Isa Ferizaj, njeriu, mësuesi e drejtuesi model

Kultura

Isa Ferizaj, njeriu, mësuesi e drejtuesi model

Bashkim Saliasi Nga Bashkim Saliasi Më 3 nëntor 2018 Në ora: 19:01
Isa Ferizaj

Me shokun tim Isa Ferizaj jam njohur në Shkodër që në  vitin 1975.

U ndodhem të dy njëkohësisht për studime të larta në I.L.P. të Shkodrës. Javën e dytë të muajit tetor të atij viti, na takoi të zhvillonim në auditorin nr.105 orën e Historisë së Partisë së P.P.SH. me profesorin e nderuar, Hysen Alibali.

Më tërhoqi mënyra e komunikimit dhe e diskutimit që zhvilloi Isai para se profesori të niste shpjegimin dhe, pyes shokun tim Vasil Staka që kishte mbaruar shkollën e mesme “Shenjaze Juka”, nëse e kishte njohur këta djalë në shkollën pedagogjike.

-  Po! - më përgjigjet shoku im, - ka qenë dy vjet para meje, quhet Isa Ferizaj.

Pas këtij rasti përshëndeteshim sa harë takoheshim, në rrugë, në auditore, në mencë, në biblotekë dhe, në kujtesën time u regjistrua portreti i këtij studenti që më vonë do të bëhej njëri nga shokët e mi më të dashur e më të nderuar. Edhe pse kishin kaluar  vite të tëra pas mbarimit të studimeve të larta, pa e takuar këtë  shok, ruaja në kujtesën time figurën e tij të paster, qelibar, si flladi i bjeshkëve nga vinte e, që e kishte futur thellë në qënien e vet. Sa herë që takohesha me ndonjë mësues nga Tropoja pyesja, nëse e njihnin Isa Ferizajn. Me një zë më thonin menjëherë:

- Po, po! A e ke fjalën për atë mësuesin e Gjuhës shqipe?

- Po, pikërisht për atë e kam fjalën. E, rridhnin fjalët e mira për shokun tim nga Tropoja, prej gojëve të bashkëvendasve të tij, si uji nga një gurrë ujëkulluar.

- Rastësia është mbreti i botës, - thotë populli. Vitet kalonin e, ne as u takuam, por s’u harruam. Më kishte ngelë në mendje portreti i tij.

Vite e vite më vonë ndodhi ‘mrekullia’.

Ishte shtator i vitit 2007 dhe kisha gati dy vjet që punoja në shkollën ‘Niko Hoxha’ të Valiasit. Njëkohësisht isha edhe bashkëpuntor i gazetës ‘Mësuesi’.  Gazeta më njohu me shumë miq dhe shokë, por njëkohësisht më ndihmoi që përveç shokëve dhe miqve të rinj, të rigjeja dhe shokët dhe miqtë e mi të vjetër, njëri nga të cilët ishte dhe shoku im, Isa Ferizaj.

Ditëve që shkoja në punë në shkollën e Valiasit, me autobuzin e linjës së Kamzës, shikoja çdo mëngjes se në stacionin e Laprakës hypte në këtë autobuz edhe një mësues me sy bojë qelli, trupmadh dhe mjaftë simpatik.  Rreth tij grumbulloheshin mësues të cilët kur nuk kishte vende bosh ia lironin vendin me shumë rrespekt. 

Me të zbritur nga autobuzi, në Kamëz, çdo mëngjes uleshin së bashku me kolegët që njiheshin dhe punonin në shkollat fqinje të pinin kafe së bashku e, të këmbenim ndonjë batutë a barcoletë, në lokalin e Sadikut,  afër Pallatit të Kulturës.

Kishin kaluar shumë vite dhe kujtesa erdhi vetvetiu dhe, një ditë pyes një kolegun tim që shoqërohej me Isain, se nga është ai mësuesi që hipën në stacionin e Laprakës?

Shoku im më tregoi se ai ishte nga Tropoja dhe, e quajnë Isa Ferizaj.

Në kujtesën time erdhi shumë shpejtë djaloshi simpatik, por me tipare burrërore, që për ne, në ato vite të rinisë, na dukej një veçori e rrallë dhe kjo, atë, në sytë e në vetëdijen tonë e bënte të veçantë. Një ditë, sapo u ula nga autobuzi në Kamëz, e prita shokun tim të rinisë, pasi s’ishte në autobuzin tim. Ndalova në kryqëzimin para se të kalonim rrethin ku qëndron djali dhe kali, si pikë referimi.

Ja, erdhi autobuzi dhe zbriti shoku im i rinisë, Isai. E ndaloj dhe i bëj ca pyetje ‘provokuese’, si për t’ia vënë në provë kujtesën. Pas një shikimi, si përtej portretit tim tashmë burrëror e, me mustaqe, ai kapi disa nga tiparet e mia që s’kishin ‘ikur’ nga portreti im dhe më thotë emrin. Shumë shpejtë kujtesa na shfaqi të dyve sekuenca të jetës së rinisë tonë në shkollën e lartë. Që nga ajo ditë udhëtonim çdo mëngjes bashkë për në Kamëz, rreth 10 vjet. Shumë herë kafenë e mëngjesit e pinim bashkë dhe, njëkohësisht shkëmbenim shkrimet tona.

Në vitin 2009, së bashku me nxënësit e shkollës  së fshatit Çerkezë, zhvilluam një konkurs ndërshkollor, në lëndën e biologjisë. Nxënësit e asaj shkolle përfaqësoheshin nga mësues Irfan Kaca, një mësues i mrekullueshëm e, shok edhe i Isait, por dhe nga mësuesi kujdestar i klasës së tyre, shoku im, Isa Ferizaj. Ata nxënës  që morën pjesë në konkurs, na nderuan, nga të të dyja palët.

Konkursi doli barazim dhe kështu, na duhej një pikë më teper tek njëra skuader që të përfundonte, pasi të dy shkollat u paraqitën mjaftë mirë. Rezultati fliste për punën e mirë që ishte zhvilluar nga të dyja shkollat dhe një meritë e veçantë përveç ne specialistëve të lëndës, nga unë dhe mësues Irfani, (kështu u shprehën kolegët dhe gjithë ata që ndoqën këtë veprimtari), një meritë e veçantë i takonte dhe mësuesit model, Isa Ferizaj, i cili gjatë gjithë kohës që u zhvillua konkursi e ndoqi me mjaftë interes, duke inkurajuar të dyja palët e nxënësve, sikur t’i kishte të gjithë të vetët. Më pas, për këtë veprimtari, Isai reflektoi me një shkrim të botuar në gazetën ‘Mësuesi’.

Isaj në vitet që unë e njoha ishte jo vetëm një specialist shumë i zoti në profesionin e tij, por edhe njeriu i letrave. I kam lexuar dhe i lexoj vazhdimishtë shkrimet e tij dhe shpesh herë e kam nxitur që ai, ato shkrime e krijime mos t’i lerë në sirtar, por t’i botojë sa më parë. Më tërhiqnin shumë, sidomos vargu i tij poetik dhe logjika e thellë dhe e mprehtë në prozë.

Isai është recensuesi i librit tim të parë, monografi, ‘Dobrusha 1700-2010’, në faqet e të cilit shkruan: ‘Mua tropojanit nga Shipshani i Tropojës, më qëndron ballas mali i Shkelzenit, ashtu siç i qëndron skrapalliut Bashkim, mali i Tomorrit.

Ndoshta madhështia e tomorrit ka ndikuar në shpirtin e Bashkimit për të prodhuar vlera tomorrjane dhe te libri i tij në fjalë’.

Unë do t’i them sot, shokut tim Isait, në këtë datë të shënuar të mbylljes me sukses të një etape jete të gjatë pune, në zanatin fisnik të edukatorit shëmbullor, njeriut model dhe njërit nga drejtuesit më të mirë që kam njohur në tërë jetën time në këtë profesion fisnik, që në kujtesen e ish nxënësve të tij do ruhet si një emblemë e artë, por edhe tek kolegët, miqtë e shokët të cilët e njohën dhe patën fatin të bashkëpunonin, si njeriu bujar, fisnik dhe besnik; do të jesh si një diamant me vlera të rralla që dite t’u bëje ballë njerzëve zemërngushtë, të paaftë e meskinë,  që  në librezën tuaj të punës shkruan jo pak, por katër herë:  “Pushohet nga puna për arsye të bindjeve të tij politike”. I pafalshëm një qendrim i tillë për një mësues e drejtues model, për një njëri e intelektual të mirëkompletuar, i cili, edhe në situata teper të renduara politike e sociale, kudo ku punoi, diti të ruaj të pastër figurën e njeriut, mësuesit, drejtuesit e kolegut, deri në ditën që doli në pension,  duke mbyllë me nder këtë fazë të jetës aktive të punës. Asnjë herë nuk u ankua për ata që u sollën aq keq me të, në ato vite të ndryshimeve ‘demokratike’.

Të uroj shoku dhe miku im: Jetë të gjatë! Pena plug, në fushën e letrave; harmoni në familje, mbarësi në jetë dhe qofsh e jetofsh me nder sa të rrosh! Gëzofsh me nipa e mbesa!

Urime!  Shumë rrespekt e mirënjohje, nga miku e shoku i viteve të rinisë dhe, i viteve ‘tiranase’ që na ribashkuan, Bashkim Saliasi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat