MKRS trajnon rreth 400 të rinj për ndërmarrësi dhe zhvillim të planeve të biznesit

Kultura

MKRS trajnon rreth 400 të rinj për ndërmarrësi dhe zhvillim të planeve të biznesit

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 11:43
Kujtim Gashi

(E plotësuar) - Rreth 400 të rinj nga e gjithë Kosova për tri javë janë trajnuar për ndërmarrësi dhe zhvillim të planeve të biznesit, ku sot edhe janë certifikuar.

Ky trajnim i të rinjve nga e gjithë Kosova ishte bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht departamenti për rini në këtë ministri. Qëllimi i këtij trajnimi u tha të ketë qenë aftësimi i të rinjve për tregun e punës.

Me rastin e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit, ministri i Kulturës Kujtim Gashi, tha se për të si ministër është kënaqësi që ka arritur të bëjnë trajnimin e të rinjve në 7 regjione të Kosovës.

Ai tha se si MKRS do të jenë në shërbim të të rinjve që të sigurojnë një perspektivë më të mirë për ta, në mënyrë që të rinjtë të mos e shohin si zgjidhje largimin nga Kosova, por potenciali i tyre të përdoret për zhvillim të Kosovës.

Gashi: Fokus të veçantë i kemi dhënë një programi që po e quajmë Fondi Rinor

“Fokus të veçantë i kemi dhënë një programi që po e quajmë Fondi Rinor, i cili do të jetë në shërbim të të rinjve, të gjithë ata të rinj që kanë ide, kanë projekte, kanë plane do ta kenë përkrahjen e fuqishme të ministrisë së Kulturës. Ky fond për herë të parë do ta arrijë shumën afër 1 milionë euro, që ka qenë, është dhe do të mbetet synim i MKRS-së, në mënyrë që të rinjtë tanë, të gjithë ata që e përfundojnë shkollën e mesme, por edhe studimet që të paktën për një kohë të shkurt të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Kjo do të jetë e mundur në kuadër të këtij programi, pasi do t’u ofrojë mundësi të realizojnë programet dhe në të njëjtën kohë ata më vonë të kenë bizneset e tyre”, tha ministri.

Ky projekt kishte paraparë që rreth 40 të rinj, përkatësisht planet e tyre, të përzgjidhen për t’u implementuar, por që gjatë ceremonisë ministri Gashi tha se këtë numër do ta rrisin në 100.

Xhevat Bajrami, Drejtor i Departamentit të Rinisë në MKRS-së, tha se si departament janë të përkushtuar për të punuar në të mirë të të rinjve të vendit.

Bajrami: Departamenti ka paraparë politika programore të punësimit

“Departamenti i Rinisë në kuadër të planit të veprimit dhe strategjisë kosovare për rini ka paraparë politika programore të punësimit dhe rritjen e punësimit të rinjve, si problemi më i madh që e ka sot Kosova”, tha ai.

Kurse, përfaqësuesi nga Organizatat implementuese të projekteve për Trajnime për Ndërmarrësi për të rinj, Safet Fazliu, u shpreh se janë befasuar me idetë e të rinjve për zhvillim të biznesit.

Fazliu: Jemi shumë të befasuar nga idetë e juaja kreative të të bërit biznes

“Ajo çka mund të them për rininë është se nga përvoja jonë me këto trajnime kemi vërejtur se më të vërtetë kemi një rini shumë energjike, shumë entuziaste dhe jemi shumë të befasuar nga idetë e juaja kreative të të bërit biznes. Natyrisht se këto ide do të mbesin të parealizuara pa përkrahjen e institucioneve, pa trajnimet e duhura, por edhe pa përkrahjen financiare të ideve tuaja për të themeluar biznese në të ardhmen”, tha Fazliu.

Ai ka kërkuar nga ministri që në të ardhmen ta rris buxhetin për projekte të ngjashme, e të cilat kanë për qëllim aftësimin e të rinjve për biznes.

Përvojën e saj në këtë trajnim e ka ndarë Elvira Ukiqi nga Vushtrria, e cila tha se ky trajnim për të ka qenë shumë i nevojshëm dhe se ka mësuar shumë gjëra të reja.

Ukiqi: Kemi pasur një përvojë mjaftë të mirë

“Kemi pasur një përvojë mjaft të mirë dhe kemi mësuar gjëra të cilat më herët nuk i kemi ditur, mirëpo që në të ardhmen do të na shërbejnë për atë se çka planifikojmë që të bëjmë ndonjë biznes. Unë do të falënderoja ministrin që na e ka dhanë këtë mundësi për të treguar se sa kemi ne aftësi për të bërë biznes dhe sa ne të rinjtë jemi të përkushtuar për të vazhduar që mos me dal prej vendit tonë, po për të qëndruar këtu”, tha Ukiqi.

Projekti për trajnimin e të rinjve për ndërmarrësi dhe zhvillim të planeve të biznesit, është mbajtur nga data 15 tetor deri me 2 nëntor të këtij viti.

  ***

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë shpërndarjen e certifikatave për të rinjtë që kanë marrë pjesë në trajnimin për ndërmarrësi dhe zhvillim të planeve të biznesit.

Me këtë rast ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka thënë se si ministri janë në mbështetje të rinisë.

"Përmes këtyre trajnimeve i është dhënë mundësia për t’u trajnuar të rinjve nga të gjitha komunat. Unë dhe MKRS do të jemi në shërbim të të rinjve të Kosovës, që ata të mos e shohin si zgjidhje largimin nga Kosova. Në vitin 2019 i kemi dhënë fokus të veçantë fondit rinor", tha ai.

Përfaqësuesi nga organizatat implementuese të projekteve për trajnime për ndërmarrësi për të rinj, Safet Fazliu, janë bëfasuar me idetë e të rinjëve për zhvillimin e bizneseve.

"Ajo çka mund të them për rinin është se kemi një rini shumë energjike, dhe jemi të befasuar nga idetë e tyre për zhvillim të bizneseve. Këto ide të juaja do të mbesin të pazbatuara nëse nuk ka mbështetje nga institucionet e Kosovës", tha ai.

Fazliu ka kërkuar nga ministri që të rris buxhetin për trajnime të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat