Falja dhe falënderimi – parakusht jete dhe dashurie

Kultura

Falja dhe falënderimi – parakusht jete dhe dashurie

Nga: Don Lush Gjergji Më: 18 tetor 2018 Në ora: 16:54
Hanëmshahe Ilazi

Femra, nga natyra është krijuese, dhuruese dhe edukatore e parë e fëmijës. Ajo me ngjizje, shtatzëni, më vonë me lindje dhe rritje, edukim të fëmijës, është dhe mbetet boshti i jetës, djepi i edukimit, zemra e familje, vatra e shoqërisë, shpirti dhe zemra e njerëzimit.

Përpos kësaj, kur femra merret edhe me veprimtari dhe krijimtari jashtë shtëpisë, sidomos në kushtet tona “pa kushte”, nën barrën dhe trysninë e traditës patriarkale dhe mashkullore, atëherë femra – krijuese është për çdo nderim, falënderim, admirim, “dashuri në veprim” do të thotë Shën Nëna Tereze.

Hanëmshahe ILAZI, pas botimit tashmë të njohur, shpresoj edhe të çmuar dhe vlerësuar nga opinioni dhe kritika shqiptare, “Gratë të njohura të trojeve shqiptare”, f. 665, ajo e zgjeron horizontin, hulumtimin, shkrimin dhe botimin me një rreth më përfshirës, me  studimin dhe botimin “Gratë e huaja për Shqiptarët dhe Shqiptaret e diasporës” me gra të shquara dhe të dalluara, të huaja nga gjaku, gjuha, kultura, prejardhja,  por  njerëzore, fisnike, bujare, pra, “shqiptare” në shpirt dhe në zemër, si  edhe shqiptare nga diaspora, të cilat janë marrë me  gjuhën, letërsinë, historinë, traditën, kulturën, qytetërimin tonë ilir, arbëror dhe shqiptar, me zbërthime burimore, analiza të stërholluara, vlerësime meritore, këndvështrime të llojllojshme. Temat e shkoqitjeve janë një spektër i gjerë dhe i thellë, si është edhe gruaja, jeta, njeriu: gratë e dalluara në udhë-përshkrime, politikë, publicistik, luftë, humanizëm, albanologji, etnografi, histori, përkthime dhe lëmi të tjera.

Hanëmshahe ILAZI e plotëson një mangësi dhe zbrazëti në kulturën tonë dhe me këto dy studime, botime, së paku deri diku, ia zbardh fytyrën popullit dhe kulturës tonë, i del hakut femrave tona dhe të huaja, të cilat kanë jetuar, janë flijuar, kanë krijuar dhe kontribuar që kombi shqiptar dhe shoqëria jonë të njihem më mirë, të vlerësohet më drejtë, të nderohet më shumë, parakushte këto për ta dashur ne së pari vetveten, pastaj, kuptohet edhe tjerët.

Ajo me këtë vepër e lufton harresën, si gjë të keqe, të rrezikshme dhe shpeshherë edhe të kobshme, që sipas urtisë popullore “është edhe më e keqe se vdekja”.

Prandaj, e udhëhequr nga logjika e shëndoshë dhe zemra e mirë, mendja e ndritur,  sintetizon gjërat që na kanë kushtuar, dhe po kushtojnë gjithnjë:

Mosnjohja, që është burim i mosdijes, territ, robërisë, primitivizmit dhe egocentrizmit, vogëlsisë së shpirtit, megalomanisë, dëshirë për t’u paraqitur i madhe, mbi  të tjerët, me tendenca tashmë të njohura psikologjike: i dobët me të fortin, nënshtrimi, ndërsa i fortë me të dobëtin, bajraktarizmi;

Mosmirënjohja ose si thotë populli bukëshkelësia, që është gërbula e shpirtit dhe zemrës, fyerje  e vazhdueshme ndaj njerëzve dhe ngjarje të rëndësishme në të kaluarën apo edhe në të tashmen;

Mosfalënderimi, që është kanceri i njeriut, familjes dhe shoqërisë, qëndrim përbuzjeje ndaj të mirave, lëshim dhe gabim, mëkat, që mund të na kushtojë tepër shumë.

Vetëm kështu luftohet dhe dëbohet nga mendja dhe nga zemra mosnjohja dhe mosdija, krijohet nderimi, si strategji për ta luftuar mos-nderimin, mbi të gjitha hapet horizonti i ri i kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë me ndjenja të thella që duhet t’i ketë çdo njeri: falënderimin dhe kërkimin e faljes.

Aty ku mungojnë këto vlera dhe virtyte, jetohet keq dhe njëanshëm, veprohet nën ndikimin e mosdijes, mos-nderimit dhe mos-falënderimit, hapen shtigje që na shtinë për së gjalli në varrë, sepse jeta pa vlera është pa shije, pa dritë, pa ngrohtësi, mbi të gjitha bukurinë e flijimit dhe dhurimit, prandaj, pa dashuri.

Në Golgotën tonë historik dhe aktual, nuk ishim të dëbuar, të përjashtuar, të vetmuar, pasi që “engjëlleshat” e huaja dhe tona, shikonin me sy, vlerësonin me arsye, bluanin me mend, peshonin me zemër dhembjet, pësimet, synimet, cungimet, copëtimet tona, luftën tonë thuaj të pandërprerë për paqe, liri, demokraci,  vëllazëri, për ne dhe për të tjerët.

Përgëzoj Autoren  dhe botuesin e këtij studimi dhe botimi të mirë,  dobishëm,  nevojshëm dhe të domosdoshëm për kulturën tonë aktuale, në synim që të kaluarën ta njohim dhe çmojmë sa më mirë, si mësuese dhe nënë për jetë, të tashmen ta jetojmë me përgjegjësi, përkushtim dhe dashuri, për të ardhmen të mbjellim farën e mirë nëpërmjet shkencës, kulturës, artit, shkollimit, edukimit dhe qytetërimit, gjithnjë të udhëhequr nga dy parime të shenjta: e vërteta dhe dashuria.

Në 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë të pavdekshëm, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të mësojmë çka është besa, atdhedashuria, kthimi nga e keqja, robëria, skllavëria, servilizmi, oportunizmi, karrierizmi, përfitimi, lakmia, pangopësia, kah takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa, si ftesë, kërkesë dhe porosi e të mirës së përbashkët, për ne  sot dhe këtu,  për brezat e ardhshëm, me klithje gjithmonë historike dhe tejet aktuale: t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, jetës dhe dashurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat