“Nëna ime Mihane Lama” përçon mesazhin se nëna është themeli i shtëpisë

Kultura

“Nëna ime Mihane Lama” përçon mesazhin se nëna është themeli i shtëpisë

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 13:17
Pamje nga promovimi

Sot është promovuar libri monografik “Nëna ime Mihane Lama” i gjeneralit të mirënjohur, Kudusi Lama, libër ky që u vlerësua lart për bagazhin dhe mesazhin që përcjell se "nëna është themeli i shtëpisë".

Rexhep Qosja, duke vlerësuar lart librin, u ndal te portreti dhe karakteri i veçantë i personazhit kryesor, nënës Mihane. Ai përshkoi pikat më karakteristike të karakterit të saj, ku theks të veçantë i kushtoi guximit për të kundërshtuar ata që i bënin presion të martohej pasi i kishte vdekur bashkëshorti.

"Mihane Lama në kushte të jashtëzakonshme do t’i rrisë fëmijët e saj, fëmijët e fëmijëve të tyre nipat dhe mbesat, dhe në fund do të vdesë jo në një shtëpi, jo me një familje, por me një varg shtëpish me plot pasardhës. Sakrificat e saj për pasardhës janë arsyet pse sot është libri “Nëna ime Mihane Lama”. Shpejt pasi vdes bashkëshorti, vëllezërit e saj i bëjnë trysni që të martohet, por nëna Mihane pranon të hidhërohet me vëllezërit dhe xhaxhallarët e saj pajtohet e të mos i lërë fëmijët e saj", u shpreh ai.

Profesori Enil Lafe, tha se ky është një libër 'flamur'. Ai tha se libri ka vlera të larta, duke përmbajtur skenarë të mrekullueshëm për ta bërë film.

"Kur mora ta lexoj librin, mendova se do të ishte pak a shumë si librat e tjerë të shkruar për nënën nga i biri. Që në faqet e para vërejta se nëna Mihane po i kapërcente caqet e parafytyrimit tim. Te ky autor u ballafaqova me një gjeneral që zotëron narracionin, i cili ka sjellë botën dhe historinë", tha ai.

Ndërsa, autori Kudusi Lama pati një porosi për kolegët e tij që shkruajnë.

"Të gjithë më kanë dhënë mend për të bërë këtë libër. Në libër jam munduar që të mos bëjë për njerëz vlerësime me emra kafshësh. Kam shumë dëshirë që të tjerë përtej meje, të mos shkruajnë për nënën. Por të shkruajnë për babanë. Unë nuk e pata fatin të shkruaja për babanë sepse nuk e kisha. Kisha një nënë, edhe babë", tha ai.

Në fund ai shtoi se nuk përjashtohet mundësia që një ditë të shkruajë një libër interesant kushtuar babait të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat