Kontribut për një kontributdhënës

Kultura

Kontribut për një kontributdhënës

Nga: Fatmire Duraku Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 15:54
Shaip Grabovci

Nuk ka dyshim se veprat  janë ato që shkencëtarët i mbrojnë nga harresa. Mirëpo edhe shkrimet për veprimtarinë e tyre, paraqesin një kontribut për të hedhur dritë në punën e tyre, e cila nganjëherë, mbetët e pandriçuar. Shkrimet, kushtuar njerëzve të shkencës, jo vetëm që punën e tyre të madhe ia afrojnë publikut të gjerë, por shkrimet e tilla, mund të jenë edhe trimërim për gjeneratat e reja për t` ia mësy rrugës së shkencës, aq të nevojshme për njerëzimin.

Nga ky këndvështrim, mund të shikohet edhe monodrama e Shaip Grabovcit: DARDANIA, e cila i kushtohet Dr. Zef Mirditës, njeriut i cili tërë veprimtarinë e tij shkencore ia kushtoi truallit tonë- Dardanisë. Drama në fjalë nuk është monografi, ku në mënyrë kronologjike flitet për jetën e shkencëtarit, Dr. Zef Mirdita, por ajo paraqet vetëm një fragment të punës së tij, mirëpo e shkruar me mjeshtri , sa në fund lexuesi- shikuesi fiton njohuri komplete për punën që ka bërë Dr. Mirdita për të gjurmuar rrënjët e një populli të lashtë, të cilat prekin në Dardaninë antike.

Drama fiton peshë të veçantë, ngase portreti i shkencëtarit trajtohet në mënyrë të gjithanshme, kështu rruga e Dr. Mirditës është një pasqyrë e rrugës së mundimshme që bën çdo shkencëtar për të ardhur deri te e vërteta. E rruga e shkencëtarit është e vështirë, me plot sakrifica për të cilat të tjerët, nganjëherë , mësojnë shumë më vonë, shpesh edhe kur autori nuk është më në mesin e të gjallëve! Mirëpo, si ka treguar praktika, shkencëtarët janë njerëz të tillë, të cilët tërë veprat e tyre, por edhe satisfakcionet  ua lënë gjeneratave te reja.

Cilat janë ato vështirësi, të cilat aq shumë e molisin shkencëtarin e - nganjëherë e sjellin në prag, ku realja kalon në jorealen, ndërsa shkencëtari duket se më nuk komunikon me realitetin... Të gjitha këto janë të bartura në dramë, e cila sa i kushtohet Dr. Zef Mirditës, aq i kushtohet secilit shkencëtar tjetër. Zëri i Dardanisë,  i cili gjatë tërë kohës dëgjohet në jehonë është zëri i shkencës, e cila posa hynë në qenien e shkencëtari, më, tërë jetën nuk e le të qetë! Prandaj, jo pa arsye, thuhet se kërshëria e cila i prinë shkencës nuk ka fund. Duhet të them se drama është shumë skenike, pra shumë e përshtatshme që të vihet në skenë dhe me inskenimin eventual të saj do ta kujtonim edhe njëherë Dr. Zef Mirditën, i cili aq shumë gjurmoi për t’i gjetur rrënjët tona që shpien në Dardaninë e lashtë. Drama Dardania është botuar bashkë me dramën BANKETI, në botim të N.SH. FAD në Prishtinë, ndërsa do cekur dhe ndihmesën financiare të Ministrisë për Kulturë të Republikës së Kosovës, që të botohet ky libër me interes të veçantë.

Në këtë shkrim të shkurtër duhet veçuar përpjekjen e pamohueshme të Shaip Grabovcit, që ta shtrijë në dramë veprën e autorit dhe vetë autorin, i cili duke i prekur rrënjët e Dardanisë së lashtë ia del të jehojë në kohë e hapësirë  dhe të bëhet pjesë e përhershme e zërit të lexuesi që e lexon librin apo e shikon shfaqjen e dramës. Sepse  drama shkruhet për t`u vu në skenë e duke e përjetuar këtë bëhet pjesë e kohës dhe e brezave të tashëm dhe të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat