Halil Xani – krijues që kultivon me sukses zhanrin e epigramit me frymë satirike

Kultura

Halil Xani – krijues që kultivon me sukses zhanrin e epigramit me frymë satirike

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 24 gusht 2018 Në ora: 11:47
Libri që përmban mahi, humor, satirë dhe sarkazma

Ne recesionin e tij Fazli Hajrizi në promovimin e para dashamireve të fjalës së shkrua në mes tjerash u tha së:” Pas botimit të dhjetëra  librave të poetit  Halil Xani kësaj radhe para lexuesve erdhi me një përmbledhje me titull “Epigrame”, të cilën i ka ndarë në gjashtë kapituj. Kjo ndarje dhe ndërtim kompozicion mbi simbolikën e numrit shtatë, është traditë tashmë e njohur dhe vijimësi etnos kulturore ilire-arbërore. Ky poet i vyeshëm  është njëri ndër krijuesit tanë  i cili punon e jeton në periferi, në heshtje dhe pa bujë. Prirjen e tij për humorin e satirën ai e ka shfaqur qysh në krijimet e para. I vetëdijshëm se nuk mjafton vetëm humori e satira, ai i pajis krijimet e veta edhe me efekte artistike: me gjuhën e  pasur figurative, pedanterinë e fjalës, koloritin e pasur, ritmin e duhur, rimën e rregullt etj. Të gjitha epigramet që janë përfshirë në këtë dorëshkrim, kanë nivel të lakmueshëm artistik. Ato kryesisht janë katërvargëshe dhe dy vargësve, ku efekti i satirës dhe humorit, i dhënë qoftë edhe me një dialog apo një detaj, është i plotë sepse kanë të njëjtën forcë. Kështu, komunikimi midis shkrimtarit dhe lexuesit arrihet përmes efektit të duhur artistik, mesazhit mjaft të fuqishëm, leksikut të pasur e të pastër, dialogut funksional e të tjera. Autori i librit i kushton kujdes të mjaftueshëm leksikut. Ai,  përdor dialektizma, neologjizma, frazeologji  popullorë, trajta të diminutivizuara  të cilat kanë rëndësi të veçantë në strukturën leksikore të epigrameve për të vënë në spikamë karaktere të ndryshme. Këto karaktere tha në vazhdim Hajrizi ai arrin t’i stigmatizojë bukur dhe efektshëm, duke i vënë shpesh në bisht të lahutës. Autori është i vetëdijshëm se epigramet e fitojnë  bukurinë e vet atëherë kur janë në pozitë rimore, kur krijojnë efekte të brendshme tingullore dhe se vetëm në këtë mënyrë arrijnë të shtojnë emocionin e komunikimit.                                                  

Ky popull shumë  herë u mashtrua, dyfish u zhgënjye, në vend që t’i ndëshkojë me votë- serish votën ua japin mashtruesve?!...

Poeti  sot është njëri ndër krijuesit tanë që e kultivon me sukses zhanrin e epigramit me frymë satirike, që përmban mahinë, humorin, satirën dhe sarkazmin. Dorëshkrimi i tij me titull “Epigrame” përmban njëqind e dyzet epigrame kryesisht katërvargëshe të ndara në shtatë pjesë, dhe dyzet “Fjalë me bisht” në trajtë distiku, që është një arsenal i mirë për të goditur dukuri të ndryshme negative të kohës sonë, sidomos bartësit e tyre. Halil Xani është shkrimtar i esencave dhe ironizimeve letrare. Dëshmi e këtij vokacioni është dorëshkrimi i tij i fundit me epigrame. Çështja e parë që të intrigon, është çështja e zhanrit letrar nëpërmjet të  cilit ndërtohet dhe artikulohet satira e sarkazma, ironia dhe humori. Autori vë në pah problemet e thekshme politike, kulturore, arsimore etj. Njerëzit, të cilët ai i vë në lojë, pra i përqesh, i ironizon, i satirizon a thumbon në epigramet e tij, janë politikanë të plotfuqishëm, pseudopatriotë e pseudo intelektualë, mediokritete, persona pa karakter etj. Ai gjykon dukuritë negative të shfaqura në qeveri dhe, të thuash, në të gjitha segmentet e jetës sonë: në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në letërsi, në jetën familjare etj. Në epigramet e tij ai gjykon veset e këqija të njerëzve, dukuritë negative, me një fjalë, të ligen, të ulëtën, çnjerëzoren, duke lartësuar të mirën, të drejtën dhe gjithçka është e lartë, e zdritshme, njerëzore. Tash, kur Kosova u bë shtet dhe kur ka mundësi të kultivohen traditat më të mira kombëtare, për disa njerëz, sipas autorit, ideal bëhet kolltuku, tenderi, marrja e diplomave e titujve shkencorë në fakultet, përfitimi pa bërë asnjë punë.

Sa shumë njerëz kolltukut 
Sot po i bëjnë yrysh, 
Me shpresë që me buxhetin 
Edhe ata të bëjnë gjymysh.

Kështu, fushatat elektorale paraqiten si sezon karnavalesh. Gjatë këtyre fushatave zgjedhore nëpër podiume hipin njerëz ordinerë, të cilët, me gjuhë politikanësh ngrenë zërin. Ata premtojnë se do të ngritin ura, madje edhe atje ku s’ka lumë. Gjatë gjithë fushatës zgjedhore, madje edhe kur hipin në pushtet, bëjnë çmos ta shpallin veten Mesi, krye shenjtë, perëndi të drejtësisë dhe të virtytit.

Vota simbol i naivitetit dhe papjekurisë, i injorancës morale dhe intelektuale...

Image
Autori i librit Halil Xani realist, i mprehtë dhe i thellë i humorit

Ai tërheq vërejtjen se disa politikanë, deputetë e udhëheqës të Kosovës të zhytur në gabime dhe krime të cilët nuk ia njohin kurrë vetes qoftë edhe një pjesë të vogël të marrëzive që kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë. Këta politikanë të dështuar, sërish do të kërkojnë votën, sërish do të mashtrojnë, sërish do ta deziluzionojnë, zhgënjejnë popullin e Kosovës. Ata, thotë poeti, sërish do të imponohen në të gjitha mënyrat, dhe populli, pa u hamendur, do t’ua japë votën. Poeti shpreh habinë se si ky popull njëherë i mashtruar dhe dyfish i zhgënjyer, në vend që t’i ndëshkojë me votë, t’u rrijë larg dhe t’i shohë me dyshim, i hipnotizuar nga mashtruesit, më në fund i përkrah ata pa qenë i vetëdijshëm se ardhja e besimit, rikuperimit dhe përmirësimi kërkon shumë kohë. Kur mungon drejtësia e shtetit, poetët jo konformistë e jozyrtarë si Halil Xani janë të parët që ngrehin zërin dhe reagojnë, duke kritikuar, denoncuar, thumbuar, përqeshur e satirizuar dukuritë negative dhe bartësit e tyre. Poeti nuk idealizon as nuk ekzagjeron asgjë. Ai jep portretin real të hipokritëve, mediokërve, pseudopatriotëve, intrigantëve, pseudo intelektualëve që janë bërë rrush me grada shkencore pa përfunduar madje as shkollën fillore.

Sa shumë njerëz pas lufte

Fakultetin e morën,

Pa i pyetur askush

A e kanë kryer filloren.

Politikanë të dështuar, sërish do të kërkojnë votën, sërish do të mashtrojnë, sërish do ta deziluzionojnë, zhgënjejnë popullin

Krijimet humoristike dhe satirike në dorëshkrimin “Epigrame” dëshmojnë se ky zhanër në krijimtarinë e këtij shkrimtari “disident” përbën një lloj të veçantë të  shprehurit, i cili nuk është lëruar mjaftueshëm në letërsinë tonë. Epigramet e këtij autori, sa i përket numrit të vargjeve, janë, të thuash, të gjatësisë së njëjtë, ku dominon katërvargëshi, mirëpo ka edhe më të shkurtra e rrallë më të gjata. Autori arrin që, vetëm me pak vargje, të pasqyrojë paradokset e shoqërisë sonë. Andaj për të zënë ekranet e televizorit e për të përvetësuar opinionin, mjafton t’i kushtojë kujdes pamjes së jashtme, të mbjellë thonj të gjatë si të maces, të vë makijazh, të nxjerrë kërthizën në fushë, të ekspozojë gjinjtë e buzët e fryra me silikon.

Moj e mira n´televizion,

Po na çmend me silikon,

Buzët tua all, me ngjyrë,

Gjoksin hapur si balonë fryrë

Në ciklin “Fjalë me bisht” autori përdor distikun. Ai i shton një fjale të urtë popullore të modifikuar që i shërben si ekspozicion, një varg të tij, i cili tingëllon si shprehje antonimike, si kundërvënie kuptimore me theks ironik e sarkastik. Kuptimi i tij është sintetizues. Andaj epigramet e poetit Xani përshkohen nga humori, i cili, para se të kuptohet si argëtues, shpesh shfaqet si humor i zi. Ndonjë epigram tingëllon ngjashëm me aforizmat, por, për ndryshim, ato kanë rimë dhe krijojnë humor, duke na bërë që shpesh të qeshim me zemër. Përfundimi i tyre befasues e prek lexuesin dhe e bën të mendojë: Shumica e epigrameve të këtij autorit , siç kemi theksuar më lart, tha në vazhdim të fjalës së tij  Hajrizi bënë fjalë për gjendjen politike, ekonomike e shoqërore në Kosovë. Autori është realist, i mprehtë dhe i thellë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat