Metafora e lirisë në fletët e një libri për tokën e të parëve

Kultura

Metafora e lirisë në fletët e një libri për tokën e të parëve

Nga: Drita Braho Më: 6 tetor 2018 Në ora: 19:07
Remzi Basha

Një nga dhimbjet më të mëdha të asaj shkëputjeje dhjetravjeçare ka qenë pikërisht kjo ndasi fjalësh, ky gardhim tragjik, kjo heshtje fjalësh, ky telaklon mungese i njohjes së vlerave që krijonim në të dy anët e kufirit apo edhe në skaje të ndryshme kontinentesh të largëta. Kur më  ra në duar libri i poetit dhe prozatorit Remzi Basha me origjinë nga Kosova e me banim në Suedi, e ndjeva këtë mesazh të dhimbshëm, por edhe u lumturova kaq shumë se prej do kohësh ne po ndjekim me dashuri e me kënaqësi librat e tyre. M’u bë më e madhe lumnia kur në faqet  librit të tij “Në tokën amë” pashë si në një sofër të madhe edhe ato fjalë mentare që nuk lidhen vetëm me Kosovën, por që kanë një frymëmarrje gjithëkombëtare. Libri ka një ndërtim shumë të veçantë.

Që në ballinën e tij shohim se pas saj do të lexojë poezi, tregime, refleksione dhe, më tej, edhe disa gjykime mbresëlënëse të kolegë vet si krijues në të gjithë trojet tona amtare për krijimtarinë e tij. Lirizmi i poezisë “Vendlindjes sime” është shumë emociones. Unë vij ngaherë pranë teje /si qengji pas nënës së vet/malli që më ndjen në gji/për ty vendlindje më tret. Ndonëse ajo i përkushtohet Sllapuzhanit të tij në Kosovë, duket se me këtë poezi e me shumë të tjera, ai vendos një Urë të Munguar të shqiptarit në breza. Na jep ashtu, të dhimbshme e të bukur atë lidhje që ka shqiptari me vendlindjen. Një dashuri shpesh e munguar si ndodh edhe me trojet çame, të cilave ai iu kushton shumë vargje, shumë tregime të librit të tij.

*****

Pjesa e tregimeve  është padyshim pjesa më e bukur e librit. Është ajo pjesë e librit ku Remziu është me mentar se mentarët. Në të gjithë tregimet lexuesin  e shoqëron njëherësh  një mall, një gjetje interesante, një lirizëm i spikatur që buron nga natyra e tij poetike e nga ai pjalmim i kahershëm në shpirtin e kombit të tij. Këto tregime që nganjëherë mund t’i quajmë edhe proza të mirëfillta poetike, kanë shumë simbolikë. Duket se rrëfimi klasik në këto tregime ka marrë edhe nuanca moderne për të gjetur më tej një lexues sa më bashkëkohor. Në rrëfimn sa tronditës për fëmijërinë që ai e shpreh në formën e një letre që ia dërgon nënës të bën përshtypje një mendim i tij: “Ndoshta njeriu ka nevojë që të hajë pak dhe nga toka e tij. Ajo të rrit, të forcon, të shton dashurinë. Nënë ti hap jorganet, me të cilët na mbuloje. Ato mbajnë erën e trupit tone. Ajo erë  që ty të mban gjallë..” Detaje të tillë janë shumë të realizuar dhe të mbeten shumë gjatë në kujtesë. Ky dialog kthehet në simbolikë të përjetshme për shqiptarin, edhe pse ka nota personale në rreshtat e tij.

Një portret i gjetur është dhe ai tek tregimi “Amaneti”. Axha Shabani, edhe pse ka 10 fëmijë, i duhet që t’i kalojë ditët e fundit te jetës në vetmi, duke shikuar foletë e një lisi të lartë. Kur ai ndjen hapat e fundit të jetës,  u ulet më gjunjë tokës së vendlindjes duke thënë mbi të amanetin “Fëmijët e tu janë miq të besës, toka ime. Ti e di mirë se ç’do të thotë të flijohesh për ty. Fëmijët janë larg, o tokë. Po të them një amanet: aty ku unë do të kem fatin të pushoj, më mbulo me një flamur. Është flamuri ynë kuq e zi…”  (Autori)

Rallë ndodh me libra të autorëve të Kosovës që ta ndjesh kaq të ravijëzuar kaq qartë historine dhe traditën çame. Folklorin dhe ëndrrën e saj sa në këtë libër. Duket se për këtë atë e ka ndihmuar jo vetëm njohja deri në detaj e historisë së kësaj pjese të kombit tonë por edhe kontakete me këtë krahinë, me njerëz të saj, me problemet që ka Çamëria e sidomos e njohjes me jetën e veprën  e martirit të Fjalës së Lirë të Çamërisë, poetit Bilal Xhaferri. Kur kujton eksodin tragjik të 1999-s në Kosovë, ai kujton pikërisht vargjet e Bilal Xhaferrit për të krijuar tek lexuesit më të rinj këtë tragjedi që ngjan si dy pika loti me njëra-tjetrën.

Tregimi “Mikpritja çame” është padyshim një nga më të bukurit e librit “Në tokën amë”. Nuk është vetëm befasia që ai përjeton në çdo hap që hedh në fshatin e largët çam të Markatit në zonën e Konispolit. Jo. Është një qenie njerëzore që duket se sheh vetveten në njerëzit që takon, që njeh në çdo dru të lashtë që sheh dhe prek me duart e tij . Plaku Beqo Sadiku që i flet me një çamçe të kulluar padyshim ndryshe nga pleqtë e vuajtur të Kosovës diku në hijen e një bajameje të lulëzuar, i kujton se për vite të tëra ka dëgjuar fshehurazi Radio Prishtinën,  edhe pse ajo ishte shumë larg me qindra e qindra kilometra. Ndërkohë që nënë  Dudia i shtron të flerë me jorganët e djemve të saj,  i shtron shtatë gjellë si është zakoni për mikun e parë të shtëpisë dhe i thotë thjesht: “Po ti qenke si djemtë e mi, more bir”.

Në fund të tregimit ashtu si ndodh  edhe me tregimet e tjerë të tij ai na fut në sinorët  e një meditimi që është si një poezi e bukur, një manifest i lirisë së munguar që këtej e tutje nuk do të mund njeri që ta prangosë. “Zgjata dorën te toka çame. Më ngjante si një plagë e pambyllur. E madhe. Zgjata dorën. Toka dergjej në dorën time. Malli im për të apo malli i saj për mua? Çamëria e pafund vazhdonte që të më vinte më pranë. Ulur pranë brigjeve shkëmbore me zërin e amanetit të të parëve të mi, i dërgova të fala tokës çame. Në foletë e vjetra të shqiponjave shekullore dëgjoheshin përplasjet e krahëve të zogjve të rinj që mësonin të ecnin mbi lartësitë e këtyre  maleve  ku zot janë vetëm ata..”

Do të ishte shumë  normale që një autor kosovar në një vëllim me tregime të tratonte dramën e madhe kosovare me përmasa biblike që solli edhe një reagim ndërkombëtar si ishte shpërngulja masive e vitit 1999 dhe masakrat e egra serbe. Pikërisht  këtu shohim një tjetër tipar të origjinalitetit të këtij autori. Dramën  e madhe të vitit 1999 ai e ka trajtuar në mënyrë shumë të veçantë. Tregimi “Më prit“ ka një sfond historik për një kohë të caktuar, por ai është dhënë në një formë tjetër. “.. Ca hapa vajzash nga Mitrovica ndjekin udhën e Gjakut dhe ndalojnë në qytetin e lashtë të Beratit. Jo vetëm në këtë tregim, por edhe në të tjera ku ai shkel në viset shqiptare me shumë masë futet edhe  etnografia e zonave, në detaje të veçanta që e bëjnë secilin portretin sa më të spikatur .

Në Berat vajza mitrovicase Arbenita njeh një djalë nga Berati të quajtur Ilir e me të lind natyrshëm dashuria e tyre. Por zakoni nuk e done që ai t’ia shfaqte dashurinë në shtëpinë e tij,  ndaj i jep një letër kujtimi dhe bese, duke i kërkuar që ajo të mos e harronte. Kur ditët e lirisë erdhën në Kosovë, ajo e gëzuar nga dashuria, në dheun e bjeshkëve të Kosovës mbolli lulet që i kishte marrë në Berat. Vetëm pak kohë më vonë Iliri shkon që të kërkojë dorën e  Arbenitës. Një tregim lirik me një fabul në pamje të thjeshtë, por që ka një identitet të spikatur shqiptar. Ka besën, ka zakonin ka edhe një shpit të madh njerëzor. Ka edhe etjen e madhe për liri që më vonë i bashkon. Ka dashurinë e madhe që një ditë jo vetëm një djalë e  një vajzë, por mbarë viset shqiptare të bashkohen në një gaz të paparë..

*****

Në vlerat e librit do të veçonim edhe disa mendime që janë dhënë për të. Duket se vlerësimi i shkrimtarit Riza Lahi, i poetes Drita Braho (që është edhe redaktorja e librit ), i poetit. Burri i Kosovës, edhe pse larg nga vendlindja, shkruan për tokën amë. Portat e krijimtarisë janë të hapura. Kosova e Çamëria zgjojnë tek ai pasionin për të shkuar më tej. Jo drejt një të panjohure, por drejt një të  njohure që kërkon zgjidhje, ndaj ai gërmon data, fakte për fatet e kombit të tij.

Zana shqiptare me flamurin e Dardanisë

Librat e miqve tanë kosovarë përherë kanë qenë si dallandyshe  që stinojnë stinët e kombit tonë me të gjitha ngjyrat e dhimbjes e të mbijetesës. Remzi Basha është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë. Ai është në profesion mësues i historisë dhe i gjeografisë. Kjo e ka bërë atë që frymëzimet e tij të marrin ushqim edhe nga ngjarje të mëdha, të shkuara dhe të sotme  të kombit shqiptar. Në këto poezi, Remziu e njeh bukur mirë këtë lidhje shpirtërore që krijon shqiptari i Kosovës kudo ku jeton e frymon. Është një gjetje e bukur poetike poezia “Dasma  në Bjeshkët e Kosovës” ia ka kushtuar vajzës së tij emërbukur Shqipe. Nusja, zana, Shqipe e bën dasmën në Kosovë duke sjellë këtu një shami nga Suedia e duke mos harruar  që ta valëvisë në të flamurin e Dardanisë që i kujton  asaj vendlindjen e babait të saj: “Flamuri me ngjyrën e gjakut të  derdhur në mote/balli si dielli /faqet si hëna /o më të bukur/s’ka lindë nëna/sot dasmën në Kosovë/me shëndet e me dolli/vellua e bardhë /marrë në Suedi.”

Sotiraq Mishaxhiu flet për një tufë fjalësh që të ndihmojnë për të nxjerrë atë mesazh të spikatur të atdhetarizmit, por edhe të atyre vlerave letrare që përshfaqen në faqet e librit. Duket se metafora e lirisë dhe e fjalës së munguar tani ka mbetur pas në histori, por jo në poezi, jo në tregime, jo në komunikimin e madh shqipfolës që ka nisur të flatrojë ndryshe në këtë dhjetëvjeçar të parë të këtij fillimshekulli. Uroj që sa më shpejt e sa më shumë të shkëmbejmë mes vedi si shkrimtarë, si poetë, si patriotë, si mesazhierë të së nesërmes më shumë fjalë, më shumë  poezi, më shumë mençuri. Remzi Basha na e thotë kaq mirë këtë mësim në librin e tij. (Namik Selmani). Remzi Basha, shkruan për vendlindjen  e tij si një adoleshent që ka rënë në dashuri. Remzi Basha bën pjesë në atë grup që synon që të bashkojë shqiptarët me njëri-tjetrin, nën palët e flamurit kombëtar. Ky njeri me pamjen prej lufëtari ka një zemër kaq të madhe sa të pranojë në zemrën  e tij të gjithë shqiptarët. Unë tund kokën i menduar kur lexoj poezinë  Remzi Bashës. (Riza Lahi, Tiranë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat