“Letërsia lëvizëse” vjen për herë të parë në tri qytete të Kosovës

Kultura

“Letërsia lëvizëse” vjen për herë të parë në tri qytete të Kosovës

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 11:32
“Letërsia lëvizëse”

Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë, “Alter Habitus”, këtë muaj po organizon edicionin e parë të letërsisë lëvizëse, një seri ngjarjesh letrare që do të mbahen në tri komuna të Kosovës, për nder të shkrimtarëve Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda dhe Mirko Gashi.

Këta shkrimtarë do të përkujtohen përmes orëve letrare të organizuara në qytetet e tyre, në datat 11, 14 dhe 17 shtator.

Në një intervistë me shkrim për KosovaPress, drejtoresha e këtij instituti, Eli Krasniqi, ka treguar se qëllimi i këtij organizimi është që të vihen në pah shkrimtarët që kanë shkruar në të kaluarën dhe organizimet t’i bëjnë në vendet ku kanë jetuar dhe vepruar këta shkrimtarë.

“Përveç aspektit të letërsisë që udhëton, qëllimi ynë ishte që të nxirren autorë të cilat kanë shkru më parë, dhe të vihen në sipërfaqe në kontekstin e sotëm kulturor e politik në Kosovë. Këtë edicion, ne e nxjerrim letërsinë nga organizimet e zakonshme brenda ndërtesave, në hapësirat që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shkrimtarët si oborret e shtëpive të tyre, lagjet apo sheshet ku ata i kanë frekuentu gjatë jetës së tyre. Këtë herë kemi vendosë që ta festojmë dhe përkujtojmë letërsinë dhe jetën e shkrimtarëve si Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda, dhe Mirko Gashi”, ka thënë Krasniqi.

Ajo ka treguar se ideja e projektit është që ta shpërndajnë letërsinë më shumë edhe në qytetet më të vogla të Kosovës, duke e bërë më të qasshme për të gjithë.

“Kam përshtypjen që ngjarjet e mëdha kulturore ndodhin kryesisht në Prishtinë, duke qenë se është kryeqytet. Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e letërsisë, por edhe duke udhëtuar nëpër qytete tjera në Kosovë, kemi konsideru që kjo formë e organizmit është e rëndësishme dhe e nevojshme”, ka thënë Krasniqi.  

Ngjarja e parë letrare e këtij edicioni do të mbahet më 11 shtator, në komunën e Istogut, ku do të diskutohet për letërsinë e shkrimtares Fehime Berisha. Ndërkaq, më 14 shtator, letërsia do të “udhëtojë” në Ferizaj, në sheshin “Ismail Kadare”, ku të pranishmit do të diskutojnë rreth punës letrare të shkrimtares, Shpresa Vinca Tuda.

Seria e këtyre ngjarjeve letrare do të përmbyllet në Prishtinë, më 17 shtator, ku do të organizohet ngjarja letrare në nderim dhe kujtim të punës së shkrimtarit Mirko Gashi.

Krasniqi ka thënë se po synojnë që këtë ngjarje ta organizojnë çdo vit, duke synuar autorë të veçantë në qytete të vogla.

“Ky projekt është nomad dhe nuk ka rrënjë, në kuptimin që udhëton nëpër qytete dhe synon leximin e letërsisë në hapësira që kanë njëfarë genious loci (shpirti i hapësirës)”, ka thënë Krasniqi.

Gjatë këtyre orëve letrare, do të ketë edhe shkrimtarë të ftuar, të cilët do të lexojnë pjesë nga veprat e tre autorëve që do të përkujtohen. Në mesin e të ftuarve do të jenë edhe shkrimtarët Naime Beqiri, Shukrije Gashi, Ilire Zajmi, Agim Vinca, Qibrije Demiri Frangu, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat