Teatri Metropol u prezantua në festivalin “Skampa 2018 ” me shfaqjen “Natën, Ma”, drama fituese e çmimit Pulitzer dhe e çmimit të Teatrit Botëror, nga autorja Marsha Norman.
Nën regjinë e Ema Andreas, kjo dramë erdhi për publikun artdashës elbasanas duke përcjellë emocione të forta nën interpretimin e aktorëve Ilire Vinca dhe Egla Ceno.
Shfaqja u prit ngrohtë dhe me duartrokitje të shumta kjo pasi publikut që kishte mbushur sallën përjetoi një përzierje emocionesh, lot, të qeshura, përqafime dhe përgëzime.
Vepra tregon fatin e një nëne, Telma 50 vjeçe dhe bijës së saj Xhesit, 30 vjeçe. Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit, e cila duhet t’i thojë së ëmës që në mëngjes do të vdesë. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik.
Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës. Një vepër e fortë emocionale, që do të vijë nën konceptin ndryshe të Andreas, e cila njihet për zgjedhjen ndaj veprave të forta. /ATSH