Me rastin e 74 vjetorit të lindjes së poetit Resul Shabani

Kultura

Me rastin e 74 vjetorit të lindjes së poetit Resul Shabani

Nga: I.N Më: 14 tetor 2018 Në ora: 17:23
Resul Shabani

RESUL SHABANI u lind në Strugë më 14.10.1944. Filloren dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Gjuhë dhe letërsi shqiptare studioi në Universitetin e Shkupit dhe të Prishtinës. Fillimisht punoi arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Prej vitit l971, u punësua në redaksinë e gazetës "Flaka e vëllazërimit" në Shkup, ku punoi reporter i lirë dhe redaktor i rubrikës së kulturës. Ka qenë edhe redaktor përgjegjës i revistave "Jehona" dhe "Gëzimi" dhe redaktor përgjegjës i Redaksisë së botimit të librit artistik. Jeton dhe vepron në Shkup. Ka botuar mbi 40 vepra me poezi, dramë, roman.

Pesë drama të autorit janë inskenuar në teatrot profesioniste. Është prezantuar në disa antologji poezie dhe tregimi, brenda dhe jashtë vendi. Poezi dhe tregime të autorit janë përkthyer në gjuhë: - anglisht, italisht, rumanisht, frëngjisht, rusisht, spanjisht, serbisht, maqedonisht, turqisht, çekisht, etj.

Për krijimtarinë origjinale dhe për përkthimet ka marrë disa çmime:"Çmim shtetëror për kontributin në njohjen reciproke të kulturave Nëna Tereze",  "Çmim *Mjeshtër i përkthimit*" (SHSHM dhe SHPLM); "Çmim *Kurora poetike*" në Festivalin “Netët Korçare të Poezisë”; "Çmim *Abdylazis Islami*" - për përkthimin shqip të librit poetik “Hijet e Atdheut” të poetit Rade Siljan; "Mirënjohje për kontributin në veprimtarinë e festivalit *Këngë Jeho*"(Strugë); "Mirënjohje për kontributin në dramaturgjinë dhe teatrin shqiptar" (Teatri Amerikan-shqiptar); "Çmim shtetëror *11 tetori*" - për kontribut të theksuar në lëmin e letërsisë dhe kulturës, etj. Së fundi ka përkthyer, nga shqip në maqedonisht dhe anasjelltas, antologjinë e poetëve të Akademisë të Kosovës të shkencave dhe të Arteve dhe Akademisë Maqedonase të shkencave dhe Arteve.

PERSIATJE TRI DITË PARA VJESHTE

Derisa unë ngrys ditëvjshtën e vakët

Te këmba e urës së ujit,

Urës me dërrasa të çara

Prej marrëzie, prej mërie - xhelozie,

Urës me parmakë dafine

Prej mirësie, prej bukurie - dashurie,

Mbi të cilën shkel këmba jote e bukur,

Nën të cilën noton krahu yt - flutur;

Ti shpërndan mjegullën e dendur,

Prej portretit tim të venitur.

Po ti, sirenë vale, zanë dallge, orë liqeni

Ti, nuse nuri, nuse syri, nuse zhuri;

Ç'kërkon në varfërinë time

Më të varfër se varfëria?

Derisa ti mbjell luleborën

Në shpirtin tim të shkretuar,

Sjell fllad pranvere

Në vjeshtën time të vonuar,

Unë s'jam i zoti të të fal

Asnjë ëndërr për ta ëndërruar,

Asnjë shpresë për ta shpresuar,

Veç një tufë rrezesh,

Që as dritën s'e ndriçojnë,

As terrin s'e zbardhëllojnë

Dhe një qiri të ndezë me lutje Shën Mërisë

Syri i keq mos të të shohë, sy i keq i xhelozisë.

Strugë, 18. 09. “12

 

BABA

Në duart e çara, koha përsëri

Gjen shtigjet e saj të ndritshme.

Prej buzëqeshjes tënde e kemi ngritur

Një ujvarë hidrocentrali

Lart në bjeshkë, fyelli buzëqesh

Me zënimin e tij jetik, e

Ai që e stolisi heshtjen tënde

Me hieroglife pikëllimi, pushon

Nën hijen e rëndë të manit

Në oborr, në çatitë e mbulura me vesë.

A është e rëndë dashuria jote,

Sa malli për livadhin e djegur?

Mixhok i butë dhe mexhok i egër

Që përqafon vetëm kur s’je

Në duart tua të çara, koha përsëri

Gjen shtigjet e saj të ndritshme

 

Në heshtjen tënde të ndezur,

Një flamur, fluromë e djegur.

Është mendimi yt që la blozën

Në të kaluarën dhe i bën dritë asaj që vjen

Të kam parë shekujve ulur

Në një trung lisi të rrëzuar si historia.

Prej tymit të cigares tënde,

Krijohet përkufizimi i kotë i pikëllimit

Për vëllain tënd që e gjete në zabel

Të fjetur nën kurorën e luleve.

Ata që s’të kanë parë duke kositur tërfilin,

S’dinë asgjë për yjet.

Ata që s’të kanë parë duke ndarë vadën,

S’dinë asgjë për detet.

Në heshtjen tënde të ndezur,

Sillet një flamur, fluromë e djegur

Ata që s’kanë ecur natën buzë liqenit,

S’e dinë sa i thellë je.

Mes prushit tënd të mbuluar me hi vatre

Është pjekur buka e grunjtë.

Mes duarve tua ka marrë frymë

Krejt blerimi i harruar në bjeshkë.

Ata që barrën tënde e kanë mbartur

Në kurriz, s’kanë qenë në jetë,

Prandaj dukesh si një llambë e verdhë vajguri

Territ të shekullit kur i buzëqesh

Ata që s’kanë ecur natën buzë liqenit,

S’e dinë sa i thellë je.

Tani rri buzë vatre, si e vetmja

Magji e krijuar prej përfytyrimit,

Por, as s’je magji, as s’je përfytyrim –

Ti je kala e krijuar në kohë

Që mbron stuhitë për dashurinë

Që mban kokën lart për të gjithë.

Ata që janë e s’janë në mesin tonë,

Mbetën e shkuan me amanetin tend.

Fjala jote është vendlindja ime,

Ti je liqeni i saj më i thellë.

Tani rri buzë vatre, si e vetmja

Magji e krijuar prej përfytyrimit.

 

KËNDON KUMRIA

A është vonë që njerëzit

i kanë fikur dritat e syve?

Marr të pi - vetëm s’më pihet,

marr të vritem s’më del gjak;

dru e gur zhur o valë

vetëm ngjyrë dhe vetëm pikturë.

Zgjuar eci, mbi vete mjegull;

a është vërtetë vonë,

apo ende s’jam zgjuar i tëri?

Në cilat vite po hynë vitet e mia,

në cilat rrudha, në cilat valë?

A është vërtet kohë e ftohtë,

apo fryn një fllad pranvere?

Ç’po ngjet me shqisat e mia?

Marr të marr rrugë e shtrati

vjen pas meje si anija që fundoset.

Me katërqind duart e mia

mezi i shtërngoj gishtërinjtë e mi.

Këmbët vetë përpara më shpiejnë.

Do të arrij sidoqoftë.

 

SHËN NAUMI

S’ka guxim të më dalë ta shoh

se do më magjeps me bukurinë

e trupit që ka, zemër mbi zemra,

dhe me tik-takun e amshimit

si ritmi i jetës sonë

dhe si rrjedha e Drinit

që ndanë më dysh liqenin.

 

Një gur, arkivol, fron, lavdi, bukuri;

e vë veshin dhe dëgjoj.

Të gjitha rrëfimet më të larta të kohës

rrjedhin në këtë legjendë.

Shën Naumi rri ngrysur me mjekër të gjatë

dhe më lut ta përfytyroj.

 

Ballsami që askush formulën s’ia di

e bën të më flasë me gojë,

kurse unë këto vargje t’i shtroj

mureve të bardhë të ëndrrave

dhe ditëve

që vijnë.

 

Perëndia aty rri këmbëkryq

dhe merr namin e vet

të ftohtë dhe të bardhë, si mëngjesi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat