Filmi artistik “Sfida”/ Birçe Hasko, rikthehet pas shumë vitesh në sheshin e xhirimit

Kultura

Filmi artistik “Sfida”/ Birçe Hasko, rikthehet pas shumë vitesh në sheshin e xhirimit

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 07:53
Aktori Birçe Hasko

Aktori i shquar i kinematografisë, Birçe Hasko është kthyer në sheshxhirim pas disa vitesh mungesë. Me një ftesë për të interpretuar në filmin artistik “Sfida” me metrazh të mesëm me skenar dhe regji të Lulzim Sulës, aktori i njohur, aktualisht është në përfundim të punës me xhirimet. Hasko luan me aktorët e njohur Bujar Asqeriu dhe Suela Konjari.

Image
Aktori Birçe Hasko gjatë xhirimeve për filmin Sfida

Xhirimet e filmit “Sfida” janë përqendruar kryesisht në qytetin e Korçës, ndërsa filmi pritet të jetë premierë në fund të këtij viti. “Sfida” vjen si një produksion i ri nga "Production Cinemania" me producent Skënder Jaçe. Producenti Skënder Jaçe tregon se tashmë kalon në post-produksion, ku do të ketë një montazh digjital, miksazhin dhe kolonën zanore, që do ti besohet një kompozitori të njohur.

Ky film trajton një temë të ditës dhe ka në qendër të vëmendjes njeriun e thjeshtë. Një grua, e cila ka ngritur një fasoneri me kurajo të madhe, duke u përballur me konkurrencën dhe një treg të vështirë në këtë fushë, qeraja e lokalit, siguracionet, rrogat e grave të punësuara etj. Kur tregu për shitjen bëhet i vështirë, e sjellin atë në pozita të vështira falimentimi. Por në jetë ka të papritura, dikush i afrohet për ndihmë, ngjarjet rrokullisen në situata të reja dramatike.

Si do të vejë fundi i kësaj gruaje të dëshpëruar, e cila jeton e vetme me vajzën e saj? Gjithmonë në jetë ka një forcë energjie, që qënies njerëzore i jep kurajo, për të arritur që të jetë diçka në jetë, duke menaxhuar mirë personalitetin njerëzor.

Gjatë xhirimeve aktori i njohur Birçe Hasko ka tërhequr vëmendjen e publikut, rrëfejnë kolegët e tij. Producenti Jaçe shprehet se “ndihem i lumtur që në filmin tim luan një aktor si Bircce Hasko,  është një vlerë që rrallë do t’i vijë filmit shqiptar.” 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat