! Nuk po e duron dot më disfatën që po i shkakton Skënderbeu me sulmet e tij. Populli ynë, por edhe shumë popuj të botës i kanë sytë te kalaja jonë. Ata shohin me shpresë e besim, mbajnë vesh se si do përfundojë ky rrethim, do të mbahemi gjer në fund apo jo? Ky është një  rast i madh për ne, le të tregojmë se cilët jemi. Historia po zhvillohet te këta shkëmbinj dhe këtu do të shkruhet, mos e harroni këtë! Dhe, tani, t`i futemi punës. Nuk dua asnjë boshllëk në bedena dhe në mure. Armët mbrojtëse dhe të gjitha mjetet e luftimit t`i kemi çdo çast në gatishmëri të plot. Në çdo hapësirë e cep të kalasë, duhet t`i presim osmanët me tehun e  shpatave, me heshta dhe shigjeta, me armët e zjarrit dhe gurë hedhëset, me zift, vaj dhe ujë të nxehtë, me hunj të mprehtë, me zjarre, por edhe me trupat tanë...Mos nënvleftësoni koshat dhe grumbujt me gurë që i kemi me bollëk. T`ua hedhim nga lart me breshëri dhe t`i mbulojmë me to, po qe nevoja edhe malin t`ua shembim mbi kokë...

Sulmet e dhjetëra mijëra turqve nuk reshtnin, si dallgët e detit, si lumenj të rrëmbyer, si ortekë të fuqishëm, ata ishin ordhi të vërteta bishash. Arritën disa herë deri tek porta kryesore e kalasë me krye-desh dhe makina shkatërruese, përpiqeshin ta thyenin portën me çekiçë e vare, me zjarre dhe goditje topi, me gjithçka të mundshme, por pa dobi. Kush afrohej atje, s`kthehej më i gjallë, ndërsa të tjerët merrnin arratinë të lemerisur...

Ngadalë tek gjithë po krijohej mendimi se, e  rrethuar nuk ishte kalaja e Krujës, por i rrethuar ishte vet Sulltani me ushtrinë e tij të stërmadhe. Skënderbeu i kishte vënë në darë, në kurth. Ai nuk e lejonte bishën armike gjigante të përqendrohej e tëra në goditjen e kalasë, por me këmbësorët dhe kalorësit e tij, të armatosur lehtë, të shkathët e të zhdërvjelltë, e mbante armikun në alarm të përhershëm, sulmonte befasisht dhe nga ata s`e prisnin,  ditën dhe natën, organizonte prita dhe kurthe, i priste rrugët e furnizimit, përdorte çdo mënyrë e mjet luftimi, madje shumë herë sulmonte në disa drejtime njëkohësisht.

Gjithë veprimet i kombinonte me luftëtarët që mbronin kalanë, të cilët, hapnin papritmas portën e madhe dhe i suleshin ushtrisë gjigante, si Davidi kundër Goliatit. Ata digjnin kullat  lëvizëse sulmuese, u vinin flakën çadrave të osmanëve, ndesheshin në luftime të rrepta, duke shkaktuar kaos, tmerr dhe panik të madh në radhët e ushtrisë armike dhe, në fund, tërhiqeshin në kala në mënyrë të rregullt, si një trup i vetëm. Si pasojë, ushtria 100 mijëshe osmane shtypej, copëzohej, plagosej, gërryej pareshtur dhe, ende pa arritur të mbyllte një plagë, i krijoheshin njëherazi disa plagë të tjera edhe më të thella...

Gjinit i shkonte mendja herë pas here tek Angjelika, por në kushtet ku ndodhej nuk kishte asnjë mundësi komunikimi. Në shpinë ishte mali i Krujës, kurse kupa e qiellit rrinte vazhdimisht e errët dhe e  nxirë nga tymi i topave, që s`ndaleshin së godituri kalanë. Angjelika ndodhej larg, në kalanë e fshehtë të Gurit të Bardhë, atje ku ishin strehuar me mijëra banorë të Krujës, që ndiqnin nga larg dhe me ankth fatin dhe përfundimin e  luftës. E vetmja mënyrë komunikimi ishin pëllumbat lajmëtarë, por, ku kishte pëllumba në atë qiell të errët e të zi. Asnjë lloj zogu nuk mund të fluturonte ato kohë në qiellin  Tiranës dhe të Krujës.

Thonë së, bisha e egër, kur plagoset rëndë mbledh tërë fuqitë dhe shpërthen e bën gjëmën. Kështu dhe Sulltan Murati, njëri ndër sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, që me luftëra të vazhdueshme e kishte zgjeruar shumë Perandorinë, i dërmuar rëndë ushtarakisht dhe moralisht, po niste atë mëngjes një betejë përfundimtare për jetë a vdekje. Po hidhte të gjithë ushtrinë në luftë, të gjithë...

-Gjin,-i tha Kont Urani,- merr togën dhe nisu djalë, nisu...atje te muret, te vendi yt..Kujdes, nuk dua aventura të panevojshme. Ja, e shikon, që këtej nga bedenat po duket ushtria që po lëviz. Sikur po lëviz drejt nesh e gjithë fusha e Tiranës dhe e Krujës. Sulltani  po i hedh   të gjithë në sulm, luftoni ashpër, por mos lejo që djemtë gjakndezur të bien në gracka...Hajde djalë, “Kalaja është e jona”!-i tha ai, duke i përmendur parullën e asaj ditë.

-Kalaja është e jona!”, komandant!-iu përgjigj luftëtari dhe u nis për tek toga e tij.

Ushtria osmane po shkulej nga vendi i fushimit dhe e tëra po lëvizte drejt kalasë. Toka dridhej nga hapat e 100 mijë ushtarëve, që nën gjëmimin e pareshtur të topave dhe të daulleve, nisën sulmin me britma dhe ulërima, me shkallë e kulla e sulmuese, me këmbësorë e kalorës, me buaj që tërhiqnin karroca e  qerre, me “breshka” mbrojtëse me rrota dhe makina lufte në të gjithë drejtimet. Ndërkaq, mijëra luftëtarë alpinë, ngjiteshin në mure me thonj e çengela si merimanga; zvarriteshin e rrëshqisnin shkëmbinjve si gjarpërinj, përdornin mjeshtërisht litarët; xhenierët hapnin zgavra dhe llagëme si minjtë e brumbujt dhe vendosnin lëndë shpërthyese poshtë portës së madhe dhe nëpër mure...Një zallamahi e madhe, zjarr, flakë dhe tym i zi rrethonte kalanë e bardhë të Krujës...

4. Ndërsa luftonin dhe rrëzonin shkallët me ushtarë osmanë poshtë mureve, Gjini vuri re se në krahun e  djathtë, u shfaq befas një shkallë e stërmadhe, ndryshe nga të tjerat me anë të së cilës po ngjiteshin dhjetëra, qindra osmanë, si lukuni ujqërish të papërmbajtur...Ja, disa arritën të hidhen mbi bedena. Vringëllinin shpatat, goditnin me heshta dhe shigjeta, luftonin të tërbuar dhe thërrisnin të tjerët të ngjiteshin...Nëpërmjet asaj shkalle të stërmadhe ata kishin krijuar një shteg ajror, një korridor kalimi, që s`donin ta lëshonin. Gjini dërgoi njërin nga luftëtarët te Kont Urani, për të kërkuar përforcime të tjera, pasi gjendja po bëhej përherë e më e rëndë. Osmanët kishin marrë zemër dhe s`po ndaleshin. Dukej që ajo shkallë ishte ndryshe, ishte shumë më e rëndë, shumë më e madhe, ishte një shkallë  metalike. Si vallë kishim mundur ta ngrinin dhe ta hidhnin mbi mur? Ndërkaq, mbi ta, mbi mbrojtësit e kështjellës, por dhe mbi sulmuesit, njëherazi, vazhdonin të  binin pareshtur gjylet e topave të mëdhenj. Pashallarët dhe gjeneralët osmanë, nuk po pyesnin më se kë po godisnin, ata kërkonin me çdo kusht të ngjiteshin, të pushtonin kalanë, ky ishte urdhri i prerë i Muratit, ndryshe, u ikte koka.. Situata po bëhej nga më dramatikët. Pranë Gjinit u afrua ushtari që kishte dërguar për të kërkuar ndihmë.

-Konti Urani më tha: “Të mbrojmë kalanë! Të mbrojmë familjet tona! Të mbrojmë Arbërinë!”

Brumbujt osmanë vazhdonin të ngjiteshin dhe po grumbulloheshin mbi mure. Në fytyrat e tyre shihej ngadhënjimi, ndërsa  pak më poshtë dikush prej tyre, po zgjaste duart të ngrinte mbi bedena flamurin e mëndafshtë të gjysmëhënës.

Duhej ndalur doemos ai vërshim, duhej ndërprerë  ajo ordhi që vijonte ngjitjen. Një ndërprerje, një boshllëk, do t`u krijonte mundësinë luftëtarëve arbër t`i grinin, t`i shpartallonin dhe pastaj t`i rrëzonin poshtë shkallës së madhe  ata që kishin arritur të kalonin bedenat. Ndryshe, kalaja po shkonte drejt fundit...

Dhe, pa e kuptuar as vetë se si  e mori guximin, ai zbrazi mbi vete një kovë plot me zift dhe, duke marrë  një pishtar zjarri në dorë, u lëshua shigjetë atje ku vazhdonte të ngjitej me britma dhe ulërima ordhia osmane. Vetëm një gjë donte ato çaste: të mos e goditnin sa pa mbërritur te bedeni, atje ku ndodhej maja e shkallës së stërmadhe. Dhe, duke vringëllirë  shpatën dhe duke tundur në fytyrë të armiqve urën e zjarrit, ia arriti. Pa u menduar dy herë, i vuri flakën vetes dhe, me emrin e Arbërisë në gojë, u vërvit me të gjithë fuqinë dhe peshën e trupit si një gjyle e zjarrtë mbi vargun e osmanëve, që vazhdonin t`i ngjiteshin shkallës së hekurt...

Dikur ishte hedhur në vorbullat përthithëse të lumit për të shpëtuar të vluarën e tij, Angjelikën e bukur, të cilën, vetëtimthi, ato çaste e përfytyroi të veshur krejt me të bardha dhe me shikim plot ankth e krenari nga kalaja; kurse, tani, ai ishte hedhur përsëri, por kësaj here për t`u  shndërruar në flakë vetëtime mbi brumbujt  e zinj osmanë, që po kërkonin të përdhosnin kalanë e shenjtë...

Shfaqja e papritur e asaj gjëje të zjarrtë, që u binte me shpejtësi nga sipër, i la pa frymë, i llahtarisi osmanët, teksa ndjenin mbi vete, çast pas çasti, goditjen flakëruese, që i shtynte dhe i përplaste pa mëshirë. Dhe, ashtu si reshti i tullave, që kur goditet njëra, bien të gjitha radhë njëra pas tjetrës, edhe ushtarët osmanë, po rrëzoheshin me tmerr e duke klithur në humnerën e thellë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat