Mërgata lirike me ngjyrat e atdheut dhe ndjenjat e shpirtit

Kultura

Mërgata lirike me ngjyrat e atdheut dhe ndjenjat e shpirtit

Nga: Baki Ymeri Më: 27 gusht 2018 Në ora: 19:41
Kopertina e librit

Poezia është një Zonjë e lartë që bashkon zemra, meditime dhe përjetime. Ajo e mbëlton dhe kultivon harmoninë në botë. Poezia është mbretëresha fjalëve të shtrenjta dhe nëna e përjetimeve të shenjta. Poeti është boshti kurrizor i shpirtërimit, një misionar fjalësh e frymëzimesh që e lidh tokën me qiellin. Poezia është nëna e dashurive të shtrenjta. Ajo është dhurata hyjnore e qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit, ku lartësohen ndjenjat, aspiratat, durimet, shpresat dhe ëndërrimet.

Subjektet që i prek dhe e inspirojnë Zonjën Xhemile Aliu, janë subjektet e misionarëve të tjerë të mërgatës shqiptare: atdhedashuria dhe dashuria ndaj njeriut, familjes, natyrës, qiellit dhe yjeve, dhe jo vetëm aq! Autorja mediton dhe krijon vlera reale të mërgatës shqiptare. Lirika meditative e Xhemiles kaplon përmasa reale dhe universale. Autorja është krijuese e një atmosfere të butë poetike, duke ardhur para nesh me një poezi e qartë dhe vibrante. Mesazhi dhe stili i veprave të saj gërshtohen në mënyrë harmonike, ngase reflektojnë vlera atdhetare, njerëzore dhe universale.

Poetët dhe poeteshat e diasporës e krijojnë botën me vende, qenje dhe evenimente. Zoti ua ka dhuruar talentin për të na pajisur me vepra kopertinash të bukura dhe lëndë të pasur lirike. Poeti është i zgjedhuri i Zotit dhe boshti i pakufishëm kurrizor që e ndërlidh imagjinatën me jetën reale. Paralelisht me piktorin dhe kompozitorin, ai apo ajo, nëpërmjet artit të fjalës dhe fjalëve të zgjedhura, dinë të krijojnë vlera të mirëfillta shpirtërore. Piktori, aktori dhe kompozitori, poeti dhe poetesha janë fotomodele vlerash artistike. Xhemile Aliu vjen para nesh me dy vëllime briliante: Ngjyrat e atdheut dhe Dhimbjet e shpirtit. Paralelisht me Rita Saliun, Fikrushe Podrimjen, Elhame Gjyrevcin, Vitore Stefa Lekën, Lindita Koplikun, Gonxhe Letmi Begisholin, Mardena Kelmendin, Liri Bimin, Afërdita Xanin, Ana Xh. Hoxhën, Miradije Gashin e disa emra tjerë, Xhemile Aliu është njëra nga poeteshat më të talentuara të diasporës shqiptare.

Poeti është i biri i Zotit që lind, vetëtin dhe degdiset si një kometë. Ai apo ajo janë engjëj vetëm atëherë kur u vjen frymëzimi dhe e zbukurojnë botën me ide, mendime dhe shprehje që askush s’i ka thënë para atyre. Ka apo s’ka poeti një jetë normale, kjo është një pyetje e lehtë për një përgjigje të rëndë. Ai apo ajo janë dhuntia e Zotit që duhet të vuajnë për t’i lumturuar të tjerët. Ata nuk bëjnë premtime siç bëjnë politikanët, por atë që e bëjnë, e bëjnë me vullnet, disponim dhe sakrifica. Lideri politik del në shesh me premtime, ndërsa poeti mbetet i pavdekshëm me realizime. Lideri politik rend pas postit, foteljes dhe kuletës, ndërsa poeti  rend pas zbukurimit të atdheut me vlerat e të vërtetës. Ai apo ajo i hapin portat e dritës duke refuzuar jetën personale. Pikërisht për këtë,  poetët i adhurojnë, jo vetëm njerëzit por edhe Zoti.

Xhemilja vjen para nesh me vargje briliante si: „Në një lartësi pitoreske/ Muzikë duke dëgjuar/ Një mall seç më kaploi/ Nga mallëngjiomi lot pikoi.” Dhe më tej: „Ngado që të bredhësh/ Dhimbjen e bart me vete/ Mundohesh të mbledhish mendjen/ Por prapë ndihesh i humbur e tretur.” Ja, pra, sintagma e Nikita Stëneskut se poeti nuk ka jetë personale, se jeta e tij personale është hi e pluhur. Në vend të hirit e pluhurit, Xhemilja na i përkujton fjalët stres, energji dhe dinamizëm. Dhe më tej: „Plagë e pashëruar je o mërgim/ Lot që kurrë s’pushojnë në syrin tim.” (Meditim rrugëtimi). Poetja shkruan për Gonxhe Bojaxhiun, për Norën e Kelmendit dhe Shotën e Azemit, për Xhevën, Fatimen, Antigonën, Ganimeten, për sokolesha malesh dhe mbretëresha në fronte, për shembuj të humanizmit dhe korigjej epokash, për shpirtluanesha shqiptare që i tmerroi sulltanët dhe serbosllavët: „Janë trimëreshat tona/ Me pushkë e penë në dorë”, krenari të shekujve, që i sollën lavdi kombit tonë. (Femrat shqiptare). (Bukuresht, 27 Gusht 2018)

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat