E harruam Faruk Begollin

Kultura

E harruam Faruk Begollin

Nga: Ilir Muharremi Më: 25 gusht 2018 Në ora: 15:15
Faruk Begolli

Kishte një ballë të lartë, përmbi dallgëzonin flokët e buta, vitet ishin ato  që ja kishin gllabëruar një pjesë të flokëve, mirëpo nuk munden t’ja humbnin shkëlqimin prej argjendi. Sytë i kishte të vegjël të mprehtë, shikim të thellë i cili çarmatoste çdo gjë që e kishte përballë. Kishte një trup të drejtë, të zhvilluar dhe ecje të ngadaltë. Pasi ju keqësua shëndeti çuditej se si njerëzit munden me ec drejtë. Në atë kohë isha i ri dhe kisha një bindje se Faruk Begolli ndjehej i paprekshëm, ndoshta edhe e kisha gabim. Më vonë e kuptova se në shpirt ishte i brishtë, i thyer, i përkulur pranë vetes dhe askujt tjetër, mbi të gjitha ishte i pastër.

Në vitet e ’80-ta kishte shumë famë, ndërsa sot as që përmendet  emri i tij. As studentëve, e as kolegëve nuk ju bie ndërmend për Begollin. Institucioneve hiç se hiç, madje ka edhe prej tyre që veç e kanë dëgjuar emrin e tij dhe nuk e dinë se për kë bëhet saktë fjalë. Kështu trajtohet artisti në Kosovë, i harruar pranë të gjitha sfidave dhe kontributeve profesionale duke zbuluar dhe prodhuar talent të së ardhmes të cilët ndoshta nën tymin e cigares dhe kafes, ndonjëherë lakojnë emrin e tij. Keq shumë keq.

Dikur tavolinën e tij e rrethonin radhazi shokët dhe studentët, disa edhe kishin drojë ta pyesin gjithçka.

Pinte shumë raki nganjëherë e zbuste me ujë. Thonë në dehje është e vërteta. Dehja për të ishte sikur për fëmijët çokolata, ai jetonte me të. Ai pinte në fatin e tij dhe e dinte se asgjë nuk mund të ndryshohet, nuk e shpresonte përjetësinë, jetonte me të tanishmen dhe nuk i frikësohej vdekjes.

E dinte se disa vdesin shumë vonë, ndërsa disa shumë herët, por askush nuk mendonte se duhet të vdes në kohë të duhur dhe vdekja për të ishte si një mik i afërt i mirë. Nuk i pëlqente të vdiste me ceremoni, ndoshta këtë e mendonte se njerëzit e kotë kanë dëshirë të vdesin me ceremoni, të bëjnë zhurmë. Si mos te kenë dëshirë, kur edhe lëvozhga ka dëshirë të kërcasë, ndërsa Begolli e donte vetmin, por kurrë nuk ndjehej i vetmuar.

Faki vdekjen e pranoj si përmbushje detyre, as herët e as vonë, por në kohë të duhur. Luftoj, e injoroji kancerin, tallej me të, pinte alkool dhe cigare për inat të sëmundjes. Fitorja ishte vetëm një guri sipër kokës së tij.

Kanceri erdhi si kryq, ai lëshoj perden përballë fytyrës, momentalisht e obligoj të tërhiqet, por prapë qe stërmundim dhe nuk e pranonte që sëmundja të ja bëj shah mat, këtu e humbi pak optimizmin. Prapë vazhdonte me atë se nuk dua t’ja dijë për sëmundjen.

Pinte dhe pinte raki, vetë ka pohuar se pasi të marr vesh nga fotografimet, nëse është kancer, po vazhdoj me pi raki. E shihte fundin si rifillim, një ikje e lehtë nga kjo botë.

“Thjeshtë, si të më lëshon fuqia, dëshiroj me shkue te Zoti, me dekë disi lehtë e bukur. Edhe me kaq jam i kënaqun me jetën teme se realisht nuk kam pritë as kaq vjet” (Jeton Neziraj, Faruk Begolli, Integra, Prishtinë, 2007, fq.15)

E dinte se do të vdiste, por ne e dinim se po fundoste një shpirt të madh të cilin sot askush nuk po e kujton. Në asnjë portal nuk shkruajnë për të, as që u përmend nga politikanët, por ai nuk e dëshironte një gjë të tillë, aq më pak të përmendej nga njerëzit e politikës që kurrë nuk kanë shkelur në Teatër ose nuk kanë parë ndonjë film të Farukut.

Si në të gjallë si në vdekje Faruku ishte i madh. Vdekja për të ishte festë dhe kështu vdesin njerëzit e mëdhenj. Vdekja nuk ishte për të ankuese këtë e dëshmoj me rolin e mbretit Lir në Teatrin Kombëtar. Derisa kanceri bënte punën e tij mbi trupin e Begollit, ai jetonte me shpirtin e Lirit. Madje, vetëm mungon fjalitë: “ju uroj vdekjen time, vdekjen e lirë, sepse e dua unë”. Kjo sepse ishte bohem, njeri i pijes dhe ata që pinë nuk janë të këqij.

“Bash pse kam pi raki, bash pse kam ndejtë me shumë njerëz të profileve të ndryshme, pra mu kjo jetë, ta quejm boheme, m’ka begatue, mos me mbet një punëtor i diciplinuem”, (Jeton Neziraj, Faruk Begolli, Integra, Prishtinë, 2007, fq.21) Rakia e pasuronte imagjinatën e tij, e begatonte dhe rregullonte shtratin e varrit. E dinte se vdekja po vjen dhe tha:

“Ju duhet me m’durue, se unë jam njeri i smutë, tu dekë. Duheni me m’lazdrue, me ma ba rrafsh, me m’dashtë, (Jeton Neziraj, Faruk Begolli, Integra, Prishtinë, 2007 fq.21)

Sëmundja nuk e vështirësoj artin e ti ta largonte nga skena. E priste vdekjen si Molieri, në skenë.

Nuk kishte trashëgimtar, por kishte trashëgimtarin më të mirë: rolet në shfaqje dhe filma. Nuk i donte trashëgimtarët të cilët do t’i vendosin kurora dhe lule të thara mbi varin e tij.

Ditën e fundit nuk e priti sikur do molla të thara që ju ka rra shorti të piqen dhe të rrudhen. Këta janë njerëz të plakur që në rini, kurse Faki gjithmonë kishte një shpirt rinor.

Ai i njihte njerëzit dhe e dinte se dikush kurrë nuk bëhet i ëmbël, thahet qysh në fillim. Andaj, edhe në varim nuk kërkoj prezencë të njerëzve.

E dinte se ata rrojnë gjatë shumë gjatë në degët e tyre, unë do këshilloja të vinte një stuhi t’i shkund plehrat e të mos bëhen as ushqim për krimbat.

Stuhia këtu do ishte e drejtë mbi pemën e jetës së tyre. Njerëzit e mëdhenj nuk kanë nevojë të kujtohen nga mediokrit, ata mbesin të mëdhenj.

Është ofendim ta kujtosh një aktor të cilit nuk ja ke parë asnjë shfaqje dhe film.

Është mëkat ta kujtosh një aktor për të cilin nuk ke lexuar asnjë shkrim në gazetë.

Image

Është poshtëruese ta kujtosh një aktor me të cilin nuk ke pirë kafe ose nuk ke shkëmbyer ndonjë bisedë.

Tek e fundit si mund të flasësh për të? Atëherë më mirë ta harrosh, ose të heshtësh.

“Përderisa njerëzit janë të gjallë, shoqnia jonë nuk u jep t’paktën nji shpresë apo nji konfirmim se ata janë ta gjallë dhe se për këtë vend kanë ba diçka. E, kur të vdesësh, krejt televizionet, radiot, teatrot, institucionet kulturore dhe ato shtetërore, t’lavdojnë, por jo më gjatë se nji apo dy ditë. Kjo ngjan kur vdesësh, ndërsa për së gjalli, nuk e di pse, por nuk ju duen hic, madje, as nuk ju inkurajojnë për me qëndrue dhe me vazhdue e me punue edhe ma tutje”, (Jeton Neziraj, Faruk Begolli, Integra, Prishtinë, 2007 fq21)

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966. Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit. Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin "Dodona" në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri "Dodona" u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat