Jonkonfrontimi i Kalosh Çelikut që lëvizi amullinë përmes fjalës publike

Kultura

Jonkonfrontimi i Kalosh Çelikut që lëvizi amullinë përmes fjalës publike

Nga: Fadil Curri Më: 5 shtator 2018 Në ora: 11:43
Kopertinat e librit: Disidencë letrare (kritika letrare dhe reçensione 1982 - 2015).

Kur iu rreka punës të botoj këtë përmbledhje shkrimesh kritike, eseistike, recensioniste e publicistike letrare për Kalosh Çelikun, u përballa me dilemën se a ka arsye të bëhet dhe se në do të kishte ndonjë risi letrare vepra e tij. Ngulitja e arsyeja ishte se ka disa përparësi në krahasim me shkrimtarët tjerë, se ka zë tjetër origjinal fjala e shkruar e tij, se shumësia e botimeve sjell freski stilistike e tematike, se i ngjan kursit të ri letrar dhe se e ringjall satirën e ironinë e spikatur në letrat shqipe të Maqedonisë pena e K. Çelikut. Pra, arsyet janë të shumta.

Njohësit e botimeve librore e gazetare, audiovizuele të kohës së Jugosllavisë nuk mund të konstatojnë se Kalosh Çeliku është emër i panjohur në botèn letrare shqiptare. E hasim herë si autor librash për fëmijë, herë në prozë, poezi e dramë, herë si radio-dramatizim ose realizim teatror, herë si autor nëpër mediat prestigjioze shqipe, ndonëse të rralla e të kontrolluara, por jo edhe të kuptojnë metaforën e simbolikën e fjalës letrare që depërtonte te lexuesi me kulturë e sqimë letrare elitare. Në  të vërtetë, fjala artistike e tij ishte klithmë ideore e shpërfaqje ndjenjësore e latuar me kujdes dhe që depërtonte guximshëm e me shkathtësi parashikuese te lexuesi i kulturuar shqiptar. Zatën, ky shkrimtar i takonte shkollës e rrethit letrar shqiptar që përmes nëntekstit e tejtekstit dritëronte shtegun e shpëtimit dhe hapërimit të vegjëlisë, si do ta quante popullin i madhi Fan Noli.

Gjatë ndryshimeve në Ballkan, ku shqiptarët ishin edhe protagonistë ngjarjesh të mëdha, Kalosh Çeliku ishte natar letrar me librin e tij “Trumebetat e tellallit” (1992) në Shkup, që paralajmëroi luftën e penës për ndergjegjësimin e njeriut e popullit të  vogël shqiptar për njohjen e vetes me të tjerët, që në të vërtetë ishte shpresëdhënie se duhet e do të ndryshojë drejt së mirës. Ndryshimet e mëtuara nga autori tematik i këtij libri pas disa vitesh e dëshmuan me konfliktet e 2001 -shit, kur tytën e penës kaloshçelikiane liridashëse e zëvendësoi detonimi i armëve vdekjeprurëse. Se, fjala letrare ishte më madhështore e dobiprurëse, atë që kërkonte shkrimtari në librat e tij të mëvonshëm nëpër revistat “Zekthi”, “Stili ‘97”, “E vërteta”, rezultoi se këtë klithmë intelektuale e mbuloi marria  e kakofonisë së breshërimave ushtarake. Pra, përballen fjala e arma, si e përshkruan shkrimtari Visar Zhiti në një shkrim të këtij libri.

Nuk do të shkruaj në këtë hyrje libri për cilësitë e botimeve të Kalosh Çelikut, sepse këtë më së miri do ta thonë vështruesit, qasësit, eseistët e recensentët e tyre, por nga kundrimi im publicistik do të veçoja prishjen e amullisë tematike, zhanrore e stilistike të veprimtarisë së Kalosh Çelikut.

Ka guxim të rreket me temat më të ndjeshme, kur çjerr maskat e kulturofagëve e të policisë letrare, inkuizicionizmin antiletrar ndaj fjalës së lirë, kur letrave shqipe në Maqedoni pena e tij i vë emblemën e jokonformimizmit të traditës së Konicës, Fishtës, Nolit, Çajupit, Nonda Bulkës, Ali Asllanit e shpotitësve të tjerë të veseve e profileve gënjeshtare e përbuzëse nën flamuritn e moralit qytetar. Në veprat e tij mëtohet të pasqyrohet groteska e dinjitetit të përbuzur popullor, duke kthyer shpresën e thyer, besimin e prangosur në komunizëm dhe të mbajtur peng edhe sot.

Kalosh Çeliku me veprimtarinë e tij letrare përmes librave, revistave, portaleve dy deceniet e fundit u shndërrua në figurë letrare më e dashur e më e urryer te lexuesi, edhe kur flet për ata që e rrjepin popullin në emër të politikës, religjionit, kulturës dhe demokracisë. Disa e quajnë antifetar, që nuk i njeh rrethanat në shoqëri, që e bën satirën nga mllefi, prirur vetëm të ironizojë, kurse të tjerët e quajnë si prijatar i mendimit alternativ, liridashës, antikomunist, mbështetës i të vërtetës dhe guximit. Sidoqoftë, pena e tij e shkundi mendjen, shpirtin e energjinë e njeriut të nëpërkëmbur, e lëvizi atë që deri atëherë nuk guxoi shkrimtar tjetër ta bëjë në këtë masë të përfjeturën e kërcënuar nga konformizmi monist. Pena e tij meditative me mjete ngacmuese e mban pezull kërshërinë lexuesore me plot ogure që do të reshin shpejt me zgjedhje e zgjidhje të befta fatlume.

Në këtë vëllim shkrimesh për Kalosh Çelikun shumë kritikë shqiptarë e botërorë i sheshojnë pikëpamjet e tyre për librat e tij. Ka edhe shumë tekste të tjera që shtjellojnë aspekte të krijimtarisë së tij, por për shkak të shuarjes së disa gazetave e revistave shqipe gjatë ndërrimit të regjimeve, nuk u gjetën. Edhe këto qasje e autorë mundësojnë të profilohet letrari Kalosh Çeliku, laryshia dhe shumëshia ideo-artistike e opusit të tij letrar. Fundja, specifika autoriale e tij në letrat shqipe e bind opinionin se është i paarritshëm nga askush në shumë aspekte letrare, sidomos kur e letrarizon karakterin, fatin, rolin, dobinë, lirinë, pavarësinë e intelektualit ndaj mediokritetit e shumë dritërime të tjera në dhjetëra  vepra autoriale të arritura artistike-letrare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat