Goga: Brezi i ri ka një shpirt revolucionar!

Kultura

Goga: Brezi i ri ka një shpirt revolucionar!

Nga: Kemajl Goca Më: 21 gusht 2018 Në ora: 14:43
Bardha Goga

Dukuritë e këqija paraqesin një panoramë të keqe për shtetin e Kosovës. Një numër i artistëve dhe artisteve mundohen në forma të ndryshme që t’i luftojnë dukuritë e këqija, që nuk janë të pakta në ditët e sotme në vendin tonë. Para disa javësh artistja dhe aktivistja Bardha Goga përmes ekspozitës me temën “Anti-korrupsioni”, paraqiti një pasqyrë reale që ballafaqohet vendin ynë dhe se si duhet luftuar edhe korrupsioni.

Korrupsioni është tema më e përfolur dhe shqetësuese në vendin tonë, por Bardha beson e shpreson se me kalimin e kohës gjërat do të vihen në binarë. Bardhën e shqetëson shumë se si vendi ynë është zhytur në korrupsion, po ashtu në papunësi dhe varfëri.   

Image

“Bota sot”:  Si aktiviste, para pak javësh prezantuat ekspozitën  “Anti-korrupsioni", çfarë u munduat të paraqiteni?

Bardha Goga: Si edhe emri i ekspozitës Anti-Korrupsion, përmes kësaj ekspozite dhe këtyre imazheve që janë të paraqitura në ekspozitë, jam munduar të paraqes një realitet të hidhur i cili mbizotëron në shtetin tonë, që është papunësia dhe varfëria, të cilat vijnë si pasojë e korrupsionit të madh që kemi.

“Bota sot”: Po e luftoni korrupsionin përmes fotografive të ndryshme, a mendoni se kjo do të reflektojë pozitivisht në shoqëri tonë?

Image

Bardha Goga: Ne si artist po edhe çdo njeri i fushave të ndryshme duhet që përmes asaj që ka mundësi të luftoj dukuritë e këqija të një vendi. Dhe unë si fotografe kam zgjedhur që përmes imazheve të reflektoj sadopak në luftën kundër korrupsionit.

“Bota sot”: Sa është vështirë të jesh fotografe dhe aktiviste që kërkoni një ambient më të pasur, pa korrupsion,  a keni presione e kërcënime të ndryshme?

Bardha Goga: Është e vështirë, pasi që ndryshimet nuk ndodhin menjëherë, mirëpo është edhe ana tjetër pozitive sepse pas fotografive që postohen me mesazhe kundër këtyre dukurive negative, fillojnë edhe debatet për ndryshim... Dhe kjo me gëzon shumë. Kërcënime ende nuk kam pasur dhe nuk pres të kem, pasi që nuk është diçka personale me askënd, është një temë e përgjithshme që na shqetëson si popull.

Image

“Bota sot”:  Si u vlerësua ekspozita 'Antikorrupsion', a mori përkrahje nga të gjitha shoqëritë dhe patët ndonjë reagim negativ nga institucionet?

Bardha Goga:  Ekspozita u vlerësua në mënyrë shumë pozitive. Fakti që me gëzoi më shumë ishte se u organizua nga Mural Fest ne mbështetje nga ambasada amerikane në këtë ekspozitë, gjë që tregon një seriozitet të madh të ekspozitës. Po ashtu jam shumë e lumtur, që shumica e moshave të reja e pëlqyen shumë ekspozitën, pasi që janë një shpirt revolucionar, që kerkojnë ndryshime ndaj dukurive negative në këtë shtet.

“Bota sot”: Çfarë është më shumë e përkushtuar Bardha?

Image

Bardha Goga: Bardha është e përkushtuar për momentin vetëm në fotografi sidomos në fotografi të ngjarjeve që ndodhin çdo ditë në vendin tonë.

“Bota sot”: Edhe fotografe edhe aktiviste, a shkojnë dyja bashkë?

Bardha Goga: Shkojnë të dyja bashkë, pasi që si fotografe dhe si aktiviste je gjithmonë pjesëmarrëse në të njëjtën kohë dhe në të njëjtat ngjarje.

Image

“Bota sot”: Si e sheh brezin e sotëm,  brezin e ri,  ka më shumë shpirt për të luftuar dukuritë e këqija?

Bardha Goga: Siç e thash edhe në përgjigjen më lartë, brezi i ri ka një shpirt revolucionar dhe kjo është gjëja që me gëzon më së shumti dhe me shtyn të jem e përkushtuar edhe më shumë në paraqitjen e imazheve të atyre të rinjve që kërkojnë drejtësi dhe barazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat