Agim Çavdarbasha prijatari i skulpturës moderne në Kosovë

Kultura

Agim Çavdarbasha prijatari i skulpturës moderne në Kosovë

Nga: Mr Bislim Aliu Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 11:50
Mr Bislim Aliu

Agim Cavdarbasha ishte skulptori i parë shqiptar në Kosovë. Ishte gjithsesi, prijatari i skulpturër modern te ne. Ai dhe fuqia e tij moderniste, u bë shkollë e re e ngritjes së skulpturës shqiptare në Kosovë. Ky plasticitet i formësimit të tij, është një “drithërimë prekëse” e arritjes së mirëfilltë të një individualiteti të lartë kreativ. Ndaj, skulptura e tij, mbeti arritje e lartë e skulpturës shqiptare në përgjithësi. Ajo do të rrezatojë gjithnjë me shpërfaqjet moderniste të tij.

Pa dyshim skulptori Agim Çavdarbasha është prijatari i skulpturës moderne në Kosovë. Ai, bëri shumë në zhvillimin e skulpturës në përgjithësi. Dhe, në këtë drejtim është i  pakrahasueshëm. Gjithsesi krijoi vepra mahnitëse, me një plasticitet të pasur dhe denjësisht të realizuar bukur. Përgjithësisht, në çdo punim tregoi prirje të jashtzakonshme për formën. Zatën, kjo formë e krijuesit shumë sensible u gdhend bukur në dru, në vidh, në qershi dhe në mermer. Shprehja individuale e Çavdarbashës e ngriti skulpturën në një shkallë shumë të lartë për t’u bërë një skulptor madhor me një shprehje sensitive dhe formësim të lartë përmbajtësor. Ai krijoi vepër mahnitëse, të rrubullaksuar bukur me shpërfaqje marramendëse. Krijoi zgjidhje të reja me motive dhe mendim të qartë por edhe me origjinalitet të lartë. Agim Çavdarbasha pati shumë ekspozita individuale dhe kolektive. Veprat e tij përpos në vend, u ekspozuan edhe jashta vendit, si në; Shqipëri, Hungari, Gjermani, Itali, Bullgari, Slloveni… ku u mirëprit bukur dhe mori shpërblime e komplimente positive dhe shumë të larta për krijimtarinë e tij skulpturore e cila vargnoi shumë domethënie kreative dhe formësim të lartë përmbajtësor.

Prijatar i skulpturës moderne në Kosovë

Agim Cavdarbasha është skulptori i parë shqiptar në Kosovë. Ishte gjithsesi prijatari i skulpturës modern te ne. Ai dhe fuqia e tij mendore u bë shkollë e re e ngritjes së skulpturës shqiptare në Kosovë. Ky plasticitet i formësimit të tij, është një “drithërimë prekëse” e arritjes së mirëfilltë të një individualiteti të lartë kreativ.

Ndaj, skulptura e tij, mbeti arritje e lartë e skulptures shqiptare në përgjithësi. Ajo do të rrezatojë gjithnjë me shpërfaqjet moderniste të tij.

Ky skulptor i mirënjohur me angazhimin dhe punën e vet madhore për të krijuar vepra impozante, e hap udhën për ta formuar një shkollë të re të skulpturës. Nga kjo shkollë dhe nga duart e tij të fisnikruara u “linden” skulptorë të shumtë, si; Agim Rudi, Ismet Jonuzi, Fatmir Hoxha, Luan Mulliqi, Adem Rusinovci, Aziz Islamaj, Gani Bajraktari…e  që sot janë krearia e skulpturës sonë kosovare por edhe gjithë shqiptare.

Pa mëdyshje, Çavdarbasha, ka një opus shumë të pasur. Motivet e tij të shtjelluara janë të shumëllojta. Ai ishte shumë i interesuar sidomos për figurën e femrës që gjithnjë ravijëzoi bukur. Zatën, ky ravijëzim vërehet dendur, sidomos në veprat; “Gratë e Lybeniqit”, ose në “Gratë e Prishtinës”, që janë të paraqitura në mënyrë më të veçantë. Kjo veçanti e tij e treguar me një sens të lartë kreativiteti, sikur i dha kurajo për të krijuar vepra të tjera, impozante, me një sensibilitet të lartë  dhe tejet drithërues dhe domethënës. Andaj, krijimtaria e tij shumë cilësore, qëndron në piedestalin e kreativitetit sculptural dhe të  kulturës sonë shqiptare.

Në këtë prizëm doemos duhet përmendur shtatoret e Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit. Kjo vepër e lartë artistike rrezatoi bukur në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit një kohë të gjatë, gjer sa u shkatrrua nga barbarët serb gjatë luftes në Kosovë. Gjithsesi, skulptura e Çavdarbashës është e qartë, me intensitetin dhe zgjedhjet e reja moderniste. Ajo gjithsesi është stimulans i  bukurive dhe i thellësive të plasticitetit të treguar me një dije dhe prirje tejet madhështore.

Ambasador i skulpturës shqiptare

Ky ambasador i skulpturës gjithnjë e  tregoi afinitetin e lartë të skulpturës. Dihet mirëfillti se  Agim Çavdarbasha, ka bërë më së shumti për skulpturën kosovare. Dhe, nga opusi i tij tejet sensitive e frytdhënës mund t’i dallojmë veprat; “Familja”, “Sofra shqiptare”, “Kafazi”, “Nëna”, “Llapjani”, “Pejani”, “Dërvishi”, “Syla”, etj.

Në të gjitha këto vepra tregohet  dendur krenaria, burrëria, ankthi i dhembjes por edhe  ai i pritjes. Dhe, kjo shpërfaqje përherë është treguar dinjitetshëm në veprat e tij.

Në  këtë rrumbullakim kreativiteti gjithsesi shpaloset ky univers i  dhembjes. Dhe, pa mëdyshje, kjo veti intime e tij tejet e lartë u shpreh shumë bukur në veprën omonime “Zogjtë e mbyllur në kafaz”.

Në këto paraqitje tejet impozante, të një bote të gjërë interesimesh dhe intimiteti, me të cilën u ngrit lartë krijimtaria voluminoze dhe tejet domethënëse e këtij skulptori madhor, është lartësia e këtij kreativiteti dhe kjo është edhe krenaria e jonë në artin skulptural.  Gjithsesi, krijimtaria e tij shërben gjithnjë si një shkollë e re frymëzuese për skulptorët të rinj. Agim  Çavdarbasha vdiç i  ri në moshën 55 vjeçare dhe nuk pati kohë të na tregojë gjithë atë potencial të dijes drithëruese dhe atë sens të lartë të konkretizimit dhe të ravijëzimit të  përhershëm por edhe të thukt skulptural që pati.  Megjithatë, ai i  realizoi shumë e shumë vepra kolosale që dendur tregojnë përkushtimin e lartë dhe tejet cilësor të shprehjes së tij individuale që e shpërfaqi aq bukur dhe aq ndjeshëm  me ndiesim tejet të lartë konkretizues dhe formësim përmbajtësor.  

Vepra e tij madhore, gjithnjë do të jetojë dhe do të jetojë përherë me sensin dhe me rrezatimin e mirëfilltë të një ndiesimi të lartë dhe  të një shprehje tejet individuale dhe, mbase, pse jo, edhe të një rrëfimi tejet konkretizues e fare përmbajtësor. Andaj, vepra e tij impozante, gjithmonë do të shndëris si një arritje e lartë rrezative, me botë fare individuale, kreartive dhe me shpërfaqje sensitive përmbajtësore dhe tejet domethenëse.

Ajo do të jetojë e do të jetojë gjithnjë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat