Mjeshtri i Madh Kujtim Gjonaj feston ditëlindjen në Shkup duke shfaqur filmin “I fundmi i Rilindasve Josif Bageri”

Kultura

Mjeshtri i Madh Kujtim Gjonaj feston ditëlindjen në Shkup duke shfaqur filmin “I fundmi i Rilindasve Josif Bageri”

Nga: Albert Z. Zholi Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 09:19
Albert Z. Zholi

Filmi dokumentar “I fundmi i Rilindasve Josif Bageri” vjen sot në sallën e madhe të Kinotekës së filmit në Shkup. Të ftuar në këtë event janë ministri i Kulturës së Maqedonisë, kineastë, shkrimtarë, gazetarë dhe personalitete të subjekteve shqiptare. Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i Madh”, tregon se "Jofis Bageri është një nga patriotët më të mëdhenj shqiptarë të Rilindjes shqiptare. Një rilindas nga krahina e Rekës së Epërme, që sot për arsye që dihen është në territorin maqedonas. Një krahinë që shtrihet rrëzë maleve të Korabit, krahinë malore, krahinë e pasur me pyje dhe burime natyrore, me ujëra të shumat dhe gjelbërim të këndshëm. Krahinë shqiptare që fatkeqësisht sot shumica e popullatës së kësaj krahine e quajnë veten popullatë ortodoks maqedonas. Josif Bageri është një rilindas në një krahinë me shqiptarë dhe duke qenë të fesë ortodokse i kanë konvertuar në maqedonas. Është nga ata patriotë shqiptarë të thosha, që deri në moshën 16 vjeçare ishte autodidakt nuk kishte mësuar ende të shkruante shqip”, pohon regjisori Gjonaj. Regjisori tregon se Bageri mëson në këtë moshë me dëshirën e madhe gjuhën shqipe dhe alfabetin shqip. Për arsye ekonomike emigron shumë shpejt në Bullgari dhe në moshën 18 vjeç bie në kontakt me patriotë të shoqërisë shqiptare që jetonin dhe punonin në këtë shtet, dhe nën ndikimin e këtyre duke u njohur me literaturë të botimit të abetares shqipe duke u njohur me poezitë e famshme dhe patriotike të Naim Frashërit dhe autorëve të tjerë Josif Bageri arrin të mësojë gjuhën shqipe. “Por ai arrin të krijojë dhe vjersha e fabula në gjuhën shqipe, që i boton në librin e tij “Kopësht malësori” dhe të nxjerrë një ndër gazetat më patriotike të kohës që ishte “Shypeja e Shqypnisë”. Pra është një figurë komplekse dhe shumë patriot, shumë shqiptardashës që duke punuar në një punishte si këpucar fondet që nxirrte nga kjo punë përpiqej të mbante familjen dhe të mbante botimet dhe gazetën”, 

Adhurues i flaktë i Naim Frashërit 

Bageri mbetet adhurues i flaktë i Naim Frashërit sa në prag të vdekjes së dijetarit dhe shkrimtarit të madh merr udhën për ta takuar në Stamboll. Takimi me Naimin e frymëzon për të shkruar disa vjersha patriotike dhe nje elegji per vdekjen e te madhit Naim. E veçantë tjetër e këtij patrioti të shquar është dashuria për gjuhën dhe arsimin shqip! Në dimrin e viteve1908 - 1909 ndërmerr udhëtimin e vështirë nëpër hapësirat shqiptare për çeljen e shkollave shqip. Gjonaj thekson se "Duke biseduar me Miradijen për këtë njeri me virtyte të ralla na lindi mendimi për të bërë një dokumentar për të sepse përpjekjet e tij për gjuhën dhe arsimin shqip, për zgjimin e ndërgjgjies kombëtare shqiptare, për dashurine dhe harmoninë e besimeve fetare dhe për faktin kuptimplotë se u zhduk pa lënë ne vitin e mbrapshte 1915, vit kur u vranë pabesisht Çerciz Topulli, Isa Boletini, Muço Qulli apo Ded Gjo Luli. Pra humbja e këtyre figurave të intrigon pa masë, ashtu si na intrigon edhe fakti që këtij njeriu nuk i dihet varri, Duke shfrytëzuar këto elemnte u ndërtua filmi ku hap pas hapi nëpërmjet filmit, thirrjeve në film, kërkesave kërkohet të gjedet varrii patriotit të madh.

Realizimi

Një prodhim i përbashkët shqiptaro-maqedon i Bota Shqiptare dhe Dea Film, Tetovë kushtuar një figure gjigande si Josif Bageri, me autor Kujtim Gjonaj, “Mjeshtër i Madh”. Dokumentari titullohet “I fundmi i Rilindasve Josif Bageri”. Skenariste të filmit dokumentar janë Angjelina Xhara dhe Miradie Maliqi. Operator i filmi është Spartak Papadhimitri, kompozitor Fatos Lumani, konsulent Alush Kamberi, ndërsa producentë janë Afrim Farizi dhe Genti Gjonaj. Filmi është financuar nga Agjensia për Film e Republikës së Maqedonisë dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Premiera e filmit u shfaq më 21 Dhjetor në Muzeun Historik Kombëtar, Salla UNESCO.

Kujtim Gjonaj, një rrugëtim i rrallë në filin dokumentar

Kujtim Gjonaj është skenarist, regjisor i filmave dokumentarë dhe vizatimorë, producent dhe botues shqiptar. Kujtim Gjonaj ka lindur në 13 nëntor të vitit 1946 në qytetin e Tiranës. Në vitin 1968 mbaron studimet e larta në Universitetin e Tiranës Dega Gjuhë – Letërsi dhe po atë vit fillon punën si redaktor i skenarëve të filmave dokumentarë në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në vitin 1974 kalon si regjisor në sektorin e filmave dokumentarë duke shkruar edhe shumë nga skenarët e këtyre filmave.Ai ka realizuar mbi 150 filma dokumentarë. Origjina e tij zë fill nga Tepelena, nga Mezhgorani, një vend me tradita  të hershme kulturore dhe atdhetare. Historira trimërore e krahinës vijon nga brezi në brez për të renditur në piedestal heronj si Selam Salaria apo në historinë moderne shqiptare si Mustafa Matohiti, Abaz Shehu, Asim Zeneli, emri dhe rënia heroike e të cilit lidhet pazgjidhshmërisht me fshatin Mezhgoran, vendlindjen e Kujtim Gjonajt. Mezhgorani ka gjurmime të hershme që nga koha e ilirëve, edhe pse mbeten të pavërtetuara shkencërisht. Vërtetohet ky fakt me një hamendësim të thjeshtë sepse në këtë fshat që është ndër më piktoreskët e krahinës së Tepelenës ndjen frymën dhe erën e paganizmit.

Ka tre burime ose tre kroje nga ku njerëzit shuajnë etjen me një ujë të kristaltë që të purifikon qenien dhe që kanë tre  emra kuptimplotë. Janë emra me prejardhje shqiptare me kuptim të madh për jetën rituale të fshatit. Ka një krua që quhet kroi i Hënës. Hëna ka hyrë në simbolikën popullore shqiptare si simbol i bukurisë dhe misterit. Edhe vajzën e krahasojnë shpeshherë me hënën sepse në ditë të caktuara ajo del me forma nga më tërheqëset. Një emërtim i kësaj natyre,  i këtij fshati që drapëron mes maleve dhe harlisjes natyrore,  dhe mori emërtim sllav në shekujt 4-5 të erës sonë,  ka një krua tjetër që quhet kroi i Diellës. Dielli simbol i energjisë,  ngrohjes,  jetës,  bukurisë dhe madhështisë së ekzistencës njerëzore. Dhe një emër po aq i hershëm, po aq pagan,dhe i vjetër sa vetë bota dhe lashtësia, është kroi i Erës. Brez pas brezi këto kroje kanë derdhur limfën e jetës në këtë fshat. Ka dhe emra të tjerë që lidhen me lashtësinë e ekzistencës së vjetër të këtij fshati. Dhe aty mes maleve, kaq larg qendrave të mëdha urbane,ky fshat ka qenë  përherë afër arsimit dhe kulturës. Me një shkollë që është hapur më 1914-ën,  dhe ku kanë mësuar emra të mëdhenj të historisë dhe artit shqiptar që u bënë personalitete në fushat e tyre.  Fshati duket sikur është qëndisur me blerim në faqe të Trebeshinës në luginën e Arzës në krah të Shëndëllisë, me atë krenarinë që të japin gurët e shkëmbinjtë e moçëm, përroi i Solokushes që rrjedh si një burim lotësh nëpër dheun kaf dhe kalldrëmin e gurtë të  shtigjeve ku bredhin mushkat e kuajt dhe ku dëgjohet aroma e çajit, rigonit dhe sherebelës, e ku tufat e dhive e dhenve çapiten shtigjeve të panumërta livadheve e shtigjeve shkëmbore që përdridhen monopateve që të ngjitin drejt Hojmothit. Matanë shtrihet pylli i lajthive, rrapat me fletët e tyre madhoshe, lofatat që blerojnë mureve të çative me rrasa guri  e avllive të lyera me gëlqere ku kuqëlojnë mëllagat, pjergullat e rrushit, trungjet e mëneve të zinj, bajamet , arrat, shegët e thanat. 

Banorët e këtij fshati janë njerëz që e dashurojnë punën, janë dashamirës dhe me shumë kulturë qytetare.  Fshati ka pasur migracion që në fundshekullin e nëntëmbëdhjetë, kryesisht në Turqi,Greqi, Francë dhe  ne Sh.B.A. Nga Mezhgorani është patrioti  Feim bej Mezhgorani,figurë e shquar e kohës, firmëtar i Pavarësisë dhe drejtor i parë i përgjithshëm i policisë në qeverinë e Ismail Qemalit. Edhe në qeveritë që pasuan më vonë mbajti poste të rëndësishme  në administratën shtetërore deri në prefekt i qarkut të Dibrës. Feim bej Mezhgorani në versionin zyrtar thonë se vrau veten meqë nuk duronte dot dhimbjet e sëmundjes së kancerit, por ka edhe një hipotezë se e vrau Ahmet Zogu si kundërshtar të regjimit. Po nga fshati Mezhgoran është edhe Sadiku,shoqëruesi i ditur dhe i shkathët i Miss Edit Durham gjatë ekspeditave të saj në Shqipërinë e Jugut. Shumë mezhgoranas kanë qenë  anëtarë aktivë të shoqërisë   “Vatra”  në kohën që ajo kryesohej nga Noli. Numërohen  rreth 24 pjesëtarë nga ky fshat, të cilët kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm jo vetëm në mbarëvajtjen e shoqatës por edhe për çështjen shqiptare. Dallohen midis tyre Hamit Mezhgorani nga fisi Gjonaj.

Fshati ka patur në kohë të ndryshme rreth 80 deri 90 shtëpi. Në Mezhgoran jetojnë njerëz modestë, dashamirës me një shpirt të qashtër dhe me tradita mikpritjeje dhe dashurie për mikun. Janë njerëz  të thjeshtë por me një ndjenjë të thellë pavarësie të mbrujtur në gjak. Rrënjët e tyre shkojnë shumë larg, në fillim të shekullit të 19-të, kur pashallëku i Janinës u shpërbë dhe mjaft luftëtarë tepelenas u vranë apo u syrgjynosën larg. Ndoshta, me gjasa, kështu mund të ketë ndodhur edhe me një nga stërgjyshërit e tij, Ymerin, që pasi brodhi lart e poshtë nëpër shkretëtirat e Anadollit,u kthye në fshat vetëm me një grosh në xhep. Për gati dekada të tëra fisit i ngeli mbiemri Groshi. Ende edhe sot ndër disa kushërinj te tij ,ruhet mbiemri Groshi. Nuk dihet se kur dhe si u kthye mbiemri i të parëve. Ajo që dihet është se të parët e tyre jo rrallë  kanë qenë pre e sulmeve të shovinistëve  grekë të cilët në përpjekjen e tyre për të zgjeruar kufijtë  në dëm të fqinjëve, kanë vërshuar drejt Përmetit e krahinave të Tepelenës si ujqërit e uritur. Stërgjyshërit e fiseve  Gjonaj, Mullaraj, Canaj,Banaj, Dyrmishaj, Merkohasanaj, Hoxhaj etj, ishin burra trima dhe madhështorë. Në fotot e kohës spikasin burra të veshur me kostume  dhe  qostekun e artë në xhepin e jelekut me një mençuri që lexohet në shikim dhe që trashëgohet brez pas brezi ndër banorët e këtij rrethi. Në kohën e luftës italo-greke i gjithë fshati u detyrua të largohej e te merrte arratine sepse në Mezhgoran ra vija e luftimeve. Fshati u dogj dhe u bënë reprezalje. U shkrumbua dhe shtëpia e gjyshit të Kujtimit si dhe shumë shtëpi të tjera.

“Një zë po del nga grykë e Mezhgoranit”

Mevlan Shanaj

Kujtim Gjonaj prej gati 1/2 shekulli në krijimtari është prezent me mënyrën e tij konstante përherë me ndjenjën e së bukurës pa bërtitur por asnjëherë indiferent. Prej shkrimeve në publicistiken e shkruar, u fut me pasion në ekran si autor. Prej vitesh ka kërkuar të ishte një zë i vëmendshëm në ekran duke lëvruar tema të historisë apo të figurave gjurmë lënëse në jetën e shqiptareve të kudo ndodhur. Jeta e tij e përmbushur me imazhe pafund mes nesh, mbetet një nga figurat e buta që njeriu ndjehet mirë kur e takon, pse jo edhe kur ka rastin të jetë shikues i krijimtarisë së tij të freskët .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat