Nalbanxhinjtë, samarxhinjtë dhe samarët e sotëm

Kultura

Nalbanxhinjtë, samarxhinjtë dhe samarët e sotëm

Nga: Sulejman Mehazi Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 13:11
Sulejman Mehazi

Ky shkrim  s`ka të bëjë për Gomarin e Babatasit të Gjergj Fishtës, por për nalbanxhinjtë, samarxhinjtë dhe samarët të kohës sonë moderne apo postmodrne. Këta dallojnë nga më të hershmit,  janë  të veçantë e të çuditshëm; herë bëhen të dukshëm, herë të padukshëm,  sa janë real, aq edhe abstrakt . Dhe për  t`u habitur, secili e ka sevdanë e vet, nallbanxhinjtë sevdanë e patkuajve, samarëxhinjtë sevdanë e samarëve, samarët  sevdanë e pronarëve të kuajve dhe gomerëve. 

Po sevdaja e atyre  që nuk i duan këto zanate, që s`duan të bëhen nallbanxhi, samarxhi e samar, ku mbeten, ku e kanë vendin? Janë jashtë lojës jetësore, janë të eliminuar. Ata mbeten me sevdatë e mbathura, ngarkuara e mbushura  me brengat dhe mërzitjet e tyre sepse nuk e kuptojnë ritmin e jetës,  nuk e kuptojnë se kjo është kohë e nallbanxhinjve dhe samarxhinjve modern. Shkurt e shqip, është  kohë e samarëve miq të dashur, kohë kush kujt t`ia vë samarin, apo, si themi ne në Tetovë, kush kujt t`ia vë sarmën. Sot edhe pse shumë pak shohim kuaj e gomerë, por me shumicë janë shtuar  nalbanxhinjtë e samarxhinjtë. E jetë moj jetë, sa shpejt po ec, s`thonë kot pleqtë e urtë të mëhershëm se je shpatë me dy teha, sa shpejt po kalon e ndryshon.  

Më kujtohet, kur  isha i vogël, ditës së  enjte, edhe sot e kësaj dite i  thonë ditë pazari. Në këtë ditë njerëzit  shprehnin ndjenjat dhe problemet  jo vetëm sociale, por edhe ato  shpirtërore. Qyteti  ishte i mbushur më shumë me fshatarë se sa me qytetarë, me tregtarë e matrapazë, me pleq e plaka, me burra e gra që vinin për të bërë pazar e njëkohësisht për  të paguar  tatimet , apo obligimet që kishin ndaj  shtetit. Qyteti ishte i mbushur me kuaj e gomerë, prandaj në këtë ditë më të gëzuar ishin  nallbanxhinjtë dhe samarxhinjtë sepse u shtohej puna më shumë. Nalbanxhinjtë dhe samarëxhinjtë  numëroheshin me gishta, dy apo tre në tërë qytetin dhe ishin më të njohurit dhe më të pasurit e qytetit për shkak se kishin punë shumë , duke mbathur kuajt me patkua, e duke shitur samarë për kuaj e gomerë. Po sot ku janë kuajt dhe gomerët, thuajse kanë humbur, po nallbanxhinjtë e samarxhinjtë, a kanë  humbur?                                   

Çudi e madhe, sa më shumë që mungojnë gomerët e kuajt, aq më shumë  shtohen  patkua dhe samarë! Kaloi koha e nalbanxhinjve dhe samarëxhinjve tradicional, tani  janë transformuar me emra  modern të demokracisë në nalbantarë dhe samartarë. Këta nuk janë zanatçinj si të mëhershmit  të thjeshtë  e të pashkolluar, po janë patriotë, intelektualë të mençur  e shumë  të përsosur, sa mirë e kanë mësuar zanatin, po sa mirë dinë  që të tjerëve t`ua mbathin patkuat dhe t`ua ndreqin samarët. Këta mund t`i gjejmë kudo, nëpër  institucione  shtetërore, nëpër organizata të ndryshme politike e jopolitike, nëpër universitete e institute shkencore, mund t`i  gjejmë  aty ku s`ju shkon mendja. Autoriteti i tyre i detyron që  njerëzit  vullnetarisht  të shkojnë  për të marrë patkua  e samarë  sepse janë human, ua japin ashtu, pa para, vetëm e vetëm t`i mbathin e ngarkojnë me patkua e samarë.          

Aq  janë ngarkuar njerëzit me patkua e samarë sa që nuk mund të marrin frymë, po fatkëqinjtë, përsëri  turr e vrap vrapojnë pas tyre, për  t`u ngarkuar dhe më shumë e më shumë , si samarët e breshkave, që i gjithë trupi u është mbuluar me samarë e vetëm kokat e këmbët u kanë mbetur jasht. Sot, çdo kush vrapon për t`u bërë nallbantar e samartar, duke mos e ditur se pavetëdije bëhen gomerë e kuaj për patkua, samarë e shalë   Samarët e sotëm e kanë ndërruar vendin dhe pamjen,  janë bërë figura  të gjalla që rinë mbi shpatullat e njerëzve; veprimet e tyre gjasojnë me ato të kuajve dhe gomerëve  për t`hipur , ngarkuar , mbathur,  për  të ecur e  vrapuar.                          

Tash e kuptova  domethënien e pikturës së  famshme “Kali” të Leonardo da Vinçit; se njerëzit janë  tjetërsuar në kafshë e gjësende , kuaj e gomerë, shalë e samarë. Orrigjina e kuajve dhe gomerëve  e paskërka kuptimin e rrugëtimit drejt  patkuajve, samarëve dhe shalëve. Qëllimi i nallbantarëve dhe samartarëve qenka rruga që shpie drejt  patkuajve dhe samarëve,  këta janë specialistë dhe ideologë  të samarëve dhe patkuajve. Nallbantarët dhe samartarët e sotëm  llogariten si mbrojtës  popullor sepse me vete i kanë disciplinat institucionale, politike, shkencore e shoqërore. Për  ata, patkuajt dhe samarët janë qëllime formale, kurse qëllime kuptimore janë  pronarët e samarëve dhe  patkuajve.   

Nallbantarët dhe samartarët e sotëm me anë të mbathurave të patkuajve dhe vënieve të samarëve krijojnë përkrahësit e vet, pra përkrahja bëhet shfaqja e nalbantarëve dhe samartarëve. Koha në të cilën jetojmë është bërë arenë e përparimit dhe zhvillimit të nallbantarëve dhe samartarëve sepse me vete sjellin ndryshime rrënjësore të  patkuajve dhe samarëve politike, teknologjike , shkencore, edukative-arsimore; me vete sjellin zhvillime maramendëse të mjeteve kontaktuese mashtruese mes njerëzve, për  të  përjetuar psikoza  të ndryshme  të sjelljes, të cilat në esencë paraqesin servilitetin e patkoit nën këmbë dhe samarit mbi shpinë. Epiqendër e gjithë kësaj katrahure të fatkeqësive sociale, psikologjike, shoqërore  janë nallbantarët dhe samartarët global.   

Çdo gjë është nën kontrollin dhe përkujdesjen e nallbantarëvë dhe samartarëve. Gjuha e përparimit dhe e zhvillimit është e shtresuar me kurthet e shumta  të  nallbantarëve e samartarëve që me patkuajt dhe samarët e tyre prezentojnë  kulturë kombëtare, politike, ekonomike, juridike, letrare e artistike.  

Pajtohemi plotësisht me poetin e jashtëzakonshëm shqiptar Gjekë Marinaj i cili me ikonën  e tij poetike “Kuajt”,  që  saktësisht, me mjeshtri  poetike bën pasqyrimin e realitetit dramatik shqiptar: 

“Kush qe kalë mbreti

 posti qe i lartë 

Kush qe kalë princeshe

i bënë shalë të artë

Kush qe kalë fshatari

pat samarë me kashtë

Kush qe kalë i egër 

tërë jetën fjeti jashtë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat