Shpalosje historike e lavdisë kombëtare

Kultura

Shpalosje historike e lavdisë kombëtare

Xheladin MJEKU Nga Xheladin MJEKU Më 5 gusht 2018 Në ora: 19:43
Muhamet Mjeku: “BINAK ALIA DHE BREZAT PAS TIJ” - New York, 2016

ÇASJE

Publicisti Muhamet Mjeku (1943), është dëshmuar edhe më parë me paraqitjen e portreteve historike, kombëtare dhe kulturore, qoftë si figura emblematike, qoftë me përcaktimin e vendit meritor në ngjarje e rrethana historike kur kanë jetuar e vepruar.  Portretizimi i Shaban Polluzhës në monografinë "Shaban Polluzha dhe Lufta e Drenicës", trajtimi i kushteve dhe rrethanave në të cilat veproi ai, duke e nxjerr në dritë qëllimin dhe vlerën e Luftës së Drenicës, dëshmoi bindshëm se ky autor ka afinitetin e hulumtuesit me durim të çelniktë, që të gjurmoi deri në imtësira të ngjarjeve historike, duke e ruajtur me besnikëri gjithë esencën dhe qëllimin e asaj që ka ndodhur në rrethana të caktuara, pa mos ia tjetërsuar qëllimin për përmbushjen e interesave minore të rastit të njerëzve të politikës ditore. Pas këtij botimi, autori sjell edhe shumë tituj e vepra tjera, si: “Vdekja në bunker”, ribotimin e plotësuar dhe të përmirësuar “Lufta e Drenicës - Shaban Polluzha”, “Pse sulmohet Drenica”, “Kosova në dimrin e vitit 1945", “Shqiptarët 120 vjet pas Lidhjes së Prizerenit", “Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës", etj. për të ardhur së fundit tek lexuesi me monografinë “Binak Alia dhe brezat pas tij”, si vlerë dhe realizim shumë të veçantë dhe të dobishme për të gjitha kategoritë e lexuesve dhe për studiues të ndryshëm të kësaj pjese të lavdisë dhe sakrificave tona kombëtare.

MULOSMANAJT E BINAK ALISË - SHTIGJEVE TË HISTORISË

Image

Monografia “Binak Alia dhe brezat pas tij”, edhe si monografi, edhe si shpalosje historike e  një periudhe të kaluar, vjen e kompletuar me fakte e dëshmi të një rrugëtimi të gjatë e të pandalshëm të një familje, që në breza i dha atdheut dhe qështjes kombëtare emra e figura ndër më qendroret për arritjen e qëllimeve madhore të çlirimit dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare, duke mos anashkaluar edhe përballjen me varfërinë, ngatërresat dhe vrasjet për qështje të ndryshme, të cilave duhet gjetur zgjidhje. Gjithnjë me qëndrimin që të bashkuar e të sigurtë të vazhdohet tutje në përballjen me armiqtë e shumtë në të gjitha kohërat që vepruan, për asnjë rast  nuk kursyen asgjë nga vetja, duke kordinuar punët dhe synimet e tyre në mposhtjen e përhershme të okupuesve turq, serb, malazezë dhe s’fundi edhe politikën famëkeqe të komunizmit, që kishin për qëllim shkëputje të territoreve tona, duke tkurrur në nazhdimësi gjeografinë e trojeve etnike shqiptare. Këtë mund ta baraspeshoj me vlerësimin e autorit në “Parafjala”, ku shprehet: “Më duhet të theksoj se për secilin protagonist të përmendur në këtë monografi mund të shkruhen faqe e faqe, ku secili prej tyre ka një histori, një biografi, një vepër kombëtare të lënë pas, shumë luftëra dhe veprimtari humanitare, mirëpo të gjitha këto janë skicuar këtu në një dimension më të ngushtë për të dhënë një kompozicion të pashkëputshëm trajektimi që në të ardhshmën të tjerëve do t'u jipet mundësia për të prezentuar, studijuar, secilin veç e veç” fq. 17).

Figura e Binak Alisë, përkundër censurës gjatë tërë  periudhës së gjatë komuniste, është paraqitur në shumë shkrime historike, në punime e kumtesa shkencore të Institutit Albanologjik të Prishtinës nga studiues të dëshmuar, si Akademik Pajazit Nushi, Anton Çetta, etj. Poashtu edhe shumë gazeta e revista në gjuhën shqipe, që botoheshin jashtë Shqipërisë , pastaj edhe shumë të huaj që kanë vizituar Shqipërinë, kanë vlerësuar lart veprën e Binak Alisë. Ai është i pranishëm edhe në shumë vepra të artit e letërsisë, si në romain “Prilli i thyer” të Ismail Kadaresë, në romanin e Sulejman Krasniqit “Pusha top, Bajram Curr”, e ndonjë tjetër, që dëshmojnë se ky personalitet gjithmonë ka qenë frymëzues i brezave dhe ka bërë punën e tij prej atdhetari të devotshëm në ngritjen e moralit të gjeneratave të reja, që asnjëherë nuk pushuan së kërkuari shtigjet e reja në rrugëtimin e pandalshëm drejt çlirimit të vendit.     

Binak Alia, si personalitet i shumëfisht, shquhet për patriotizmin dhe veprimtarinë e tij në kauzën kombëtare. Veçanërish aktivitetin e tij e zhvilloi si organizator i suksesshëm i kryengritjeve popullore në shumë vendbanime shqiptare dhe si gjykatës popullor, meqë atdheut i mungonte një institucion përkatës ku do të bëhej drejtësia. Ai njihet edhe si pjesëmarrës dhe veprimtar aktiv në shumë kuvende popullore, siç është i njohur për opinionin lexues Kuvendi i Junikut; pastaj ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, etj. Binak Alia ishte njohës dhe interpret i mirë i neneve kanunore dhe paragrafeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit, që i mundësonin në ndarjen e drejtësisë dhe në pajtimin e gjaqeve. Veçanërisht duhet përmendur fjalën e tij të paraqitur në Kuvendin e Junikut (1877), për pajtimin e domosdoshëm dhe të shpejtë të fiseve dhe familjeve të shumta të mbyllura prej vitesh nga hasmëritë e ndryshme, me qëllimin e vetëm që të bashkuar ta luftojnë fuqishëm Perandorinë Osmane. Ky fjalim ishte mirëpritur fuqishëm nga të pranishmit në Kuvend, ku përfaqësonin trojet shqiptare, nga Shqipëria e Veriut dhe Kosova.

Në rrugën pasuese të tij vijnë emra të dëshmuar nga kjo familje e madhe tropojane, ku shquhen për devotshmërinë kombëtare, gjithnjë në ndjekjen e rrugës së paraardhësit të tyre, duke u përballur me situata të ndryshme politike, me represione nga politika komuniste dhe me internime e vrasje enigmatike, por asnjëherë të mposhur e të dorëzuar përballë peripetive të tilla. Këto ngjarje e tortura nga më të tmerrshmet që do të përjetoj kjo familje, deri në momentet e migrimit në Amerikë, me përkushtim dhe kujtesë të freskët i sjell Musli Mulosmanaj, nip i Binak Alisë, që ishte protagonist dhe njëri ndër përjetuesit kryesor i gjithë asaj periudhe të pamëshirë ndaj kësaj familje, të  internuar e të persekutuar për vite të tëra.

Poaq e rëndësishme është edhe paraqitja e shumë pasardhësve të Binak Alisë, duke i dhënë vendet meritore mbi bazën e veprimtarive të tyre të pandalshme deri në çastet e fundit të jetës. Të tillë, si: Shaban Binaku, Qerim Binaku, Ali Binaku, Zeqir Halili, Çelë Shabani, Hysen Mulosmanaj, Abedin Mal Shabani, etj., pa mos e harruar protagonistin kryesor të kësaj monografie, pa kontributin dhe dëshmitë e të cilit nuk do ta kishim këtë njohuri kaq gjithëpërfshirëse, Musli Mulosmanajn, i cili ishte arkiva më e besueshme, ku shpalosja e fakteve, kujtimeve dhe dëshmive të shumta bënë të realizohet me shumë përpikmëri ky libër me fakte dhe vlera historike.    

TRI KULLAT QË FRYMOJNË LIRINË

Pavarësisht trajtimit të tri kullave nga pushteti monist i viteve të pasluftës së Dytë Botërore e deri në shpërbërjen e tij në vitet nëntëdhjetë, ato qëndrojnë  në ballë të dëshmive historike që nga periudha e okupimit osman e këtej, duke pasqyruar heroizmat e brezave të shumtë të kombit tonë.

Kështu, derisa dy kullat, ajo e Mic Sokolit dhe e Sali Manit, që secila prej tyre dëshmojnë ngjarje të veçanta historike, kishin përjetuar dorën e kujdesit nga pushteti dhe ishin kthyer në kulla- muze, kjo e treta, mbanë në kujtesën e saj veprimtari të shumëfishta të Binak Alisë dhe pasardhësve të tij, që nuk kursyen asgjë për qështjen kombëtare, humanitare dhe ndërnjerëzore, por asnjëherë nuk gëzoi dorën e ruajtjes dhe të rindërtimit. Ajo ishte injoruar për faktin se aty ishin rritur dhe edukuar breza që pastaj do ta kenë kundërshtuar monizmin. Megjithatë, kjo kullë vazhdoi të qëndronte stoikisht përballë furtunave, pa mirëmbajtje, e persekutuar nga komunizmi i egër i asaj kohe. Kulla e Binak Alisë ishte djegur e rrënuar disa herë nga pushtuesit për tu ngritur sërish bashkë me protagonistët e saj të lavdisë kombëtare, që njihen për veprimtarinë patriotike shumëvjeçare. Duke u përballuar me shumë pushteteve, me persekutime dhe humbje të njerëzve, me shkatërrime të pasurisë dhe dëbime nga trojet e tyre, Mulosmanajt asnjëherë nuk u mposhtën, por qëndruan ballë furtunave e rrebesheve të pamëshirë të pushtuesve të ndryshëm, falë dashurisë së pafund për njeriun dhe lirinë e atdheut të tyre.  Kjo kundërshti e pandalshme ka bërë që të ndiqet në vazhdimësi çdo veprimtari e Mulosmanajve, por asnjëherë nuk ia kanë dalur ta mposhtin në rrugën e drejtë të çlirimit të atdheut dhe kombit më sakrificat dhe përkushtimin në breza.

Edhe tash pas kaq vitesh, tri kullat qëndrojnë dëshmitare të shumë ngjarjeve historike, duke pasqyruar rrugëtimin e brezave liridashës.

Një vend me hapësirë kaq të vogël, si Bujani, me tri kulla, të një historie shumë shekullore, nuk ka si të mos vlerësohet lartë dhe të trajtohet me dashamirësi prej gjeneratave të ardhshme, duke prekur shpirtërisht në frymën e këtyre ngjarjeve që sot ne frymojmë të lirë dhe gëzojmë të gjitha mrekullitë  e atdheut, që bota ua ka lakminë.

DY FJALË RESPEKTI PËR HARRY BAJRAKTARIN

Personalitet i dëshmuar dhe emër që lakohet në shumë veprimtari e aktivitete për kauzën tonë kombëtare, që nga vitet e hershme të rinisë së tij, Harry Bajraktari vjen edhe në këtë monografi si njëri ndër personazhet me ndikim të fuqishëm në çdo veprimtari të Mulosmanajve në mërgatë, duke bashkëvepruar në aktivitete të shumta, me përkrahjen personale dhe materiale çdoherë kur është ndier nevoja. Sipas informacioneve, ai ishte sponsorizues i dyfishtë i ardhjes në dritë të kësaj monografie shumë të veçantë dhe ndër më të domosdoshmet për ne, që bëri ta njohim një pjesë të rëndësisë së veçantë të historisë sonë, për të cilën pushteti totalitar me dekada investoi në kuadro persekutorësh që ta mbulonte me petkun e harresës. Kështu, shpalosja e kujtesës së këtyre ngjarjeve meriton të vlerësohet përunjësisht nga të gjithë ata që bënë këtë punë kolosale, si: Musli Mulosmanaj, pastaj autori i monografisë, Muhamet Mjeku, gjithnjë duke pasur në ballë  të punës veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan Harry Bajraktarin. Përkushtimi i plotë i Harry Bajraktarit citohet edhe në libër nga autori, i vlerësuar lartë për gatishmërinë e tij që të bëhet një monografi për familjen e madhe të Binak Alisë. Falë përkushtimit dhe punës së bashkëorganizuar të tyre kjo dëshirë tashmë është bërë realitet dhe mbetet ndër veprat më të realizuara, duke ruajtur origjinalitetin e rrëfimeve, konkretizimin e ngjarjeve dhe paraqitjen e denjë të të gjithë personaliteteve të kohës që kanë vendin meritor në këtë monografi.

Tashmë kur kemi në dorë këtë dëshmi historike të paraqitur denjësisht e me saktësi, nuk mund të mos flasim me pietet të lartë edhe për ata që nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre që kjo vepër ta ketë madhështinë dhe vendin meritor, poaq sa e ka edhe kryepersonazhi i saj, Binak Alia me pasardhësit e tij, që dhanë shembullin e mirë se si duhet  të veprohet me stoicizëm përballë nderit të atdheut.

Nga ky prizëm mund të shikohet edhe personaliteti i Harry Bajraktarit, i cili ishte dhe mbetet figura e rëndësisë së veçantë në daljen në dritë të kësaj monografie. Një vend meritor për më meritorin, në këtë rast konkret, padyshim se i takon edhe Harry Bajraktarit.

ÇËSHTJE E HAPUR

Krejt kjo që është thënë e shkruar në monografinë “Binak Alia dhe brezat pas tij” është veç një pjesë e asaj që duhet të thuhet edhe më tutje për këtë familje. Ky libër vjen si pikënisje e një vazhdimi të pandalshëm për historian, studiues dhe njohës të këtyre qështjeve historike e kombëtare në ndriçimin e ngjarjeve dhe njohjen me vlera tjera të kësaj familje patriotike dhe liridashëse. Asnjëherë nuk dyshohet se ka edhe më tutje çka të thuhet e argumentohet, gjithnjë duke pasur në konsideratë paanshmërinë politike dhe interpretimin e mëdyshjeve nga e kaluara e afërt komuniste, që kishte qëllim parësor denigrimin dhe zbehjen e vlerave të kësaj familje të dalluar tropojane, me vizion të çartë në rrugën e pandalshme të çlirimit kombëtar.   

Aparatura përcjellëse e librit, me pamje të ndryshme fotografike, me pasqyrim të bollshëm të aktiviteteve të shumta, pastaj prezantimi i akteve të ndarjeve të dekoratave e mirënjohjeve nga personalitet shtetërore e bëjnë më prezantuese gjithë veprimtarinë e familjes Mulosmanaj, duke ruajtur vlerat dhe rëndësinë e këtyre veprimtarive. Veçanërisht vlen të theksohet se prezenca e shumë personaliteteve të politikës e kulturës krah Mulosmanajve dhe bashkëvendasëve të tyre në manifestime e përvjetor të shumtë, si: Kongresmeni Eliot Engel, Mbreti Leka I, Hysen Beg Prishtina, Ambasadori William Walker, Agim Karagjozi, Rrustem Gecaj, Nënë Tereza, pastaj personalitete të kulturës e politikës nga Shqipëria e Kosova, ndër të tjerë edhe Presidenti Bujar Nishani dhe Presidentja Atifete Jahjaga, Ambasadorja Vlora Çitaku, Mark Krasniqi, klerikë e gazetarë të shumtë, që pasqyrojnë një botë të tërë intelektualësh në veprim të çështjes kombëtare dhe lobimin e fuqishëm në botë flasin mjaft për angazhimet e parreshtura të kësaj familje patriotike.

Mirepo, kjo që është bërë deri tash nuk mund të konsiderohet e tëra që duhet bërë për këto personalitete, meqë kjo familje e madhe e Malësisë së Mirë meriton shumë më shumë se kaq!

Me fjalinë që po citoj këtu: “Botimi i veprës për Binak Alinë e Elitën e tij Historike është një gurë i çmuar në historinë e kombit, një dritare e re për Kohën tonë dhe një piketë tjetër drejt të Ardhmes Shqiptare” (fq. 315), autori e përmbyll këtë monografi voluminoze, me shumë faktografi e fjalë, që flet mjaft për një histori të gjatë dhe plot ngjarje të rëndësisë së veçantë historiko – kombëtare të familjes Mulosmanaj, duke lënë të hapur mundësinë që edhe në të ardhmen veprimtaria e bujshme patriotike dhe kombëtare e “Binak Alisë dhe brezave pas tij” meriton të shikohet, analizohet, studiohet dhe plotësohet me faktografi të reja nga studiues të tjerë për të shpalosur rrënjësisht këto vlera kombëtare edhe për brezat që vijnë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat