Shkrimtari Skënder Hasko “rron” mes nesh

Kultura

Shkrimtari Skënder Hasko “rron” mes nesh

Nga: Sejdo Harka Më: 12 korrik 2018 Në ora: 22:34
Skënder Hasko

Kanë kaluar mbi 5 vjetë nga koha që shkrimtari dhe publicisi i njohur Skënder Hasko ndërroi jetë, kur ende ishte aktiv e plot energji krijuese. Portreti i tij njerëzor tepër i dashur e i sinqertë dhe  krijues i spikatur e shumëplanësh ,ka mbetur i gjallë në kujtesën e tërë brezave të lexuesve: të vegjël, të rinj e të rritur.Ne, miqtë e shokët e tij të vjetër e kemi bërë zakon të mblidhemi në datën kur ai ka ditlindjen, tek i njëjti vend ku takoheshim rregullisht me të, para pesë vitesh, për të trokitur gotat me mungesën e tij fizike ,por me praninë e tij shpirtërore. Ato ditë po e po, por edhe sa herë që veprimaritë letrare apo interesat kulturore e krijuese na bëjnë bashkë, Skënder Haskon e kemi mes nesh të pranishëm nëpërmjet kujtimeve të bukura.Flasim e diskutojmë me të sikur ta kemi pranë; qeshim e dabatojmë, kujtojmë batutat e tij të forta plot kripë e humor, vlerësimet për krijimet a punët tona të mira, por edhe fshikullimet e qortimet, që ai i bënte me aq dashamirësi e lezet, prej të cilave buronte si uji i kthjellët mirnjohja, humori dhe gëzimi dhe largohej si hije mëria , zënka e trishtimi.Skënderi spikaste në mënyrë të veçantë me dashurinë që kishte për miqtë e shokët dhe sidomos për lexuesit. Këtë e tregon edhe fakti që ai kishte menduar e punuar për ta ushqyer sa më gjatë këtë dashuri, duke lënë të përfunduara disa vëllime me tregime për fëmijë, dy nga të cilët, “Rrëfimet e rrugës” dhe “S’ka si shoku im”, janë botuar së fundmi nën kujdesin e vëllezërve të tij, Birçes dhe Arifit. Siç tregon i vëllai, shkrimtari Arif Hasko, kur Skënderi qe bindur se po e linin fuqitë… i kishte thënë:

“E shikon këtë  tru elektronik? Në “barkun” e tij kam lënë ca “fëmijë”, që do më mbeten jetimë. Ata duan të takojnë miqtë e mi dhe miqtë e tyre, lexuesit. Besoj se do t’ia gjeni anën për t’i nxjerrë në dritë”. Amaneti i tij u përmbush. Madje në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar u bë përurimi i tyre dhe librat u shpërndanë falas për lexuesit e dashamirësit pjesëmarrës. Me atë rast u diskutua gjerësisht edhe për jetën dhe krijimtarinë letrare të autorit.Aty, jo vetëm diskutuan shkrimtarë e kritikë të njohur, si: Klara Kodra, Riza Braholli, Sazan Goliku, Bardhyl Xhama, Vasil Prençi, por dhe u shfaqën me projektor tërë veprat e Skënder Haskos, si edhe pjesë nga vjershat më të njohura të tij. Në fund, vëllai i tij, aktori i njohur Birçe Hasko, mes të tjerash tha: “Ju falënderoj të gjithë juve, shokëve, miqve e  dashamirësve të vëllait tim, Skënderit, për dashurinë e respektin e sinqertë që kini patur për të kur ishte mes jush, gjë që e dëshmojnë të djeshmet e të sotmet e pasvdekjes!”Po kush ishte në të vërtetë Skënder Hasko?Siç shkruan edhe vetë në kujtimet e tij, ai erdhi në jetë në një natë të gjatë marsi të vitit 1936. Nëna e tij i pat treguar se ishte shfaqur me të qara të fuqishme, sikur ato të qenë  profecia e një jete të vështirë, me të përpjeta të mëdha. Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me vendlindjen e tij, Dukatin e Llogoranë e Vlorës, ku çdo gjë i dukej e bukur: edhe deti, edhe gurët, dhe njerëzit, edhe ujët. Qysh fëmijë ai shfaqi natyrën e tij si kërkues e krijues, duke provuar, mësuar e ushtruar zanate që ishin të vështira edhe për të rriturit, por që në sajë të dëshirave të fuqishme, të vullnetit e këmbënguljes  së tij ai arriti t’ia dilte mbanë . Menjëherë mbas shkollës 7-vjeçare ai mbaroi një kurs për mësuesi dhe u emërua mësues në fshatin e tij. Por ëndrra e tij ishin publicistika dhe letërsia. Viti 1959 Skënderin do ta gjente mekanik në Uzinën Mekanike të Kuçovës, ku lidhet ngushtë me grupet kulturore amatore- trempolina prej nga u shfaq në skenën e estradës së qytetit të Beratit, ku u njoh dhe lidhi jetën me gjimnazisten Shane Balili, e cila, asokohe interpretonte këngë popullore si debutuese e jashtme në estradën e Beratit. Kështu nisi jeta e një çifti simpatik të mbushur me ëndrra të bukura, të cilat u jepnin lumturi. Por fatkeqësisht lumturinë e këtij çifti model e preu në mes vdekja e parakohshme e Shanes, bashkëshortes, mësueses e këngëtares së talentuar të atyre anëve. Dëshpërimin e tij të thellë për “gjysmën e tij më të mirë”, siç e quante vet Skënderi, ai do ta shprehte në vargjet: “Ah, ky fati, çfarë fati,/ Fshehtas për fyti më kapi,/  Më shtriu, më shkeli me këmbë,/ Ma mbushi zemrën me plagë”. Kudo ku punoi e jetoi Skënderi la pas emrin dhe zemrën, shpirtin dhe ëndrrën e vetë. Talenti i tij i rrallë u shfaq si mësues e gazetar, si aktor e shkrimtar, por edhe si drejtues e veprimtar i rrallë. Pasi mbaroi studimet e larta për gazetari, duke qenë njëherazi edhe drejtor i Klubit Studenti, punoi e drejtoi organe të ndryshme të shtypit e të kulturës, si: gazetar e redaktor në Revistën “Hosteni”, punonjës i Institutit të Kulturës Popullore, kryeredaktor i Revistës “Pionieri”, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kukullave. Në kujtesën e njerëzve Skënderi ka mbetur jo vetëm si aktor humori, por edhe si aktor filmash. Miq e shokë të tij të ngushtë ishin shkrimtarë dhe artistë të njohur, si: Lasgush Poradeci, Shefqet Musarai, Petro Marko, Odise Grillo, Adelina Mamaqi, Bardhyl Xhama,Murat Gecaj,Viron Kona…, por dhe njerëz të thjeshtë, ndër të cilët ai kujtonte me respekt të veçantë Ali Cenaj i cili, si me magji, e risolli në jetë nga një vdekje e papritur klinike. Ndaj, si me shaka, thoshte shpesh: “Vdekja me mua e ka humbur davanë, sepse jo vetëm e kam mallëkuar, por edhe e kam mundur”. Skënderi ishte njeri i drejtë, ndaj jo rrallë ishte shpërthyes si dallgët e detit. Aty ku ishte Skënderi ishte edhe qetësia edhe shpërthimi, edhe protesta edhe flijimi, edhe humori edhe trishtimi. Në jetë, siç thekson dhe vetë në kujtimet e tij, shijoi edhe bollëkun edhe varfërinë, edhe ëmbëlsinë e mjaltit edhe hidhërimin e zeherit.

Por, të pavdekshëm Skënder Haskon e ka bërë krijimtaria e tij e shumëtë e cilësore, me një tematikë të gjerë e të larmishme. Të shkruash për këtë krijimtari duhen faqe të tëra, por po ndalem shkurt në disa nga tiparet dhe karakteristikat e saj më të spikatura. Shkrimtari dhe publicisti Skënder Hasko ka filluar të shkruajë që në fillim të viteve ‘70-të. Ai ka botuar mbi 56 libra, 14 prej të cilave janë nderuar me çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, si: “La Fonten”, “Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodari”, “Tasim Gjokutaj” etj. Me brendinë, karakteret, humorin dhe mesazhet që Hasko përcjell te lexuesit, ka bërë që fëmijët të meditojnë si të rritur, ndërsa të rriturit të qajnë e të qeshin si fëmijët.Ai kishte një lidhje shumë të ngushtë me vendlindjen, prandaj nga pena e tij burojnë vargje të ndjera si këto: “Në vdeksha larg…/ Ku jeta më degdisi,/ Aty do të mbij unë përsëri,/ Siç mbin një lënde lisi…”.Të bukura dhe plot emocione tingëllojnë në veshin e lexuesit edhe poezitë e tij erotike të përfshira në vëllimin “Ah…” Dashuria për të është një magji që të sjell herë gëzim, herë trishtim. Ajo herë të ngroh shpirtin, herë të ftoh mendjen. Në poezitë e tij dashuria nuk është platonike si tek Naimi, por konkrete si në vargjet e Çajupit. Të dashurës së tij ai i drejtohet me vagjet: “Zbrit sorkadhe tatëpjetë,/ Të më falësh dashuri,/ Të më ndezësh zjarr në gji”!Të pavdekshëm e kanë bërë poetin Skënder Hasko edhe poezitë me vlera didaktike e tepër edukative, si vargjet: “Për një “m” që ti s’e vë,/

Fjala mik, bëhet ik,/ Ç’bën kështu more Besnik,? A i thuhet mikut ik?!” Vargje të tillë kanë vite që kalojnë gojë më gojë dhe s’kanë për t’u harruar kurrë. I kësaj natyre është edhe vëllimi poetik për fëmijë “Vallja e shkronjave”, i cili, për dobinë që ka për nxënësit e klasave të para për lehtësimin e mësimit të alfabetit shqip,në Kosovë është ribotuar tetë herë .Një nga librat më të bukura të Skënderit është romani “6 muaj nga jeta e Besianit”. Jo vetëm për tematikën e veçantë, por edhe për dramacitetin e thellë e gjuhën e gjallë, ai u vlerësua si libri më i mirë për fëmijë i vitit 2005. Në qendër të romanit është Besiani, një fëmijë që bie pre e xhelatëve të trafikimit të qenieve njerëzore, Tushit dhe Nushit, të cilët, jo vetëm nga zanati i mallëkuar që ushtronin, por edhe nga emrat e tyre afërsisht të njëjtë, ngjajnë si dy pika uji të pista dhe të ftohta si akulli. Vepra të tilla, me mesazhe të fuqishme gjithëkohore, për vlerat që përcjellin, i kalojnë caqet hapësinore që kufizojnë shtete. Edhe në dy librat e fundit për fëmijë, botuar pas vdekjes, lexuesi has në karaktere interesante, si: Cinxo lajkaxhiu, Sajmir indiferenti, Ardit kokëpërpjeti, Fatos gënjeshtari, Genc mburraveci e të tjerë. Brendia dhe karakteret e tregimeve të vëllimeve më të fundit të tij kanë vlera të veçanta edukative e artistike, jo vetëm pse tregohet me një gjuhë të bukur e të gjallë, në përshtatje me moshën, por edhe për faktin se karakteret e fëmijëve ai i vë në provë e veprim për t’u vetëkorrigjuar e shëruar nga veset e konceptet e gabuara. Në autografin e librit të fundit që shkrimtari Skënder Hasko më dhuroi, më shkruante: “Ja ku më ke, kur të mos jem!” Dhe vërtetë, sa herë shfletoj librat e tij, më shfaqet para syve, ashtu, i gjallë, me atë pamjen e tij në dukje të ashpër, po shumë të butë e tejet të njerëzishme. Ndërkohë trurin ma përshkojnë dhimbshëm vargjet e tij të shkëlqyera: “Kur të shihni se kam vdekur,/ Edhe frymë as marr, as jap,/ Merrjani këngës dukaçe,/ Edhe unë do ngjallem prapë”!Ndaj themi  :Skënder Hasko “ rron i gjallë mes nesh,sepse ai,edhe pse ka vite që ka ndërruar jetë, vijon të shkruajë  e të komunikojë shpirtërisht me lexuesit , miqtë dhe shokët.“Njerëz  të tillë nuk vdesin kurrë.Ata rrojnë në veprat ,ëndrrat dhe  shëmbulli,që u lënë pas brezave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat