HAPU këtë edicion nuk lëvizë vet por lëvizë qytetin

Kultura

HAPU këtë edicion nuk lëvizë vet por lëvizë qytetin

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 21:03

Festivali HAPU, edhe këtë vit ka në qendër lëvizjen në hapësirat publike të qytetit të Prishtinës, duke vazhduar eksplorimin e tyre të pashterur në kërkim të pikave që provokojnë lëvizjen e përbashkët me qytetin. Sipas drejtorit artistik të festivalit, Florent Mehmeti, me këto lëvizje publiku do të përjetoj së bashku eksplorimin e limiteve dhe ndryshimin e këndvështrimit për kryeqytetin.

“Duke lëvizur do të takohemi, do të bashkë-krijojmë, bashkë-bisedojmë e bashkë-ndjejmë dhe do të bashkë-lëvizim. Lëvizja e qytetit do të na prodhojë imazhet e lëvizura të transformuar në një film që për rol kryesor ka banorët e këtij qyteti dhe vizitorët e shumtë në këtë kohë”, është shprehur ai.

HAPU këtë vit hapet në natën e parë me lëvizjet e “Liquid Loft” nga Austria, mjeshtërisht të koreografuara nga Chris Haring duke lëvizur kështu bashkë me publikun deri në oborrin e Muzeut të Kosovës dhe prej aty do të jehojnë në kokat tuaja shumë e shumë gjuhë nga kënde të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe gjuhën e regjistruar në Prishtinë, të asociuara me imazhet në lëvizje të krijuara me finesë nga Liquid Loft.

“Duke vënë në lëvizje trupat dhe duart tona të udhëhequra nga Frank Bölter do të palosim së bashku origami objekte të madhësive reale që lëvizin me ne. Do t’i lëvizim së bashku dhe t’i vendosim në pika, prej ku objektet tona do të kërkojnë me ngulm lëvizjet që duhet bërë për të mirën e përbashkët”, është shprehur Mehmeti në komunikatën e dërguar për media.

Pikënisja tjetër e lëvizjes është vendosur në objektin e Fakultetit të Arteve, prej ku do të fillohet udhëtimi artistik, i krijuar nga Kunstlabor nga Graci i Austrisë dhe artistët vendorë nga Teatri ODA, duke lëvizur brenda e jashtë zonave “in betëeen” (‘zonave ndërmjet’) për të vazhduar këto lëvizje në ditët e para të gushtit në Festivalin La Strada në Grac të Austrisë.

Lëvizëse do të jetë edhe nata e fundit me lëvizjet e aktorëve në ulje e ngritje të kompanisë së re NOA dance teatër në bashkëpunim me Teatrin ODA, nën përkujdesjen e mjeshtërisë koreografike të Robert Nuhës.
Lëvizjet e këtij edicioni të Festivalit HAPU janë prodhim i lëvizjeve të shumta gjatë gjithë vitit duke parë e shijuar artistë evropiane e duke lëvizur artin dhe artistët e Kosovës në nivelin evropian në kuadër të partneritetit të festivali me IN SITU.

“Ky partneritet i veçantë na ka frymëzuar për të krijuar e për të vendosur këto lëvizje evropiane në hartën e Prishtinës dhe jemi të sigurt që njëjtë do të ju frymëzojnë edhe juve gjatë lëvizjeve në hapësirën tonë të përbashkët, duke lëvizur kështu bashkërisht qytetin”, është shprehur në fund Florent Mehmet.

Festivali i Artit në Hapësirë Publike do të mbahet nga 19 deri më 21 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat