Kisha e Sergjit dhe Bakut në kalanë e Himarës, drejt restaurimit

Kultura

Kisha e Sergjit dhe Bakut në kalanë e Himarës, drejt restaurimit

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 11:47
Kisha e Sergjit dhe Bakut

Kisha e Sergjit dhe e Bakut, monument kulture i kategorisë së parë, që ndodhet në brendësi të kalasë së Himarës pritet t’i nënshtrohen së shpejti projektit të restaurimit.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro bën të ditur se “në vijim të punës me fshatrat e Bregut, Kalaja e Himarës ka potencialin të rijetëzohet duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe historike.

“Kalaja e Himarës, me një krah nga Skutaraja e Qafë Vishës, me sytë nga deti mbi Livadh, braktisur nga banorët në fund të viteve 40′ mbetet një sit shumë interesant, ndonëse një pjesë e madhe është në gjendje rrënoje. Vizitorët shtohen dhe interesi për rijetëzim gjithashtu”, shprehet Kumbaro.

Pas studimit të kryer nga Prof Pirro Thomo, kalaja e Himarës u shpall Qendër Historike 1 vit më parë.

Në vijim të punës me fshatrat e Bregut, Kalaja e Himarës ka potencialin të rijetëzohet duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe historike.

Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut e shpallur monument kulture i kategorisë së parë është atraksioni turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.

Kisha është ndërtuar brenda mureve rrethues të kështjellës së Himarës në kuotën më të lartë të saj, në zonën e Barbakasë. Ajo ka shërbyer si selia e Peshkopit të Himarës, e cila bëhet qendër Peshkopale në vitin 1020, nën varësin e Patriarkanës së Ohrit siç dëshmohet nga një diplomë e lëshuar nga perandori i Bizantit Vasili II. Në këndin verilindor të kishës ndodhej një pllakë guri e murosur, ku shkruhej viti 786, transmeton atsh.

Kisha ka dy faza kryesore ndërtimi, por muret e kishës ruajnë gjurmë të rindërtimeve të shumta. Ndërtimi fillestar i përket naosit me pjesët e poshtme të mureve, sepse pjesët e sipërme janë ndërtuar disa herë. Një mjedis ndihmës në anën perëndimore është ndërtuar më vonë. Ndërtimi fillestar ndahet në mjedisin e altarit dhe mjedisin e naosit me një ikonostas muri. Kornizat e ikonostasit janë zbukuruar me motive floreale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat