Ruajtje me pasion e krenarisë për atdheun

Kultura

Ruajtje me pasion e krenarisë për atdheun

Nga: Xhavit Citaku Më: 27 tetor 2018 Në ora: 17:02
Kopertina e librit

Emine S. Hoti pos punës së shkëlqyeshme që e bënë si edukatore, ajo dha shumë edhe në mbajtjen gjallë të traditës dhe kulturës shqiptare në Norvegjinë e largët. Po ashtu, nga viti 2014 Eminja me sukses po depërton edhe në sferën krijuese. Deri me tash ka botuar pesë libra, prej tyre një roman, një ese dhe tre libra të tjerë me poezi.

Libri i saj i fundit me poezi titullohet “ Lulet e vendit tim”, në të cilin autorja shpreh kundërmimin me dhembje, nostalgji e mall sepse kjo krijuese jeton larg vendit të vet dhe prej së largu e sheh si në mjegull, në të vërtetë, ajo me vargun e saj me imagjinatë pasqyron ndjenjën ashtu si ka dëshirë. Ajo është dhembje e përshkruar me mall për diçka që e dashuron pa masë, por që nuk mund ta arrin, nuk mund ta shikon, nuk mund ta prek . Thënë konkretisht, vjershat e Hotit pasqyrojnë ndjenjën e të dashurit të atdheut dhe bukuritë e tij. Kjo vërehet edhe në këto vargje të fuqishme të shprehura nga zemra e shpirti i saj i përvuajtur:

Të shkruaj nga larg - kurrë s’të harroj

Përherë me gëzim ty të përkujtoj

Me ty e për ty jetoj deri në amshim

Në ty dua ta kam – unë varrin tim

Fëmijët të lidhen emocionalisht me vendin e tyre

Derisa në një anë përshkruan mungesën e saj në vendlindje, në anën tjetër paraqet shumë bukur natyrën me të gjitha të mirat e bukuritë e saj, si asnjë vend tjetër në botë. Poetja përmes këtij libri jep edhe një mesazh tek bashkatdhetarët tanë që sytë t’i drejtojnë kah vendi ku ka le dhe së bashku me fëmijët e tyre të lidhen emocionalisht ndaj vendit të tyre. Kjo dashuri që kjo poete ndien për atdheun, shquhet nëpërmjet temave që i prek me vargjet e saj, të gjitha sferat e jetës e të natyrës:  Shqiponjës, flamurit, gjuhës ës ëmbël shqipe, shkollës, fëmijëve, jetës së hidhur në kurbet, bilbilit, pranverës, nënës, gjyshes, jetimit, shokëve etj. Kur është fjala për kurbetin ajo ndër të tjera thotë:

E rëndë jeta e mërgimit

Mall, dhembje e brenga

Rritemi larg atdheut

E hidhur na dukët jeta

Përshkrim i asaj që ndien në shpirt

Nuk mund të përshkruhet me fjalë se sa bukur e sheh ajo vendin e vetë të largët, se sa të hieshme i sheh fushat e malet, se sa të lumtur janë njerëzit atje.

Pavarësisht se vendi ynë, Kosova, ka probleme të shumta tranzicioni, poetja ruan me pasion krenarin për vendin e vetë, sado i varfër qoftë ai, kurse poetja do të tregoj përmes vargjeve se ajo është e denjë të jetoj dhe të vdes vetëm për të. Do të ishte iluzion të pandehet se kjo krijuese nuk është e vetëdijshme se popullit të saj shumëçka i mungon, por ajo nuk ka nevojë ta thotë këtë, sepse shikimi i saj është i orientuar nga ardhmëria , sepse e nesërmja është e vetmja fjalë që i jep kuptim vargut të saj letrar. Ajo, pra, vendlindjen e sheh si ka dëshirë, ashtu siç i prijnë emocionet. Në të vërtetë, ajo përshkruan atë që ndien në shpirt  dhe e therë në zemër, duke e nxitur lexuesin të mos kërkoj diçka më tepër seç ka në vargjet e saj letrare. Në përgjithësi ajo dukët njeri i tretur diku në kohë e hapësirë dhe se si përskaj saj ecin njerëzit dhe shijon ashtu në veti bukurinë e natyrës dhe në tjetrën anë nuk është në gjendje të vërë aso lidhjesh dhe raportet ndërmjet tyre që jetën e realitetit ta përcjellë edhe në vepër. Në vargjet e këtij libri lexuesi lehtë mund të vëren  se kjo krijuese, vërtetë, jeton në mërgim por shpirtërisht dhe psikikisht e ndjen vetën prezent në atdheun e saj. Në të vërtetë, epi i saj bën një sintezë të virtytit nacional në të gjitha planet me qëllim që të jetë pasqyrë e të kaluarës heroike të popullit shqiptar.

Emine. S Hoti edhe përmes lojës  së fëmijëve asocion  në gjasiminë  e gjithëçkaje në hapësirën e vendit të saj. Kështu duke ia kushtuar një vjershë çunit simpatik Lorionit, ajo shkruan:

Kur loz me motrën Bertina

I gjason Kosovës plot trima

I gjason atdheut mëmë

Si ylberi me ngjyra anë e mbanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat