Rubairë e dashurisë

Kultura

Rubairë e dashurisë

Nga: Jan Kosova Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 17:13
Jan Kosova

Të shkruaj diçka të veçantë, unë, kam ëndërruar
Dy fjalë zemre për Ty do t'i shkruaja me dëshirë
Dashurinë për Ty, në letër do e kisha përjetësuar
Dhe vargjet që nuk mbarojnë do i quaja Rubairë

Të shkruaj diçka të veçantë, unë, kam ëndërruar
Prap për Ty, do i kisha thyer rregullat e letërsisë
Vargjet për Ty, në një poezi, i kisha grumbulluar
Jetën time në një poezi, një Rubairë e dashurisë

Unë nuk besoj...

Unë nuk besoj se diçka të madhe kam shkruar
Edhe nëse duket se vargjet e mia luajnë valle
Ta përshkruaj dashurinë çdo ditë jam munduar

Prap nuk besoj se kam shkruar diçka të madhe
Edhe kur vargjet e mia kanë rrjedhur si një lumë
Të mbushura me dashuri, me brenga e me halle

Nuk besoj se diçka të madhe kam shkruar unë
Edhe kur e kam shkruar se sa shumë ty të dua
Prap nuk ishte e tëra, se ty të dua edhe më shumë

Në zemrën time e ke një vend

Asnjë fjalë e veçantë nuk më ra sonte në mend
Ti edhe mund të udhëtosh botës pafundësisht
Por në zemrën time përgjithmonë e ke një vend
Nga aty nuk largohesh,aty mbetesh përjetësisht

Shumë dua që çdo ditë të të buzëqeshë fytyra
S'mund të jeshë në dy vende në të njëjten kohë
Ndoshta nuk sfidohen ligjet që shkruan natyra
Kudo ti të jeshë,zemrën time gjithmonë ngrohë

E dua një urim që urimin e zakonshmën e kalon
Por ja që po më mungon një fjalë e madhe mua
Jeta ka të panjohura shumë, nuk e di ku të çon
Kudo jeta ty të këtë dërguar, unë shumë të dua

Urime datëlindjen bukuroshja (junior) e Dardanisë

Unë shpejt dashurohem

Unë jam nga ata që shumë shpejt dashurohen
Rrallë e kam unazën në gisht, dhe orën në dorë
E ja që zemra e shpirti asnjëherë nuk pëndohen
Se dashuria ime jeton, nuk zgjat vetëm një orë

Unë jam nga ata që shumë shpejt dashurohen
Sikur një planet i vogël i dashuruar në orbitë
Përderisa planetet nga orbita mund të largohen
Dashuria ime jeton, nuk zgjat vetëm një ditë

Unë jam nga ata që shumë shpejt dashurohen
Jam sikur ata vullkanët që papritur hedhin llavë
E përderisa vullkanët pas pak ditësh qetësohen
Dashuria ime jeton, nuk zgjat vetëm një javë

Unë jam nga ata që shumë shpejt dashurohen
Sikur një kometë që rrugën e vet e përserit
Kometat, ka ndodhur që më të mos lajmërohen
E dashuria ime jeton, nuk zgjat vetëm një vit

Unë jam nga ata që shumë shpejt dashurohen
Më pëlqen mua romanca,e më shumë serenada
E përderisa romancat shumë shpejt lexohen
Dashuria ime jeton nuk zgjat vetëm dy dekada

Unë jam nga ata që shumë shpejt dashurohen
Bukuroshja ime po ta tregoj sonte një të vërtetë
Si yjet në qiell që nga atje kurrë nuk largohen
Dashuria ime për ty nuk mbaron plotë një jetë

Ti, fjala ime më e bukur

E kam shkruar një varg për ty herët në mëngjes
Dielli sapo kishte lindur e unë sapo isha zgjuar
Dita ishte e ftohtë,vjeshta kishte arritur në mes

Pak para mesditës vargun e dytë e kam shkruar

Për ty që edhe jetën time e ke mbushur me jetë
Hëna më shikonte e hamendur, sot rrinte zgjuar

Pasdite e kam shkruar edhe vargun tim të tretë
E hënën nuk e pashë më, tashmë ishte zhdukur

Thonë se hëna nuk fle, ndoshta është e vertetë

As sonte nuk e kuptova, hëna ku është strukur
E mua më mungonte një fjalë për vargun tjetër
Edhe një fjalë, për ty që je fjala ime më e bukur

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat