Në nderim të flamurit kuq e zi

Kultura

Në nderim të flamurit kuq e zi

Nga: Skender Zogaj Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 14:48
Skënder Zogaj me Idriz Cakë Bytyçi në Arllat

Të gjithë kemi gëzim kur vjen Nëntori i ditëlindjes së Flamurit kuq e zi, i Pavarësisë së Shqipërisë dhe i Adem Jasharit, me të cilët ndjehen krenar të gjithë shqiptarët, sepse, Nëntori është muaji i festave më madhore të historisë kombëtare shqiptare. Kështu thotë edhe Idriz Cakë Bytyçi nga Arllati i Drenasit, i lindur më 15 nëntor 1928,që sivjet i bashkëngjitet festave të nëntorit, me ditëlindjen e tijtë 90-të. Prandaj, me arsye ndjehet shumë krenar dhe i gëzuar sepse, në kujtimet e tij është atdhedashuria për rreth 80 festimeve të Flamurit kuq e zi në Arllat, në Llapushë e nëpër gjithë Kosovën. Kjo nuk duket fort interesante, por në fakt është, sepse, flamuri me shqiponjë sot nuk do të valonte i lirë në Kosovë, sikur mos të kishin qenë burrat si Idriz Caka që për ta ruajtur flamurin janë përleshur me stuhitë e egra...

Axha Idriz 90 vjeçar, me nostalgji kujton:

-Që nga mosha 10 vjeçe e mbaj mend shpalimin e flamurit kuq e zi dhe shkrepjen e armëve në shenjë nderimi për flamurin që bëhej në Arllat, në çdo nëntor dhe dridheshin telat e çiftelive nëpër kulla, duke i kënduar Skënderbeut e Ismajl Qemalit. Kjo ka qenë edhe festa e babai tim, Cakës, i cili, në ditën e ditëlindjes sime, më15 nëntorin 1943, kur unë mbusha 15 vjet,  nxori nga brezi pistoletën e tij dhe ma zgjati, e më tha:.

“Kjo është për ty! Prej sot je burrë dhe duhet me u sjell burrnisht!”

Trembëdhjetë ditë më vonë, në ditën e 28 nëntorit1943, në vend të babës unë e shkrepa armën për nderim e flamurit shqiptar...”

Image
Idriz Cakë Bytyçi

2.

Më 15 nëntor 2018, Idriz Cakë Bytyçi mbush plot 90 vjet dhe, ata që e njohin e dinë se, ky burrë nga Arllati i Drenasit, është një pjesë e historisë së gjallë të Kosovës, sepse i përket brezit të veprimtarëve të dalluar atdhetarë të pasluftës së dytë botërore, njëri nga veprimtarët e guximshëm që,edhe në kohë e rrethana tepër të rënda, ka qëndruar i palëkundur kundër  dhunës së kuqe serbo sllav. I lindur dhe rritur nën ndikimin e fuqishëm të frymës patriotike të familjes dhe sidomos të babait të tij, Cakë Kosum Bytyçit, patriotit në zë të Llapushës, burrit të fjalës e të pushkës, Idrizi, herët angazhohet  në çështjet e kombit. Menjëherë pas pasluftës partizane, Idrizi 19-vjeçar, është truproja e patriotit të madh të Drenicës dhe gjithë Kosovës, Rifat Berishës, i cili ndër të parët në Kosovë, kundërshton hapur regjimin komunist jugosllav. Kjo i kushton me jetë Rifat Berishës, por fatkeqësi tepër të mëdha përjetojnë edhe të gjithë njerëzit e rrethit të tij, që ndiqen e dënohen mizorisht. Bytyçët e Arllatit vihen masivisht nën torturë. Idrizin UDB-a e ndjek hap pas hapi dhe ky, detyrohet që ta braktisë familjen,  ik dhe strehohet në Lubjanë, të Sllovenisë.

3.

Në kohët e stuhishme për shqiptarët,  Sllovenia ishte një strehimore i mirë, që u ofronte strehim e punë, e besa edhe mundësi për organizime veprimtarish të ndryshme kulturore të frymës kombëtare. Idriz Bytyçi plot energji atdhedashurie, shumë shpejt krijon rrethin e tij të njerëzve dhe, vepron si njëfarë “ambasadori” i shqiptarëve hallexhinj të Kosovës,  që të ndjekur nga rankoviqizmi, ikin nga Kosova, dhe Idrizi e ndjen si detyrim për t’i ndihmuar. Me mobilizimin e këtyre të ikurve, mërgata shqiptare në Slloveni bëhet pjesë e fuqishme e veprimtarive të shumta atdhetare, jo vetëm në Slloveni, por edhe deri në Kosovë, ku Idrizi me shokët e tij, janë pjesëmarrës dhe organizatorë të drejtpërsëdrejti të lëvizjes gjithë popullore, e cila kulmon me demonstratat e vitit 1968, nëpër të gjitha qendrat e Kosovës. Këto demonstrata bën që rrëgjimi Titist të detyrohet të lëshoj pe dhe të lejohet hapja e Universitetit të Prishtinës, përdorimi i gjuhës shqipe në institucione, lejimi i përdorimit të flamurit shqiptar, më vonë edhe shpallja e Kushtetutës së Kosovës.

3.

Këto arritje ishin tepër të rëndësishme për kohën,sepse, ia  kanë hapur shtegun çlirimit të vendit. Idriz Bytyçi i kujton me krenari ato vite pune dhe përpjekjesh titanike të atdhetarëve kosovarë që, kanë punuar me mish e shpirt për të mirën e Kosovës. 

Në Lubjanë, IdrizBytyci ka bashkëpunuar me shumë nga personalitetet e mirënjohura kosovare si: intelektualin e madh atdhetar Ukshin Hotin, veprimtarin dhe publicistin Sali Kabashi, regjisorin Atdhe Gashi, veprimtarët  e palodhshëm politikë, Xhafer Krasniqi, Adem  Mikullovci, Naim Maloku, e shumë e shumë të tjerë. Janë këta emrat e shquar të Alternativës shqiptarë në Slloveni, nga e cila themelohet Shoqatën Migjeni, që ishte zëdhënësja e fuqishme e Kosovës për mobilizimin dhe  forcimin e idesë për bashkim dhe çlirim të Kosovës. Sidomos kontribut të jashtëzakonshëm Shoqata Migjeni në Lubjanë ka dhënë për delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët pas shpalljes së Kushtetutës së Kosovës në Kaçanik,strehohen në Slloveni dhe Shoqata Migjeni është ajo që i pret dhe përkujdeset për ta.

4.

AxhaIdrizi ka ikur në Slloveni që në rini dhe atje ka jetuar e punuar deri në pensionim, sepse kjo ka qenë mënyra e vetme për ta mbajtur gjallë familjen në Kosovë. Ka punuar pa u ndalur kurrë, edhe punët më të rënda nuk ka kursyer që t’i bëjë, vetëm e vetëm që të sigurojë kushtet e jetës për familjen e tij, dhe sidomos për shkollimin e 10 fëmijëve të tij. Përpjekja e mundimshme me dekada, xha Idrizit iu ka shpaguar: fëmijët me suksese të larta shkollore, të gjithë të angazhuar në punët e tyre profesionale. Edhe idealet atdhetare po realizohen: Kosova është e lirë dhe e pavarur, me shenja shprese se, Kosova do të kurorëzojë lirinë dhe pavarësinë e saj të fituar me shumë mund e sakrifica. Shqiptarët duhet të ecin përpara. Ne shqiptarët që e kemi përjetuar vuajtën, thotë xha Idrizi, duhet të punojmë pa hile, sepse, lirinë e kemi fituar, por tash duhet ta forcojmë sepse, armiqtë do të përpiqen të na kafshojnë...  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat